Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 4 korrikun Ditën e Pavarësisë.Kjo datë shënon 241-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 241 vjet më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre, ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.
