Bjeshkët e Moknës në Istog, përkatësisht Rudak-a, ishte shndërruar në vend të ahengut nga qytetarët e ardhur edhe jashtë komunës së Istogut. Me fjalët, “me hajr iu koftë dhe me të shëndosh”, uronin plakun 72 vjeçar, Rexhep Hakaj nga Oroberda dhe familjen e tij, ngase ishin mikpritës dhe organizator për të shënuar ritin e “Qethjes së deleve”, i cili ruhet me fanatizëm nga vendasit e kësaj komune, por edhe të komunave tjera të Dukagjinit. Mixha Rexhep, edhe pse këto vite mbi supet e tij, gjen forcë të përkujdesët për më shumë se 700 dele dhe qengja të tij, duke u ndihmuar edhe nga familjarët e tjerë, për të cilin, “delet janë çdo gjë për mua, ngase ushqimin që konsumoj e kam të sigurt e jo të helmuar nga pesticidet apo medikamente tjera kimike. “Që nga mosha 11 vjeçare kam filluar të përkujdesem për delet, dhe për këto vite të jetës, asnjëherë nuk kam kërkuar ndihmën e mjekut, ngase ushqehem me produkte që marr nga delet e mia, të cilave ua bëj mundimin”, deklarohet plaku Rexhep, duke treguar se gjumin e bënë në postaja të leshit, edhe në këto ditë të vapës. Përderisa babai i tyre përkujdesej për delet dhe qethtarët të cilët me gërshërët e tyre, po përvjelnin dhe largon leshin nga trupi i deleve, bijtë e Rexhepit përkujdeseshin për të pranishmit, duke falënderuar për kohën që kishin ndarë për familjen e tyre, për vizitën e bërë në këto ditë të nxehta, por të “shenjta”, për ruajtje të traditave të bjeshkatarëve. “Janë familje bujare, familje e dëshmuar edhe gjatë kohës së luftës”, tregon njëri nga mysafirët e ardhur, Bajram Mehmetaj, i cili tregon si plaku Rexhep dhe bashkëshortja e tij, Dyka, kishin ushqyer, shëruar dhe ndihmuar qytetarët dhe luftëtarët e lirisë, në rrugën e tyre drejtë shteteve fqinjë. Për bujarinë dhe kontributin shoqëror të familjes Hakaj, tregon edhe profesori i Gjuhës Shqipe, Ukë Ukaj nga Kaliçani dhe gazetari i njohur i këtyre anëve, baca Zeqë (Zeqir Mehmetaj), sipas të cilit, Stanet e kësaj familje dhe dy pleqtë bashkëshortor, ishin vend strehim i shumë qytetarëve dhe luftëtarëve të lirisë, që pos ushqimeve që ofronin, ishin shndërruar mjekë të atyre që kishin nevojën për të marrë rrugën e gjatë drejt Shqipërisë apo Malit të Zi.
Në njërën anë; tingujt e muzikës, këngët malësorçe, ushqimet dhe vallëzimet tradicionale, e në anën tjetër; burrat zanatli istogas, kryenin qethjet e deleve që nxirreshin nga vathët e tyre, duke ua lehtësuar “barrën” që kishin nga leshi i shumtë. Njëri nga qethtarët që zanatin e qethjes kishte filluar që para 40 vitesh, Rexhep Gorçaj, shprehët se ndjenë kënaqësi për punën që bën prej qethtari, të cilën e konsideron si “hobi” të tij. “këtë zanat e ushtroj për katër dekada, jo që ndjej obligim, por ndjejë një kënaqësi apo më shumë e marrë si art, sikurse që janë artet tjera”, ka nënvizuar Gorçaj, duke mos ndaluar së qethuri, përkundër vapës së madhe dhe djersëve që kaplonin. Por, ky qethtar thotë se nuk është më i miri i kësaj ane, ngase ishte një tjetër që ishte jo më larg se tri metra, duke bërë të njëjtën punë të qethjes. “Ne (Istogu), kemi qethtarin më të mirë në gjitha trojet shqiptare, kemi Canë Rugovën që është i njohur edhe andej kufirit, në shtetin amë të Shqipërisë”, na thotë Gorçaj, duke orientuar shikimin e tij nga personi, të cilin e nderonin të rinj e të vjetër që ishin të pranishëm. Modestinë e tij, edhe pse kolegët e quanin “ më i miri qethtar”, e shpreh edhe vet bariu tashmë i mirënjohur, mixha Canë, që në shaka na thotë, “jo more, veç më ka marrë kënga, se ka shumë më të mirë se Unë”. Sipas tij, ruajtja dhe kultivimi i traditave të bjeshkës, Istogu është ndër komunat më të njohura në gjithë shqiptarinë, ndaj nuk është rastësi edhe nuri i madh i deleve që mbajnë familjet istogase, të cilat përkrahen edhe nga institucioni i tyre komunal dhe Qeveria e shtetit të Kosovës, qoftë përmes subvencioneve apo projekteve që mundësojnë zhvillimin e blegtorisë.
Largimi nga Bjeshka e Rudak-ës dhe familja e madhe Hakaj, përcillej me urimin “mirë ardhshi edhe në momentet tjera të shënimit të riteve shqiptare të këtyre anëve”.