Azem Bejtë Galica (1889-1924) ka qenë njëri ndër luftëtarët më të njohur të historisë së popullit shqiptar, kundërshtari dhe luftëtari më i pa kompromis i pushtimit të Kosovës dhe viseve të tjera nga Serbia e shtetet fqinje, strategu dhe heroi i kohës së tij, i cili për 12 vjet rresht, veproi dhe luftoi për çlirimin e viseve shqiptare nga robëria sllave. 12 vjet në male, në luftëra e beteja, në shtegtime nëpër shtigje, duke u përballur me sa e sa prita, 12-vjet pa pushuar edhe një ditë si duhet, 12 vjet pa e bërë edhe një natë gjumë si duhet, 12 vjet në vapë, shi, dëborë, acar, shpeshherë i pa ushqyer si duhet, shpeshherë i sëmurë dhe me plagë në trup… Po çuditërisht, edhe krahas tërë asaj luftë dhe militantizmi atdhetar, krahas rezistencës më të fortë dhe të pakrahasueshme të kohës,- edhe sot e kësaj dite, madje edhe nga studiues shqiptarë, Azem Galica konsiderohet “kaçak” mali, madje edhe “krye-kaçak i Drenicës” apo i kaçakëve.
Këtë njollë emrit të Azem Galicës nuk ia ka hequr deri sot “historia” zyrtare e Kosovës apo e Shqipërisë dhe ky është një turp më shumë për të mos thënë krye-turpi që ka arritur deri në kohën tonë.
Cili popull në botë do të pranonte që një kryetrim si Azem Galica dhe një krye-trime si Shote Galica të trajtoheshin “kaçakë”, hajdutë, vrastarë, vetëm sepse ashtu e ka trajtuar regjimi, me këtë rast regjimi shqiptar-vrasës dhe shqiptar-shfaronjës i Nikolla Pashiqit dhe i regjimeve të tjera serbe e sllave deri në vitin 1999. Njolla që ia bënë, me apo pa vetëdije, Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare, një klasë e tërë historianësh, duke e quajtur Lëvizje Kaçake, sipas sintagmës serbe “Koçaçki pokret”, le t’ iu mbetet atyre në ndërgjegje.
Personaliteti luftarak, qëndresa dhe lufta e organizuar e Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët prijës ideorë kishin: Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hoxhë Kadriun dhe organizatën, “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, janë të denja për piedestalin e heroizmit shqiptar në shekuj.
Azem Galica, nuk ishte vetëm një trim popullor, që nuk e honepste robërinë. Ai nuk luftonte vetëm për çlirimin e Drenicës, apo për t’ ia lënë një nam më tepër vendlindjes së tij, nuk luftonte për t’u pasuruar duke i zgjeruar pronat në Galicë, por së bashku me trimat e trimëreshat e tij luftonte, kundër një regjimi barbar, kundër regjimit më barbar të kohës të Serbisë së Nikolla Pashiqit, e cila kishte program shtetëror, shfarosjen kolektive të shqiptarëve. Lufta kundër një Serbie të tillë nuk ishte e pamundshme dhe këtë më së miri e provoi, Azem Galica me trimat e tij, në kohën e tij, ashtu sikur nuk do ta konsideronte të pamundur luftën kundër regjimit barbar të Milosheviqit, Adem Jashari në kohën e tij.
Edhe këtu kemi një koincidencë interesante. Regjimi i Pashiqit, Azem Galicën e trajtonte “kaçak, bandit vrasës”, dhe e kishte likuiduar me tërë familjen, ndërsa regjimi i Milosheviqit, Adem Jasharin e trajtonte dhe e trajton vrasës, terrorist e bandit, dhe po ashtu e kishte likuiduar gati me tërë familjen….
Ahmet Qeriqi