Numri i të sëmurëve me kancer në Klinikën e Onkologjisë është rritur në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar. Zëvendësdrejtori i kësaj Klinike, Ardian Millaku, ka thënë për “Ekonomia Online” se vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 janë evidentuar 765 raste të reja të sëmurëve me kancer. “Kemi numër të madh të pacientëve me sëmundjet tumoroze me kancer. Në krahasim me vitet paraprake, kemi shtim të rasteve të reja, një evidentim më të saktë të tyre. Por edhe si rezultat edhe i një pjese të pacientëve që kanë shkuar nëpër vendet e rajonit tashmë kthehen për ta marrë trajtimin në klinikën tonë për shkak se ne ofrojmë kushtet optimale për trajtimin e këtyre rasteve. Por, është edhe një rritje reale e rasteve të reja me kancer. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 kemi 765 raste të reja, që i bie se, në krahasim me gjashtëmujorin e vitit 2016, është një rritje reale, diku prej 30-35 % të rasteve të reja”, ka thënë ai. Pavarësisht prej kësaj rritje për 30 %, kjo klinikë ballafaqohet me mungesë të stafit që është i nevojshëm për trajtimin e rasteve me kancer. “Për shkak të fluksit të madh të pacientëve, sepse brenda ditës frekuentojnë 150-200 pacientë, është fluksi shumë i madh i pacientëve dhe për ta përballuar këtë fluks është i nevojshëm të shtohet numri i specialistëve. Ne presim që shumë shpejt edhe pesë specialistë ta fillojnë punën në klinikën tonë. Është e domosdoshme shtimi i teknikëve të radioterapisë dhe i infermierëve të stafit të mesëm për shkak se është një evoluim i madh i punës”, ka sqaruar Millaku. Sipas tij, kjo klinikë në vazhdimësi ka bërë kërkesa për shtim të stafit, mirëpo mosrealizimi i kësaj kërkese, sipas tij, është duke ndodhur për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …