Kryebashkiaku Erion Veliaj ka qënë këtë të hënë në njësinë nr. 4, ku përfundoi ndërtimi i rrugës “Selaudin Bekteshi”. Ai u shpreh se është mbajtur premtimi për një Tiranë më dinjitoze. Kryetari theksoi se veç infrastrukturës rrugore është ndërhyrë edhe në krijimin e të gjitha mundësive për të qenë një zonë e denjë urbane, në mënyrë që banorët e këtyre zonave të ndihen qytetarë të barabartë. “Jam shumë i lumtur që kemi sjellë një infrastrukturë cilësore, kemi bërë një kopsht, një çerdhe, një qendër sociale, që do të thotë se investimet cilësore po vijnë edhe në zonat periferike. Tiranën nuk e zhvillojmë dot nëse transferojmë gjithë njerëzit te kali i Skënderbeut, por vetëm duke punuar me këtë cilësi, çdo ditë nga një rrugë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku tha se veç investimeve në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, gjelbërim, kësaj zone do t’i shtohet shumë shpejt edhe një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën arsimore. Ai siguroi se shkolla e re “Ardian Klosi” do të ketë një cilësi të lartë mësimdhënie, ndaj i bëri thirrje prindërve që fëmijët e tyre duke filluar që nga ky vit t’i regjistrojnë në këtë shkollë. Ai u ndal edhe te situata e ujit të pijshëm, duke theksuar se falë aksionit të Task-Forcës por edhe të bashkëpunimit që kanë treguar qytetarët situata është drejt normalizimit. “Dua të falënderoj gjithë qytetarët për bashkëpunimin për sa i përket ujit të pijshëm. Situata po shkon drejt normalizimit. Do të doja që të vazhdonim me të njëjtin sens kursimi dhe nikoqirllëku, duke qenë se ky është një mall i fundmë, pra që e ka një limit”, u shpreh Veliaj. Por, ai theksoi që edhe këto ditë të nxehta të përballohen me sukses dhe që çdo qytetari t’i sigurohet uji i pijshëm, është e nevojshme vijimi i aksionit në terren, por edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve se nuk mund të shpërdorojnë ujin e pijshëm.
Kontrolloni gjithashtu
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, nuk iu beson shifrave të kryeministrit Kurti për Buxhetin e vitit 2025
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, nuk iu beson shifrave të kryeministrit Kurti për …