Komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi është nderuar sot me “Medaljen e Lavdërimit të OHIO-s” të dhënë nga guvernatori i shtetit të Ohajos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shenjë njohje të udhëheqjes dhe profesionalizimit të treguar gjatë punës së tij. Ndarja e kësaj medaljeje është bërë në ambientet e kazermës “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së në Ferizaj, me rastin e pritjes në një vizitë lamtumirëse të komandantit të Grupit Shumëkombësh Luftarak të Lindjes (GSHL) kolonel Corvin Lusk, të cilin pas largimit do ta zëvendësojë komandanti i ri i GSHL-së, kolonel Michael Spraggins. Në medalje shkruan: “Për shërbim meritor gjatë udhëheqjes si komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcën e Sigurisë të Kosovës. Gjeneral Brigade Enver Cikaqi shfaqi lidershipin dhe profesionalizmin duke e vendosur gjithnjë misionin dhe mirëqenien e ushtarëve mbi të tijën. Performanca e tij e jashtëzakonshme gjatë kryerjes së detyrave dinamike e dalloi në mënyrë të jashtëzakonshme. Përpjekjet e tij treguan këmbëngulje përballë vështirësive, të cilat pasqyrojnë një kredi të madhe ndaj vetës, Forcës së Sigurisë të Kosovës, Grupit Shumëkombësh Luftarak të Lindjes dhe Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ndryshe, gjatë takimit, komandanti i KDS-së, gjenerali Enevr Cikaqi, falënderoi kolonelin amerikan Corvin Lusk, për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë dhe po jep në përgjithësi për KDS-në dhe në veçanti për FSK-në. Ai njëherësh theksoi bashkëpunimin e veçantë ndërmjet stafit të Grupit Shumëkombësh të Lindjes dhe të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, i cili rezultoi me aktivitete të përbashkëta, trajnime për stafin e KDS-së, si dhe asistencë me instruktorë në kurse të ndryshme të mbajtura në KDS dhe Bondstil. Gjenerali Cikaqi i dëshiroi mirëseardhje komandantit të ri të GSHL-së, kolonelit Michael Spraggins dhe të dy komandantët u zotuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ndërsa, koloneli Corvin Lusk falënderoi gjeneralin Cikaqi, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, si dhe për qasjen konstruktive, duke theksuar rëndësinë e udhëheqjes në zhvillimin profesional të stafit të KDS-së dhe të FSK-së.
Kontrolloni gjithashtu
“KB Krusha” i ka quajtur tendencioze dhe të pabaza pretendimet e ministrit, Faton Peci
Kooperativa Bujqësore “KB Krusha” i ka quajtur tendencioze dhe të pabaza pretendimet e ministrit, Faton …