Fillon ndërtimi i dy shtëpive për familje nevojtare në komunën e Skenderajt

Ka filluar ndërtimi i dy shtëpive për dy familje nevojtare të fshatit Prekaz i Epërm të komunës së Skenderajt. Ndërtimi i shtëpive për familjet e Arsim Lutfiut dhe Ekrem Veliajt do të bëhet falë ndihmës së Shoqatës Jetimat e Ballkanit me përkrahje edhe të Komunës së Skenderajt. Në ceremoninë e vënies së gurthemelit të dy shtëpive kanë marrë pjesë udhëheqësi i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit” Halil Kastrati dhe Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt Enver Gashi. Kastrati me këtë rast është shprehur shumë i kënaqur me mundësinë që ka shoqata “Jetimat e Ballkanit”, për të ndihmuar në strehimin e familjeve nevojtare. Ai i ka falënderuar të gjithë donatorët e shoqatës, Komunën e Skenderajt dhe Kryetarin Sami Lushtaku për bashkëpunimin e sinqertë në ndihmë familjeve skamnore. Në emër të Komunës së Skenderajt drejtori Enver Gashi e ka falënderuar shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për ndihmën e vazhdueshme për familjet në nevojë të Skenderajt. Ai ka siguruar se përzgjedhja e këtyre dy familjeve për t’i ndihmuar është bërë bashkërisht me shoqatën dhe ka qenë e arsyeshme, sepse ato kanë jetuar në hapësira të papërshtatshme banimi dhe janë familje që kanë probleme shëndetësore dhe ekonomike. Dy kryefamiljarët, Arsim Lutfiu dhe Ekrem Velia, u shprehën shumë të kënaqur dhe falënderues për të gjitha ata që po ndihmojnë ndërtimin e shtëpive të tyre, në veçanti për udhëheqësin e shoqatës “Jetimat e Ballkanit” Halil Kastrati, si dhe për Komunën e Skenderajt. Ndërtimi i këtyre dy shtëpive që ka filluar, pritet që të përfundojë shumë shpejt dhe këto familje do ta zgjidhin përfundimisht problemin e banimit. Shoqata humanitare “Jetimat e Ballkanit” edhe në të kaluarën ka përkrahur familje të Skenderajt me gjendje jo të mirë ekonomike në sigurimin e banimit dhe kushteve më të mira për jetë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …