Komandanti i FSK-së priti Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë

Komandanti i FSK-së priti Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti sot në Ministri, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, njëherësh edhe Komandant i Komandës së SHBA-ve për Evropë, gjeneralin Curtis M. Scaparrotti të shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Gjovanni Fungo. Gjenerali Scaparrotti u prit me ceremoni solemne nga Togu Ceremonial dhe Orkestra frymore  e FSK-së e cila edhe ekzekutoi, për herë të parë, Himnin e NATO-s, si dhe Himnin e Republikës së Kosovës. Në takimin e përbashkët të gjeneral Ramës dhe gjeneralit Scaparrotti, u bisedua për çështjet e sigurisë në Republikën e Kosovës, në rajon dhe më gjerë, gjithashtu u bisedua edhe për profesionalizimin e institucioneve të sigurisë të vendit tonë, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të FSK-së me KFOR-in dhe NATO-n, në përgjithësi.

Në këtë takim, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama e falënderoi komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneralin Scaparrotti për angazhimin e NATO-s nëpërmjet KFOR-it, në ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë në Kosovë, e gjithashtu edhe për rolin e NATO-s, nëpërmjet Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për këshillimin dhe zhvillimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjithashtu e njoftoi gjeneralin Scaparrotti, për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, kapacitetet ekzistuese dhe gatishmërinë operacionale të sajë, si dhe për planet e udhëheqësve të MFSK/FSK dhe institucioneve më të larta të vendit për avancimin e misionit dhe detyrave, pra në përgjithësi, për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

  Gjeneral Rama  siguroi gjeneralin Scaparriotti se FSK-ja është e gatshme të filloi procesin e transformimit menjëherë pasi të merret vendimi politik. Njëkohësisht, gjeneral Rama i shprehu gjeneral Scaparriottit gatishmërinë e FSK-së që me kapacitetet ekzistuese po edhe ato të ardhshme të jetë garantuese e paqes në vend si dhe të kontribuojë dhe të jetë krah për krah me partnerët në misione jashtë vendit.

Nga ana e tij, komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjeneral Curtis  Scaparrotti shprehu përgëzime për lidershipin, profesionalizimin si dhe bashkëpunimin e mirë që FSK-ja ka me KFOR-in, për angazhimet e saj, në të mirë të komunitetit dhe zhvillimit të Kosovës në përgjithësi duke premtuar përkrahjen e NATO-s për ushtrimet fushore dhe stërvitjet e përbashkëta, trajnime dhe operacione si dhe shkollim profesional të pjesëtarëve të FSK-së.

 Gjenerali amerikan shprehu përkushtimin e NATO-s, për paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon, dhe se paqja, siguria dhe prosperiteti janë edhe në interes të NATO-s, dhe vendeve anëtare të saj e më gjerë.​​

 Në takim me gjeneralin amerikan ishin edhe Sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, drejtori për operacione gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe asistenti ushtarak i KOMFSK,  major Berat Shala.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …