Pas Mustafa Nanosit, i cili “zbulon” se nëna e Skënderbeut paska qenë sllave, personi i firmosur si Berat Armagedon, ka shkruar në gazetën, “Epoka e re” se teksti i Himnit Kombëtar të shqiptarëve qenka një “mutsihane”, që e paska bërë atdhetari dhe poeti i madh i Rilindjes Kombëtare, Aleksadër Stavri Drenova i njohur si, Asdreni. Edhe pse dihet mirëfilli se teksti është përshtatur nga gjuha rumune, ky farë “abrakadabra” mendon se paska bërë një zbulim epokal, por Himnin e kombit e përdhos dhe e përbuz më keq se çetnikët e Beogradit. Ai pastaj i mbanë leksion Asdrenit, ( i cili ka vdekur qe 70 vjet më parë) dhe të gjithë shqiptarëve se himnet, sipas tij po u shkruakan që t’u përshtaten, së pari, karakteristikave kombëtare, historike, etnografike të popullit, e jo dukjes së flamurit.
Është e qartë se mesazhi i fjalisë së Himnit, “Nga lufta veç ai largohet që është i lindur tradhtar” u bie kokës e mendjeve të gjithë shqipfolësve e bastardëve dhe kjo nuk është për t’u habitur, por botimi i një shkrimi të tillë, në një gazetë, që pretendon se është serioze dhe ruan vlerat kombëtare, është i turpshëm. Të ishte botuar shkrimi i tillë në Ekspres, ku fyhet e përdhoset lufta e UÇK-së dhe Adem Jashari, nga sharësi me damkë, shqipshkruesi, Arben Idrizi kjo nuk i bën më përshtypje askujt, sepse dihet kush e financon një portal të tillë.
Mendjet e çoroditura, vetëm në portalet dhe gazeta të çoroditura gjejnë hapësirë. (RKL)
“Himn për flamurin shqiptar patën shkruar dhe kompozuar poet shqiptarë edhe para Asdrenit. Cilido prej atyre që e ka punuar një, ka qenë shumë më origjinal në krijim të tij sesa që ka qenë Asdreni dhe këtë “mutsihane” që e ka bërë. Që ta kemi të qartë, himnet shkruhen që t’u përshtaten, së pari, karakteristikave kombëtare, historike, etnografike të popullit, e jo dukjes së flamurit. S’mjaftohet që në dy tre-vende të himnit të tashëm të përmendet Shqipëria, të përmenden shqiptarët e dikurshëm që përbashkoheshin rreth flamurit. B.A. ( Epoka e Re 21. 7 2017)