Qëllimi i këtij shkrimi nuk është thjesht një nekrologji e rëndomtë, siç shkruhet zakonisht në këto raste, ku përkujtohet një figurë sublime e martirizuar në tabanin kombëtar. Do të mundohem që të kaloj përtej, përtej së madhërishmes- pa dyshim, këtë e meritojnë burrat e dheut siç ishte i madhi Remzi Ademaj – alias Petrit Kodra!
… Gjatë këtij mijëvjeçari trungu shqiptar u copëtua dhe u ricopëtua me dhjetëra herë, megjithatë burrat e dheut nuk ngarendën së vepruari për liri e bashkim kombëtar. Që përtej Lidhjes së Prizrenit e këtej, deri tek ditët e sotme, shqiptarët janë në rrugë të mbarë për të realizuar aspiratat e natyrshme dhe të domosdoshme siç është liria dhe bashkimi kombëtar, ku secili do të frymojë i lirë në atdheun e vet.
Pa dyshim se kjo do kohë, punë të pareshtur, seriozitet, sakrificë, bashkëveprim mendjesh të ndritura, fisnikërim shpirti e ndërgjegje dhe përkushtim. Të shkruash për luftën çlirimtare, për këta burra të dheut, mbi të gjitha është përgjegjësi, mirëpo kjo nuk nënkupton se ne duhet të heshtim!, jo, përkundrazi, ne duhet t’i kujtojmë të gjithë ata që morën pjesë në luftën çlirimtare, për ata që ranë, për ata që shpëtuan, për ata që ishin kuadro dhe luftëtarë, për ata që e ndihmuan luftën fizikisht, moralisht dhe materialisht, me një fjalë për ata që atdheut i dhanë diçka më shumë nga të tjerët… Dikush do të kujtojë emocionet që ka ndier kur ka veshur uniformën e UÇK-së, dikush do të kujtojë luftën, dikush rëniet e shokëve, dikush heroizmat e tyre, dikush sokolat dhe sokoleshat që hidheshin mbi tanket e pushtuesit, dikush amanetin e tyre, dikush burrërisht me zemër e dashuri, dikush me emocione e sentimentalizëm, dikush me dinakëri e servilizëm, dikush me mburrje e krenari, dikush me këngë e çifteli, pa dyshim se të gjitha këto së bashku kompletojnë historinë tonë më të re!…
Deshëm apo jo, lindja e radhëve të UÇK-së, në rrafshin kombëtar, vuri themelet e historisë sonë më të re duke këputur kështu prangat e çelikta të robërisë shekullore, duke rimëkëmbur dinjitetin tonë kombëtar, duke detyruar botën e civilizuar që t’i thërrasë ndërgjegjes, ngase mbi shqiptarët e Kosovë atëbotë po ushtrohej një gjenocid i paparë nga pushtuesi barbar serb.
Në vetën e parë:
… Kaluam Alpet shqiptare (ashtu si shumë luftëtarë të lirisë), radhës po i printe Azem Syla, Qelë Qela, Halit Naxhaku, Hysni Geci, Driton ? (nga anët e Vushtrrisë, mbiemri nuk më kujtohet), Brahimi nga Hasi, një luftëtar tjetër nga Prizreni (emri i të cilit nuk po më kujtohet) e disa të tjerë. Deri tek kufiri, ku na kishin përcjellë dhe furnizua me armatim, Haki Drenica Zeqë “Çopa”, Hamza Morina, Gani Veseli etj. Pas shumë peripecive, dita na gdhiu në fshatin Goden. Burrat e këtij fshati na futën në kullat e tyre (një kullë dykatëshe e vjetër ku ishim ne, i zoti i saj, një djalosh rreth të 25-tave, arsimtar, babanë nuk e kishte pasur, vetëm të ëmën), na shtruan për të ngrënë, na shëruan trupin dhe shpirtin, duke na siguruar se të gjallë nuk na japin!… Si të shprehem ndjenjash; kishte disa vite që nuk kisha dëgjuar fjalë burrash si ato të Isa Boletinit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit et. “Të gjallë nuk ju japim!”…
Këta ishin burrat e Godenit legjendar, të cilët pritën, strehuan dhe përcollën shumë çlirimtarë të Kosovës…, kjo sakrificë më pas atyre u kushtoi me jetë, pushtuesi barbarë serb, gati në përfundim të luftës në shenjë hakmarrjeje ekzekutoi 22 burra nga ky fshat! Lavdi e përjetshme atyre, përkulje deri në tokë para jush, para burrave, nënave, grave, nuseve, fëmijëve dhe motrave të Godenit zemërmadh! Kurrë mos qoftë e harruar buka dhe konaku juaj, o burra të dheut, o burra të Godenit të madh!
… Ju lumtë goja mor burra, ju ndritë konaku besa e nderi juaj- ia ktheva me gjithë shpirt të zotit të shtëpisë, se edhe ne këto armë nuk i kemi vënë krahut kot, nuk do ta koritim as konakun tënd, dhe as Kosovën! Aty bëmë një pushim të mirë, pas dite nga Gerqina dhe Lipovica morëm drejtimin për në Demjan, shoferi i makinës ku ishim ne kishte qenë profesor i kimisë rreth të dyzetave e ca, të rritej zemra dhe shpirti, kudo ambient shqiptar, kudo ushtarë të UÇK-së, kudo gatishmëri për të dhënë jetën si me le në shërbim të atdheut – e mahnitshme! Dhe kështu gjatë tërë asaj pasdite, shtab pas shtabi, dikur vonë arritëm në Malishevë e fare vonë në Shtabin e Kleçkës heroike, atje në zemër të Kosovës.
Aty takuam shokët, luftëtarët e lirisë: Jakupin, Hashimin, Lulin, Çelikun, Ramën, Gazetarin, Musën, Llucin, Tonin, Micin, Vogëlushin, Bukuroshin e dhjetëra të tjerë, një pjesë e mirë e të cilëve nuk janë më në mesin tonë – Lavdi e përjetshme heroizmit dhe veprës së tyre!
Pas ca ditësh isha ngarkuar që nga ana logjistike të inspektoj rajonin e Suharekës e gjithandej deri në Prizren. Tërë kohën më shoqëroi epror Musa. Më pastaj nga Prizreni ( unë dhe Musa), duhej të kalonim në Shqipëri për çështje furnizimi. Ato ditë sulmet serbe ishin të furishme, pas një rezistence të madhe, kishte rënë Malisheva, armatimet ishin jo të mjaftueshme, ushqimet po ashtu, si të thuash ishte një gjendje e pafavorshme për forcat çlirimtare. Me gjithë armatimin shumë herë më të paktë se armiku, ushtarët tanë ishin në nivel të përgjegjësive, me moral të pamposhtur, tërë kohën në istikame, po luftonin, po ia merrnin këngës dhe po bënin edhe hoka për ditën që po linin mbrapa…, kjo të bënte me krahë dhe të jepte kurajë si askund në botë: shqiptarët po mbijetonin! Pas ca ditësh, erdhi koha që të ndaheshim. U përshëndetem fort mes vete. “Daja” më dha një shkresë që kisha për ta përcjellë në rrethin e Krumës për çështje furnizimi. Aty nga mbrëmja (mesi i korrikut ‘98), kaluam në Therandë, pa dyshim nën përcjellje të sigurt të luftëtarëve të lirisë. Të nesërmen vëzhguam një shtab rajonal të Therandës, bëmë një renditje të kompanisë, verifikuam gjendjen, bëmë edhe një bisedë shumë vëllazërore, morale-politike, ku këmbyem shumë mendime dhe përvoja rreth luftës sonë çlirimtare. Tek po vëzhgonim, nën shoqërimin e Xhavit Bajraktarit ( tani Dëshmor i Kombit), nuk ishte e vështirë të vëreje epërsinë; ato anë kishin qenë më të furnizuara me armatime, me ushqime e me pajisje sanitare, krahasuar me anët e Kleçkës, të Malishevës dhe të Drenicës në përgjithësi, kjo ishte shpresëdhënëse se çështja jonë megjithatë po ecte mirë.
Pas dy-tri ditësh kaluam në rajonin e Prizren, më saktësisht në Lez e Vrri të Jeshkovës. Tani nuk i kam fiksuar emrat e shumë fshatrave të atyre anëve, kaluam nëpër shumë vende të rrezikshme, madje çdo përballje me pushtuesin nënkuptonte zjarr të përnjëhershëm! Më kujtohet fshati Grazhdanik, ku kalonim afër një kishe, ishte një pozicion mjaft i papërshtatshëm, aty shpesh pozicionohej milicia serbe, siç na njoftoi përcjellësi ynë. Më vonë mësove me dhimbje se pikërisht në atë zonë kishte rënë zemërluani Komandant Remzi Ademi. Më në fund u futem në rajonin e Vrrinit. Më vjen keq që as sot e kësaj dite nuk i mësova tamam emrat e shoferëve që na shoqëruan gjatë gjithë asaj kohe, që nga Kleçka e deri në Lybeqevë (malësi e Vrrinit), e deri në Mazrek të Hasit e në Krumë. Më sa mbaj mend njëri nga ta quhej Milaim, ishim në detyrë, dhe nuk lejohej që t’i prezantonim emrat njëri-tjetrit. Unë prezantohesha vetëm si “Drenica”, si zakonisht takimet e para ishin me rojat, të cilat pasi që na legjitimonin, na hapnin rrugë, duke na drejtuar për në shtabe, apo vende ku ata ishin të pozicionuar e fortifikuar. Ishte mbrëmje dhe nuk po e kapja dot natyrën përreth. Na përcollën gjer në Shtab të Vrrinit, një shtëpi dykatëshe siç dukej ende e papërfunduar (e pa meremetuar tërësisht), në mes të një kopshti të vogël të rregulluar me shije, dhe, siç e vërejta të nesërmen, ky shtab, kishte një pozitë të mirë fortifikuese.
Erdhi momenti i pritur: përpara na doli komandant Remzi Ademaj – alias Petrit Kodra. Na priti krahëhapur, me buzagaz e dashamirësi. U ulem brenda në zyrat e Shtabit. Petriti dukej ca i lodhur me një zbehje të dukshme në fytyrë, si gjithmonë buzagaz dhe pedant, i rregullt, i rruar, i pastër. Mbante syze ca të errëta, tani me thinjat e dukshme në flokun e tij, i qetë, i matur në bisedime, fliste qartë dhe shtruar për gjendjen që ishte në ato anë, për mobilizimin e masave, për furnizimin, për strategjinë luftarake dhe për shumë gjëra tjera. Ishte intelektual i rrallë, trim i patundur, me një fjalë atdhetar i kompletuar si rrallëkush. Ai kishte kaluar një jetë të tërë në shërbim të atdheut, duke qenë pjesë përbërëse dhe organizator i ilegales së hershme, një nder të parët e aksioneve të ndryshme, tani edhe të luftës, pra me armët e lirisë në dorë të cilat i kishte ëndërruar prej kohësh. Koncepti i qartë politik dhe aftësia e tij organizative respektohej nga të gjithë. Kishte durim dhe kulturë dëgjimi për mendimin e tjetrit, aq sa ishte edhe i vendosur dhe i pa kompromis në idetë e tij çlirimtare. Me kërshëri dëgjonte këshillat që i ofroheshin, për të cilat herë pas here mbante edhe shënime. Kështu duke biseduar gati na zbardhi dita. Të nesërmen, sa u zgjuam nga gjumi, gjëja e parë që më zuri syri në shtabin ku ishte Komandant Petriti, ishte vërtet një rregull ushtarake, aty vërejta edhe rendin shtëpiak (që s’e kisha hasur në shumë shtabe tjerë), ishte përpiluar me aq kujdes nga vetë Petriti, për t’u admiruar: koha e zgjimit të ushtarëve nga gjumi, koha e stërvitjes, e ushtrimeve, e vakteve të ushqimit, e trajnimit, e furnizimit, orari i rojave, si dhe masat disiplinore për të gjithë ata që thyejnë rregullin ushtarak. Në fund të rregullores kishte edhe vulën e Shtabit të UÇK-së për Vrri, të nënshkruar nga Komandat Petrit Kodra, me një fjalë gjithçka e kompletuar!
Kjo më fascinoi, një veprim dhe rregull ushtarak që i vinte era institucioni! E përgëzova shumë sinqerisht për këtë, për gjithë atë punë dhe përkushtim… veç tjerash ai po mbante po me aq pedanteri edhe arkivin e luftës, çdo gjë ishte për t’u admiruar. Kjo e bënte atë edhe më të dashur e më të respektuar para ushtarëve të lirisë. Atij nuk i kthente kush fjalën mbrapsht, nën komandën e tij ushtarët ishin të gatshëm që të flijoheshin kurdo dhe kudo që e kërkonte interesi i kombit, diçka madhështore. Gjatë ditëve në vijim për aq sa qëndruam në Vrri, vëzhguam edhe fortifikatat e tjera që ishin ngritur aty, pa dyshim dhe gatishmërinë luftarake atje. Tani të shoqëruar nga Komandant Drini, vizituam të gjitha pikat ushtarake, pozitat e tyre, madje u futëm deri në lagjen “Tusus”, të cilën forcat serbe ditë më parë e kishin djegur dhe granatuar, më kujtohet se në kopshtin e një shtëpie të djegur mora një domate të skuqur që përkohësisht kishte mbetur pa të zot!…
Në pikën fortifikuese ku quhej pozita ose fortifikata e vreshtave, takova edhe luftëtarin Naser Berishën, pastaj aty ishte edhe një luftëtar nga Duboci i Drenicës e dhjetëra ushtarë të tjerë me të cilët u përshëndetem përzemërsisht. Së bashku ndamë mendime dhe çaste të këndshme, gjithnjë duke marrë kurajë të re për këta trima viganë. Në fakt, Komandant Drinit për këtë pikë, pra të “Vreshtave” i dhashë vërejtjet, apo më mirë me thënë sugjerimet e mia, pikë kjo që ishte përballë ish-“Farmakosit”, njëkohësisht i paraqita edhe kërkesën që me intervale dyjavëshe, ushtarët e kësaj zone të dërgoheshin në Drenicë, në mënyrë që të këmbenin përvoja të kapshme dhe konkrete nga terreni i vatrës së zjarrit.
Më pastaj, nën shoqërimin e eprorit Xhemshit Krasniqi dhe të zotit Drin, vizituam edhe Spitalin Ushtarak të Vrrinit! Në atë kohë aty po kuroheshin pesë ushtarë të plagosur rëndë e lehtë, ata i kishin ndaluar plumbat me trupin e tyre, duke bartur armatim mbi kurriz për furnizimin e bashkëluftëtarëve të tyre. Njërin nga bashkëluftëtarët e tyre, që kishin rënë në atë pritë, kishte rezultuar si i humbur, për fat u gjend i gjallë pas dy-tri ditësh! A ka diçka më madhështore … bijtë e shqipes ballëlartë, me shtatin e larë me gjak, me shtatin si bajrak. Qofshin të nderuar përjetë bijtë e tokës mëmë!
Spitali Ushtarak i Vrrinit, një ndërtesë trekatëshe, me të gjitha kushtet e volitshme, si: ujë, banjë, kanalizim, mjete sanitare, dy infermiere, një mjek, pa dyshim kjo përkujdesjeje ndihmonte shumë të plagosurit dhe në vend se ne t’u japim atyre kurajë, ata na dhanë neve!
Gjithnjë të shoqëruar nga Xhema, kaluam në kuzhinë e cila ishte në mes të fshatit, ajo mbahej pastër dhe kishte ushqime me kalori të mjaftueshme, kjo edhe i mbante mirë ushtarët, për çka edhe përgëzova kuzhinierin. Diku pas dreke po ktheheshim drejt shtabit: kudo që kaluam nëpër fshat na përshëndetën burrat, gratë dhe fëmijët e fshatit. Një nënë burrërore, na doli përpara, na mori ngryk, duke na i rrahur shpatullat na tha: “ I lutem Zotit që t’ju ruajë nga e liga, o bijtë e mi!”… M’u mblodh një lëmsh në grykë: nënat tona legjendare, sa kanë pritur e përcjellë bijtë e vet, sa nuk i pritën dot, sa mbetën me kujtimin e tyre, me këngët për ta, me pjellën e tyre që e shtrëngojnë fort në gji si amanetin e tyre më të shtrenjtë, nënat tona madhështore, a thua do t’ju dalim hakut ndonjë herë?! Po, vetëm çlirimi dhe bashkimi i plotë i kësaj toke të zhuritur i shëron plagët e trupit dhe të shpirtit tuaj o nëna të dashura shqiptare!…
Më poshtë takuam disa fëmijë të cilët po loznin rolin e ushtarëve të lirisë?! Kishin hedhur krahut ca “pushkë” lodra; njëri hiqej si “komandant” dhe i rreshtonte “ushtaret”, tjetri po jepte raport: ”Zoti Komandant, ushtarët janë gati për sulm!”… Ta them të vërteten, mezi i mbajta lotët, e përqafova njërin nga ta, duke e pyetur nëse kishte dëshirë për t’u bërë pjesëtar i UÇK-së. Po, ma ktheu me sa zë që kishte, por nuk po na le Lala Petriti – duke bërë me dorë nga Shtabi, sa herë që ne kërkojmë të bëhemi ushtarë, ai na thotë: Sa të rriteni edhe pak!
Mirë, do t’i them unë xhaxhi Petritit dhe do t’ju pranojë… Ikën duke brohoritur me një urraaaaaa të madhe duke vazhduar me lojën e tyre. Mua më dogji diçka në zemër dhe me vete thashë: a thua mor zoti i madh; sa nga këta fëmijë në tërë tokat e shqiptarisë do të mbesin pa përqafimin e më të dashurve të tyre, të cilët do të bien në altarin e lirisë!?… Po, çmim të lartë paska liria e tokës sonë të dashur! Pa dyshim liria do gjak, por pa më të voglin dyshim edhe fëmijët e Vrrinit, si dhe fëmijët e mbarë shqiptarisë, nesër do të bëhen ushtarë të mirëfilltë të cilët do ta mbrojnë sovranitetin dhe pacenueshmërinë e tokave shqiptare gjithandej…
Tek po përpëlitesha në mendime, po vëreja për anash Drinin, Musën dhe Xhemën e të tjerët që po na shoqëronin, kishim arritur tek Shtabi. Me të hyrë në oborr, na doli përpara Komandant Petriti dhe na qortoi për vonesën. Mora pozicion gatitu dhe i thashë: “Zbato rregulloren shtëpiake për shkelje të rendit, jam gati t’i nënshtrohem dënimit!”… U përqafuam po me aq mall. Si duket ishte mërzitur, por edhe shqetësuar për vonesën tonë.
– Është kohë lufte, – më tha, dhe nuk po me rrinte zemra në një vend.
– E di ti që jeni futur deri në lagjen Tusus, pra deri në Prizren?!… dhe për këtë e qortoi Drinin!
Pas pak, së bashku me Petritin (në zyrën e tij), biseduam për shumë gjëra, në fakt ai sqaroi për organizimin në ato anë, për pengesat që po i nxirrnin në veçanti anët e Opojës dhe të Zhurit, si nga pushtuesi serb, ashtu edhe nga bashkëpunëtorë të okupatorit, madje kishte edhe vërejtje të tjera që tani mbase i ka lënë koha mbrapa. Po afronte mbrëmja. Ne duhej të merrnim rrugë për Shqipëri, për arsye objektive Petriti më propozoj që të ndërrojmë itinerarin e udhëtimit. Na dha disa lidhje dhe ne ato i ndoqëm: fillimisht në anët e Hasit shkuam te një mesoburrë që kishte qenë bukëpjekës në Shtabin e Likocit të Drenicës, pastaj ai na orientoi për në fshatin Mazrek, ku rrugën për në Shqipëri do të na siguronte një djalë sokol mali që quhej Kujtim.
Erdhi koha e ndarjes edhe me Komandant Petritin. U përqafuam shumë. Nuk do ta harroj kurrë “nurin” e tij të asaj dite…!? M’i bëri, si të thuash, dy kërkesa ose më mirë të them m’i shtroi dy nevoja: nën 1, më tha se i duhej takuar edhe një Kapllan Shatrin (diku në rrethinë të Cyrihut ), dhe nën 2, më tha se kishte nevojë të ishte për pak kohë në Gjermani, për t’i rregulluar disa punë personale që i ishin grumbulluar atje.
Vërtetë Komandanti i madh Petrit Kodra, mbase nuk arriti që t’i kryejë disa obligime familjare ose të tjera që kishte pasur në Gjermani, por ai burrë i madh i shqiptarisë, ai vigan i patundur, i përfundoi me sukses shembullor të gjitha punët dhe detyrat e Atdheut!
Komandant Kodra ra për liri dhe për bashkim të tokave shqiptare! Emri dhe vepra kolosale e Remzi Ademit – alias Petrit Kodrës, mbeti e përjetshme!
Remzi Ademi ka krijuar celulat e para të UÇK-së në rajonin e Prizrenit. Më 13 gusht të vitit 1998, ai ishte emëruar Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë kthimit nga takimi i mbajtur në Kleçkë, më 15 gusht 1998, ai hasi në pusinë e forcave të milicisë serbe në afërsi të fshatit Nashec, ku në luftë e sipër bie dëshmor i kombit.
Urtia njerëzore thotë: “ Koha do të shërojë vetëm plagët e trupit, por jo edhe ato të shpirtit!”…
Lavdi e përjetshme emrit dhe veprës së madhe të Komandant Remzi Ademit- alias Petrit Kodrës!
15 gusht 2017