leoni

Në 50-vjetorin e themelimit të EMM në Prizren, fillon restaurimi i shtëpisë së Muhamed Shukriut

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar së zbatuari projektin për restaurimin e shtëpisë së familjes Shukriu në Prizren. Ky investim i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve i cili po zbatohet përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, vjen në kuadër të zbatimit të projekteve për ndërhyrje konsoliduese, restauruese dhe konzervuese për objektet e trashëgimisë kulturore të rrezikuara, por edhe me rastin e shënimit të pesëdhjetë vjetorit të themelimit të këtij institucioni dhe në respektim të punës dhe veprës së njërit nga njerëzit që ka lënë gjurmë të pa shlyera në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore në Rajonin e Prizrenit por edhe njërit ndër themeluesit e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Shtëpia e familjes Shukriu gjendet në Zonën e Qendrës Historike të Prizrenit, pranë Kompleksit të Gazi Mehmet Pashës. Kjo shtëpi banimi ka vlera historike si banesë tradicionale qytetare por të veçantë e bën edhe fakti se aty ka banuar i ndjeri Muhamed Shukriu që ishte themelues i Entit për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren. Shtëpia u ndërtua në pjesën e parë të shekullin XIX, ndërsa është rinovuar në shek. XX nga pronarët. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe. Qasja në shtëpi realizohet nga rrugica ku ambienti i parë është pjesa e hajatit të mbyllur në formë pasazhi ku kalohet në oborrin mbrapa saj. Në përdhese janë dy ambiente njëri prej të cilëve është shndërruar në garazh. Në katin e parë janë katër kthina dhe një çardak i mbyllur. Nëpër dhoma janë elemente si drugdhendje dollapët, jyklyket, tavanet, traun dekorativ etj. Gjendja e ndërtesës ishte e vështirë nga shkaku se një kohë të gjatë nuk është bërë ndonjë intervenim dhe mirëmbajtje, sidomos të çatisë, si dhe me rrënimin e gjysmës tjetër të ndërtesës mbi 30 vjet më parë ka ndikuar në dobësimin e stabilitetit të gjithë ndërtesës në përgjithësi e në veçanti të çatisë që është para kolapsit. Edhe tjegullat dhe pllakat e valëzuara të eternitit janë të amortizuara tej mase dhe nuk kanë më aftësinë e mospërshkueshmërisë së ujit. Konstruksioni ndërtimorë i gjithë banesës është prej druri dhe qerpiçi që nuk janë fare rezistente ndaj lagështisë, andaj si rezultat i kësaj duhej që urgjentisht të intervenohej në parandalimin e depërtimit të lagështisë nga çatia. Zbatimi i këtij projekti tregon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj atyre që u angazhuan gjithë jetën në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, gjithashtu është tejet i rëndësishëm përveç tjerash edhe në parandalimin e shkatërrimit të një banese banimi me çardak, që në qytetin e Prizrenit kanë mbetur të pakta.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …