Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi: Emërimi i ministrave të rinj, politik dhe i paligjshëm

Ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi thotë se emërimi i ministrave të rinj, është politik dhe i paligjshëm

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë në largim për emërimin e ministrave të rinj. Sipas Krasniqit, në shoqëritë demokratike, nuk ndodh që pasi t’i merret besimi nga shumica parlamentare, qeveria të emërojë ministra të rinj. “Ku ka ndodhur që të emërohen ministrat e rinj nga qeveria që i është marrë mosbesimin nga organi themelues – Kuvendi? Shoqëria civile, mediet e pavarura, intelektualët e varur e të pavarur dhe politikanët parimorë, së paku do të duhej të pyesnin: A ka ndodhur në ndonjë shoqëri demokratike dhe ku ka ndodhur që Qeveria që i është marrë besimi nga shumica parlamentare me mocionin e mosbesimit të emërojë ministra të rinj (vetëm të partisë se tij) dhe të marrë vendime siç po vepron kryeministri i Kosovës?! Një situatë të ngjashme e kishim edhe para tre vjetëve, por Qeveria në dorëheqje e vazhdoi punën pa emërime të reja, madje kjo pati ndodhur edhe në vitin 2010, por, emërim të ministrave edhe pas dorëheqjeve nuk pati pasur. Është e qartë që me këto veprime dëmtohet buxheti i Kosovës edhe ashtu i varfër. Madje ministrat e rinj a do t’i gëzojnë të drejtat si ministrat paraprakë? Pastaj, a ka ligj Qeveria që do t’ia mundësonte këto emërime? A nuk po bëhet kjo për t’i shpërblyer bashkëpartiakët?

 

Në rastet e tilla, siç është rasti ynë, veprimet qeverisëse janë kryesisht administrative, pra janë veprime jopolitike. Emërimet e ministrave dhe jo vetëm këto, janë kryekreje politike dhe si të tilla janë të paligjshme. E çuditshme nuk është kjo që është duke ndodhur në ekzekutivin e Kosovës. E çuditshme është heshtja e segmenteve të organizuara të shoqërisë shqiptare në Kosovë?! Shqetësuese është shkalla e ultë e reagimit ndaj fenomeneve negative që ndodhin rreth nesh. Pse, partitë politike parlamentare po e heshtin këtë dukuri, dukurinë e keqpërdorimit të parasë publike? Apo, nuk po dëshirojnë t’i prishin punët me “aleatët” e pritshëm apo të mundshëm për vazhdimin e keqqeverisjes? Për më të zëshmit e politikës sonë, kjo heshtje më së paku është parimore”, ka shkruar Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shfaqur besimin e tij mbi mundësinë e përfundimit të luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka shfaqur besimin e tij mbi mundësinë e përfundimit të …