Skënder Haxhi Çeku (1.1.1955-17.8.1998)

Skënder Haxhi Çeku (1.1.1955-17.8.1998)

Dëshmori Skënder Çeku ka lindur më 1 janar të vitit 1955, në fshatin Qyshk, afër Pejës. Në fshatin e lindjes dhe në atë fqinj, Blinisht (ish-Treboviq) e kreu shkollimin fillor. Pas mbarimit të gjimnazit, në Pejë, i regjistroi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, por pas një kohe i ndërpreu, meqenëse filloi të punojë në një ndërmarrje transportuese, në Prishtinë. Disa vjet më vonë, hyri në punë në ndërmarrjen transportuese “Petrans” të Pejës, ku punoi derisa u përjashtua nga puna, nga urdhërzbatuesit e pushtuesit serb, në vitin 1990, sikurse edhe të gjithë punëtorët shqiptarë. Pas këtij përjashtimi, Skënderi u detyrua të punojë si vozitës në një agjenci turistike.
Një kohë të gjatë, në vitet 80 dhe në fillim të viteve 90, Skënderi punoi shofer kamioni dhe autobusi, në relacione të ndryshme për në vendet perëndimore. Udhëtimet e tilla i mundësuan atij të kontaktojë me qarqe të caktuara të lëvizjes politike kombëtare shqiptare, që vepronin në këto vende. Në këtë kohë ai merret me veprimtari ilegale, duke furnizuar me material propagandistik, por edhe me armatim, grupet ilegale që vepronin në trevën e Pejës. Për shkak të këtij aktiviteti, në vitin 1992, u detyrua të emigrojë në Zvicër, ku do ta vazhdojë edhe më aktivisht veprimtarinë kombëtare.
Në vititn 1996, Skënder Çeku shpërngulet nga Zvicra dhe vendoset në Tiranë. Banesa e tij u bë bazë e fuqishme armatimi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë kësaj kohe, kontakton dhe njeh shumë shokë të veprimtarisë, të cilët më vonë edhe do të bien dëshmorë, siç ishin Ilir Konushevci, Fehmi e Xhevë Lladrovci e të tjerë. Meqenëse kishte krijuar raporte të forta bashkëpunimi me eprorë të ushtrisë shqiptare, e sidomos me komandantin e Divizionit të Kukësit, gjeneralin Kudusi Lame, pas shpërthimit të luftës frontale në disa zona të Kosovës, Skënderi u autorizua të angazhohet në sferën e logjistikës së armatimit, si dhe në detyrën për ngritjen e bazave të UÇK-së në zonat e kufirit midis Kosovës dhe tokës tjetër arbërore.
Duke qenë i bindur se atdheu kishte nevojë për luftëtarë të vijës së frontit, në fillim të verës së vitit 1998, Skënderi hyri në Kosovë, së bashku me dhjetëra bashkëluftëtarë, duke kaluar kufirin e hekurt të robërisë, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut. Në këtë rast, ai solli një sasi të konsiderueshme të armatimit, të ngarkuar në një karvan kuajsh. Armët e sjella nga Shqipëria ishin destinuar për pikat e luftimit në zonën e Dukagjinit.
Sulmi i parë i forcave serbe mbi fshatin Loxhë, më 6 korrik të vitit 1998, Skënderin e gjeti në istikamet e UÇK-së. Në këtë betejë ai u shqua me guxim, zhdërvjelltësi e aftësi të rrallë luftarake.
Në betejën e parë të Loxhës, pushtuesi pësoi humbje të konsiderueshme, përballë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, pesë ditë më vonë, më 11 korrik të atij viti, ai ndërmori sulmin e dytë kundër pozicioneve të UÇK-së në këtë fshat. Mirëpo, luftëtarët e lirisë, Loxhën e kishin bërë fortifikatë të pathyeshme, mbi të cilën sulmet e armikut u përsëritën edhe më të ashpra, më 15 korrik. Në këto sulme, kundër pozicioneve të UÇK-së, ku ndodhej edhe dëshmori Skënder Çeku, u përdorën të gjitha llojet e armëve, duke përfshirë edhe bombardimin nga ajri. Në këtë zjarr lufte ai u plagos rëndë. Bashkëluftëtarët e tërhoqën nga vija e luftimit dhe e dërguan në ambulancën ushtarake, e cila ndodhej në fshatin Kryshec të Lugut të Baranit. Meqenëse gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë, u dërgua në spitalin ushtarak në Semetisht të Therandës. Me gjithë përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën, më 17 korrik të vitit 1998, dëshmori Skënder Çeku hyri në përjetësi, duke ia shtuar lavdinë Kosovës dhe ushtrisë së saj çlirimtare. Rënia e tij i u bë shembull frymëzimi për luftëtarët e lirisë, për ta vazhduar luftën deri në fund kundër pushtuesit. Bashkëluftëtarët e varrosën me dhembje të thellë e me krenari të pakufishme në varrezat e fshatit Semetisht të komunës së Therandës. Pas përfundimit të luftës, trupi i dëshmorit u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Dëshmori Skënder Çeku, në luftën çlirimtare ishte inkuadruar i përgatitur fizikisht, shpirtërisht e profesionalisht. Gjatë kohës së luftës, ai kishte gradën e kapitenit rezervë, të cilën e kishte arritur në kohën e shërbimit në armatën jugosllave, në Zarë të Kroacisë. Për merita të dëshmuara ushtarake, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka graduar, pas rënies, me gradën e gjeneralmajorit. Vepra e tij është lartësuar në monumente përkujtimore, por edhe në emra rrugësh e institucionesh. Në fshatin Loxhë të Pejës, në istikamet e së cilës derdhi gjakun, i është zbuluar pllaka përkujtimore. Tre vjet pas rënies, me emrin e këtij dëshmori u emërua shkolla fillore e fshatit të tij të lindjes, Qyshk.
Në rrugën e vet jetësore, dëshmori Skënder Çeku kishte përkrahjen dhe mirëkuptimin e prindërve, Haxhiut e Ajshes dhe të gjithë familjes. Ai ka mbetur krenaria e vëllezërve e motrave, Zekës, Emines, Rifatit, Sabrisë e Astritit; e familjes së tij të ngushtë: bashkëshortes, Zizës, dhe fëmijëve, Albanit, Sarandës e Vjosës, por edhe e gjithë kombit. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …