Frank Shkreli: Në kujtim të Arbër Xhaferit në pesë-vjetorin e vdekjes

Frank Shkreli: Marrëdhëniet e kryetarit amerikan Donald Trump me Kongresin po keqësohet dita ditës

Vlerësimi i medias amerikane dhe i vet anëtarve të Kongresit Amerikan del të jetë  përfshirë disa prej emërave më të njohur të senatorëve amerikanë të Partisë Republikane.  Disa prej tyre nuk kanë munguar të shfaqin publikisht frustrimet dhe shqetësimet e tyre për mënyrën e qeverisjes nga ana e Presidentit Trump, mungesën e disiplinës dhe stililin e tij prej udhëheqsi dhe me gjëndjen që shpesh tashmë karakterizohet si kaotike në punët e përditshme brenda Shtëpisë së Bardhë.

Kritikat ndaj Z. Trump nga Partia Demokrate dhe e përfaqsuesve të saj në Kongres kanë qenë gjithashtu të ashpra, por ato priten të jenë të tilla nga një parti që është në opozitë. Por ajo që duhet të shqetësoj Presidentin Trump si dhe këshilltarët dhe mbështetsit e tij, është fakti se vet republikanët, përfshirë përfaqsuesit më të lartë në Kongres dhe në Senatin Amerikan, kanë filluar të tregojnë shënja lodhjeje me mënyrën e qeverisjes së administartës Trump dhe posaçërisht me deklaratat publike të Presidentit Trump mbi çështje të ndryshme të politikës së mbrendshme dhe të jashtme.  Ditët e fundit, Presidenti Trump është kritikuar ashpër se ishte i vonuar në dënimin e një grupi neo-nazistë që ishin mbledhur për një protestë në qytetin Çarletsvillë të shtetit Virxhinia 10-ditë më parë, protestë e cila përfundoi në vdekjen e një kundër-protetsuesjeje dhe në plagosjen e dyzina të tjerëve.

Për këtë Z. Trump u ndesh me kritika të ashpra nga shumë qarqe në Washington dhe nga shoqëria amerikane në përgjithsi, përfshirë median. Por ishin kritikat që erdhën menjëherë nga një numër senatorësh republikanë në Senatin Amerikan, për reagimin e ashpër të cilëve duhet të shqetësohet Z. Trump. Jo se kritikat e tjerëve nuk kanë rëndësi, por sepse janë pikërisht senatorët republikanë ata, për mbështetjen e të cilëve, ka nevojë Presidenti Trump.

Sidoqë të konsiderohen këto kritika të senatorëve republikanëve në Kongres, ditët e fundit, nga vërejtës të spektreve të ndryshme politike, pro dhe kundër, një gjë është e qartë: mund të thuhet se ato janë të pa precedencë në fjalorin politik amerikan, e që nuk janë dëgjuar ndoshta mund të thuhet ç’prej skandalit “Vuotergejt” në fillim të 1970-ave, atëherë kur në të vërtetë ishin vetë republikanët në Kongres ata të cilët hetuan skandalin që më në fund çoi në cenzurimin e ish-presidentit republikan, Riçard Nikson dhe në dorëheqjen e tij nga detyra e presidentit.

Njëri prej zërave më kritikë javën që kaloi kundër Z. Trump ishte ai i Senatorit Bob Crocker nga shteti Tenesi, i cili njëherazi mban edhe detyrën me influencë në Kongres, si Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme.  Senatori Crocker në një takim me gazetarët në qytetin Çatanuga në Tenesi – i pyetur për reagimet e tija mbi ngjarjet e fundit në Çarletsvillë të Virxhinias, u shpreh se, Presidenti Trump nuk i ka karakteristikat e nevojshme, duke thënë se ai, “Nuk ka mundur ende të demonstrojë stabilitetin dhe as disa prej aftësive të cilat ai duhet t’i ketë venë në dukje deri më tani, me qëllim që të dalë me sukses”, në realizimin e agjendës së tij si president.  Ai bëri thirrje për për një fillim të ri, duke thënë se nevojiten “ndryshime radikale” në Shtëpinë e Bardhë dhe se mos bërja e ndryshimeve të tilla e lë vendin në “rrezik të madh”. Në të kaluarën, Senatori Crocker ka kritikuar ashpër por edhe e ka mbrojtur Presidentin Trump dhe administratën e tij, ndërsa ka thënë se pajtohet me disa politika kyçe të Shtëpisë së Bardhë.  “Ne kemi nevojë që ai (Presidenti Trump) të dalë me sukses. Kombi ynë ka nevojë që ai të dalë me sukses”, u ka thënë gazetarëve Senatori Bob Crocker.   Senatori Crocker i bëri komentet e tija kritike ndaj Presidentit Trump pasi një numër senatorësh të njohur republikanë, përfshirë Senatorët Xhon Mekejn, Mark Rubio dhe Xhef Flejk, Lindsi Gaham, e të tjerë, kritikuan gjithashtu përgjigjen e Presidentit Trump ndaj protestave dhe kundër protestave, në Çarlotsvillë, dhjetë ditë më parë.

Presidenti Trump është “fërkuar” edhe me udhëheqsin e shumicës republikane në Senat, Z. Mitç Mëkanëll dhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve me shumicë republikane, Kongresistin Polë Rajen, i cili është shprehur ditët e fundit se, “Duhet të jemi tepër të qartë se urrejtja dhe fanaticizmi janë në kundërshtim të plotë me të gjitha qëndrimet parimore të moralshme të këtij vendi. Për këtë, nuk guxohet të ketë asnjë dyshim.”  Ndërsa Senatori republikan nga shteti Arizona, Xhef Flejk ka botuar kohët e fundit një libër ku, sipas të dhënave në media, paralajmëron se “Konservatizmi po komprometohet nga forca të tjera të fuqishme si –nacionalizmi, populizmi dhe ksenofobia”, një referebncë kjo ndaj ardhjes në fuqi të presidentit Trump.

 

Ndërsa, Senatori Mëkejn, cili shpesh kritikon politikat e brendshme dhe të jashtme të Z. Trump, është shprehur në lidhje me zhvillimet në Çarletsvillë duke thënë se ”Nuk mund të ketë barazi morale midis racistëve dhe amerikanëve të cilët marrin një qëndrim parimor kundër urrejtjes dhe fanatizmit.”  Ndërkohë që një zë tjetër me rëndësi dhe influencë në Kongres, sidomos në punët e jashtëme, Senatori republikan Lindsi Graham i bëri thirrje Presidentit Trump duke iu drejtuar me fjalët: “Z. President. Ju inkurajoj që të përpiqeni të na bashkoni si komb, pas ngjarjeve të tmershme në Çarlotsvillë. Fjalët e juaja po i ndajnë amerikanët dhe nuk po i pajtojnë ata”, theksoi Senatori I Karolinës së Jugut.

 

Të gjitha këto reagime erdhën si përfundim i deklaratës së parë të Presidentit Trump në lidhje me ngarjet në Çarlotsvillë, ndërkohë që ishte shprehur se, “Dënoj urrejtjet, fanaticizmin dhe dhunën nga të gjitha palët.”  Kjo dekalaratë u kritikua ashpër dhe u konsideruar si e pa mjaftueshme – pasi u interpretua se Presidenti barazoi të dy palët, moralisht — gjë që çoi në një deklaratë të dytë të Presidentit Trump, në lidhje me ngjarjet në Virxhinia. Kësaj radhe ai bëri një deklaratë më të fortë kundër grupeve ekstremiste duke përmendur drejt për drejt me emër, organizatat ekstremiste dhe raciste KKK, neonzistët dhe të tjerë. “Racistët”, tha Presidenti Trump nga Shtëpia e Bardhë, “si dhe ata që shkaktojnë dhunë në emër të tyre, janë kriminelë dhe vrasës, përfshirë KKK dhe neo-nazistët, e të tjera grupe urrejtëse, të cilat janë fyese ndaj të gjitha parimeve që ne amerikanët i duam dhe i ruajmë si të shënjta.”

 

Heret ose vonë, besoj se zhurma rreth ngarjeve në Çarletsvillë do të pushojë, ndonëse ndoshta nuk do të harrohet aq shpejt. Por, marrëdhëniet e Presidentit Trump me Kongresin amerikan, sidomos me republikanët që kanë shumicën, janë aty dhe të përditshme. Të dy palët kanë nevojë për njëra tjetrën nëqoftse duan të zbatojnë agjendën e tyre të politikës së jashtme dhe të brendshme për kombin e tyre, agjendë për të cilën janë zgjedhur nëntorin e kaluar dhe të cilën ua kanë premtuar votuesve amerikanë se do ta miratojnë, në drejtim të cilës deri tashti nuk është bërë asgjë. Janë pikërisht senatorët republikanë ata për të cilët ka më shumë nevojë Presidenti Trump, nëqoftse shpreson që Kongresi të miratojë agjendën e tij — ose pjesë të saj kryesore — për të cilën bëri fushatë në zgjedhjet presidenciale.

Për më tepër dhe çka është më e rëndësishme, Z. Trump duhet ta mbajë mirë me udhëheqsit republikanë në Kongres, sepse është ai që do të ketë nevojën e senatorëve republikanë nëqoftse — për një aryse ose një tjetër — vjen puna tek censurimi i tij në Kongres, si përfundim i hetimeve që po zhvillon tani prokurori i posaçëm Robert Mueller, në lidhje me ndërhyrjet ose jo të Rusisë në fushatën elektorale për president të Amerikës, vitin që kaloi. Është në interesin e tij personal, por edhe në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Presidenti Trump t’u japë një drejtim tjetër – ndoshta një ndryshim radikal — marrëdhënieve të tij me Kongresin, nëqoftse dëshiron të mënjanojë një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve me degën e fuqishme legjislative të vendit.

 

 

Frank Shkreli: Në kujtim të Arbër Xhaferit në pesë-vjetorin e vdekjes

 

Pesë vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi.  Në jetë, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë dhe personalitete të njohura dhe jo aq të njohura dhe pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja që kanë lënë nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit dhe çfarë e   dallon nga të tjerët.  Për disa shprehemi duke thënë se falënderojmë Zotin që m’u dha mundësia t’i takoj,  Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja, ka qenë edhe Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve shqiptare, 5-vjetori i vdekjes së të cilit bie këtë javë.

Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me kryepolitikanët shqiptarë dhe me përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në rajon dhe për raportuar mbi gjëndjen — me të këthyer në Washington – organizatës që përfaqsoja KKSHA-në, si dhe zyrave e personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, të interesuar për çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Qëllimi i vizitës në Tiranë, në Prishtinë, Shkup e Tetovë — me kolegun tim David Scotton, këshilltarin e lartë të KKSHA-s – ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon.

 Pjesë e këtij turneu ishin, natyrisht, takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë. Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam në Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e ytre për gjëndjen në rajon dhe pastaj takimin e parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi. Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret — e që zgjati gati një orë, në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë — ndonëse sëmundja kishte filluar t’a rëndonte. Megjithse dukej i lodhur fizikisht dhe i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, ishte i këthjelltë dhe i thellë. Pas përshëndetjeve të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.

Pyetjes time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase në atë vend.  Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit etjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës, të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq dhe kundër partive të tjera ose liderëve të tyre – gjatë atij takimi, Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare anë e mbanë trojeve, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të tjerë politikë shqiptarë. Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, por që është aq e nevojshme sot për një diskurs të qytetëruar në radhët e udhëheqësve politikë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare. Ndonëse nuk tha gjë, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë.  Ai në të vërtetë, ndryshe nga të tjerët, është shprehur vazhdimisht për një politikë ndryshe në diskursin politik ndër-shqiptar.   Respekti për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyesë dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt ndër-shqiptarë dhe si i tillë ka lënë mbresa të thella edhe ndër të huajt, me të cilët ishte takuar – mbi të gjitha, për diplomacinë dhe karakterin e tij, në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj, me përvojë ndërkombëtare. Njëri prej këtyre liderve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota, se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.”  Një atribut shumë me vend ndaj kujtesës së Arbën Xhaferit, në këtë 5-vjetor të vdekjes.

 Në vazhdim e sipër të bisedës në Tetovë me 2005, Z. Xhaferi u ankua se kontrata midis dy popujve, Marrëveshja e Ohrit, që ishte arritur midis shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila si dukej, nuk kishte marrë seriozisht dhe nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra.  Si përfundim, shtoi ai, ajo marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej, sipas planit, nga ana e autoriteteve maqedonase – marrveshje që e kishin nënshkruar në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare.  Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë. Shpjegoi se, si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.

E mbyllëm bisedën dhe takimin tonë me Zotin Xhaferi duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë.  E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan, Shtetet e Bashkuara — në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit. Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë – e priti me një buzqeshje të sinqertë — dhe tha se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto troje tona, u shpreh ai.

U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin për t’u njohur dhe për të biseduar me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të kombit shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …