Muharrem Xhafa: Replikë me Fatos Tarifën për legjitimitetin e socializmit shtetëror

Muharrem Xhafa: Replikë me Fatos Tarifën për legjitimitetin e socializmit shtetëror

Pasi kam lexuar me vëmendje ciklin e gjatë të shkrimeve të Fatos Tarifës në ‘DITA’ nën titullin bombastik “Sa legjitim ishte socializmi shtetëror? Mbi një debat të vjetër nga një perspektivë teorike e re” po i përgjigjem zotit Tarifa nga një këndvështrim tjetër realist për socializmin.

 

Është e vërtetë që për socializmin bëhen pyetje e vihen pikëpyetje, bëhet zhurmë dhe ka jo pak paqartësi, siç bëhen edhe vërejtje. Po është një masë njerëzish miliardëshe në botë, që e do socializmin, në veçanti ata që e kanë jetuar (po edhe të tjerë), të cilët i njohin dhe duan t’i njohin vlerat e tij. Një tregues i fuqishëm është sondazhi i bërë nga OSBE dhe i publikuar prej saj në fillim të këtij viti për socializmin dhe Enver Hoxhën, ku 52 përqind e të anketuarve shtetas shqiptarë shpreheshin se socializmi është më i mirë se kapitalizmi dhe se në kohën e Enverit jetohej më mirë se sot.

Një fenomen i veçantë ndodh me brezin e ri, i cili ka dëgjuar te flitet vetëm keq për socializmin prej borgjezisë e tellallëve të saj, prej “komunisteve” të kthyer në antikomunistë e të tjerë, që borgjezia i ka shndërruar në “mish për top”! Kjo ka nxitur te ky brez dëshirën dhe kureshtjen për të mësuar më shumë për socializmin si një rend ekonomiko-shoqëror, të cilit i përket e ardhmja. Sepse dëgjon të pavërteta, brezi i ri, rinia, s’binden, për çfarë lexojnë e dëgjojnë prej borgjezisë e ish-palokomunistëve të shndërruar në antikomunistë, pëdëistë, socialistë e të tjere, ku zoti Tarifa zë vend “nderi”! Të rinjtë e të rejat, edhe nxënësit e studentët, edhe të tjerë, prandaj duan dhe kërkojnë të dine çfarë përfaqëson socializmi, ç’vlera ka dhe përse e anatemojnë dhe e sulmojnë egër forcat e borgjezisë e të reaksionit antikomunist! Po kështu, kërkojnë të dinë edhe përse komunistët e mbrojnë socializmin deri me fanatizëm. Brezi i ri është shumë interesant!

Socializmi është legjitim dhe jo ilegjitim, siç thotë “karrieristi” Tarifa! Po e them, që në fillim, se Tarifa është treguar i “mençur” duke mos i sugjeruar “konkluzionet” e tij “si përfundimtare”, sikurse shkruan vlerësuesi i “veprës” se Tarifës, profesori amerikan, Rory J. Conces.

Socializmi është rend shoqëror, politik e ekonomik, një rend që lind objektivisht e pavarësisht vullnetit të njërit a tjetrit, si pasojë e shkatërrimit të mënyrës kapitaliste të prodhimit me anë të revolucionit proletar dhe vendosjes se diktaturës së proletariatit, është rend shoqëror që bazohet në pronën e përbashkët mbi mjetet e prodhimit, në marrëdhëniet e ndihmës e  të bashkëpunimit midis njerëzve të çliruar nga shtypja e shfrytëzimi kapitalist, në unitetin dhe aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse, është rend që çon në zhdukjen hap pas hapi të kontrasteve midis qytetit e fshatit, midis punës fizike e punës mendore. Por jo vetëm brezi i ri, po edhe të tjerë, duhet të dinë se në socializëm ekonomia zhvillohet me ritme të shpejta dhe në mënyrë të planifikuar e se qëllimi i prodhimit në socializëm është plotësimi i nevojave materiale dhe kulturore në rritje të pandërprerë të masave punonjëse, bazuar në parimin “secili sipas aftësive, secilit sipas punës”.

S’ka nevojë të jesh filozof dialektik materialist për të kuptuar se një fenomen, që lind, ekziston e zhvillohet, pavarësisht vullnetit tënd a vullnetit tim, të shoqërisë, është i ligjshëm, legjitim, çka e kupton edhe një i pashkolluar! Legjitim socializmin si rend shoqëror e regjimin e tij e bën pra të qenët dukuri objektive e shoqërisë njerëzore, jo vullneti, mendimi a opinioni i një filozofi, sociologu a politologu të borgjezisë, cilidoqoftë prej atyre që përmend zoti Tarifa!

Intelektualët borgjezë, që Tarifa citon: filozofë, sociologë, politologë, të gjallë a të vdekur, amerikanë a europianë, në thelb, nuk flasin për ilegjitimitet të socializmit, po është zoti Tarifa ky që flet për një  socializëm të tillë, është ky që e vë në dyshim legjitimitetin e socializmit! Dhe jo se nuk e di të vërtetën, po sepse kërkon të bëhet edhe më “i dashur” e edhe më servil se sa është bërë deri më sot i borgjezisë! Por bëhet qesharak, se Tarifa e di se për ç’arsye borgjezia i përzgjedh e i bën të vetët bijtë e ish-komunistëve, pedagogët e regjur në shërbim të socializmit, që e dredhin nga t’ia ketë oreksi padronit dhe marrin gjithmonë anën e së keqes kundër vendit e popullit të vet, deri sa borgjezia t’i shtrydhë si një limon i bërë mirë!

Socializmi, as me ligj të ndonjë organi të një regjimi të caktuar e as me ndonjë vendim tjetër të regjimit nuk bëhet as legjitim, as ilegjitim! Se ai është objektivisht legjitim dhe s’ka nevojë për një tjetër konfirmim administrativ! Socializmi nuk i merr leje borgjezisë kur vjen ne pushtet. Të shtrosh pyetjen: A është legjitim socializmi dhe një regjim i vendosur prej tij, kjo, përveçse shërbëtor i lig i borgjezisë, tregon dhe për një njeri injorant në kuptimin materialist dialektik të shoqërisë njerëzore. Tarifa, që nuk është një injorant, se paku nuk duhej të kishte rënë në pozitat e një qytetari të rëndomtë! Një njeri, një intelektual i pa paformuar, mund të ndryshojë mendim e qëndrim, po nuk mund të shpëlahet e të tjetërsohet, sidomos Tarifa jo, i cili ka qenë pedagog i mirëfilltë i filozofisë marksiste-leniniste dhe e ka shpjeguar mijëra herë socializmin shkencor, shtetëror a në pushtet, në zbërthim e sipas mësimeve të Marksit, Leninit e Enverit! Kjo “vepër” e tij nuk është vështirë të gjindet e të provohet, mjaft të hapen e të publikohen revistat, shtypi i kohës e botimet e Tarifës, prej nga do të mësohet metamorfoza e mbrapshtë e tij.

Tarifën e të tjerë si ky i ka bërë zap e mposhtur një hall i madh: karrierizmi e servilizmi politik ndaj borgjezisë, se trajtimi ekonomik nuk u mungon! Tarifa e di këtë, tjetër që nuk e thotë! E di se ardhja në pushtet e socializmit, po të mos ishte një fenomen objektiv, do të kishte ndodhur pas feudalizmit, po nuk ka ndodhur kështu, jo për tjetër, po sepse nuk mund të ndodhte, se ky është një ligj i përcaktuar qartë nga dialektika e zhvillimit të shoqërisë njerëzore! E di se socializmi në botë e në vendin tonë nuk është vendosur e nuk është mbajtur në fuqi me dhunë mbi masat popullore, e di se nuk ishte dhuna e shtetit socialist mjeti kryesor me anën e së cilës ky tip shteti bënte të ruhej legjitimiteti i tij! E di se partitë komuniste në botë e në vendet e Europës Lindore nuk i përdorën për të legjitimuar pushtetin e tyre mjetet e edukimit e të propagandës, në frontin e së cilës Tarifa ka milituar vetë, me qëllim që të realizohej indoktrinimi i tyre, as dhunën e terrorin për të imponuar këtë. Se, po të mos kishin qenë arritjet e mëdha në ekonomi, në jetën shoqërore, kulturore, shpirtërore e sigurinë e jetës, çfarë thonë filozofët e borgjezisë do të kishin qenë krejt të pamjaftueshme për të krijuar e për të ruajtur besimin e qytetarëve për legjitimitetin e rendit e të shtetit socialist. Ato që thuhen se masat e popullit e ndiqnin pushtetin komunist në mënyrë rutinë, të pandërgjegjshme e se për këtë arsye socializmi qëndroi shumë në pushtet, janë përralla për të gënjyer e vënë në gjumë njerëzit që besojnë te borgjezia.

Një “çudi” përbën edhe fakti që profesor Tarifa, ndryshe nga kur ishte student, asistent e pedagog, intelektual i përkëdhelur e jo larg udhëheqjes së PPSH, nuk i referohet asnjëherë, për ta bërë më ballafaquese analizën e tij, ideve e analizave të klasikëve të marksizëm-leninizmit dhe Enver Hoxhës! Jo vetëm ne që e kemi njohur, jo vetëm kolegët e studentët e tij, po të gjithë qytetarët, e edhe ndonjëri “idhull” i tij i gjallë, të gjithë do të “befasoheshin” po të publikoheshin ato që Tarifa ka shkruar e botuar duke ngritur në qiell Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin e Enverin dhe duke bërë “fërtele” ideologët e borgjezisë, përfshirë disa nga këta që ngre tani “në qiell”, jo se ata i “dogji malli” për Tarifën, po se ky ka nevojë për ata! Nejse, ky tip intelektualësh kameleonë e pa moral kombëtar, e ka një model – “modelin Kadare”! Jo më kot nga fundi i “analizës” së tij Tarifa i merr si etalon thëniet e Kadaresë për gjykimin e regjimeve komuniste. Nuk mohoj që disa prej intelektualëve të borgjezisë, që Tarifa përmend, për të “argumentuar analizën e tij” janë të njohur në përmasa të gjera, po si teoricienë të borgjezisë, jo të socializmit dhe se asnjë prej tyre nuk ka shtat të matet me Marksin e Leninin, madje as kanë guxuar të thonë se, për shembull, Marksi, i ka analizuar fenomenet gabim në veprat e tij. Citatet që ka shkëputur Tarifa prej “idhujve” të tij : Ëeber, Habermas, Giddens, Gaetano Mosca, Juan Linz, Milovan Gjilas, Samuel Huntigton, Richard Loëenthal etj. janë “çikërrima a thjeshtëzime”, krejt të pamjaftueshme për të “argumentuar” se socializmi është “jolegjitim”! “Idhujt” e Fatosit, në analizat e veta, kurrsesi gjithëpërfshirëse për shoqërinë njerëzore, i janë referuar plot herë Marksit, po edhe Leninit, më shumë për të paraqitur kapitalizmin të përjetshëm e për të bindur padronët borgjezë se janë vërtetë në shërbim të borgjezisë! Ndryshe borgjezia, të paktën do t’i kishte lënduar, siç ka bërë me Heminguejin, Barbysin, Gramshin etj.

Duke abuzuar me ndryshimin e kushteve e të rrethanave historike, me përmbysjen e socializmit, e duke pasur mbështetjen e fuqishme të shtetit borgjez, tellallët e borgjezisë “vrasin e presin” sa djathtas – majtas! Në kohën e vet, sidomos të Luftës së Dytë Botërore, kishte shumë intelektualë me zë botëror, që Tarifa i përmend, të cilët e kishin Stalinin idhull dhe e ngrinin në qiell socializmin! Borgjezia, siç thashë, i ka përndjekur ata, por, pavarësisht kësaj, ata kanë mbetur me veprat e tyre, kolosë në shërbim të shoqërisë njerëzore!

Unë edhe një herë dua të theksoj se socializmi (komunizmi) është rend shoqëror, ekonomik e politik legjitim, ashtu siç është legjitim çdo fenomen tjetër objektiv! Tarifa bën mirë që, siç thotë profesori amerikan, Conces, ia le kohës të provojë “vërtetësinë ose falsitetin e pikëpamjeve të tij”. Po, kjo “garë”, Tarifë, është e humbur! Bota kapitaliste po studion Marksin, Leninin e Enverin për qëllimet e saj. Ti vazhdo të gënjesh studentët me “megalomaninë” tënde, po, dëgjoje mirë, se rinia universitare nuk bindet me çfarë u thua ti! Ajo i lexon vetë Marksin, Leninin e Enverin. Klasa punëtore e masat e tjera të shtypura e dinë mirë se socializmi e shteti socialist kanë qenë legjitime për këta, por jo për borgjezinë e shërbëtorët e saj!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …