Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se kjo parti në zgjedhjet komunale të 22 tetorit, në bastionin e saj në Skenderaj, do ta mbështesë Bekim Jasharin, i cili ka vendosur të dalë kandidat i pavarur. Ai këto komente i bëri pas dorëzimit të listave me emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe kandidatët për kuvendet komunale. “PDK do ta mbështesë plotësisht kandidaturën e Bekim Jasharit. Po, në gjitha këto komuna ka një kohë të gjatë që ka nisur një proces konsultativ edhe në qendër, edhe brenda forumeve me të rëndësishme Këshillit Drejtues dhe kryesisë, por edhe në relacionin qendër dhe degë të gjithë degët e PDK-së dhe pas proceseve konsultative me të gjitha ato kryesi kanë ardhur ato kandidatura dhe në pajtueshmëri të plotë qendër-degë janë bërë përzgjedhjet finale”, theksoi ai.
Ndryshe, ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku ka konfirmuar më herët se nuk do t’i hyjë edhe njëherë garës për të parin e Skenderajt pasi që dega e PDK-së në këtë qytet nuk do të nominojë asnjë kandidat për kryetar. Ai tha se PDK do ta mbështesë kandidatin e pavarur për kryetar të Skenderajt Bekim Jashari. Të kujtojmë se Lushtaku ka qenë bashkëluftëtar i Adem dhe Hamzë Jasharit si dhe vjen nga i njëjti fshat sikurse Bekim Jashari, nga Prekazi i Poshtëm.