Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë paralajmëruar se do t’i fillojnë përpjekjet për formimin e institucioneve, pas dështimit për herë të gjashtë të koalicionit PAN në Kuvend. Drejtuesit e këtyre subjekteve thonë se do t’i nisin bisedimet edhe me deputetët minoritarë, në mënyrë që, siç thonë, ta konstituojnë Kuvendin dhe më pas ta formojnë edhe Qeverinë. Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se presin që LDK-ja të bashkëpunojë me partinë e tyre për formimin e institucioneve.
“Ne kemi pasur kontakte me drejtuesit e LDK-së për t’i parë mundësitë e bashkëpunimit për qeverisje. Ne jemi treguar shumë bashkëpunues në këtë drejtim, mirëpo, pavarësisht kësaj, LDK-ja ka bërë veprime që nuk i kontribuojnë bashkëpunimit me deklarata naive dhe vendosjen e kushteve që për ne janë të papranueshme”, ka thënë Haxhiu për “Zërin”.