U bënë plot 18 vite që ne familjarët e viktimave të luftës jemi duke pritur drejtësi.
U bënë 18 vite që jemi duke pritur ndëshkimin e kriminelëve dhe përgjegjësve të tjerë të Serbisë për vrasjen e më të dashurve tanë.
U bënë 18 vite që jemi të zhgënjyer me ju, politikanë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, sepse i keni injoruar krejtësisht krimet e Serbisë të luftës së viteve 1998-1999.
U bënë plot 6 vite që jeni duke u takuar me përfaqësuesit e Serbisë pa asnjë kushtëzim në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që flisni kot pa fije turpi nëpër media për krimet e Serbisë.
Fjalët tuaja sikur ato të djeshmet në Ditën Ndërkombëtare për të Pagjeturit janë të kota pa ndërmarrë veprime konkrete të cilat janë në duart tuaja dhe askujt tjetër.
Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë tashmë është krijuar, ajo ekziston. Nuk ka adresë më të mirë sesa kjo gjykatë për të gjykuar qindra kriminelë serbë të cilët gjenden të lirë nëpër Serbi nën mburojën e Kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Ministrit të Jashtëm të tij Ivica Daçiç.
Të gjithë ju, kryetarë të partive politike e deri të Kryetari Hashim Thaçi duhet që të pushoni të flisni kot.
Ju duhet që të ndërmerrni veprime konkrete për krimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj më të dashurve tanë, pikërisht duke plotësuar këtë ligj.
“Të gjitha partitë shqiptare në parlament : PDK, VV, LDK, AAK, AKR, NISMA, ALTERNATIVA … duhet që të përvilen e të plotësojnë ligjin i mbrapshtë dhe gjysmak për Gjykatën Speciale në mënyrë që atje të gjykohen vrasësit serbë,” tha përfaqësuesja e OJQ ‘Familja dhe Shpresa’ Zana Bytyqi-Geci.
Të gjithë ju, jeni fajtori i madh në Kosovë pse ky ligj është gjysmak dhe pse kriminelët serbë të krimeve të luftës ndaj më të dashurave tanë gjenden të lirë në Serbi të mbrojtur nga Vuçiçi dhe Daçiçi.
U bënë 18 vite tashmë të turpit tuaj e vuajtjeve tona. Mos u fshihni. Mos flisni kot, por bëhuni guximtarë dhe niseni kundërsulmin ndaj Serbisë përmes plotësimit të këtij ligji i cili është në duart tuaja dhe askujt tjetër.
Vuçiçi dhe Daçiçi dhe shumë të tjerë në Serbi ishin pjesë e ndërmarrjes vrastare të Slobodan Miloseviçit, i cili organizoi dhe urdhëroi depërtimin e më tepër se tetëqind mijë (800.000) civilëve shqiptarë, përdhunoi më shumë se njëzet mijë (20.000) vajza dhe gra shqiptare dhe masakroi rreth trembëdhjetë mijë (13.000) qytetarë gjatë luftës tonë për liri dhe pavarësi.
Vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga BE nuk ka më asnjë arsyetim as moral e as politik. Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi. Nuk mund të ketë ‘normalizim’ marrëdheniesh pa ndëshkimin e Serbisë dhe vrasësve serbë.
Prandaj, OJQ ‘Familja dhe Shpresa’ kërkon përsëri nga ju, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe kryetar të partive politike që:
- Ligji gjysmak për Gjykatën Speciale të plotësohet për ndëshkimin e Serbisë dhe vrasësve serbë;
- Parlamenti i Kosovës të marrë vendim detyrues që ta kushtëzojë dialogun me Serbinë BE deri në zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës dhe deri sa të dërgohen përgjegjësit e Serbisë para drejtësisë në këtë gjykatë për të gjitha krimet e luftës ndaj më të dashurve tanë gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.
Që të dy këto masa duhet të jenë hapat e parë që ju duhet ndërmerrni pasi që të konstituohet parlamenti i Kosovës.
Lëreni FB folklorizmin dhe FB popullizmin dhe vetëdijesohuni. Plotësojeni këtë ligj dhe mos u trembni nga presionet e perëndimorëve. Mjaft na keni zhgënjyer.
Institucionet janë të Kosovës, të qytetarëve të saj. Ligji për këtë gjykatë u miratua nga parlamenti i ynë i Kosovës. Parlamenti mund dhe duhet ta plotësojë këtë ligj gjysmak. Kjo varet nga ju.
Drejtësia ndaj krimeve të Serbisë dhe fati i kriminelëve serbë të mbrojtur nga Vuçiçi e Daçiçi është në duart tuaja, institucioneve tona të Kosovës.
Mjaft më. Plotësojeni këtë ligj të hipokrizisë. Kushtëzojeni dialogun e hipokrizisë.