Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës mund të konstatohet se bankat janë bizneset më fitimprurëse në Kosovë. Përfitimet që kanë pasur bankat në vendin tonë në pjesën e parë të vitit llogaritet të jetë rreth 50 milion euro. Krahasuar me vitin paraprak, vërehet një rritje e ndjeshme e fitimit, prej 7 milion e 300 mijë euro. Sa u përket kredive, nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës mësohet se deri në fund të muajit korrik të këtij viti vlera e kredive ka arritur në 2.3 miliardë euro e ku nga kjo shumë 865.5 milionë euro janë kredi për ekonomitë familjare, derisa pjesa tjetër prej 1.5 miliard eurosh janë kredi për ndërmarrje.