Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë serbë, të cilët kanë thënë se Beogradi nuk do të heqë dorë nga liqeni i Gazivodës, në postimin e tij në internet shkruan se “është momenti i duhur që në sytë e në zemrën e Evropës, në Bruksel, Kryeministri i Kosovës dhe secili zyrtar i ngarkuar për bisedime, në secilin nivel të tyre, Serbisë se Vuçiqit dhe kujtdo tjetër nga qeveria e Serbisë, që t’ju tregohet me argumente se: Serbia jo vetëm që nuk ka prona në Kosovë, por është Kosova ajo që duhet t’i kërkon pronat e saja në Serbi. Është Kosova ajo që duhet t’i kërkoj dëmet e luftës dhe të gjitha plaçkitjet tjera të bëra nga Serbia në Kosovë, plaçkitje që Serbia i ka bërë gjatë 87 viteve në Kosovë. Kur këtyre u shtohen humbjet e mëdha njerëzore te atyre viteve me këto te luftës se fundit, Serbia e Vuçiqit është deri në fyt e zhytur në borxhe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve si komb. BE-ja duhet ta obligojë shtetin serb që t’ia paguan dëmet e luftës Kosovës. Vetëm në ketë mënyrë Serbia do të detyrohet t’i kryen obligimet e saja ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.
Kjo sjellje e qeveritarëve serbë, kjo pafytyrësi e tyre dhe mos gatishmëri për të ndjerë pendesë për gjenocidin e ushtruar nga qeveria serbe, pjesë e se cilës ishte Vuçiqi, është e mjaftueshme që pala e Kosovës, mos të ulej në tavolinën e bisedimeve me kriminelet që tentojnë të kthehen në vendin e krimit, pa ua rreshtuar një serë kërkesash si kushtëzim për vazhdimin e bisedimeve në Bruksel. Po a mund ta bëjnë ketë Isa Mustafa e Hashim Thaçi?! Assesi! Këta janë në pozitë të vështirë dhe të gjitha angazhimet institucionale i kanë orientuar për t’i mbrojtur interesat e tyre, nëse mundin.
Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës t’i ndërpres sa më parë bisedimet dhe të arrihet një konsensus nacional në shkallë kombëtare, për të dhënë përgjigjen meritore se kur e si të vazhdoheshin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Nga ajo që po njoftojnë mediet serbe, në bisedimet e djeshme në Bruksel, kryeministrat tanë kanë pësuar debakël total. Pyetja që shtrohet sot është: a janë në gjendje këta individ, që ta mbrojnë interesin e Kosovës dhe te qytetarëve tanë? Përgjigja do të ishte: nuk janë në gjendje.
Ky inferioritet i qeveritarëve tanë në këto bisedime duhet të ndërpritet urgjentisht! Për ndryshe Republika Serbska po troken në dyert e Kosovës.