Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë në Uashington, ka folur për çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, të cilin ai e ka nënshkruar në vitin 2015, version ky që kryeministri i tanishëm vazhdon të mos e pranojë. Thaçi përsërit që për liberalizim të vizave duhet të plotësohen detyrat e dhëna nga Bashkimi Evropian. Ai gjithashtu ka komentuar krijimin e Qeverisë, duke thënë se ‘Kosova nuk u vonua në krijimin e institucioneve’, edhe pse diçka e tillë ndodhi pas gjashtë seancave të dështuara në Kuvend. Lidhur me qëndrimin e Qeverisë së re për Demarkacionin, Presidenti vetëm se tregon rëndësinë e ratifikimit të tij, pa komentuar përpjekjet e Haradinaj për ta ndryshuar versionin e vitit 2015 që Thaçi e kishte nënshkruar.
Kryetari i shtetit, në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës”, ka thënë se demarkacioni tani është vetëm cështje e Kosovës. “Çështja e Demarkacionit nuk është më çështje ndërshtetërorë Kosovë – Mali i Zi, më tepër është çështje e vetë kosovarëve, që duhet të marrin vendimin e tyre në parlament”, është shprehur Thaçi. Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë nuk ka alternativë tjetër pos bisedimeve mes shteteve. “Fqinjësia e mirë gjithashtu duhet të ngadhënjejë. Është në interesin e të dy shteteve, të rajonit, por edhe edhe te vetë investimet e Bashkimit Evropian që të ketë paqe mes Kosovës dhe Serbisë. Paqja mes Kosovës e Serbisë do të thotë stabilitet në rajon”, ka theksuar në fund ai.