Më lejoni që sot, në sallën e bibliotekës Kombëtare, në këtë tempull të dijes e cila e simbolizon edhe kulturën, arsimin dhe shkencën e Kosovës, që në emër të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, të bëjmë promovimin e monografisë që i kushtohet masakrës së Reçakut.
Çdo promovim i librit është ngjarje e rëndësishme jo vetëm për vetëdijen, kulturën dhe shkencën e një kombi, por edhe të mbarë njerëzimit. Por ngjarje edhe më e rëndësishme është promovimi i librit me të cilin argumentohen krimet e një pushteti okupues çfare ishte Serbia, ndaj popullit shqiptar që luftoj për mbijetesë dhe lirinë e Kosovës, për lirinë në tokën e vet. Andaj Ky libër të cilin po e promovojmë sot dhe librat tjera të botuara nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës kanë rëndësi të madhe, ngase gjeneratës së tashme dhe gjeneratave të ardhshme si dhe opinionit ndërkombëtar, u bëhet e ditur çfarë sakrificash të shumta dhe sublime janë bërë për çlirimin e Kosovës. Me këtë libër dhe me librat e tjera ruhet edhe kujtesa për krimet e kryera nga okupatori serb dhe shërbejnë si motiv dhe ideal që të çmohet dhe të ruhet liria dhe pavarësia e Kosovës.
Në mëngjesin e hershëm të 15 janar të vitit 1999, forcat okupuese serbe rrethuan fshatin Reçak të komunës së Shtimes dhe i zunë rob, i torturuan, i masakruan dhe i ekzekutuan në mënyrën më mizore, më barbare banorët civil të këtij fshati. Viktima të kësaj masakre ishin që nga mosha 13 vjeçare deri në moshën 82 vjeçare. Në këtë krim bestial që me të drejtë u cilësua si krim kundër njerëzimit, u masakruan dhe u vranë 42 civilë. Në mbrojtje të popullatës të Reçakut, nga bandat kriminele serbe u vranë, ranë në altarinë e lirisë edhe 11 pjesëtarë të UÇK-ës, dy prej tyre ranë në betejën me forcat serbe në mbrojtje e kufomave të të vrarëve, kur serbët tentuan që t’i marrinë trupat e pajetë me qëllim të zhdukjes të gjurmëve të këtij krimi makabër.
Gjatë luftës, masakra dhe vrasje të këtilla masovike, madje edhe me përmasa edhe më të mëdha të popullatës civile shqiptare nga forcat serbe, ka pasur edhe në regjionet tjera të Kosovës, siç janë masakra masakra e Mejes, Izbicës, Çikatoves e shumë të tjera, por Masakra e Reçakut arriti kulmin e tmerreve të krimeve serbe dhe falë edhe angazhimit të Kryesuesit të Misionit Verifikues të OSBE-ës, diplomatit amerikan William Woker, pati sukses të prezantohet në opinionin ndërkombëtar evropian dhe botërorë dhe si e tillë më në fund e zgjoi ndërgjegjjen e komunitetit ndërkombëtar dhe shërbeu si fondament i fortë për arsyen dhe legjitimitetin e intervenimit të NATO –së, forcës më të madhe ushtarake të botës për ndaljen e makinerisë vrastare të regjimit të Serbisë ndaj popullit shqiptarë të Kosovës që luftoj për lirinë e vet.
Kjo monografi është shkruar nga shumë autorë, të cilët kanë qenë edhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës së Nerodimies dhe dëshmitarë okularë. Pikërisht përpilimi i kësaj monografie nga pjesëmarrësit e drejtë për drejtë të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tregon për autenticitetin faktografik të kësaj monografie. Rëndësia e kësaj monografie konsiston edhe në faktin se botohet në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe angleze. Me botimin edhe në gjuhën angleze edhe ndërkombëtarët këtë libër do ta kenë në bibliotekat e tyre për të dëshmuar përgjithmonë bestialitetin e krimeve gjenocidiale të regjimit serb ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.
Për përmbajtjen, dimensionet dhe rëndësinë e librit të Masakres së Reçakut më hollësisht do të flasin disa nga autorët e këtij libër, unë shfrytëzoj rastin që Juve të pranishëm shkurtimisht të Ju njoftoj për punën dhe rezultatet e deritanishme të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe sfidat e shumta me të cilat përballet ky Institut i cili për misioni e ka pikërisht hulumtimin e krimeve të kryera gjatë Luftës për çlirimin e Kosovës.
Pas përfundimit të Luftës dhe çlirimit të Kosovës me 12 qershor të vutit 1999, edhe pse me vonesë afër 12 vjetësh nga përfundimi i luftës, Qeveria e Kosovës e themeloj Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Ky Institut u themelua me Vendim të veçantë të Qeverisë së Kosovës(nr.10/15), datë 15 qershor 2011. Instituti prej fillimit, veprimtarinë e vet e ushtron si njësi e veçantë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Në Institut janë të punësuar gjithsej shtat veta, prej tyre dy doktor shkence, tre me gradë masteri dhe dy me fakultet. Në pamundësi që në të njëtën kohë të hulumtohen të gjitha krimet e shumta dhe të llojeve të ndryshme, Instituti është fokusuar në krimet më të rënda dhe aëe: në krimet e vrasjeve, krimet e zhdukjes dhe krimet ndaj trashëgimisë kulturore dhe arkivore.
Rezultatet e deritanishme të hulumtimit të krimeve të luftës, përveç materialeve të shumta të arkivuara, Instituti i ka publikuar tetë monografi, shumicën e tyre në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe angleze.
Krahas këtyre botimeve, Instituti ka organizuar 10 prezantime me ekspozita të krimeve të luftës dhe atë: 2 ekspozita në Prishtinë, 1 në Gjakovë, 2 në Shqipëri (tiranë dhe Korçë) 3 ekspozita në Turqi (në Ankara, Stamboll dhe Bursa) dhe 1 në Austri.
Instituti e ka themeluar edhe bibliotekën dhe arkivin e vet.
Siç shihet, me këtë staf dhe kushte modeste, Instituti ka bërë punë të madhe. Por përkundër kësaj, duke pasur parasysh misionin e madh dhe sensitiv, e veçmas punën që ky Institut duhet ta kryejë, ne nuk jemi të kënaqur. Nuk jemi të kënaqur ngase ky Institut duhet të bëjë punë shumë më të madhe, duhet të hulumtohen edhe me mijëra e mijëra krimet të luftës, e sidomos duhet t’i hulumtoj me mijëra vrasje, varreza masive, tortura, kampe të përqendrimit, depërtimin me përmasa të holokausit, plaçkitjen dhe shkatërrimin e rreth 100.000 shtëpive dhe objekteve tjera dhe shumë e shumë krime tjera kryera nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.
Me këtë staf, me këtë status juridik dhe me këtë buxhet dhe infrastrukturë çfarë e ka, ky Institut nuk mund ta kryejë këtë punë edhe për 20 vjetët e ardhshme. Para dy muajve Institutit i është urdhëruar që prej një ndërtese ku i kishte pesë zyre, të vendoset në një Kontenjer në 3 zyre që nuk ka as hapësirë minimale. Madje me një propozim rregullore me të cilin mëtohet që ky Institut të shndërrohet në një departament dhe të zvogëlohet stafi i të punësuarve!!! Nëse vazhdohet të trajtohet kështu ky Institut, do të vështirësohet edhe me shumë puna e këtij Instituti dhe në këtë mënyrë do të bëhet edhe një krim ndaj atyre dhjetëra mijëra viktimave të luftës, por kësaj here ky krim nuk do të bëhet nga okupatori serb por nga ne! Andaj i brengosur thellë për gjendjen dhe trajtimin e këtillë të Institutit, edhe me këtë rast në mënyrë publike i bëjë apel institucioneve më relevante të Kosovë, veçmas Ministrit tani të posa emëruar zotit Abelard Tahirit që urgjentisht ta rregulloj statusin juridik të këtij Instituti, që së paku të trefishohet numri i hulumtuesve me grada shkencore, të dyfishohet numri hulumtuesve me grada të masterit dhe së paku të emërohen 3 hulumtues të terrenit. Nëse kjo që po propozoj nuk bëhet nga shteti i Kosovës, koha do t’i zbehë, madje edhe do ta bëjë të pamundur zbardhjen dhe evidentimin e shumë krimeve të kryera nga ushtria, policia dhe paramilitarët serb dhe për këtë mos punë dhe neglizhencë historia nuk do të na falë.
Prishtinë, 14. 09. 2017