Ish-zyrtari i lartë i Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa ka shkruar se i ashtuquajturi dekomunistizim i vendit nuk arrihet të bëhet në Shqipëri e as në botë! As nga PD-ja, as nga PS-ja, as nga të tjerë! Se komunizmin e mbajnë gjallë jo dekoratat e gradat, jo propaganda e simbolet komuniste në vetvete, po pabarazia shoqërore, shtypja klasore e shfrytëzimi i egër borgjezo-kapitalist! Populli është ngopur me gënjeshtra! Borgjezia do ta gënjente popullin diçka me gjatë nëse ajo do t’i rriste atij mirëqenien materiale e kulturor, do t’i siguronte jetën e qetësinë, do ta trajtonte të barabartë me ligj, do ta bindte se po lufton me të vërtetë korrupsionin, mafien, trafiqet! Bëni kujdes, porosiste Enver Hoxha, se regjimi i Zogut nuk luftohet me llafe e me dekrete administrative, po duke punësuar gjithë njerëzit e aftë për punë, duke ngritur mirëqenien materiale e nivelin arsimor, shkollor, duke i çliruar ata nga taksat e tatimet deri në eliminimin e plotë të këtyre, duke i shëruar falas, përfshirë edhe ilaçet, duke i trajtuar të gjithë të barabartë para ligjit, duke u siguruar atyre jetën e qetësinë në fshat e në qytet, duke qenë një vend i lirë e i pavarur etj. Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet të bjerë në grackën e neofashistëve; as të bëhet vegël qorre e botës; po as shërbejë si “pararojë” eksperimentale e BE-së, ka shkruar mes tjerash Muharrem Xhafa.
