Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF apelon ndaj të gjithë organeve e institucioneve në nivel qëndror e lokal, për më shumë siguri dhe përkujdesje për të gjithë fëmijët. Secili fëmijë duhet ta gëzojë të drejtën që të rritet dhe zhvillohet në mjedis të sigurtë dhe të qetë, sikurse në shkollë, familje apo komunitet. Kjo e fundit mbetët një sfidë e madhe dhe problem i mprehtë për fëmijët në Kosovë.
Fëmijët në Republikën e Kosovës përbëjnë 30% të popullësisë së përgjithshme, ata përbëjnë të ardhmen e këtij vendi. Fëmijët tanë po ballafaqohen me situata të vështira, rreziqe, dhunë, kërcënime, madje edhe vrasje, ku për pasojë kemi raste të cilat po përfundojnë me fatalitet.
Rasti i fundit, i cili tronditi gjithë opinionin, është një alarm për të gjithë ne dhe duhet ti thërrasë ndërgjegjes tonë që masat parandaluese dhe mbrojtëse për sigurinë e fëmijëve duhet të ndërrmerren në mënyrë emergjente.
KOMF bën apel tek të gjitha institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë: të krijojnë ambiente të sigurta, të sigurojnë rrugët duke mbuluar vendbanimet me kamera, të vendosin ndriçim, në mënyrë që të gjithë fëmijëve t’u sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë dhe në të gjitha vendet ku ata veprojnë. Prioritet ti ipet largimit të armëve nga duart e fëmijëve dhe qytetarëve.
Në mënyrë që të parandalohen rreziqet, incidentet dhe dhuna ndaj fëmijëve dhe në mes fëmijëve, ku shpeshherë po rezultojnë me pasoja fatale për fëmijët, prezenca dhe bashkëpunimi më i madh i policëve të komunitetit me qytetarët dhe fëmijët në vendbanime është më se i domosdoshëm.
KOMF vlerëson që rastet e tilla mund të parandalohen poashtu përmes vetëdijësimit dhe edukimit të mirëfilltë të fëmijëve dhe brezave të rinj në zgjidhjen e konfliktit përmes komunikimit dhe jo përmes dhunës.
Sistemi i arsimit në Kosovë para së gjithash duhet të forcojë komponentën e edukimit në shkolla, në mënyrë që të kemi qytetarë të përgjegjshëm, që respektojnë individin, rregullat dhe rendin shoqëror.
Prindër, kujdestarë dhe mësimdhënës, punoni me fëmijët tuaj, edukoni fëmijët për pasojat e konfliktit dhe për mënyrat e zgjidhjes së konfliktit përmes komunikimit dhe jo përmes dhunës.
Fëmijë, nëse ndiheni të kërcënuar apo të rrezikuar informoni prindërit tuaj apo policinë.
Qytetarë, apelojmë tek ju që rreziqet, kërcënimet, rastet e dhunës ndaj fëmijëve ti referoni drejt organeve kompetente siç janë Policia në numrin 192 apo 92.
Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve dhe askush nuk është i liruar nga kjo përgjegjësi.