leoni

Intervistë me Ministrin e Financave, Bedri Hamza

RKL: Z. Ministër, sapo është miratuar në parim projektbuxheti për vitin e ardhshëm. Si do të realizohet rritja ekonomike prej 5 përqind dhe nga dyzet për qind të shumës së përgjithshme të buxhetit, të rezervuara për investime kapitale?Sa për qind do të shpenzohen për ndërtimin e autostradës?

Hamza: Projektbuxheti i vitit 2011 është një dokument i cili reflekton prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Është një projektligj i cili është diskutuar dhe negociuar gjatë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ne kemi shumë prioritete, por si krye prioritet e kemi qëndrueshmërinë makro-fiskale të vendit dhe ne kemi projektuar një deficit rreth 3 për qind që është brenda parametrave të BE. Rritja ekonomike është vlerësuar që të jetë 5 për qind në vitin e ardhshëm dhe ky është një vlerësim mjaft i kujdesshëm, meqë i kemi marrë në konsideratë edhe zhvillimet që mund të ndodhin në Eurozonë gjatë vitit 2012, ku institucionet financiare ndërkombëtare nuk janë shumë optimiste. Këto zhvillime mund të kenë ndikimin e vet edhe në Kosovë, andaj kemi qenë të kujdesshëm në projektimin e një rritje ekonomike prej 5 për qind. Çka është karakteristikë e këtij projekt-buxheti? Kosova është vendi i vetëm në regjion ku pjesëmarrja në investime në totalin e buxhetit i ka 4 për qind. Kjo është mirë si strukturë e buxhetit sepse në mënyrë të tërthortë, taksat i kthehen taksapaguesit përmes investimeve në infrastrukturë rrugore, në arsim, shëndetësi, objekte sportive, etj. Brenda kësaj strukture të investimeve kapitale prej 616 milionë të parapara me këtë projektbuxhet, 296 milionë shkojnë për projektin më kapital që është autostrada Morinë-Merdarë, 240 milionë për ndërtim, dhe 56 për shpronësim.

RKL: Cilat janë reformat e Ministrisë që drejtoni, të cilat do të ndikojnë në uljen e papunësisë?

Hamza: Ne jemi në vazhdën e reformave dhe qëllimi ynë është që pas kësaj rritje ekonomike të jetë sektori privat dhe sektori publik. Të krijohen parakushte për rritjen e sektorit privat edhe përmes përmirësimit të infrastrukturës fizike, edhe përmes investimeve në arsim sepse pa kuadro të kualifikuar nuk mund të ketë ekonomi të qëndrueshme, nuk mund të ketë zhvillime të ndërmarrjeve. Reformat kanë të bëjnë edhe me legjislacionin në mënyrë që të bëhen ligje sa më të përshtatshme dhe Kosova të bëhet një ambient sa më tërheqës për investime, për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe  sidomos për lehtësimin e kushteve për biznese, të cilat punojnë në Kosovë. Normat tatimore i kemi më të ulëtat në rajon. Para disa ditësh, unë kam nënshkruar disa vendime që kanë të bëjnë me uljen e normave të kamatave, të cilat i zbaton administrata tatimore ndaj bizneseve, pastaj kemi thjeshtësuar dokumentet me rastin e importimeve dhe eksportimeve. Nga nëntë dokumente të cilat kërkoheshin në të kaluarën, tani i kemi thjeshtësuar në 3 dokumente. Kemi rritë normën e kamatave në të cilat ATK-ja është e detyruar t’ua paguajë bizneseve në rast se nuk i kthen paratë e tyre me kohë. Jemi në proces të reformimit të kuadrit për rishqyrtimin e ankesave të tatimpagueseve dhe e kemi rritë dinamikën dhe efikasitetin e këtij bordi. Në të ardhmen ne do të vazhdojmë me uljen apo eliminimin e doganave në lëndë të para, me qëllim që të krijojmë kushte më ta favorshme për ndërmarrjet prodhuese, që të kemi më shumë prodhime vendore në Kosovë. Të gjitha këto do të ndërmerren që të krijojmë një klimë sa më të favorshme për investime në biznese.

RKL: Kur jemi te doganat, sa jeni të kënaqur me punën e tyre dhe të ATK-së, duke marrë parasysh që disa biznese kanë paraqitur vërejtje të shumta në mënyrën e inkasimit të mjeteve nga zyrtarët e ATK-së?

Hamza: Performanca e këtyre institucioneve vazhdimisht është duke shënuar rritje. Këto kanë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në përmbushjen e planit të të hyrave. Është inkurajues fakti që diku rreth 90 për qind të të hyrave të grumbulluara janë të vetë-deklaruara dhe të vetë-paguara nga ana e tatimpaguesve, dmth ne kemi një ngritje të vazhdueshme te këto dy institucione. Sigurisht që ka vend për të bërë më shumë, mirëpo kanë kryer një punë të mirë e më përgjegjësi sepse nëse i shikojmë edhe raportet e publikuara nga institucionet që janë mjaft kredibile dhe të pavarura, si Komisioni Evropian dhe FMN, theksojnë se gjithmonë ka pasur progres.

RKL: Pas bisedave disaditëshe në delegacionin e lartë të FMN-së,.a mund të thuhet se vendi ynë është më afër përmbushjes së kritereve të vëna nga ky institucion për të krijuar parakushte për nënshkrimin e marrëveshjes së re me këtë institucion?

Hamza: Në Kosovë nga data 3 deri 11 nëntor ka qëndruar një komision i FMN-së, i cili ka pasur për detyrë të bëjë vlerësimin e përmbushjes të pjesës së parë të Marrëveshjes me FMN-në. Nga 11 kriteret, i referohem deklaratës të publikuar nga ky institucion, thuhet se politikat makroekonomike në Kosovë janë gjerësisht në rrugën e duhur dhe kriteret janë përmbushur në tërësi. Ne presim një vlerësim paraprak dhe ky është miratimi i ligjit dhe kategorive të dala nga lufta në Kuvendin e Kosovës deri me 10 dhjetor. Ne jemi të sigurt që vlerësimi për pjesën e parë të marrëveshjes do të jetë pozitiv. Gjithashtu ne jemi optimist se deri në fund të vitit do të plotësojmë të gjitha kriteret. Respektimi i plotë i kësaj marrëveshje dhe vlerësimi pozitiv, Kosovës i hap rrugë që në shkurt të vitit të ardhshëm të arrijmë me mundësi reale në një Marrëveshje Stand-by në FMN. Kjo Kosovës do t’i hapte mundësi që të ketë qasje edhe në financat e këtyre institucioneve.

RKL: Sipas një publikimi të KMDLNJ-së, shuma e dëmeve ekonomike që Serbia i ka shkaktuar Kosovës arrin në 15 miliard euro. Deri më tani ka munguar iniciativa dhe vullneti institucional për t’u marrë me këtë çështje. Cili është komenti juaj në këtë drejtim?

Hamza: Sa i përket shifrave më ka rastis që të dëgjoj shifra të ndryshme dhe nuk dua të komentoj për shifra ngase profesionalisht është vështirë të shpjegohen dhe arsyetohen. Dihet që në Kosovë importi pritet që të jetë 2 miliardë në krejt vendin, dmth në të gjitha pikat doganore. Nëse e marrim TVSH-në dhe doganën është vështirë të vijmë te shifra të caktuara, por sidoqoftë nuk dua t’i komentojë ato. Ne kemi marrë veprime për të vënë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës, ku ekonomia informale, kontrabanda, evazioni fiskal ka qenë më i theksuar. Pas datës 25 korrik, me veprimet e ndërmarra nga Qeveria është minimizuar deri në atë masë saqë nuk rrezikohet qëndrueshmëria ekonomike. Përndryshe, tani dihet që në ato zona nuk ka qarkullim, mirëpo është vendosur policia e Kosovës. Informaliteti është i pranishëm në vend, jo vetëm në atë pjesë por edhe në pjesë të tjera. Por, ne jemi duke bërë përpjekje që ta zvogëlojmë për aq sa është e mundur.

RKL: Cilat janë prioritet konkrete të Ministrisë së Financave për vitin 2012?

Hamza: Qëllimi ynë është që të vazhdojmë reformën e politikave fiskale, të krijojmë parakushte për zhvillimin e sektorit privat, të vazhdohet menaxhimi i financave publike, të rritet transparenca. Si krye-prioritet është ruajtja e qëndrueshmërisë makro-fiskale të vendit, sepse edhe vendet me një përvojë më të gjatë si rezultat i vendimeve jo të analizuara sa duhet hasin në vështirësi, ndërsa ne si Kosovë në këtë drejtim jemi në pozitë shumë më të favorshme. Kosova ka borxhin publik më të vogël në rajon si në rreth 4.5 për qind të GDP-së që është borxh simbolik por edhe borxh i trashëguar nga vitet e 70’ta. Ka qenë borxh ndaj Bankës Botërore, është kodifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe ne jemi duke e kthyer atë rregullisht. Në këtë rast, mbështetësi kryesor ka qenë SHBA. Pra, ne do të vazhdojmë ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-fiskale, përmbushjen e planit të të hyrave që gjithmonë është një sfidë dhe sidomos krijimin e një klime të favorshme për bizneset.

6 dhjetor 2011

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …