Intervistë me kryeshefin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha

RKL: Zotri Meha, si i  komentoni arritjet e marrëveshjes në Bruksel për kthimin e dokumenteve kadastrale, si kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës?

 

Murat Meha: Marrëveshjet të cilat janë arritur në Bruksel janë çështje e zyrës së zëvendës kryeministrit dhe të gjitha informacionet e tjera mund t’i merrni atje. Por mund të them me këtë rast se, vlera e dokumentacionit kadastral, gjithmonë është e qëndrueshme dhe ajo kërkohet të zhvillohet maksimalisht. Prandaj edhe në këtë rast, fatkeqësisht për dokumentacionin kadastral që ka qëndruar deri më tani në Serbi, ai do të kthehet dhe do të ketë ndikimin e vet pozitiv në realizimin e të drejtave të dokumentacionit për pronën, për secilin qytetar të Kosovës. Edhe pse që në fillim mund të them, kemi kadastër që është stabil, i saktë dhe i qëndrueshëm për të dhënat e sipërfaqes së Republikës së Kosovës.

RKL: Dokumentet që do të kthehen nga Serbia janë kopje, të cilat në një rast të caktuar mund të shkaktojnë edhe konteste sepse palët në shumicën e rasteve kërkojnë dokumentin origjinal, atëherë si veprohet në raste të tilla?

Murat Meha: Është mirë që ta sqaroj që në fillim se nuk janë kopje por janë në origjinale, të cilat i marrim. Kadastra i Kosovës tani është kadastër digjital. Të gjitha letrat, them kushtimisht, apo gjithë dokumentacionin që kanë qenë në letra i përgatitur, ai tani është i kompjuterizuar. Kjo do të thotë që të gjitha hartat e tabelat, të gjitha skicat e ndryshme që kanë qenë, ato janë futur në kompjuter. Futja e tyre në kompjuter, neve na ka mundësuar që të gjitha të dhënat që i kemi t’i qartësojmë, t’i ofrojmë për qytetarët në momentin e duhur dhe shumë shpejt. Prandaj, kopjet që ju i cekni, ato nuk janë kopje por janë origjinalet, të skanuara siç i kemi ne në Agjencionin Kadastral të Kosovës dhe në zyrat kadastrale komunale. Kjo do të thotë që në cilëndo zyre të Agjencionit kadastral të Kosovës, që ju të vini të merrni dokumentacionin, ju nuk do të gjeni letra por kompjuterë në të cilët janë të gjitha elementet e duhura për paraqitjen e saktë të Kosovës.

RKL: edhe pse në medie janë thënë se janë kopje, andaj është mirë të kemi një informacion të saktë

 

Murat Meha: Çështja e medieve është çështja e medieve. Unë nuk iu përzihem atyre. Unë si profesionit dhe udhëheqës i Agjencionit Kadastral, dhe kadastrave të Kosovës, unë e them ashtu si është, prandaj këtë që e them se territori i Kosovës është 10. 908 km katror. A ka më fatkeqësisht që në librat shkollor shkruhet 10.887 km katrorë. Dhe këtë gjeografët duhet ta përmirësojnë sepse kjo është matje e saktë. Dhe ky territor prej 10.908 km katrorë është i digjitalizuar në hartat, tabelat dhe skicat, orto foto etj.  Atributet janë të gjitha në kompjuter dhe nuk ka metër katror e sipërfaqes së Kosovës e cila nuk ka titullarë. Do të thotë që çdo metër katrorë e Kosovës ka titullarin e vet. Dhe vetëm një mangësi është që mund të jetë azhurnimet e vonuara, do të thotë ajo ndjenja jonë se prona është e imja dhe nuk është me rëndësi se i kujt është dokumentacioni, tani duhet të largohet nga mendja, pasi që duhet që pronën që e keni, duhet ta keni edhe me dokumentacion të përcjellë. Mirëpo, për këtë arsye ne kemi përkrahjen edhe të Bankës Botërore, të GIZ-it, gjerman, të Qeverisë norvegjeze, të Komisionit Evropian që të gjitha të dhënat të azhurnohen dhe të kemi gjendjen e fundit n ë harta, skica e ortofoto. Gjendjen e dokumentacionit ta kemi në atë nivel që na tregon se ne vërtetë jemi duke shfrytëzuar me saktësi dhe precizitet dhe me qëndrueshmëri dokumentacionin kadastral.

 

RKL: A i keni dërguar Ministrisë së arsimit këtë informacion lidhur me këtë pasatësi ?

Murat Meha: Unë jam pjesëmarrës në simpoziume, konferenca, kongrese gjeodezike dhe administrimit e menaxhimit të tokave në shumë vende të botës, që mund ti gjeni  në internet, në ueb faqe të ndryshme siç është Federata Ndërkombëtare e Gjeodetëve. Në simpoziumet dhe takimet tona, çdo kund e kemi dhënë me shkrim se sipërfaqja e territorit të Kosovës është 10.908 km katrorë, dhe pse ajo nuk korrigjohet, për mua, mbetet një çështje që duhet t’ua rikujtoj të tjerëve, por është e vlefshme që ne me kadastrën që kemi, dëshirojmë që të krijojmë siguri për qytetarin mbi dokumentacionin që ka. Sa i përket zhvillimeve të tilla dua të them, që gjatë vitit të kaluar ne kemi bërë rindërtimin e informacioneve kadastrale apo azhurnimin e informacioneve kadastrale të 41 zonave kadastrale në territorin e Kosovës, dhe kemi bërë regjistrimin e 12 mijë njësive të tjera, përkatësisht 12 mijë banesave në katër qytete të Kosovës. Ato qytete janë: Prishtina, Peja, Prizreni dhe Gjilani. Në këto katër qytete, në të cilat është zhvilluar projekti i regjistrimit të banesave, ka pas për qëllim që secili pronar i cili jeton në ndërtesa, e cila është e legalizuar, ta ketë edhe dokumentacionin e vërtetuar në Gjykatë dhe të regjistruar në regjistrat kadastralë. Është mirë ta ceki në këtë rast, përmes Radios ‘Kosova e Lirë’ që të dhënat për pronësinë, në qoftë se nuk janë të regjistruara në regjistrat kadastral, atëherë ai nuk do të mund të quhet pronar. Kjo do të thotë që nëse dikush ka bërë ndonjë transaksion e ka kontratën e vërtetuar në Gjykatë, por nuk e ka të regjistruar në regjistrat kadastralë, akoma ai person që ka bërë kontratën nuk është pronar i pronës. Prandaj, është mirë që me këtë rast, edhe unë t’i ftoj qytetarët që pronën e vet, pas nënshkrimit të ndonjë kontrate, pas ndonjë transaksioni që e ka bërë nëpërmjet Gjykatës, ta vazhdojë procedurën për regjistrim në regjistrat kadastral. Kjo e ndihmon atë dhe kjo e siguron qytetarin që pronën ta fus në tregun e pronave apo pasurive të paligjshme që janë të shumë me rëndësi, jo vetëm për ekonominë familjare, por edhe atë komunale. Gjatë vitit të kaluar, vetëm për pesë muajt e fundit kanë qenë të hipotekuara vetëm parcelat dhe objektet me vlerë deri në 320 milionë euro, do të thotë një qarkullim i cili është shumë i rëndësishëm. Unë besoj që në këtë vit, pas regjistrimit të 12 mijë banesave në këto katër qytete, hipotekimi i pasurisë së paligjshme për qytetarët do të jetë në rritje të madhe, sepse secili qytetar e ka mundësinë që ta bëjë hipotekimin. Ndërsa deri më tash, konkretisht këto 12 mijë banesa nuk kanë mundur të futen në hipotekim dhe të bëjnë raporte kontraktuare me bankën, sepse duhet të jetë titullari apo pronësia e qartësuar në mes të pronarit dhe pronës në mënyrë që Banka t’ia mundësojë dhënien e kredisë. Prandaj të dhënat kadastrale, të regjistruara që po i cekim, që janë të sakta, të sigurta e të qëndrueshme mundësojnë që ato të shfrytëzohen për zhvillimin ekonomik të vendit dhe të krijojnë një siguri te qytetari, investitori dhe krijojnë siguri shtetërore pasi që janë të gjitha ligjet në fuqi. Agjencioni Kadastral i Kosovës ka arritur që t’i përgatisë ligjet, t’i dërgojë ndërmjet Qeverisë deri në Parlament, të miratohen ato dhe neve na mbetet që të punojmë në lidhje me to. Profesionalizëm kemi, periudha kohore prej 12 vitesh na la të kuptojnë që ne kemi bërë anën profesionale, kemi marrë praktikat e mira të të tjerëve dhe tash patjetër duhet të punojnë për vendin tonë.

 

RKL: Deri tani cilat kanë qenë sfidat me të cilat është përballur Agjencia?

Murat Meha: Në qoftë se i marrin dhe i analizojmë sfidat nga viti 1999, deri më tani, ato kanë qenë prej më të ndryshmeve. Fillimisht përgatitja e kuadrit profesional, ngritja e kapaciteteve në Agjencionin Kadastral të Kosovës, sepse e dimë që një periudhë 10 vjeçare, te gjitha përsiatjet kanë qenë jashtë institucioneve, dmth 90-99. Pastaj, kalimi drejtpërdrejtë nga sistemi analog në sistemin digjital, sigurimi i mjeteve materiale dhe sigurimi pajisjeve të ndryshme nga teknologjia e informacionit që ato të jenë moderne sepse, mund të them që ato, fatkeqësisht, janë plaçkitur nga forcat serbe gjatë periudhës së luftës, dhe trajnimet për shfrytëzimin e pajisjeve dhe mjeteve gjeodezike, të cilat përdoren. Pastaj si sfidë tjetër ka qenë edhe kalimi prej një sistemi kardinal i cili ishte i një shteti që kanë funksionuar për një kohë të gjatë me një sistem kardinal, i cili është dhe quhet Kosova-Re. Ligjërisht jemi të detyruar që ta përdorim jo vetëm ne si kadastër, por edhe të gjitha institucionet e tjera relevante, të cilat merren me harta dhe paraqitje të të dhënave, kurse sfidë tjetër ka qenë regjistrimi i të drejtave mbi pronën e paluajtshme për të kaluar prej fletëve poseduese në certifikata, në RDPP, që e quajnë ne. Tani jemi duke punuar që të jemi pjesë përbërëse dhe e pandarë e sistemeve kadastrale evropiane në mënyrë që ato sisteme kadastrale të jenë të njëjta sikurse edhe në shtetet e zhvilluara, edhe tek ne, si shtet i ri por edhe si shtet në tranzicion duke iu përshtatur direktivave INSPAIR, dhe në anglisht e quajnë Venesdiaj apo sistemi i informacionit të të dhënave gjeografike nacionale. Prandaj, këto janë sfida por megjithatë kemi një përparësi që në aspektin financiar, pjesërisht e kemi të mbuluar nga donatorët, pjesërisht nga Qeveria e Kosovës, dhe të gjitha këta i falënderojmë sepse një bazë e mirë dhe e fortë kadastrale e ndihmon në çdo aspekt edhe qytetarin edhe Qeverinë, edhe Kuvendin dhe gjithë të tjerët. Prandaj, një mirëkuptim në këto tri rrafshe; rrafshin politik, financiar dhe atë profesional është që i çon çështjet përpara. Sfidë tjetër e kemi edhe ndarjen të Agjencionit Kadastral, siç është Autoriteti Qendror për Gjeodezi, Kadastër dhe Informacion të tokave në përgjithësi dhe zyrën komunale kadastrale. Kjo ndarje nuk është në vendet e tjera dhe krijon vështirësi në realizimin e projekteve pasi që zyrat komunale kadastrale i përgjigjen organizimit komunal, ndërsa ne jemi në kuadër të Ministrisë. Praktika e shteteve perëndimore që ka treguar rezultate shumë të mira në vendet fqinje tregon që një organizim i përbashkët vertikal është shumë më i mirë, më i qëndrueshëm dhe më efektiv sesa këtë që e kemi ne. Mirëpo, për ta bërë këtë ndërrim ne jemi duke punuar, kemi sugjerime nga Banka Botërore si dhe nga të tjerët, bisedime me Ministrinë e Pushtetit Lokal, dhe besojmë që këtë do ta arrijmë, por nuk kryhet shumë shpejtë, sepse për ta bërë një riorganizim të tillë duhet që edhe ligjet të ndryshohen, të bëhen udhëzimet administrative, por qëllimi është që të realizohet një organizim, i cili është funksional dhe i cili jep rezultate më të shpejta.

 

RKL: A mendoni se Qeveria e Serbisë për qëllime të caktuara politike por edhe për qëllime shantazhi i ka keqpërdorur dokumentet që janë atje?

Murat Meha: Unë do të thosha me humor se nuk ka plaçkitje me qëllim të mirë. Gjithmonë, plaçkitjet bëhen me qëllime të këqija për t’i krijuar palës tjetër vështirësi, sfida e të tjera, por fatmirësisht ne nuk kemi ndenjur duarkryq dhe qysh nga vitit 1999 e presim atë dokumentacion.

 

RKL: A keni bërë kërkesë në Serbi për kthimin e dokumenteve dhe cila ka qenë përgjigja?

 

Murat Meha: Kërkesat kanë qenë që nga viti 2003 e këndej që ai dokumentacion duhet të kthehet nga Serbia në Kosovë, sepse është pronë e Kosovës dhe i duhet arkivit të kadastrit, jo vetëm sa për ta arkivuar, por të pasur vazhdimësinë e zhvillimeve kadastrale në Kosovë, që është që nga viti 1924 e deri më tani. Mirëpo, siç thashë, ne nuk kemi ndenjur duarkryq, sepse ne kemi përgatitur dhe miratuar ligjet, do të thotë në nivel të Kosovës jo vetëm në nivel të Agjencionit kadastral dhe kemi arritur ta stabilizojmë edhe të drejtën mbi pronën e paluajtshme të bazuar në ligje, të cilat janë të përgatitur nga ekspertë vendor dhe ndërkombëtarë.

RKL: Përgjigje keni marrë. Po apo jo?

Murat Meha: Përgjigja është e qartë se Serbia nuk i ka kthyer deri më tani, prandaj kjo çështje është dashur të ngrihet edhe në bisedimet në Bruksel. Dhe natyrisht që Serbia e shikon nga këndi i vet, dhe ne nuk pajtohemi me atë dhe ka ardhur në përfundim me ndërmjetësimin e BE, që ky dokumentacion duhet t’i kthehet Kosovës. Sa do të vonohet ai? E dimë që Serbia për obstruksione është e njohur dhe ajo do të vazhdojë me obstruksionet e saj, por ato nuk na dobësojnë por na përforcojnë edhe më shumë dhe na shtyjnë që ai dokumentacion patjetër duhet të jetë në Kosovë.

RKL: Cilat ishin të arriturat e Agjencisë në vitin që lamë pas?

Murat Meha: Të arriturat janë të shumta, dhe është mirë t’i ceki disa që janë realizuar me sukses të plotë, siç është rindërtimi i informacioneve kadastrale, regjistrimi i ndërtesave dhe banesave në katër qytete dhe krijimi i sistemeve të informacionit të tokave të Kosovës që do të jetë një lidhje një grafike dhe tekstuale në një sistem të tërë dhe përgatitjet e bëra për këtë vit. Dhe këto përgatitje do të na ndihmojnë që ne të vazhdojmë me një intensitet edhe më të madh që t’i realizojmë projektet e parapara, sepse e ndihmojnë qytetarin, komunën, organet kompetente të Kosovës për t’i marrë vendimet e duhura dhe investitorët kërkojnë gjithmonë siguri, qartësi dhe saktësi të dokumentacionit kadastral. Zakonisht, investitorët kur vijnë afrohen në Agjencionin Kadastral për të marrë informacione sesi është gjendja e atij dokumentacioni, prandaj edhe më këtë rast, edhe njëherë dua ta them që, se nuk është asnjë metër katrorë në territorin e Kosovës, e cila ka mbet pa titullarë. Prandaj kjo është një ndihmesë e madhe dhe është mirë që edhe qytetari ta kuptojë se prona është e tij, shpesh herë thuhet se prona është e shenjtë. Unë nuk them që prona është e shenjtë, por prona është mall i tregut e cila mund të jetë në transaksion, por ajo gjithmonë kërkon siguri, saktësi, qëndrueshmëri dhe stabilitet afatgjatë.

RKL: Lidhur me prioritetet e Agjencisë për këtë vit, çfarë mund të thoni?

Murat Meha: Prioriteti i parë është që të vazhdojmë me rindërtimin e informacioneve kadastrale në disa zona kadastrale. Prioritet i dytë është që sa më shumë ta bindim qytetarin që të bashkëpunojë me organet kompetente kadastrale komunale dhe qendrore dhe të vazhdojmë gjithashtu me regjistrimin e banesave dhe ndërtesave në mënyrë që tregu i pasurive të paluajtshme dhe sistemi i informacionit kadastral të jetë i azhurnuar në nivelin e duhur. Por njëkohësisht dëshirojmë që t’i ftojmë qytetarët dhe t’u them si porosi, që të mos blejnë prona pa dokumentacion, pa marrë parasysh nëse janë ato parcela apo banesa. Është mirë që gjithçka të jetë e regjistruar dhe e dokumentuar. Shpejtësia në blerje nganjëherë krijon probleme afatgjate, prandaj kjo do të ishte si porosi. Por ne si agjencion i kemi parasysh që për qytetarët ta sqarojmë çdo element që është i nevojshëm lidhur me pronën e bashkëpunimi duhet të jetë i mirë nga të dyja anët, në të njëjtën kohë, përndryshe suksesi mund të zvogëlohet. Të zbehet në tërësi nuk mundet sepse ne jemi këmbë ngulas në realizimin e qëllimeve tona,. Por qëllimi është që qytetari ta dijë se çka duhet të bëjë me pronën e vet dhe te garantohet në atë dokumentacion. Mund të ketë ndonjë sfidë tjetër që qytetari nuk është i kënaqur me ndonjë dokument por ato janë kompetenca të radhitura nga Shkalla e parë në zyrat kadastrale komunale, pastaj shkalla e dytë që është Agjencioni Kadastral i Kosovës, pastaj vijnë gjykatat por megjithatë synimi është që kërkesa për dokumentacion të thjeshtohen. Po e marr një shembull nga viti i kaluar që do të vazhdojë edhe këtë vit për ta regjistruar një banesë kemi kërkuar tri dokumentacione elementare por të qëndrueshme: mbi aplikacionin që është normale për ta plotësuar çdo qytetar që ka aplikuar për ta regjistruar banesën. Dokumenti i dytë ishte fotokopja e një letërnjoftimi dhe dokumenti i tretë është një kontratë e vërtetuar në Gjykatë, dmth pa e ngarkuar me elemente të tjera që të mos irritohet qytetari me dokumente që duhet kompletuar shumë e shumë. Por një dokumentacion mjaft i thjeshtë i saktë i vërtetuar në Gjykatë, dhe natyrisht që ai gjithçka do të ketë në rregull. Më vonë, nëse qytetari ka ndonjë kërkesë për pronën e tij, tash mundësinë e ka edhe në sektorin privat apo në atë publik, dmth në zyrat kadastrale. Dhe për këtë është një përparësi, sepse në qoftë se i duket që në sektorin publik problemet zgjidhen më ngadalë, atëherë kalon në sektorin privat i cili ka të gjitha të drejtat dhe obligimet me ligj për saktësi, qëndrueshmëri dhe azhurnimet të të dhënave që kërkohen.

RKL: faleminderit për kohën dhe ju urojmë suksese dhe të arritura të mëtejme.

 

Murat Meha: Faleminderit edhe Juve, dhe suksese Radios Kosova e Lirë zëri i së cilës është dëgjuar gjatë kohës së luftës , por edhe tani zë i cili dëgjohet me kënaqësi.

  

10 janar 2012

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …