RKL: Z. kryetar, për sanimin e dëmeve në Burim dhe Pejë që i shkaktoi stuhia e 6 janarit, Qeveria ka ndarë një buxhet prej afro 400 mijë euro, ndërsa vetëm në komunë e Pejës dëmet kapin shifrën rreth 1 milion euro. A do të ketë mjetë shtesë në rritjen e fondit emergjentë?
Ali Berisha: Siç e dini me 6 janar ka pasë një fatkeqësi natyrore në komunën tonë, ku pas një ere të fuqishme që përfshiu një territor nga burimi i Drinit me disa fshatra në atë regjion. Dëmet e shkaktuara janë në shumë sektorë si në banim, në investime të caktuara kapitale, në biznese të ndryshme, etj.
Bazuar nga përllogarit e bëra nga institucionet komunale dhe Shtabi emergjent i ngritur në komunë, dëmet vlerësohen të jenë rreth 1 milion euro të shkaktuara në të gjitha sektorët, duke përfshirë edhe bujqësinë. Komuna e Pejës menjëherë ka ndarë një fond prej 50.000 euro për ndihmë sidomos për familjet që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Prioritet ishte që ata banorë të strehohen. Komuna ka ndërhyrë dhe ka ndarë këtë shumë të mjeteve dhe besoj, se së shpejti do të kemi mekanizma për rregullimin e shtëpive të këtyre banorëve. Institucionet qeveritare kanë ndarë një shumë prej 400.000 eurove për dy komunat, por ende nuk e kemi të qartë sa do të jetë shuma për komunën e Pejës. Besojmë se e dini që Qeveria ka marrë një vendim që të formojë edhe një komision të vetin për verifikimin e vlerësimit të dëmeve. Kjo ka qenë një ndihmesë për sanimin emergjent të rasteve, ndërsa të dëmtuarit e tjerë, përfshirë bizneset, bujqësinë dhe institucionet, do t’iu pasojë ndihma qoftë nga Qeveria, apo nga dikasteret përkatës.
RKL: Për cilat projekte do të angazhohet më shumë qeveria komunale gjatë këtij viti dhe cili është synimi Juaj për realizimin e projekteve të tjera deri në përfundimin e mandatit tuaj?
Ali Berisha: Ne po provojmë që infrastrukturën e dëmtuar rrugore në komunën tonë ta sanojmë. Për këto dy-tre vite është bërë një punë e madhe. Ndërsa vetëm 4 apo 5 vite më parë në qytetin e Pejës ka qenë shumë e vështirë të qarkullohet për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, por këto vite kemi investuar në infrastrukturë. Besojmë që edhe këtë vit do të vazhdojmë me investime në infrastrukturë, si në zgjerimin e rrugëve të qytetit, intervenime në rrugët rurale, investime në zonën e Rugovës, ngase vizitorët do ta kenë më të lehtë ta vizitojnë këtë zonë. Po ashtu do të ketë investime për përmirësimin me furnizimin me ujë për banorët e komunës sonë. Janë dy projekti të mëdha që po realizohen për dy lokalitete, Lugu i Baranit dhe i Leshanit, ku mbi 30 fshatra do të përfitojnë nga ky projekt. Gjithashtu do të ketë investime edhe në arsim ku pretendohet të ndërtohet një shkollë e re, dhe do të intervenohet në disa anekse të shkollave të komunës sonë në mënyrë që komuna e jonë të mos ketë shkolla me tri ndërrime. Investime do të ketë edhe në shëndetësi dhe në çështje sociale. Por gjithsesi një domen i rëndësishëm i zhvillimit të kësaj komune është bujqësia dhe komuna e Pejës i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe kësaj lamie.
RKL: Cilat janë raportet me qeverinë e Kosovës dhe a mendoni se jeni anashkaluar si komunë me faktin se partia prej nga vini ju (AAK-ja) është në opozitë
Ali Berisha: Është fakt i madh që komuna e Pejës në aspektin strategjik në këtë periudhë nuk ka qenë domen i zhvillimeve të fuqishme pasi që zhvillimet janë shkuar te komunat te të cilat ka pasur qarkullim të njerëzve dhe të mallrave. Mitrovica dhe Peja dhe komunat që shtrihen pranë vijës kufitare me Malin e Zi dhe Serbinë kanë qenë si zonë qorre për shkak të vetë trendëve të zhvillimit dhe më tepër zhvillimet kanë shkuar kah qytetet që janë në kufij me Shqipërisë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe ato komuna (Prizreni, Ferizaj) janë zhvilluar më shumë. Megjithatë Qeveria duhet të ketë një qasje që të mbështesë edhe këto komuna si Mitrovica dhe Peja që janë komuna të mëdha. Komuna e Pejës është e njohur me bizneset e fuqishme që i ka ndikojnë në mbushjen e arkës shtetërore me taksat e paguara, kështu që Qeveria duhet të ketë një qasje më të mirë në mënyrë që t’iu kthehet atyre një nder që vazhdimisht kontribuojnë që buxheti i Kosovës të jetë sa më i madh. Ne jemi konkurrues në shumë projekte në Qeverinë e Kosovës, pothuajse në të gjithë dikasteret e saj ka projekte të komunës së Pejës. Shpresojmë që në vitet në vazhdim do të ketë një qasje më serioze për komunën tonë.
RKL: Sa ka dhënë efekte funksionimi i Drejtorisë për investime nga jashtë?
Ali Berisha: Kjo Drejtori ka rol të veçantë ngase ka komunikime të vazhdueshme me donatorë të ndryshëm dhe me Ministrinë për Integrime Evropiane pasi që edhe komunat po luajnë një rol të rëndësishëm për liberalizim të vizave. Kjo Drejtori po provon të gjej partner në vende të ndryshme sidomos nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë. Shumë banor të Pejës që jetojnë dhe veprojnë jashtë përmes kompanive të ndryshme po investojnë në komunën tonë.
RKL: Sa ka mundësi komuna që ju e qeverisni për t’iu dalë në ndihmë familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e UQK –së, përveç të drejtave që iu takojnë me ligj?
Ali Berisha: Ne po provojmë që në çdo formë të mbështeten familjet e dëshmorëve, të veteranëve e invalidëve të luftës. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me këto organizata, dhe në raste emergjente komuna u gjendet pranë. Gjithashtu mundësojmë funksionimin e tyre. Të gjitha familjeve të dëshmorëve komuna e Pejës u ka ndarë troje për nevojat e tyre të banimit, ekzistojnë edhe raste të veçanta ku familja e dëshmorit nuk ka mundësi të ndërtimit të shtëpisë, atëherë komuna në disa raste u ka ndarë banesë. Po provojmë me i mbështet veteranët dhe invalidët sidomos invalidët e luftës.
Këtë vit 4-5 rasteve u kemi ndarë troje dhe kanë filluar përmes mekanizmave të ndihmesës të ndërtojnë shtëpitë e tyre që të paktën të kenë një banim komod për familjet e tyre.
RKL: Sa arrin Komuna e Pejës t’i vjelë taksat e tatimit në pronë nga qytetaret dhe nga bizneset?
Ali Berisha: Po, vazhdimisht komuna e Pejës ka rritje që nga viti 2007 kur të hyrat nga tatimi në pronë kanë qenë afërsisht 800 mijë euro, ndërsa në vitin 2011 ato kanë arritur në 2 milion e 400 mijë euro. Pra vazhdimisht është një ngritje e të hyrave, falë bashkëpunimit me qytetar dhe qasjes së komunës që përmes projekteve t’ju ofrohet qytetarëve të saj. Do të thotë sidomos në lokacionet ku paguhet tatimi në pronë, komuna shkon me projekte të caktuara. Kështu banorët nuk hezitojnë të paguajnë tatimet që i kanë komunës.
RKL: A ka arritur komuna e Pejës që potencialet që i ka t’i shfrytëzoj mjaftueshëm për një zhvillim ekonomik më të avancuar dhe cilët sektorë do të ndikonin në zhvillimin ekonomik në të ardhmen?
Ali Berisha: Komuna e Pejës ka dy sektorë të fuqishëm që mund të zhvillojnë ekonominë e këtij qyteti. I pari është turizmi, pra bukuritë që i ka gryka e Rugovës dhe Bjeshkët e Alpeve Shqiptare dhe vizitorë të shumtë që kanë filluar të vizitojnë komunën tonë ku gjatë vikendeve me mijëra njerëz gjenden në këto hapësira të bukura dhe sigurisht që po provohet të ngrihen kapacitete hoteliere. Dhe aseti i dytë është bujqësia, pasi që komuna e Pejës ka fermerë të përkushtuar që produktet e tyre kanë filluar t’i plasojnë si në Kosovë ashtu edhe jashtë Kosovës.
Tani kohët e fundit është një kompani që bënë grumbullimin e produkteve ushqimore të zonës sonë dhe i plason në vendet perëndimore si, në Zvicër. Kështu në këtë domen ka gjet mbështetje zhvillimi ekonomik. Ne po provojmë që ta mbështesim këtë me subvencione të caktuara apo me projekte që t’i ndihmojmë drejtpërdrejt në zhvillimin e bujqësisë prodhuese në vendin tonë.
RKL: Cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni përballur në punën e deritashme
Ali Berisha: Ne mendojmë që përkundër punës që kemi ende shumë probleme të pazgjidhura, komuna ende nuk e ka të zgjidhur çështjen e banimit ngase ka pasur shumë shkatërrime gjatë luftës, do të thotë kanë qenë të shkatërruara plotësisht mbi 12 mijë shtëpi dhe institucione dhe ende nuk e kemi tejkaluar këtë brengë. Ka familje që ende nuk ka strehë dhe ne po përpiqemi që me kapacitetet që i kemi vazhdimisht vit pas viti të ndërtojmë kapacitetet banuese për këta banorë, dhe besojmë që do të vazhdojmë me trende të tilla. Gjithashtu besojmë që infrastruktura rrugore në masë të madhe të përfundoj. Çdo familje e komunës sonë do të ketë ujë të pijshëm d.m.th kryesisht furnizohen me ujë me ramje të lirë, dhe besoj që qarkullimi në qytetin e Pejës do të jetë më i mirë, më i favorshëm, pasi që komuna po i përfundon të gjitha planet rregulluese urbane të lagjeve të ndryshme të qytetit. Dhe besojmë që në fund të mandatit do të kemi planin rregullues total për qytetin e Pejës dhe çdo gjë si rrugët, kanalizimet, ndërtimet, do të marrin formën legale të ndërtimeve në komunën tonë.
Intervistoi: Jeton SYLA
17 janar, 2012