RKL: z. Zëvendës-ministër, na thoni për fillim disa nga të arriturat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale?
Fatmir Shurdha: Fillimisht e përshëndes stafin e Radios ‘Kosova e Lirë’ dhe kam kënaqësinë që sot po bëjë një intervistë në këtë radio, e cila ka përfaqësuar vlerat e luftës dhe tani po vazhdon t’i përfaqësojë ato, një radio mjaft e suksesshme e cila i trajton të gjitha të arriturat në mënyrë reale që po ndodhin në Kosovë. MPMS në kuadër të të arriturave që ka pasur në vitin 2011, dhe kapacitetet që kemi pasur, ka shkuar në një shkallë, me të cilën nuk mburremi dhe as nuk kënaqemi. Por, sukseset janë bërë sikur në aspektin e zhvillimit të disa projekteve, memorandumeve me komunat, ku janë realizuar punë publike dhe ka pasur suksese, në aspektin e punësimit të atyre që kanë qenë në kategorinë sociale të shkallës së dytë, persona me aftësi të kufizuara. Kështu pra, komunat kanë zhvilluar shumë projekte, përmes të cilave ka ndryshuar jeta e qytetarëve. Një pjesë e këtyre projekteve kanë qenë të financuara nga Komisioni Evropian, por edhe projekte të cilat janë zhvilluar në bashkëpunim me komunat dhe ministritë, e zyrat e tjera. E arritur tjetër është përmirësimi i legjislacionit të MPMS-së, me ç’rast është bërë përmirësimi i ligjeve. Ky legjislacion duhet të përshtatet legjislacioneve të BE-së, pasi që Kosova është në rrugën e aderimit në BE. Besojmë që këtë vit, me plotësimin e disa ligjeve të skemës sociale të financuara nga shteti, për ndryshimin e ligjeve të pensioneve, veteranët e luftës të cilët kanë mbetur pa realizuar në tërësi. Ky ligj do t’i plotësojë dhe këto pjesë të legjislacionit ku do të kemi suksese në punën e MPMS, me kapacitetet dhe buxhetin e planifikuar, pra të gjitha të arritura duhet të shihen edhe nga aspekti ekonomik në Kosovë, një perspektivë ekonomike e cila do të mundësonte që edhe Ministria jonë, aktivitetet e saja në kuadër të këtyre zhvillimeve , ne po përpiqemi t’i bëjmë disa ndryshime brenda këtij plani strategjik, që është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Plani strategjik i MPMBS ka një perspektivë në të cilën ne do të përballemi me disa ndryshime. Besojmë që këtë vit, skemën e dytë sociale e cila është kategori që kërkon punë dhe është e aftë për punë, do ta fusim në punë përmes programeve dhe projekteve, të cilat do t’i realizojmë nëpër komuna. Me ndryshimin e këtij ligji, do të jetë mirë për ne, për faktin se do ti punësojnë disa njerëz në disa komuna për tre katër muaj. Një e arritur tjetër është fakti që ne kemi filluar të bisedojmë për marrëveshjet që i kemi me shtetet që kanë ekzistuar dhe me disa shtete të tjera që i kanë ndërprerë marrëveshjet. Ne po përpiqemi të përgatisim protokolle ë brendshme, me të cilat synojmë që të mos ndërpriten pensionet jashtë shteteve. Me Gjermaninë, veç jemi në përfundim e sipër, me Zvicrën jemi duke diskutuar me Entin Social, me Austrinë, etj. Besojmë që pas miratimit të disa ligjeve, në Kuvendin e Kosovës si Ligji për Sigurime Sociale, Ligji për Shëndetësi, për Pensione, nga qershori do të kemi mundësi të fillojmë negocimin e marrëveshjeve të reja bilaterale, me të cilat kemi dhe kemi pasur punëtorët sezonalë. MPMS po bashkëpunon me organizata ndërkombëtare siç është organizata për Siguri dhe Punë, ku këtë vit jemi anëtarë dhe kemi marrë pjesë në kongresin e mbajtur në Dyseldorf, Stamboll, kështu që nga ky vit ministria jonë është anëtare e saj dhe ne do të përfitojmë nga projektet, seminaret ndërkombëtare që bëhen për sigurinë e punës.
RKL: Ku mendoni se puna nuk ka shkuar mirë, apo nuk ka ecur ashtu siç e keni paraparë?
Fatmir Shurdha: Puna nuk ka shkuar mirë, për shembull në disa sfera. Bazuar në zhvillimin ekonomik që po ndodh në Kosovë, bazuar në tranzicionin e egër që po ndodh në Kosovë, ne nuk kemi mundësi që ta thejmë akullin e papunësisë ngase po ndodh një privatizim, ku ndërmarrjet po i largojnë punëtorët, po e ndryshojnë kahen e zhvillimit, po e ndryshojnë prodhimin e tyre e punëtorët e kualifikuar janë të përgatitur për ato vende pune. Edhe pse ne përmes shtatë Qendrave për aftësime profesionale që i kemi në Kosovë, po tentojmë t’i përgatisim kuadro me profesione të caktuara për të cilat ka nevojë tregu i punës. Prapë se prapë është e vështirë kur dihet se papunësia në Kosovë është rreth 38 për qind. Ne përmes zyrave të punësimit, atyre rajonale dhe komunale po tentojmë që t’u ofrojmë tregut të punës, punëtorë me kualifikime të caktuara dhe këta punëtorë i trajnojmë përmes qendrave për aftësime profesionale. Mendoj që këtë vit, pasi që Banka Botërore ka pasur vlerësime pozitive për punë publike që është bërë nëpër komuna, nga qershori do t’i kemi plus tre milionë shtesë, me të cilat do ta rrisim kapacitetin, edhe memorandumet që do të nënshkruajmë me komunat për punësim.
RKL: Duke u mbështetur në shifra të organizatave, që merren me hulumtimin e gjendjes sociale në Kosovë, konstatohet se papunësia nuk është zvogëluar, por ka pasur rritje të numrit të të papunëve. Sa janë të vërteta këto konstatime, me të cilat shpeshherë edhe bëhen spekulime?
Fatmir Shurdha: Ka pasur shumë përpjekje të OJQ-ve, të cilat kinse kanë bërë hulumtime reale, por mendoj që hulumtimet me reale janë ato të Bankës Botërore. OJQ-të po bëjnë shumë bërrllog informativ në këtë drejtim ngase nuk kanë të dhëna të sakta me të cilat mund tu referohemi për faktin se ne kemi zhvilluar një konferencë për politika sociale dhe ka pasur referenca të ndryshme, të cilët kanë marrë pjesë në këtë konferencë. Ne kemi dhënë mendimin në përpjekjet tona për të bërë decentralizmin e shërbimeve nëpër komuna. E gjitha kjo varet nga komuna dhe kapacitetet e tjera. Ndërsa sa i përket shifrave nga hulumtime të ndryshme, mendoj se nuk janë reale për faktin se shumë punëtorë janë të punësuar dhe nuk janë të deklaruar. Këto janë duke u hulumtuar nga institucioni i MPMS-së.
RKL: Kohë më parë, pensionistët e vendit tonë kanë kundërshtuar miratimin e projektligjit lidhur me skemat pensionale të financuara nga shteti, duke e cilësuar projektligjin, diskriminues edhe pse parashihet një rritje deri në 20 për qind. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë reagim të pensionistëve?
Fatmir Shurdha: Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të ketë rritje diku rreth 26 për qind, mirëpo pensionistët nuk janë pajtuar me këtë. Ne jemi takuar me shoqatën e pensionistëve dhe invalidëve të punës dhe jemi përpjekur t’u shpjegojmë kapacitetet dhe mundësitë tona që i kemi, bazuar gjithnjë në Fondin Pensional, i cili është grabitur nga Serbia para lufte dhe nuk dihet se çka ka mbetur dhe ku ka mbetur ky fond. Gjatë kohës së regjimit të Millosheviqit, mbi 150 mijë punëtorë janë larguar nga puna. Për vetë faktin që nuk kemi bisedime të ndërsjella me Serbinë, atëherë nuk dimë çka ka ndodhur me këtë fond. Ata kanë shtruar edhe nevojën e kategorizimit të pensionistëve, në bazë të kualifikimit të tyre.
RKL: Kanë kaluar gati 13 vjet nga mbarimi i luftës në Kosovë, e cila pësoi dëme jashtëzakonisht të mëdha në njerëz dhe në humbjen e pasurisë së tyre. Tani, Kosova ka ndryshuar shumë, pavarësisht se çfarë thonë skeptikët dhe kritikuesit. Si e shihni perspektivën sociale të Kosovës, e cila ende ka shumë punë për të bërë?
Fatmir Shurdha: Siç dihet lufta ka bërë dëme të mëdha në Kosovë. Përgjegjësinë kolektive për këtë e bart Serbia, ushtria dhe policia jugosllave që ka vepruar në Kosovë dhe ka bërë dëme. Këto dëme asnjëherë nuk i janë paguar Kosovës. Edhe institucionet vetë-qeverisëse të përkohshme të Kosovës, të cilat kanë vepruar, edhe Qeveritë në vazhdim sikurse edhe kjo tani, e cila ka ndryshuar shumë jetën e qytetarëve të Kosovës duke filluar nga infrastruktura ligjore, rrugore dhe shumë dimensione të tjera të jetës në Kosovë, mirëpo nëse shikojmë në aspektin social këtë gjendje, ne jemi duke u përballur me sfidat më të mëdha ngase çdo gjë po varet nga Buxheti i Kosovës. Me një buxhet të kufizuar, me një zhvillim ekonomik jo të madh, ne nuk mund të bëjmë ndryshime të mëdha sociale. Fillimisht, Ministria e Punës ka decentralizuar shërbimet e veta sociale përmes qendrave për punë nëpër komuna, ndërsa ne bëjmë financimin e tyre. MPMS po përpiqet të bëjë disa ndryshime, duke u bazuar gjithmonë në ndryshimin e legjislacionit paraprakisht për faktin se duhet të krijohet agjencia kombëtare e punësimit, agjencia kombëtare e pensioneve, inspektoratit, e këta mekanizma do ta ndryshojnë edhe kushtet me të cilat Kosova duhet të integrohet në BE. Mirëpo, politikat tona sociale varen gjithmonë edhe nga kapacitetet tona ekonomike që ka Kosova.
RKL: Qeveria e Kosovës ka bërë ngritjen e pensioneve vetëm për familjet e Dëshmorëve dhe invalidët e luftës. Çfarë mund të thoni për këtë?
Fatmir Shurdha: Ligji për vlerat e luftës saktëson shumë mirë kategorinë, dëshmorë, invalidë dhe veteran. Këtyre kategorive u është njohur statusi i tyre. Pensioni është ngritur vetëm për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Ndërsa për familjet e dëshmorëve e veteranët nuk ka pasur mundësi për faktin se nuk ekzistojnë statistika të sakta, të cilat tregojnë kush është veteran, kush është pjesëmarrës dhe kush është i mobilizuar në luftë. Qeveria ka formuar një komision qeveritar me rekomandimet e MPMS-së, në bashkëpunim me shoqatat e luftës dhe ky komision qeveritar do të merret me verifikimin e statusit të kategorive të luftës. Atëherë do të saktësohet kush është veteran i luftës. Ne i përkrahim dhe do t’i përkrahim veteranët e luftës në forma të ndryshme, mirëpo sa i përket pensioneve dhe beneficioneve duhet të qartësohet, verifikohen shifrat kush është veteran, kush është pjesëmarrës dhe është larguar, kush është dezertor i luftës, kush është anëtar që ka përkrahur luftës çlirimtare, etj. Me verifikimin e këtyre kategorive do të bëhet edhe plotësim ndryshimi i ligjit, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës, me përfundimin e verifikimit të komisionit, ne menjëherë do ta bëjmë plotësim-ndryshimin e ligjit.
RKL: Në emër të Radios ‘Kosova e Lirë’, e cila juve eprorëve dhe luftëtarëve të lirisë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova ju detyrohet shumë, ju dëshirojmë suksese në punën tuaj!
Fatmir Shurdha: Faleminderit! Kur përmendet Brigada 121, kam obligim të flas për këtë brigadë pasi që kam qenë epror i saj, kam organizuar, udhëhequr dhe drejtuar luftën në këtë brigadë bashkë me Ismet Jasharin-Çelikun e shumë eprorë të tjerë. Kjo brigadë ishte njëra ndër brigadat të UÇK-së, në mesin e të cilës ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm, Shtabi operativ, drejtoria politike, radio ‘Kosova e Lirë’, zëri i Kosovës së Lirë, ku për herë të parë dëgjohej zëri i luftës, zëri i pushkës çlirimtare, KosovaPress-i, institucionet e përkohshme të Qeverisë së Kosovës dhe të luftës, brenda së cilës u strehuan mbi 85 mijë banorë, ku është bërë një luftë titanike e ushtarëve të UÇK-së. Ushtarët tanë ranë dëshmorë në luftime shumë të ashpra mes forcave të pabarabarta, njësive elite të Ushtrisë jugosllave dhe atyre të UÇK-së që përballeshin në vijat e frontit deri në gjashtë metra. Por fatkeqësisht pjesëtarëve të kësaj brigade dhe eprorëve të tyre po ngarkohet edhe një barrë shumë e rëndë, barra e përgjegjësisë individuale të luftës e cila nuk i takon ngase ne kemi bërë luftë çlirimtare, ne kemi luftuar për ta çliruar vendin, ne nuk kemi shpërndarë karamele në Berishë, Divjakë e as Kleçkë, por i kemi shpërndarë plumba armikut. Ne kemi qenë të vendosur të vdesim për vendin tonë. Këta djem, këta çlirimtarë e këta eprorë që ishin të suksesshëm edhe pas luftës, po mbahen para bankës së akuzuarve për krime lufte. Këto përpjekje në emër të drejtësisë po i degradojnë vlerat e luftës, duke e degraduar luftën çlirimtare, lirinë e njerëzve të cilët e përjetojnë dhe e gëzojnë sot janë të papranueshme. Këto asnjëherë nuk do t’i pranojmë, do t’i kundërshtojmë dhe unë besoj që edhe luftëtarët e UÇK-së, të cilët janë në procese gjyqësore të montuara, ata do të triumfojnë por edhe përgatitjet edhe përpjekjet e të gjithë atyre që po tentojnë ti degradojnë këto vlera do të dështojnë.
20.02.2012