Intervistë me Ministrin e Diasporës, Ibrahim Makolli

RKL: Ende s’është bërë një vit nga themelimi Ministrisë së Diasporës. Sa keni arritur t’i trajtoni në mënyrë institucionale kërkesat e bashkatdhetarëve tanë?

Makolli: Vetë akti i themelimit të kësaj ministrie nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëshmon për përkushtimin që institucionet tona kanë në raport me një pjesë bukur të madhe të popullit tonë,  që vlerësohet të jetë së paku 25% e shqiptarëve jashtë vendit. Avancimi nga agjencioni për Mërgatën në Ministrinë për Diasporën flet për përkushtimin dhe nevojën që të kemi një përkujdesje institucionale ndaj diasporës. Unë kam qenë i vetëdijshëm me rastin e emërimit në këtë pozitë që qasja dhe përkujdesja ndaj diasporës sonë nuk do të jetë e lehtë për vetë faktin që ne kemi një diasporë relativisht të madhe dhe të shpërndarë anekënd botës. Vështirësia vjen në shprehje kur kësaj i shtohet fakti që në shumë prej vendeve ku jeton diaspora shqiptare nuk ka përfaqësi diplomatike të Kosovës. Megjithatë, menjëherë pas marrjes së detyrës së ministrit të Diasporës, kemi vepruar në disa drejtime. E para ka qenë krijimi i infrastrukturës së brendshme njerëzore të ministrisë së Diasporës dhe për fat të mirë, ne kemi trashëguar një agjencion i cili sikur e thashë nuk ka pasur ndonjë shkëputje të veprimit të vet. E dyta, ka qenë hartimi i politikave institucionale për përkujdesje ndaj diasporës, krijimi i kontakteve, pastaj mbajtja e kontakteve që kanë ekzistuar edhe më parë dhe veprimi i katërt po ashtu, pritja e mërgatës sepse Ministria është themeluar vetëm disa javë para se fillojë ardhja e mërgimtarëve në Kosovë. Në këtë drejtim, jemi përqendruar shumë në bashkërendimin e veprimeve me autoritetet e tjera të vendit si Ministria e Brendshme, Ministria e Pushtetit lokal, Ministria e Administratës Publike, por edhe me Kuvendet komunale në mënyrë që të kemi një përkujdesje më të madhe për mërgimtarët tanë. Mendoj se në kushtet dhe rrethanat qe kemi qenë atëherë, megjithatë ia kemi arritur që të kemi një veprim ndryshe nga e kaluara. Pastaj kemi vepruar edhe në drejtim të përkujdesjes për diasporën e vendit ku ai jeton, por edhe në raport me shtetin e Kosovës. Mendoj që deri diku kemi arritur që të kemi një qasje ndryshe për diasporën.

RKL: Cilat janë shoqatat që përfaqësojnë diasporën në Kosovë në vende të ndryshme të botës dhe cili është roli i tyre?

 Makolli: Që të flitet për rolin e shoqatave të cilat i mbledhin mërgimtarët tanë në vende të ndryshme të botës na nevojitet një kohë e gjatë. Është një kontribut i pamohueshëm, një kontribut shumë i çmuar që kanë luajtur organizime të ndryshme në periudha të ndryshme. Po të mos ishte ky organizim nuk e kam idenë se si do të ishte gjendja. Ato kanë luajtur një rol shumë të madh, p.sh në mbajtjen gjallë të identitetit të mërgimtarëve tanë ku ata kanë jetuar, duke i organizuar më mirë ata. Pikërisht këto shoqata janë ato që në sajë të tyre është bërë hapja e dyerve të kancelarive politike në botë, qoftë në Evropë apo SHBA. Është një kontribut i jashtëzakonshëm e meritore më së shumti janë këto shoqata. Ne jemi në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe në katër vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet e që kontributi i mërgatës është i pamohueshëm në bërjen e këtyre dy shteteve. Në këtë rast po përmend njërën prej organizimeve më të vjetra që është shoqata ‘Vatra’ e themeluar nga Noli e Konica që tani feston 100 vjetorin e themelimit të vet. Kjo shoqatë ka qenë qendra politike e shqiptarëve jashtë trojeve tona. E shoqata të tjera nëpër vende të ndryshme që janë udhëhequr nga njerëzit më të mëdhenj të kombit si vëllezërit Gërvalla të cilët janë më meritorët për ndryshimin e rrjedhave të historisë së shqiptarëve. Kur flasim për shoqatat duhet të themi se ato ndahen në forma të ndryshme.

 RKL: Në ditët e para të fillimit të mandatit tuaj jeni zotuar se do të themeloni Qendra kulturore në vendet ku ka përqendrim më të madh të Diasporës shqiptare. A është themeluar ndonjë e tillë deri më tani?

 Makolli: Një prej detyrimeve ligjore është themelimi i Qendrave të kulturës nëpër diasporë. Ne kemi filluar me veprime në këtë drejtim. Ne jemi në fazën e arritjes së marrëveshjes me Turqinë për hapjen e qendrës së kulturës. Ka shumë arsye pse e kemi zgjedhur këtë vend që të jetë vendi i parë. Kjo për shkak se kemi një mërgatë të vjetër, rrethanat e shkuarjes së saj kanë qenë krejt tjera, shumë të rënda, pa dashur të anashkaloj mërgatën që ka lëvizur vitet e fundit ngase nuk ka qenë e lehtë edhe për ta, por megjithatë mërgata në Turqi dallon. Për këtë vit janë paraparë tri hapje të qendrave kulturore në Turqi, Zvicër e SHBA për të vazhduar në vende të tjera ku ka përqendrim të komunitetit tonë. Shumëçka varet nga arritja e marrëveshjeve, edhe pse ne kemi filluar procedurat e këtyre marrëveshjeve. Ky vit do të shënojë fillimin e qendrave të kulturës në diasporë.

 RKL: Ministria e diasporës ka publikuar portalin ‘Gjuha ime’ që u dedikohet fëmijëve dhe të rinjve jashtë atdheut, që është një e arritur. Mund të përmendni ndonjë të arritur tjetër të Ministrisë që drejtoni?

 Makolli: Ne kemi disa objektiva. Roli kryesor është krijimi i lidhjes me diasporën si përkrahja dhe ruajtja e identitetit kombëtar të mërgimtarëve tanë. Ky interes nuk duhet të jetë vetëm interes i një ministrie, por interes i përgjithshëm i Kosovës. Portali ‘Gjuha ime’ është vetëm një mekanizëm shtesë i cili do të ndihmojë në veçanti fëmijët tanë për të mësuar gjuhën, kulturën, traditën dhe historinë e trojeve tona. Unë jam shumë i lumtur që ne kemi një bashkëpunim me të gjithë shqiptarët në Ballkan si në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi e në veçanti me Shqipërinë sepse kemi një mërgatë të përbashkët. Ne jemi ndarë brenda disa shteteve, por mërgata jonë është një dhe e pavarur. Ne jemi të interesuar që të vazhdohet mësimi plotësues i cili organizohet në diasporë tash sa vjet. Tani është koha që Qeveria e Kosovës të marrë një përkujdesje për arsimin plotësues në diasporë. Ne jemi në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë për të pasur një qasje të përbashkët. Ne jemi të vetëdijshëm që jo gjithçka përfundohet shpejt, por po e hapim një rrugë për një qasje ndryshe ndaj diasporës. Përndryshe, përkrahja do të jetë e përhershme përderisa mërgimtarët tanë janë në vende të ndryshme. Ne jemi të interesuar që mërgimtarët tanë të integrohen në jetën e shtetit ku jetojnë, por njëkohësisht të mbrohen nga asimilimi. Mërgata jonë sot është një pasuri kombëtare, është aset shumë i pasur kombëtar, politik, ekonomik dhe kulturor. Një prej objektivave tona është edhe përkrahja e mërgimtarëve për të investuar në Kosovë ngase kanë kapacitete, njohuri, mundësi dhe interes financiar për të investuar në Kosovë. Ne do t’i përkrahim në këtë drejtim. Ne po marrim veprime të tilla përmes të cilave mërgimtarët tanë kur janë në pushime në Kosovë të organizohen aktivitete të ndryshme, jo vetëm për ta por nga ata vetë sepse mërgata jonë ka vlera të pamohueshme. Do të thotë jo vetëm që ruan dhe kultivon vlerat kombëtare, por është krijuese e përditshme e tyre.

 RKL: Cili është raporti i ministrisë dhe ambasadave të Kosovës?

 Makolli: Pavarësisht se jemi të ndarë në dikastere të ndryshme qeveritare, ne jemi nën një kupolë, kemi një qëllim, kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me ambasadat kudo ku ekzistojnë ato. Por, kemi bashkëpunim të mirë edhe me ambasadat e Republikës së Shqipërisë, ku ne nuk i kemi tonat.

 RKL: Para pak kohe keni pasur  një takim me udhëheqjen shqiptare në Ulqin. Cili ishte qëllimi i këtij takimi?

 Makolli: Ne kemi një mërgatë të përbashkët, prandaj është jo vetëm e nevojshme por edhe  e domosdoshme pjesëmarrja e përbashkët e të gjitha autoriteteve në hapësirën shqiptare brenda që të kemi një bashkërendim, ndërtim të strategjive të përbashkëta për përkujdesje ndaj diasporës. Në këtë drejtim ka qenë edhe përpjekja ime për të vizituar Luginën e Preshevës, për të harmonizuar bashkërisht këto veprime me lidershipin politik dhe institucional në këtë pjesë. Për fat të keq  nuk kemi arritur të jemi atje, por pastaj e kemi ndërtuar këtu në Kosovë atë strategji. I njëjti qëllim ka qenë edhe gjatë vizitës në Ulqin, me lidershipin institucional të shqiptarëve. Sikur thashë, me Shqipërinë e kemi filluar edhe më herët, ndërsa tash do ta kemi edhe me Maqedoninë, gjegjësisht me lidershipin politik dhe institucional të shqiptarëve atje, sepse ne nuk mund të presim që këto shtete, si p.sh Maqedonia, Mali i Zi ose Serbia të kenë një përkujdesje ndaj mërgimtarëve tanë ndaj pjesës tonë të kombit që është jashtë vendit dhe natyrisht nevojitet një bashkëveprim i përgjithshëm ndaj diasporës. Ne aktualisht jemi në fazën e parë të hartimit të strategjisë për diasporën e cila do të jetë e përbashkët në gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan për të pasur një qasje të drejtpërdrejtë ndaj diasporës. Kanë qenë dhe do të jenë në të ardhmen këto kontakte, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve dhe hartimit të politikave të përbashkëta, strategjive të përbashkëta dhe përkujdesje ndaj mërgatës.

8 mars 2012

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …