leoni

Intervistë me kryetarin e komunës së Malishevës, Isni Kilaj

RKL: Z. kryetar, prioritet gjatë mandatit tuaj ka qenë rregullimi i sistemit të shkollave, rregullimi i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit, asfaltimi dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore. Sa është punuar në këtë drejtim?

Kilaj: Një pjesë e madhe e projekteve tashmë janë realizuar,  projekte këto që kanë rëndësi për komunën e Malishevës. Është ndërtuar shtëpia e kulturës, shkolla profesionale kurse palestra sportive është në ndërtim e sipër. Ndërsa këtë vit do të përfundojë edhe ndërtimi i stadiumit të qytetit. Këtë vit kemi planifikuar që të ndërtohen të gjitha rrjetet e kanalizimit në të gjitha fshatrat, ku rreth 80% e tyre janë përfunduar. Këtë vit shumica e fondeve të komunës janë orientuar në rrumbullakësimin e këtij projekti. Kemi vazhduar me ndërtimin e shkollave, ndërsa në ndërtim e sipër është edhe shkolla fillore në Carallukë e Epërmë. Poashtu, do të fillojmë me ndërtimin e shkollës nëntë-vjeçare në Vërmicë. Do të vazhdojmë në të njëjtën kohë në ndërtimin e disa rrjeteve të ujësjellësit, si psh në Lladroc, pastaj zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në Malishevë. Kemi vazhduar me fazën tjetër të grumbulluesit të ujërave të zeza, që është njëri prej projekteve kapitale për komunën e Malishevës, duke qenë se ky mbledh shumicën e ujërave të zeza të fshatrave. Kjo do të jetë një mbrojtje e përhershme e lumit Mirusha. Gjithashtu, shëndetësisë i kemi kushtuar rëndësi të madhe, e cila është në nivel të kënaqshëm në komunën tonë. Nga një numër shumë i kufizuar i mjekëve që kemi pasur, tanimë janë 24 mjekë specialistë që punojnë në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare. E veçanta e shërbimeve tona shëndetësore është se të gjitha ata që kanë nevojë për shërim në Shqipëri dhe Maqedoni i transportojmë falas. Dua të theksoj se jemi duke ndërtuar një shtëpi të veçantë emergjence. Ne i kemi kushtuar rëndësi shërbimeve emergjente, stafit profesional dhe aparaturës përcjellëse. Ne kemi vazhduar me ndërtimin e projekteve të tjera më të vogla, siç është mirëmbajtja e shkollave dhe parqeve publike. Vitin e kaluar e kemi ndërtuar një park pranë lumit Mirusha.

RKL: Komuna që drejtoni ka bashkëpunim të mirë me Komisionin Evropian sa i përket donacioneve. Keni edhe bashkëpunime të tjera?

Kilaj: Përveç Komisionit Evropian, prej të cilit kemi përfituar çdo vit donacione, edhe me USAID-in kemi bashkëpunim të mirë, prej të cilit kemi përfituar dhjetëra fondacione.

RKL: Cilat lloje projektesh financojnë më tepër këta mekanizma?

Kilaj: Ne kemi pasur qe katër vite projekte me USAID-in. Falë fondeve të tyre kemi arritur të bëjmë ndërtimin e ujësjellësit në Gurbardh, Damanek, Çupevë, Burim e fshatra të tjera. Një tjetër projekt për qeverisje të mirë lokale ka qenë projekti ‘Demi’. Një ndihmë ka shkuar edhe në ndërtimin e objektit të Asamblesë së komunës së Malishevës. Edhe gjatë këtij viti, USAID-i vazhdon të na pajisë me aparaturë dhe gjera të tjera të nevojshme.

RKL: Në këtë vit  cilave projekte do t’i jepni më shumë përparësi?

Kilaj: Siç e thashë më parë, pjesa më e madhe e buxhetit është e orientuar në drejtim të rregullimit të rrjeteve të kanalizimit por edhe shkollave. Këto janë projekte kapitale, me theks të veçantë shkolla në Carallukë. Poashtu do të ndërtohet edhe një objekt i madh me vlerë prej 480 mijë eurove në Vërmicë.

RKL: Kur jemi te projektet, është një shkollë e veçantë, Qendra e kompetencës që ka një vit që ka filluar punën. Sa jeni të kënaqur me punën e tyre dhe a është arritur të kompletohet personeli?

Kilaj: Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me punën e kësaj shkolle, e cila sipas mendimit tim, është shembull për tërë Kosovën. Edhe të tjerë, përfshirë Ministrin e Arsimit të Shqipërisë, janë habitur me realizimin e projekteve që janë realizuar në Malishevë me ndihmën e Qeverisë norvegjeze dhe të Ministrisë së Arsimit. Është një shkollë unike për tërë Kosovën. Ne kemi dërguar atje një personel të ri, kryesisht profesorë dhe të tjerë që i përkasin moshës së re, e të cilët janë më afër kërkesave të kohës. Vetë drejtimet që ka kjo shkollë, marrë parasysh drejtimet informative, biznesi e bankat, kërkojnë një kualifikim i ri.

RKL: Gjatë qeverisjes suaj, sa jeni të kënaqur me investimet e Qeverisë së Kosovës në komunën e Malishevës?

Kilaj: Në të vërtetë s’jam i kënaqur me fondet që janë caktuar për Malishevën. Vitin e kaluar kemi pasur shumë pak mjete nga fondet e Qeverisë. Pritjet kanë qenë më të mëdha, por gjithnjë ata arsyetohen me ndërtimin e autostradës. Fatbardhësisht, autostrada kalon nëpër territorin e Malishevës. Mbase kjo është një lloj justifikimi për mungesën e investimeve në komunën tonë.

RKL: Për fund cila do të ishte porosia për stafin drejtues por edhe për qytetarët e Malishevës?

Kilaj: Për stafin tim nuk kam ndonjë porosi, por kërkesa të vazhdueshme të cilat i shtroj në takime dhe vizitat që ua bëj. Kërkesë e imja ndaj tyre është që ata të jenë profesional, që të punojnë më tepër. Kurse për qytetarët kërkoj një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e komunës, me kryetarin sepse kemi projekte të përbashkëta me qytetarë, të cilat pa ndihmën e tyre s’mund t’i jetësojmë. Ne kërkojmë nga ata që në aspektin e respektimit të ligjit  të jenë më vigjilentë. Një porosi e veçantë është që t’i paguajnë rregullisht shërbimet publike që kanë të bëjnë me ujin, energjinë elektrike dhe mbeturinat.

RKL: Ju falenderojmë për kohën që ndatë me ne…

Kilaj: E falënderoj Radion Kosova e Lirë, e cila përcjell zërin e idealeve kombëtare.

21 maj 2012

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …