Ata filma, që kritikët e OJQ-ve të Nastradin efendiut kërkojnë t’i djegin në turrën e druve të injorancës të tyre, praktika e realiteti i kohës sot i ka kthyer si me magji në një vlerë të vërtetë artistike, të cilat ngjallin vetëm krenari e dinjitet. Pjesa më e madhe e atyre filmave tregojnë se jemi një popull vital, i etur për kulturë e dije, i varfër por jo lapangjoz, luftëtarë e jo skllevër, optimist e me humor e jo anemik, një popull që edhe për alfabetin, për gjuhën e vet ka derdhur gjak.
Eh, ç’gjigantë kineast kemi patur! Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Kujtim Çashku, Xhanfize Keko, Sajmir Kumbaro, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Sandër Prosi, Rikard Ljarja, Margarita Xhepa, Bujar Lako, Reshat Arbana… (ju lutem më falni për renditjen e rastësishme e për kaq pak emra që përmend ndërmjet dhjetëra e dhjetëra të barabartësh të tjerë). E ku janë, ku është trashëgimia e këtyre talenteve, si t’i gëzohemi këtij thesari artistik, ku janë nxënësit, pasuesit e tyre? I piu dheu, u zhdukën, i thyen, i lanë në mes të katër rrugëve, i shkatërruan moralisht e ekonomikisht…
Këto ditë në një prej ekraneve tona u shfaq me siglën “premierë” një film artistik shqiptar me metrazh të gjatë. Nuk jam kritik arti e në respekt të personave individual që janë organizuar e angazhuar në këtë film, si dhe për ta vendosur opinionin tim brenda kufijve të modestisë, aty ku më takon, nuk do ta shquaj emrin e filmit, personat realizues dhe vetë kanalin TV.
Çdo lloj “disfate” artistike, në se mund ta quaj kështu, ashtu si edhe në fusha të tjera, në përgjithësi nuk është më tepër faj e përgjegjësi e individëve se sa e kushteve sociale, ekonomike e morale ku ndodhet shoqëria jonë. Pas mbarimit të filmit, me njëherë më vajti mëndja te disa zotërinj shkrimtar e gazetarë, që herë pas here kërkojnë e vazhdojnë edhe sot të insistojnë në mënyrën më agresive e vulgare ndalimin apo kufizimin radikal të shfaqjeve të filmave shqiptarë të para viteve 90-të.
Lodhje e sforcim i kotë e delirant! Pas shikimit të këtij filmi, në mënyrë të natyrshme më lindi pyetja, edhe sa dhjetë vjeçarë do të duhet të kalojnë në mënyrë që të mund të shohim ndonjë film shqiptar i cili nga pikëpamja artistike të afrohet me nivelin mesatar të filmave të “realizmit socialist”? Jam shumë pesimist në dhënien e kësaj përgjigjeje.
Asnjë lloj mjeti artistik nuk kishte të mangët filmi në fjalë. Skenari i çliruar nga çdo lloj kufizimi, regjisori krejt i lirë, aktorët pa asnjë lloj “dogane” fizike e morale, armë sa armatimi i një depo batalioni, vrasje e gjak me “okë”, muzikë, seks e putana, drogë sa të “haj qeni”, çdo gjë në kushte krejt të barabarta me ato që shohim në filmat e Hollivudit.
Niveli i realizimit? Mizerabël! Regjisori krejtësisht i çakorduar, skenari një niveli primitiv, muzika e tmerrshme e denjë vetëm për të luajturit mendsh, aktorët krejt tapë me njëri tjetrin jo vetëm nga alkooli që pinin e që me sa duket ka qenë origjinal e jo imitim por nga loja me njëri tjetrin, morali… një hiç me xhufka, një plagjiaturë e ndryshkur, një kohë e humbur në mënyrën më të pamëshirshme. U përpoqa të kujtoj në se kam parë ndonjëherë ndonjë film të këtij niveli artistik, por jo.
Nuk e besoj që në këtë në jetë të gjesh një film të tillë, të nisesh qysh nga Los Anxhelosi, Rrogozhina, Stambolli, Kabuli e të kthehesh prapë në Los Anxhelos. Si konkluzion, nëse do të më kërkohej përmbledhtas të përcaktoja se ç’film kam parë, mendoj se kam pësuar një humbje kohe në minus, të pakompesueshme, një film antifilm, një film të dobët kockë e lëkurë, një majmunllëk, një film që nuk ja vlen të thuash pesimist përveçse një qurravitje “artistike”, një film që merr çmimin “Oscar” për territorin e shtetit që ka pranuar të realizohet. Besoj se kam qenë nga të paktit që nuk e kam ndërruar kanalin, thjesht për të provuar se deri sa mban durimi njerëzor.
Si shpjegohet ky mjerim dhe a ja vlen pyetja “të rrojnë apo të mos rrojnë” filmat e para 90-ës? Vetëm filmin e parë artistik shqiptar të kujtosh “Tana”, të duket sikur ke të bësh me një vend ku edhe atëherë kur nuk ngopej barku me bukë e kur arnat mbulonin trupin kishte artistë të vërtetë. Ata filma, që kritikët e OJQ-ve të Nastradin efendiut kërkojnë t’i djegin në turrën e druve të injorancës të tyre, praktika e realiteti i kohës sot i ka kthyer si me magji në një vlerë të vërtetë artistike, të cilat ngjallin vetëm krenari e dinjitet. Pjesa më e madhe e atyre filmave tregojnë se jemi një popull vital, i etur për kulturë e dije, i varfër por jo lapangjoz, luftëtarë e jo skllevër, optimist e me humor e jo anemik, një popull që edhe për alfabetin, për gjuhën e vet ka derdhur gjak.
Eh, ç’gjigantë kineast kemi patur! Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Kujtim Çashku, Xhanfize Keko, Sajmir Kumbaro, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Sandër Prosi, Rikard Ljarja, Margarita Xhepa, Bujar Lako, Reshat Arbana… (ju lutem më falni për renditjen e rastësishme e për kaq pak emra që përmend ndërmjet dhjetëra e dhjetëra të barabartësh të tjerë). E ku janë, ku është trashëgimia e këtyre talenteve, si t’i gëzohemi këtij thesari artistik, ku janë nxënësit, pasuesit e tyre? I piu dheu, u zhdukën, i thyen, i lanë në mes të katër rrugëve, i shkatërruan moralisht e ekonomikisht.
Siç shkatërruan gjithë vendin! Ja me të njëjtin mentalitet, njësoj siç predikojnë këta inkuizitorë të verbër që sulmojnë kinemanë shqiptare, trashëgiminë e saj. Ekonomia u shfaros sepse ajo ishte ekonomia e “radhëve të qumështit” kurse Shqipëria duhet të përqafonte ekonominë e “çekut të bardhë”. Bujqësia u gërrye, sepse ajo ishte bujqësi primitive, ndërsa shqiptarët meritonin bujqësinë e vilave, kopshtet zvicerane, blegtorinë e laboratorëve. Shkollat u dogjën, sepse aty shqiptarët kishin mësuar Enverin, ndërsa ata meritonin Oksfordin. Kinematë, teatrot, bibliotekat u ndynë, u zhdukën sepse shqiptarët kishin nevojë vetëm për kulturën e ajkës europiane, atë të kanunit e të frëngjive të errëta…
Ja kështu “u frymëzua” e ardhmja e Shqipërisë nga këta njerëz injorantë, këta kokë trashë e shoqërisht të rrezikshëm. Mendoj me vete! Po sikur të ndodh kjo që thonë këta “kritikët”, këta xhuxhmaxhuxhë që e shtrijnë mendimin vetëm brenda nivelit të këpucës së tyre, si do të mendonte brezi i ri, çfarë peshe do të kishte vendi brenda psikologjisë tyre? Me siguri që nuk do të mendonin asgjë, vetëm se do të shihnin një terren të formuar keq gjeologjikisht e jo të djegur kaq keq kafshërisht, një tokë shterpë qysh në origjinë e jo një vend të begatë por të përdhunuar.
E pastaj habitemi se pse mbi 60 për qind e të rinjve kërkojnë të largohen. Ç’do bëjnë këtu? Punë nuk ka, halle ngado, në vend të perspektivës sherre, në vend të drejtësisë poshtërsi, kërkojnë pedagogëve e shpesh gjejnë sharlatanë, nuk gjejnë ngushëllim, nuk shohin e nuk dëgjojnë artistë të denjë, shkrimtar që shkruajnë shqip, këngëtar që këndojnë këngë… e ç’të bëjnë, nga t’ia mbajnë këta të “mjerë”? Nuk u la ky vend që të zhvillohej normalisht si e gjithë bota, të ndërtonte të ardhmen duke modifikuar e ristrukturuar arritjet, të shkuarën. Kemi 27 vite që bëjmë sikur po ndërtojmë shoqërinë e “konsumit” e mbi 32 për qind e popullsisë jeton në varfëri të plotë, ku 31 mijë vetë rrezikojnë të vdesin nga uria. Ne, ne vendi i koncerteve “ndërkombëtare”, vendi i pedonaleve për… të tretur ushqimin e darkës!
Asnjë objektiv, asnjë aspiratë nuk mund të realizohen në se betejën me të panjohurën, me vështirësitë, me prapambetjen dhe të prapambeturit nuk e fiton së pari moralisht. Në një tregim të O’Henrit, një vajzë e sëmurë duke ndjekur me ankth rënien e gjetheve, ju fiksua se do të vdiste atë natë kur do të binte edhe gjethja e fundit e pemës që drithërohej nga acari i dimrit jashtë dritares të dhomës.
Piktori plak që priste gjithë jetën e vet rastin të pikturonte kryeveprën e tij, nën acarin e papërballueshëm për moshën e vet e në mes të natës të zhytur në vdekjen e dhimbshme e realizoi atë. Të nesërmen në mëngjes gjethja qëndronte karshi vajzës po aq e bukur e delikate, sa ç’e kishte përcjellë mbrëmja pothuajse fatale. Vdekja u tret, u largua dhe vajzën e pushtoi menjëherë jeta e bukur e ëndrrave të saj.
Zonja ministre e Kulturës! Rasti fatlum vetëm një herë vjen në jetë. Filmat e trashëguar deri më sot, janë nga veprat më të mira që na kanë mbetur nga e kaluara jonë mëkatare, por e mbushur plot e përplot me punë e sakrifica të jashtëzakonshme që ja kanë vlejtur. Shpëtojini ato, ruajeni këtë “gjethe” tonë të fundit, këtë krenari të kulturës e historisë tonë.
Dy janë gjërat për të cilat nuk do të mjaftonte edhe një jetë për t’i bërë në se nuk e kapni rastin që ju ka ardhur në dorë për të qenë dikushi. Së pari, rigjeneroni krejt filmat që kanë shpëtuar “gjallë” deri më sot (natyrisht duke përjashtuar ndonjë idiotësi nga ata filmat me sekretarë partie me kapele kineze në kokë). Së dyti, spostohuni nga ajo godinë ku qëndroni, nga ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”.
Edhe sikur (po them edhe sikur) të duhej ta suprimonit ministrinë ku drejtoni, ja vlen të lironi zyrat, e krejt atë ambient t’ia jepnit atij që i takon, “ish-pronarit” të vërtetë, filmit, historisë e kineastëve shqiptarë. Rikthejuani ju lutem qytetarëve shqiptarë këtë mrekulli, ku ata kanë qenë protagonist dhe dëshmitar të asaj që quhet krijimtari artistike e që është oksigjeni i pastër moral i zhvillimit të gjithanshëm të një populli.
Ta mësojnë mirë kushdo, e tashmja dhe e ardhmja, se jemi pronarë të përjetshëm të një arti të mrekullueshëm njerëzor. Ta mësojnë edhe epigonët e shëmtuar të antikomunizmit idiot e qesharak, se janë thjeshtë një zero, qëllimi i të cilëve është degradimi e degjenerimi i krejt kulturës të kombit. Nuk thuhet kot se “kultura është mbrojtës më i mirë i lirisë se sa një ushtri e tërë e armatosur”. (Dita)