Intervistë me kryetarin e komunës së Pejës, Ali Berisha

RKL: Cilat janë disa nga synimet zhvillimore për komunën të cilin ju po e udhëheqni që nga viti 2008?

Berisha: Duke marrë parasysh asetet që ka komuna e Pejës, bukuritë natyrore pastaj pasuritë tokësore dhe bujqësore, qëllimet zhvillimore janë të orientuara në zhvillimit e turizmit dhe të agro-biznesit. Dhe kryesisht në këto dy fusha janë bërë investime të konsiderueshme. Duke marrë parasysh bukuritë që ka gryka e Rugovës, investimet e vazhdueshme në përmirësimin  e infrastrukturës  atje kanë bërë që  shumë biznese të fillojnë të zhvillohen në atë regjion, i cili ka vizitorë jo vetëm nga Kosova,  por edhe nga Shqipëria edhe vendet e regjionit. Gjithashtu edhe në agro-biznes po bëhen investime të vazhdueshme në mënyrë që prodhimet bujqësore tradicionale të Pejës, të përkrahen sa më shumë.  Këto investime bëhen me synimin që njerëzit të merren sa më tepër  me bujqësi, duke pasur si mbështetje   modernizimin e saj dhe  ngritjen e kapaciteteve për përpunimin e prodhimeve bujqësore. Në këtë aspekt besoj së komuna e Pejës qëndron disi më mirë se komunat e tjera Kosovës.

 RKL: Sa është investuar në infrastrukturë gjatë vitit që lamë pas ?

Berisha: Në këto vite, veçmas në vitin 2008, komuna e Pejes ka përjetuar një zhvillim mjaft të ngadalshëm të sektorit të infrastrukturës duke filluar nga rrugët, kanalizimi, përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm.  Në këto aspekte, komuna e Pejës ka marrë investime të konsiderueshme,  që do të thotë se kemi një përmirësim të konsiderueshëm të infrastrukturës rrugore. Tani pothuajse të gjitha lokalitetet janë të lidhura me qendrën komunale përmes rrugëve të asfaltuara. Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm,  gjatë këtyre viteve me dhjetëra fshatra kanë hyrë në sistemin e ujësjellësit, si dhe është rregulluar sistemi i kanalizimit. Përmes investimeve të tilla po përmirësohet jetesa në fshatra, duke parandaluar migrimin drejt qytetit.

 RKL: Duke qenë se komuna e Pejës shquhet për resurset e saj malore, sa keni arritur që t’i jepni impulse zhvillimi, sektorëve si turizmi, pylltaria dhe bujqësia?

 Berisha: Komuna e Pejës, një pjesë të madhe të territorit të saj  e ka të mbuluar me pyje. Peja llogaritet si komuna që ka më së shumti pyje në tërë territorrin e Kosovës.  Gjithashtu, ka një zonë atraktive të turizmit, për të cilën mendoj se është më e mira në nivel vendi. Gjithashtu ka edhe vende të trashëgimisë kulturore dhe arkitektonike, të cilat po mundohemi t’i vlerësojmë si duhet, duke i future në kuadër të zhvillimit të turizmit. Në këtë drejtim, mendoj së është bërë një hap sa i përket infrastrukturës rrugore në shumë lokalitete të grykës së Rugoves dhe fshatrave të atjeshme. Në disa fshatra të Rugovës janë asfaltuar rrugët, është rregulluar ujësjellësi dhe kanalizimi. Ne po provojmë që në këto lokalitete gjithnjë e më tepër t’i jepim mundësi bizneseve që të zhvillohen.  Si pasojë e investimeve është zhvilluar edhe qendra e skijimit në Bogë. Ne jemi në përpjekje që të kemi një projekt të të studiuar mirë për qendrën rekreative sportive Kopraniku, për të cilën besojmë se është një ndër qendret që besojmë që do të jetë një nga qendrat më të mëdha jo vetëm në Kosovë po edhe më gjërë.  Besojmë që në këtë drejtim do të kemi edhe  përkrahjen të Komisionit Evropian në mënyrë që kjo të jetë qendër kryesore jo vetëm në Kosovë, po edhe më gjerë.

 RKL: Përveq KE-së, a keni ndihmese nga Qeveria për këto qendra rekreative?

Berisha: Po, duke pasur për bazë nevojat e mëdha  që kanë komunat e Kosovës dhe kapacitetet e kufizuara që ka Qeveria e Kosovës,  deri tani kemi pasur një mbështetje të kufizuar në  projektet zhvillimore. Dikasteret e veçanta të Qeverisë së Kosovës kanë ndihmuar me disa projekte komunën e Pejës, siç është rruga e përbashkët që po rregullohet në Bogë. Rregullimi i rrugës po e përmirëson qarkullimin në këtë zonë por edhe zhvillimin e turizmit. Gjithashtu në bashkëpunim me Qeverinë kemi projektete për infrastrukturën e shkollave dhe institucioneve shëndetësore. Megjithë vërejtjet që i kemi për shkak të ndarjes jo-racionale të dikastereve të veçanta të ministrive për komunat, prapseprap në vitin e fundit ka një tendencë të përmirësimit.

RKL: Cila është gjendja aktuale në sektorët e shëndetësisë dhe të arsimit

Berisha: Janë bërë disa investime në shëndetësi dhe në infrastrukturën shkollore. Në këtë drejtim janë shënuar disa të arritura, me gjithë nevojat ende të mëdha për investime pasi që ka ende shkolla që punojnë me dy ndërrime. Ekzistojnë ende disa lokalitete, të cilat nuk e kanë të rregulluar infrastrukturën shkollore si psh në Raushiq. Përveç tendencave për përmirësim të logjistikës, gjithashtu po bëhen përpjekje që të kemi trajnime të caktuara të kuadrit profesional meqë në arsim nuk mjafton vetëm fakulteti, por duhet që vazhdimisht të përcillen risitë. Kjo po bëhet përmes trajnimeve të vazhdueshme dhe lincensimeve të mësimdhënësve.  Kështu që po bëjmë përpjekje që arsimi gjithnjë të jetë në shërbim të ekonomisë së tregut dhe të kemi një arsimim të përgatitur për tregun e punës sepse në komunën tonë kemi nevojë për kaudro të profileve të ndryshme e që hyjnë menjëherë në procesin e punësimit.

RKL: Cilat projekte do të realizohen gjatë këtij viti, përvec këtyre që i ceket?

Berisha: Gjatë këtij viti, përveç projekteve të shumta infrastrukturore si në pjesën urbane ashtu edhe në atë rurale, ne po bëjmë përpjekje që edhe lagje të caktuara të fshatrave të kenë infrastrukturë rrugore. Një projekt i madh është edhe ai i ndërtimi të ujësjellësit në  fshatrat e Lugut të Beranit dhe ato të Leshanit. Këto projekte do të jenë të bashkë-financuara nga USAID-i, kurse projekti për fshatrat e Lugut të Beranit do të jetë tërësisht i financuar nga komuna. Besojmë se gjatë këtij viti, këto dy projekte do të jenë të realizuara. Gjithashtu janë edhe një sërë projektesh të tjera, që e përmirëosjnë kanalizimin në disa lokalitete të komunës sonë. Një projekt i rëndësishëm, besoj, se është edhe hyrja e qytetit nga Prishtina, për të cilën mendojmë se do të jetë e rregulluar, e zgjeruar me katër korsi dhe e pajisur edhe me ndriçim.  Një projekt tjetër do të jetë edhe rregullimi i shtratit të lumit, projekt ky i bashkëfinacuar nga komuna dhe Ministria e Ambientit, pasi që nevojat për një rregullim të tillë janë të kahmotshme. Gjithashtu të rëndësishme për ne janë edhe planet rregullative të qytetit, me ç’rast jemi në fazën përfundimtare të miratimit të gjitha planeve rregullative për lagjet e caktuara të qytetit. Plane të tilla ka edhe për zonën e Rugovës, në kuadër të avancimit të turizmit, pasi që ne dëshirojmë që atje të mos ketë ndërtime ilegale, por që gjithçka të jetë e rregulluar në bazë të projekteve. Gjithashtu ka projekte të caktuara në drejtim të zhvillimit ekonomik të qytetit, mbështetje të bizneseve e mandej projekte në arsim e shendëtësi, etj.

RKL: Ka disa muaj që po përflitet mundësia e koalicionit të PDK-së me AAK. Cili është opinioni juaj si kryetar i një nga komunat më të zhvilluara në vend?

Berisha: Eklzistojnë prononcime të ndryshme të faktorëve politik, si të AAK-së ashtu edhe të PDK-së për mundësinë e kolaicionit. Çdo formë e bashkëpunimit të partive politike, për ne është e pranueshme. Ekzistojnë forma për një bashkëpunim të tillë, prandaj besoj se të gjitha komunat e Dukagjinit dëshirojnë që sa më shpejtë të definohen këto çështje, pasi që përmes bashkëpunimeve me nivelet qendrore i jepet një frymëmarrje zhvillimore tërë kësaj zone. Jo për arsye se për disa vite ka qenë disi e neglizhuar, por për shkak të nevojave të regjioneve të tjera, orinentimet për investime kanë qenë për komuna të tjera. Besojmë se me arritjen e një koalicioni të tillë do të mundësohet një frymëmarrje e re për këtë pjesë, për shkak se mendojmë  se plot projekte do të realizoheshin më shpejt në rast të bashkëpunimit të dy partive. Për ne është me rëndësi rruga Pejë-Prishtinë, e cila do të mundësonte një zhvillim më të hovshëm të këtij regjioni, mandej rruga që lidh Pejën me Malin e Zi përmes Cakorrit, që do të mundësonte zhvillimin e Grykës së Rugovës.

RKL: AAK ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake të cilat pritet të kryhen deri me 15 prill. Si po zhvillohen ato?

Berisha: Është një proces që ka filluar në komunën tonë, pasi që dihet se AAK ka lindur në Pejë, duke qenë se kjo degë është më e forta në Kosovë. Këtu ka filluar një proces shumë i rregullt, me një konukrencë shumë të pastër, duke filluar me kuvendet e grave dhe të rinjëve. Aktivitetet në degë dhe nën-degë po tregojnë një pjesëmarrje të madhe si të rinjve ashtu edhe grave në vendimarrje, do të thotë se është një proces konkurues mjaft i gjerë. Ky proces si i tillë do të vazhdojë edhe me nën-degët. Unë, si kryetar i komunës do të jem në konkurencë. Kandidatura ime për kryetar do të jetë edhe në të ardhmen, mirëpo gjithmonë duke respektuar edhe kundërkandidatët eventual.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …