Intervistë me kryetarin e komunës së Gjakovës, Pal Lekaj

RKL: Sa keni arritur të përmbushni programin tuaj elektoral gjatë tri viteve të mandatit tuaj?

Pal Lekaj : Sa i përket premtimit të projekteve që ju kemi bërë qytetarëve, unë mendoj se ne po e realizojmë në mënyrën më të ndershme të mundshme dhe mendoj që është zhvilluar një aktivitet i gjerë në të gjitha fushat, duke filluar me infrastrukturë, shëndetësi, arsim, mirëqenie sociale dhe në mirëmbajtjen e ambientit. Kjo ka ndikuar që Gjakova të marrë një pamje më ndryshe, më pozitive dhe mendoj që në çdo hapësirë të komunës së Gjakovës vërehet ndryshimi pozitiv. Ne po e bëjmë atë që duhet bërë, prandaj i falënderoj të gjithë qytetarët që na kanë mundësuar që më kanë dhënë përgjegjësinë e të parit të komunës për të krijuar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.

RKL: Cilat janë sfidat që ju preokupojnë gjatë kohës së qeverisjes?

Pal  Lekaj: Sfida kryesore është zhvillimi ekonomik lokal, krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i infrastrukturës, investimi në shëndetësi, arsim e mirëqenie sociale. Tani është koha që ne të ndikojmë në zhvillimin ekonomik lokal dhe të bëjmë gjenerimin e vendeve të reja të punës. Në këtë drejtim, këtë vit do të jemi mjaft të përqendruar në krijimin e vendeve të reja të punës. Mund t’i përmend disa prej tyre. Ne kemi filluar me një kompani që do të investoj diku rreth 143 milion dollarë dhe do të ketë 385 punëtorë. Po ashtu dy kompani tjera, numri i të cilëve do të jetë përafërsisht 150 punëtorë dhe qendrat tregtare që janë ‘Vivafresh’ dhe ‘Nertili’, që përmbushin bukur mirë premtimin tonë që ia kemi dhënë qytetarëve në këtë drejtim. Mirëpo kjo nuk do të thotë se do të ngelim vetëm në investimet e huaja dhe vendore, por edhe ne si komunë do të gjejmë mënyra për mbështetje të ekonomisë familjare e sidomos të bujqësisë.

RKL: Komuna e Gjakovës doli të jetë një nga qendrat më të shkatërruara gjatë luftës së fundit. Lufta la pas vetes 1870 persona të vrarë, afro 5000 shtëpi të rrënuara dhe mijëra hektarë tokë e vreshta të shkatërruara. Por duke iu falënderuar ndihmës së faktorit ndërkombëtar dhe buxhetit vendor është arritur dukshëm të rindërtohen shumë objekte të shkatërruara, mirëpo që gjithmonë ka vend për investime të mëtutjeshme. Ku do të orientohen investimet e ardhshme?

Pal Lekaj: Sa përket asaj që elaboruat, mendoj se Gjakova ka dalë mjaft e shkatërruar edhe  në faktorin njeri por edhe në të gjitha godinat shkollore, arsimore si dhe ekonomitë familjare. Siç e përmendët edhe ju, gjatë luftës ishin rreth 5000 shtëpi të djegura dhe unë e falënderoj faktorin ndërkombëtar, organizatat qeveritare dhe joqeveritare që kanë ndihmuar mjaft në përmirësimin dhe rindërtimin e këtyre godinave. Por, mendoj se ka mjaft hapësirë për mirëqenie sociale. Ne përpos renovimit të gjitha këtyre shtëpive, të të gjitha kategorive, pothuaj se kanë mbetur shumë pak këto vite pa u rindërtuar. Ne kemi ofruar edhe diku rreth 120 banesa për të pastrehët që janë raste sociale, duke iu dhuruar apo ofruar strehim të përkohshëm, e cila ka zbutur pak këtë kategori të rasteve sociale dhe fokusi i ynë është që këtë vit t’i rregullojmë të gjitha ato ndërtesa, t’u krijojmë kushte që janë të domosdoshme që të gjithë qytetarët të kenë jetë më të mirë. Janë diku edhe 50 raste që ne duhet t’i strehojmë në komunën e Gjakovës dhe të përmbyllim një cikël të suksesshëm në këtë drejtim. Përveç kësaj, neve na mbetet që të subvencionojmë edhe pacientët.  Ndonëse ndonjëherë ndajmë ndonjë shumë prej 60 000 -70 000 euro është një simbolikë, sepse kemi kërkesa mjaft në këtë drejtim  por ne jemi munduar që rasteve më të rënda t’ju dalim në ndihmë, duke arritur deri diku të zbusim edhe këtë lëmi sa i përket shëndetit  të qytetarëve. Fokusi ynë tani është në zhvillimin ekonomik lokal dhe t’ju krijojmë kushte çfarë ju duhen qytetarëve.

RKL: Gjakova ka qenë e njohur për ndërmarrje të mëdha publike, ku para luftës kanë qenë të punësuar rreth 27000 persona në fusha të ndryshme. Çfarë është bashkëpunimi me AKP-në rreth statutit të këtyre ndërmarrjeve, kur e dimë se kohë më parë hoqi dorë ‘Virgjinia’ nga tenderi i shitjes. A do të thotë kjo se aksionarët në këtë rast, apo ish të punësuarit do të vendosin për ndërmarrjet e tyre si shoqëri aksionare apo si do të ndodh?

Pal Lekaj: Keni të drejtë kur e bëni këtë pyetje që është me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik lokal sepse ne edhe pse jemi fokusuar në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, nuk duhet anashkaluar por të bëhet reformë edhe në këtë drejtim. Gjakova ka qenë specifike nëse krahasohet me komunat tjera sepse pretendojmë që të kemi aksione në shumicën e këtyre ndërmarrjeve të mëdha dhe ne kemi pasur kontakte të herëpashershme me Agjensionin Kosovar të Privatizimit. Ne jemi dakorduar që të analizohet çdo kompani veç e veç dhe aty ka argumente të pranohen si shoqëri aksionare, ndërsa të tjerat të shkojnë në privatizim. Deri tani, në këtë drejtim nuk është bërë sa duhet. Nuk është ndonjë zhvillim të hovshëm i privatizimit, por unë shpresoj se këtë vit do të ndodh dhe do të sqarohet i  gjithë procesi i privatizimit. Ne si komunë kemi pas  mjaft telashe sa i përket menaxhimit të pronës. Pra si përfundim mendoj që duhet patjetër të zgjidhet procesi apo privatizimi i ndërmarrjes ‘Ereniku’,që të privatizohen ajo që duhet të privatizohet dhe të pranohet ajo që duhet të pranohet si shoqëri aksionare.

RKL:  A është e vërtetë se memorialët e Dëshmorëve dhe Heronjve të komunës së Gjakovës sipas Vetëvendosjes  janë të parregulluara?

 Pal Lekaj:  VV e thotë atë të veten , unë nuk merrem shumë me subjekte politike që as një herë nuk kanë pas  përgjegjësi qeverisëse në Gjakovë.  Është e vërtetë që ne kemi bërë mjaft në këtë drejtim por nuk e kemi realizuar një projekt të përbashkët, sepse unë mendoj që nëse i veçojmë dëshmorët, martirët do të thotë t’ia zbehim atë që e kanë bërë me sakrificën e tyre. Unë kam menduar si kryetar i komunës që të kemi një vend të përshtatshëm, ndërkohë që është marrë një vendim në Kuvendin komunal që të quhet shtegu i lirisë ku do të vendosen të gjithë dëshmorët që janë shumë në numër. Gjakova dallon nga komunat e tjera dhe aty të jetë një shteg i lirisë çfarë  do të jetë unikat në Kosovë dhe në rajon . Unë e kam parë në Izrael këtë shteg të lirisë dhe mendoj që vetëm ashtu mund t’i kënaqim të gjitha aspiratat e familjarëve  të dëshmorëve-martirëve dhe gjithë ata që kanë sakrifikuar për luftën. Kjo nuk do të thotë që kemi anashkaluar dikë sepse në të gjitha fshatrat kemi ndërtuar përmendore. Janë subvencionuar mjaft familje por çdo herë ka hapësirë për kritikë dhe përmirësim.

RKL:  Cili është kontributi i komunës dhe i juaji në avancimin e sportit, sidomos futbollit?

Pal Lekaj:  Në këtë drejtim mendoj se komuna e Gjakovës veçohet për të mirë sepse dihet se për klubin futbollistik “Vllaznimi”, barrën kryesore të të financuarit e bart komuna e Gjakovës, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.  Më besoni se me buxhetin  komunal është e pamundur që ne t’i mirëmbajmë ashtu siç dëshirojnë klubet, por ne ndoshta jemi rekord dhe kampion në Kosovë për ndihmë apo subvencionim të klubeve duke filluar nga futbolli, hendbolli, volejbolli etj.

RKL: Planet tua politike… A mund të presim edhe ndonjë mandat të ri që do të ishte i treti edhe pse i pari është dy vite i  plotë  apo do t’ju shohim në ndonjë post ministror në rast se AAK vjen në pushtet?

 Pal Lekaj: Për herë të parë unë po e shpalli që do të rikandidoj për kryetar të komunës së Gjakovës dhe sa i përket qeverisjes kemi kuadro të tjera që mendoj se do ta japin kontributin e tyre.

RKL:  Cila kishte me qenë porosia  për stafin dhe qytetarët e Gjakovës?

Pal Lekaj: Po ajo që çdo herë japim mesazhe të qarta për bashkëpunëtorët e mi që të jemi të ndërgjegjshëm  në shfrytëzimin e parasë publike, të bëjmë prioritetin sipas interesit qytetar dhe të jemi shërbyes të mirë ndaj qytetarëve dhe qytetarët i lusë që të jenë të kujdesshëm në shlyerjen e borxheve që i kanë komunës. Megjithatë, i falënderoj qytetarët që participojnë në shlyerjen e borxheve sepse jemi mjaft mirë këtë drejtim.  Prandaj, qytetarët për çdo cent që e bëjnë pagesë në komunën tonë, ne do t’ua kthejmë dhjetëfishin, sepse vetëm në këtë mënyrë ne i ndihmojmë vendit dhe i ndihmojmë zhvillimit dhe prosperitetit të të gjithë qytetarëve .

RKL: Faleminderit për kohen që ndatë me ne…

Pal Lekaj: Faleminderit edhe nga ju , unë mendoj së RKL është një medium që duhet vlerësuar në të gjitha kohërat, zëri juaj është dëgjuar atëherë ku pak kund është dëgjuar. Keni qenë stimulues i gjithë luftëtarëve të lirisë, i proceseve pozitive që kanë ndodhur në Kosovë dhe mendoj që nga ana ime dhe gjithë atyre që mendojnë pozitivisht tu falënderojmë për punën që e keni bërë dhe që po e bëni në afirmimin  e të gjitha të mirave që ndodhin Kosovë dhe që jeni shumë afër familjarëve të dëshmorëve dhe kujdesni në çdo kohë  për ta.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …