Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arbër Vllahiu, ka shpalosur programin qeverisës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, duke thënë se me ardhjen e tij në qeverisje, Prishtina do të funksionojë ndryshe. Ai tha se qeverisja lokale në Prishtinë do të jetë zbatues i ligjit dhe respektues i kontratës së saj me qytetarin, për të dhënë shërbime adekuate. “Kemi hyrë në këtë garë me plotë sfida, të vështirë e të rëndë për ta ndryshuar një qeverisje të pa vizion, të padenjë për qytetarin e Prishtinës të paaftë për të zgjidhur çështjet ekzistenciale në qytet. Kemi hyrë në një garë, për të dëshmuar që ndryshimi nuk ka ndodhur në Prishtinë. Për t’ia kthyer qytetit frymën e humbur, sepse është mbytur, është mbyllur, është ngulfatur dhe sepse qytetari është mashtruar me premtime dhe askush nuk i ka dal zot. Dua ta bëj të qartë se ne po vijmë, për të bashkudhëhequr me qytetarin e Prishtinës, për t’i dhënë shpirt këtij kryeqyteti dhe për të bërë punë siç e ka përkufizuar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj: Një orë e imja është sa shumë vite të tjerëve. Kryeministër, kryeqytetit tuaj dhe qytetarëve të tij i duhen orët tuaj për ta ndryshuar dhe ne kemi thënë se do ta bëjmë”, tha Vllahiu.
Ndërsa kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se kjo parti me kandidimin e Vllahiut, e ka nderuar qytetarin e Prishtinës, duke pohuar se kanë një ofertë cilësore dhe kredibile. “Mendoj se në historikun tonë të AAK asnjëherë si deri më tani s’kemi mbërri si kësaj here me nderu qytetarin e Prishtinës. Mendoj se është hera e parë, prej kur punojmë në Prishtinë dhe jemi në Prishtinë, që AAK ka mbërri kaq shumë me nderuar qytetarin me i dhënë një ofertë kaq cilësore e kaq kredibile. Është e pamundur Prishtina me u qeveris vetëm me perceptim, ose me kifle me i marrë votat. Kiflet dhe shujtat janë obligim shumë elementar, shumë normal që fëmijëve tanë me iu ofruar një shujtë në shkolla, është më se e logjikshme. Këtë do ta bëjmë në gjithë vendin. Por qeverisja është më shumë se kaq”, tha Haradinaj.