Deputeti Albin Kurti me një delegacion të VV-së, kanë bërë homazhe te varri i ish-rektorit Ejup Statovci, në varrezat e qytetit të Prishtinës. Pas homazheve, Kurti ka shkruar në facebook se është mall për njeriun e përkushtuar ndaj dijes e përhapjes së saj, edhe nën okupimin brutal. Kurse, sot sipas tij, në kohën e lirisë, universitetin po e degjenerojnë njerëz të korruptuar e shërbëtorë të territ.
“Sot, kur u bënë dy dekada të protestave të studentëve të Universitetit të Prishtinës, ne kujtojmë me mall një prej figurave kyçe të asaj kohe, prof.dr. Ejup Statovcin, rektorin e Universitetit të Prishtinës prej vitit 1991, kur ky Universitet nisi të funksiononte si i pavarur prej pushtuesit serb, e deri në 1997, kur pushteti brutal u ballafaqua me demonstratat. Prof. Statovcin e kujtojmë me mall, jo vetëm ne që e kemi njohur, por kushdo që ka lexuar për figurën e tij. Është mall për njeriun e përkushtuar ndaj dijes e përhapjes së saj, edhe nën okupimin brutal, sot në kohën e lirisë kur universitetin po e degjenerojnë njerëz të korruptuar e shërbëtorë të territ. Prof. Statovci ishte shkencëtar i vërtetë i së drejtës. Ai u shkollua në Zagreb e Lubjanë, në Kembrixh e Harvard. Dhe gjithë jetën e kaloi i dedikuar për studentët e lëndët e tij. Por jo vetëm kaq. Në periudhën më të vështirë, kur shumëkush i nivelit të tij u largua drejt sigurisë tjetërkund, shkencëtari i përmasave ndërkombëtare, Ejup Statovci, zgjodhi të rrijë në Prishtinë e të angazhohet në rifillimin e universitetit pasi që studentët e mësimdhënësit shqiptarë u dëbuan në qershor të vitit 1991. Edhe nën okupim e apart’heid, me prof. Ejupin në krye, Universiteti i Prishtinës ishte Universitet i Republikës së Kosovës. Në çdo dokument të tij kështu shkruhej, në çdo fjalë të tij kështu thuhej. Ai e ruajti pavarësinë e universitetit gjë që ishte vendimtare për protestat e studentëve të cilat do të pasonin e në ballë të së cilave do të vihej vetë prof.Ejupi. Imagjinojeni çfarë sakrifice për atdheun. A mund ta përfytyrojnë këtë gjë ata që, për një master që kryejnë jashtë nisin të mendojnë se meritojnë gjithçka, e kur nuk e marrin bëhen gati të kthehen prapë jashtë? A mund ta përfytyrojnë një sfidë të tillë, si hapja e një universiteti paralel ata që nuk e kanë vullnetin as të kufizojnë konsumin e plazma keksave? Epo mënyrë tjetër që të bëhet ky vend nuk ka. Nëse do të ishte dorëzuar Ejup Statovci e shumë të tjerë si ai, sot nuk do të ishim këtu. E nëse dorëzohemi neve sot, sepse nuk duam të sakrifikojmë asgjë, atëherë nuk do të ketë të nesërme. Profesor Statovci është një majë vështirë e arritshme për akademinë në Kosovë e në mbarë shqiptarinë. Megjithatë gjatë jetës së tij ai gjeti kohë të ishte dhe aktivist, të merrte pjesë në hartimin e komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut, si dhe të drejtonte Universitetin e Lirë. Shembulli i tij është ftesë për secilin akademik, universitar e student, që të aktivizohet, për ta rregulluar universitetin, qytetin, shoqërinë e shtetin, se edhe sot ka shumë nevojë. Mos e lini politikën në duar të armiqve të dijes. Por shembulli i profesor Statovcit është ftesë edhe për ata që tashmë janë aktivistë politikë e shoqërorë, që të mos i ndahen kurrë leximeve e studimeve gjatë jetës së tyre. I vetmi ilaç që të ruan prej tradhtisë ndaj vetes është dija, e kujt nuk i bëhet vonë për të mësuar, nuk është aktivist i mirë. Me respekt të thellë për prof.dr. Ejup Statovcin dhe familjen e tij, e me kujtimet më të nderuara për angazhimin e tij dhe për protestat e studentëve në 1997, ju ftoj të gjithëve që të mos harrojmë kurrë datat e njerëzit tanë historikë”, ka thënë Kurti.