Intervistë me kryeshefin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, Ahmet Zejnullahu

RKL: Si është gjendja aktuale nëpër pyjet e Kosovës?

Zejnullahu: Kosova në raport me sipërfaqet e përgjithshme pyjore e ka një mbulueshmëri të mirë ku 44 përqind e sipërfaqeve të përgjithshme janë me pyje.  Prej tyre 60 përqind janë  prona shtetërore, ndërsa pjesa tjetër i takon pjesës private. Me fjalë të tjera, në vendin tonë i kemi 464.800 ha të mbuluara me pyje. Llojet kryesore të drunjve apo pjesa më e madhe e këtyre sipërfaqeve janë pyje gjethërënëse ndërsa pjesa tjetër, ose 7 përqind ju takon pyjeve halore.Me inventarizimin e fundit në vitin 2003, Kosova ka gjithsejt 52 milion metër kub dru, ndërsa rritja vjetore është diku 1 milion e 200 mijë metra kub. Invertarizimi, i cili është kryer vitin e kaluar e që priten rezultate shumë shpejt, na jep të dhëna optimale që parashikojnë që diku që 10 përqind e sipërfaqeve të pyjeve të jetë më e madhe  sesa e viteve të mëparshme. Kjo me siguri se është rezultat edhe i pyllëzimit të sipërfaqeve të zhveshura, por edhe rezultat i zgjerimit të pyjeve në ato sipërfaqe të cilat më parë kanë qenë kullosa, ose në viset rurale që disa toka bujqësore të mbetura djerrë janë mbuluar  me drunj.

RKL: Performanca pozitive e agjencisë  ilustrohet me kujdesin e treguar në kursime. Nëse i referohemi viteve të kaluara, keni arritur në një shkallë të madhe t’i futeni në procedurë kursimet ndërkaq në anën tjetër janë shtuar të hyrat. A keni ndonjë statistikë rreth kësaj dukurie të kursimeve?

Zejnullahu: Po me delegimin e kërkesave ku mbrojtja e pyjeve dhe dhënia e lejeve për prerje ka kaluar tek autoritetet komunale, Agjencioni i Pyjeve të Kosovës një rëndësi mjaft të madhe i ka kushtuar edhe zvogëlimit të shpenzimeve. Këtë po e theksoj për faktin se në vitin 2009, shpenzimet vetëm në kategorinë e riparimit të automjeteve kanë qenë diku rreth 182 mijë euro, ndërsa në vitin 2010 dhe 2011 janë zvogëluar, kurse në vitin 2012, këto shpenzime kanë rënë në 24 mijë e 500 euro.

RKL: A do të thotë kjo që është zvogëluar numri i automjeteve…

Zejnullahu: Numri i automjeteve është i njëjtë, mirëpo ka një përkujdesje shumë më të madhe për shpenzimim etë derivateve dhe riparimit të automjeteve. Zyrtarëve të agjencisë i është tërheqë vërejtja që në rast të dëmtimit të automjeteve, shpenzimet i mbulojnë vetë. Kemi raste kur ngasësi i automjetit ka paguar shpenzimet për shkak se e ka shfrytëzuar automjetin në mënyrë jo-ligjore.

RKL: Të hyrat kanë arritur deri 1 milion e 500 mijë euro. Ku bazohen të hyrat në agjencinë pyjore?

 Zejnullahu: Raporti i të hyrave edhe këtu ka ndryshuar për arsye se në Kosovë ka ekzistuar shfrytëzimi i tokave pyjore, të cilat nuk i janë nënshtruar procedurave dhe ato në njëfarë mënyre kanë qenë shfrytëzime ilegale. Nga viti në vit me angazhimin e inspektoratit, ne kemi arritur që pjesën dërmuese, me mbi 90% të gjithë operatorëve që veprojnë në Kosovë, janë lidhë marrëdhënie kontraktuale për shfrytëzimin e tokave pyjore. Në të vërtetë, kjo ka shtuar të hyrat, kështu që të hyrat nga 807 mijë euro sa ishin në vitin paraprak, tani kanë kaluar në 1 milon e 512 mijë euro me tendencë të rritjes.

 RKL: Prerja e pyjeve llogaritet një ndër problemet kryesore të agjencisë pyjore të Kosovës. Cilat veprime konkrete ka ndërmarrë  APK-së për parandalimin  e prerjeve ilegale, edhe pse dihet që kompetencat ka një kohë që kanë kaluar në drejtoritë komunale?

Zejnullahu: Për mbrojtjen e pyjeve, autoritetet komunale gjatë vitit 2012 kanë zhvilluar një varg aktivitetesh sidomos për mbrojtjen nga prerjet ilegale. Në funksion të mbrojtjes së pyjeve janë mbajtur edhe takime të shumta si me gjykata, policinë, EULEX-in si dhe  me kryetar të komunave dhe inspektorë. Këto takime kanë rezultuar me veprime të përbashkëta. Ka vazhduar edhe funksionimi i  pikave permanente të kontrollit d.m.th në vitin e kaluar kemi vendos pika kontrolli në komunën e Deçanit, duke i ndërprerë të gjitha aktivitetet për shkak se operatorët të cilët kanë vepruar atje nuk i janë përmbajtur kontratave.Për këtë arsye janë larguar këta operatorë, duke iu ndërprerë  kontrata. Vlen të theksohet së në vitin 2012 janë ngritur gjithsejt 7.586 fletëparaqitje, prej të cilave për kundërvajtje 4.854,  kurse për vepra penale 2.732. Në kuadër të këtyre masave, është konfiskuar edhe një sasi e masës drurore.

Një rol të rëndësishëm do ta luajë edhe pajisja me armë për rojet e pyjeve. Sigurimin e armëve e kemi bërë gjatë vitit të kaluar, mirëpo të gjithë rojtarët e pyjeve kanë qenë të obliguar t’i nënshtrohen një procedure të trajnimit.

RKL: A mund të na sqaroni se kur bëhet fjalë për vepër penale e kur për kundërvajtje…

 Zejnullahu: Në vepra penale përfshihen të gjitha ato raste ku prerësi ilegal  nxihet me një sasi të masës drurore të prerë që është më e madhe se dy metraa kub. Ndërsa, qarkullimi i masës drurore, qoftë nëpër tregje apo rrugë pyjore trajtohet si vepër kundërvajtje.

RKL: Ju nuk jeni i kënaqur në trajtimin e këtyre rasteve nëpër gjykata. Madje, ju keni thënë në Komisionin parlamentar për Bujqësi se keqpërdoruesit më tepër janë stimuluar me këto masa simbolike…

Zejnullahu: Duke pasur parasysh që brenda kësaj periudhe, jo vetëm për vitin e kaluar, kemi mbi 70 000 fletëparaqitje të cilat janë bërë në sektorin e pylltarisë, ne në asnjë mënyrë nuk jemi të kënaqur në shqyrtimin dhe trajtimin e këtyre lëndëve. Mbi 50 përqind e numrit të lëndëve të cilat dërgohen në gjykata, për shkak të vjetërsisë nuk shqyrtohen fare. Ndërsa në shumicën e rasteve edhe kur shqyrtohen,  ndëshkimet janë shumë te ulëta. Madje, ndëshkimet që bëhen nga ana e gjykatave nuk realizohen. Mund të themi se krejt mundi i Agjencionit, por edhe komunave që i bëjnë ato fletëparaqitje faktikisht shkon huq për shkak të mostrajtimit të këtyre lëndëve. Kemi raste si në regjionin e Mitrovicës ku lëndët të cilat dërgohen në Prokurori refuzohen, gjoja për shkak të mos-adaptimit të prokurorëve. Pra kemi raste që nuk trajtohen, dhe e keqja e krejt kësaj është se sektori pyjor trajtohet me një sy krejt tjetër. Më tepër këto bëhen gjoja për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ndërsa edhe gjykatat i trajtojnë në këtë formë, e cila nuk do të duhej të praktikohej.

RKL: Në cilat komuna më së shpeshti dëmtohen pyjet? Cilat komuna janë më të rerzikuara?

Zejnullahu: Gjendja nuk është e njëjtë në të gjitha komunat. Ta marrim si shembull komunën e Dragashit, e cila është shembull në këtë drejtim meqë prerja ilegale thuajse nuk ekziston. Ndërsa, në komunat e tjera si Podujeva, Prishtina, Mitrovica, Ferizaji etj, gjendja është shumë e keqe për të mos thënë edhe më e keqe se para delegimit të kompetencave në këto komuna. Vlen të theksohet se në regjionin e Prishtinës dhe atë të Mitrovicës, në tri vitet e fundit pothuajse fare nuk ka pasur shitje të masës drunore në mënyrë legale. Kjo do të thotë se e tërë sasia i është nënshtruar veprimeve të paligjshme. Tani së bashku me komunat jemi duke shqyrtuar mundësinë e kthimit të kompetencave të mbrojtjes së pyjeve dhe të shfrytëzimit të tyre përsëri në Agjencionin e Pyjeve të Kosovës. Prandaj jemi duke punuar me këtë ligj dhe ndoshta këtë gjendje do ta marrim parasysh.

RKL: Një përparësi tjetër është ndoshta edhe armatimi i rojeve. A ka filluar së zbatuari dhe a mund të ndalojë kjo prerjen?

Zejnullahu: Me siguri se një rol të rëndësishëm do ta luajë edhe pajisja me armë për rojet e pyjeve. Ligji për pajisjen me armë ekziston, i cili Agjencionit i siguron si institucioni i pestë që ka të drejtë për pajisjen me armë për rojet e pyjeve. Sigurimin e armëve e kemi bërë gjatë vitit të kaluar, mirëpo të gjithë rojtarët e pyjeve kanë qenë të obliguar t’i nënshtrohen një procedure të trajnimit. Tani është radha e fundit e trajnimit të  20 rojtarëve që do të pajisen me certifikata. Besoj  se brenda një muaji do të fillojë pajisja e rojeve të pyjeve me armë. Në tërë vendin janë 205 rojtarë pyjesh.

RKL: A mjafton ky numër?

Zejnullahu: Komunat kanë mundësi që të bëjnë rritjen e numrit të rojeve. Për secilën rojë që do ta kenë komunat, ne do të bëjmë pajisjen me armë.

RKL: E keni një marrëveshje që duhet ta realizoni me Ministrinë ë Punës dhe Mirëqenies Sociale rreth mbrojtjes së pyjeve tashmë nga zjarret, meqenëse jemi në vlugun e temperaturave të larta. Me Ministrinë e punës keni një marrëveshje mirëkuptimi, kostoja e së cilës  është 118. 800 euro. Çka pritet nga kjo marrëveshje?

Zejnullahu: Ne me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kemi bashkëpunim shumë të mirë. Vitin e kaluar kemi angazhuar 1600 punëtorë, të cilët kanë punuar në rregullimin e pyjeve, pastrimin por edhe mirëmbajtjen e rrugëve. Gjithashtu këtë vit kemi një memorandum me Ministrinë e Punës, ku për periudhën katërmujore kemi angazhuar 90 punëtorë, të cilët të gjithë iu kanë nënshtruar procedurave të trajnimit dhe janë pajisur me certifikata. Ne, si Agjencion kemi bërë sigurimin e pajisjeve të nevojshme për shuarje të zjarrit dhe nga 1 korriku këta do ta fillojnë punën. Në secilën Drejtori Regjionale janë të përfshirë nga 15 punëtorë dhe kjo me siguri se do t’i kontribuojë zvogëlimit të zjarreve në Kosovë. Kjo ngase mundësia e reagimit do të jetë shumë e shpejtë dhe ndoshta kjo do të pamundësojë zgjerimin e zjarreve. Gjithashtu, përmes kësaj ministrie kemi siguruar 20 punëtorë për periudhën nëntëmujore, të cilët janë duke punuar në Institutin e Pejës ku për këtë vit planifikohet mbjellja  e 2. 800 000 fidanëve. Poashtu jemi duke punuar në mirëmbajtjen e fidanëve, të cilat janë mbjellë vitin e kaluar. Janë 545 hektarë. Gjithashtu planifikojmë që këtë vit të pyllëzojmë sipërfaqe të zhveshura, që i bie të jenë rreth 420 hektarë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …