Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 është përkujtuar me një ceremoni solemne organizuar nga Universiteti i Prishtinës. Për nder të këtij përvjetori organizatorët e protestës që shënuan kthesë në historinë e Kosovës u dekoruan me medaljen “Urdhri i Lirisë” nga kryetari i Kosovës. Vet Thaçi nuk ishte për t’ua dhënë dekoratën organizatorëve por as të gjithë organizatorët nuk morën pjesë në ceremoni. Çmimin “Urdhri i Lirisë në emër të kryetarit Thaçi e ka ndarë këshilltari i tij Ismail Syla, i cili tha se ndihet i nderuar ta jap këtë çmim në 20 vjetorin e protestës së 1 Tetorit të vitit 1997 dhe Lëvizjes Studentore.
Ai ka theksuar se vitin tjetër bëhet gjysmë shekulli të historisë moderne të Kosovës, ndërsa ka përmendur demonstratat e vitit 1968, demonstratat e vitit 1981, protesta e 1 tetorit 1997 dhe Lufta e ndritshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ngjarjet më të lavdishme që karakterizojnë historinë shqiptare të kësaj periudhe. “Sot kam nderin që ta lexoj para jush Urdhrin e Lirisë që i jepet Këshillit Organizativ të Universitetit të Prishtinës për kontributin e lartë të dhënë për lirinë e Kosovës. 8’40” Është urdhri numër 2, që e jep kreu më i lartë i shtetit. Është çmimi dhe nderi më i lartë i Republikës të Kosovës”, është shprehur ai.
Në këtë akademi morën pjesë personalitete të ndryshme të jetës politike, institucionale dhe arsimore të Kosovës, ndërsa u shfaq një program artistik i përgatitur nga Akademia e Arteve. Rektori i UP-së, Marjan Demaj, tha se protestat e 1 tetorit të vitit 1997 thyen frikën, përderisa çmoi kontributin e studentëve të UP-së, profesorëve dhe rektorit historik Ejup Statovci, që kanë dhënë në rrugën e lirisë. Ai tha se 1 tetori i 97-ës shënoi kthesën pikante në historinë shqiptare, duke shndërruar Kosovën në temë të rëndësishme për mediat ndërkombëtare dhe duke bërë që vizionet për liri dhe pavarësi t’i lënë hapësirë vizioneve të reja. “Ishte kjo protestë e cila bëri bashkë studentët dhe profesorët drejt një qëllimi. Qëllim ky që e shoqëroi idealin e UP-së drejt të ardhmes. Madje edhe sot, e thëna e rektorit Statovci, se universiteti është me studentët dhe studentët janë të Universitetit, frymon me ideologjinë e Universitetit ‘Hasan Prishtina’. 3’14” Vizonet që patëm dikur për liri dhe pavarësi po iu lënë vendin vizioneve të reja për avancim në mësimdhënie, kërkim në cilësi, zhvillim të infrastrukturës, globalizim dhe ndërkombëtarizim dhe kjo e tëra falë atyre që 47 vite më parë e ndërtuan UP-në, e tëra që falë atyre për 47 vite nuk e dorëzuan UP-në”, tha Demaj.
Në emër të organizatorëve të protestave ka folur Bujar Dugolli, i cili ka përkujtuar 323 studentët e rënë dëshmorë prej vitesh duke thënë se shpreh mirënjohjen më të thellë për ta. “Në këtë 20 vjetor shprehim respektin tonë më të lartë dhe mirënjohjen tonë për dëshmorët tanë nga radhët e studentëve të UP-së që ishin pjesëtarë të Lëvizjes së Studentëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët u flijuan gjatë viteve 1996-1999. Në këtë 20 vjetor dëshirojmë që përmes këtyre organizimeve të përçojmë mesazhin që liria e Kosovës sdhe pavarësia e saj erdhi me shumë mund dhe sakrifica. Prandaj, siç krenohemi ne me historinë tonë të lavdishme ashtu edhe të rinjtë sot, ta duan vendin, ta duan shtetin dhe ngjarjet e tilla historike të jenë frymëzim për punë të përbashkët në dobi të shtetit dhe kombit”, tha Dugolli. Ndryshe, aktivitet e UP-së për 20 vjetorin e protestës së 1 Tetorit do të zgjasin deri më 3 tetor. Ndërkaq nesër do të ndahen mirënjohje për 20 profesorë dhe 20 studentë kontributdhënës në protestat studentore.