Intervistë me kryetarin e komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku

Duke folur në një intervistë për Radion ‘Kosova e Lirë’, kreu i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku ka përmendur disa nga ndryshimet kryesore që janë bërë në këtë komunë gjatë qeverisjes së tij. Investimet kapitale, sipas z.Mulaku, kapin shumën prej 55 milion eurosh, të cilat janë orientuar drejt përmirësimit të rrjetit infrastrukturor, objekteve të reja shkollore dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore. Ai ka folur edhe për konfliktin me kishën ortodokse të qytetit, një pjesë e oborrit të së cilës pengon realizimin e një prej projekteve madhore në qytetin e Vushtrrisë. Mulaku ka thënë se megjithë vullnetin e mirë të komunës për të zgjidhur këtë çështje, duke i ofruar kompensim, autoritetet e kishës nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigjje. Madje në këtë çështje është përzier edhe faktori ndërkombëtar në vend, por pa gjetur ende një zgjidhje.

RKL: Z.Mulaku, cilat janë disa nga ndryshimet më të prekshme për qytetarët vushtrrias gjatë qeverisjes suaj?

Mulaku: Nga viti 2008, i cili shënon fillimin e mandatit qeverisës të PDK-së dhe timit si kryetar i komunës, janë realizuar 979 projekte të investimeve kapitale, të cilat kapin shumën prej 55 milion eurove. Ndryshimet mendoj të jenë të prekshme për qytetarët, por edhe të gjithë vizitorët, pasi që komuna e Vushtrrisë ka ndryshuar rrënjësisht. Investimet më të mëdha padyshim që kanë shkuar në rregullim të infrastrukturës rrugore, ku janë asfaltuar apo shtruar në kubëza rrugë në gjatësi prej 350 kilometrave. Rregullimi i shtratit të lumit Tërstena, procesi në përfundim të ndërtimit të fabrikës të ujit të pijshëm, ndërtimi i dhjetra objekte të reja shkollore, procesi në rregullimin e rrugës kryesore të qytetit, duke përfshirë edhe ndërtimin e sheshit të tij, restaurimi në objektin e trashëgimisë kulturore Kalasë së qytetit, janë disa nga projektet e realizuara apo në realizim e sipër që vërtetë kanë rritur cilësinë e jetës së qytetarëve të komunës sonë.


RKL: Në cilat sektorë vlerësoni se ka pasur ngecje?

Mulaku: Krahas shumë zhvillimeve pozitive që kanë ndodhur në komunën tonë, padyshim që ka pasur ngecje në disa fusha. Përkundër vullnetit dhe gatishmërisë nuk ja kemi arritur gjerë më tani që të sigurojmë donacione për ndërtimin e objekteve të banimit kolektiv për rastet sociale si dhe kategori të veçanta të shoqërisë. Përkundër që komuna ka ndarë lokacionet për ndërtim të këtyre objekteve dhe premtimeve të marrura, ende nuk kemi arritur që t’i realizojmë, edhe pse në komunën e Vushtrrisë ndjehet nevoja e madhe për ekzistencën e atyre objekteve. Ide e jona ka qenë edhe ngritja e shtatores së patriotit mbarëkombëtar të Vushtrrisë, Hasan Prishtinës në vet qendrën e qytetit. Është planifikuar buxheti për realizim të këtij projekti për këtë vit në hapësirën ku gjendet objekti i tashëm i komunës, por meqë ndërtimi i objektit të ri të komunës ka ngecje të paparapara nga problemet që ka punëkryesi me financuesin e projektit, Komisionin Evropian, prandaj edhe ky projekt nuk po mund të realizohet gjatë këtij mandati qeverisës.

RKL: Cilat janë raportet e komunës suaj me Qeverinë, gjegjësisht sa i është përgjigjur kjo e fundit me përkrahje financiare nevojave të komunës suaj?

Mulaku: Komuna e Vushtrrisë nga lufta e fundit ka dalë mjaft e shkatërruar, gjersa nevojat e qytetarëve vërtetë kanë qenë të mëdha. Në fushën e investimeve emergjente vërtetë kemi pasur nevojën e mbështetjes së fondeve nga Qeveria dhe donatorët. Qeveria e Republikës së Kosovës në realizimin e projekteve tona investive ka ndihmuar qytetarët e kësaj komune në vlerë prej afër 30 milionë eurove nga viti 2008, gjersa donatorët ndërkombëtar kanë ndihmuar me fonde mbi 7 milion euro. Qytetarët tanë por edhe ne si bartës të vullnetit të tyre do t’u jemi mirënjohës gjithnjë këtyre institucioneve karshi investimeve të kryera.

RKL: Një çështje që ka prekur vëmendjen e medieve ka qenë edhe një konflikt, nëse mund të quajmë kështu, me kishën ortodokse në Vushtrri. Siç dihet, këndi i oborrit i kësaj kishe ka penguar jo vetëm lëvizjen e lirë, por edhe realizimin e projektit për rrugën kryesore të qytetit. A është zgjidhur ky problem?

Mulaku: Gjatë realizimit të projektit investiv të rregullimit të rrugës kryesore të qytetit dhe trotuarit të saj, një hapësirë fare e vogël e oborrit të kishës pengonte apo ndërprente vijueshmërinë e trotuarit duke pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ne u munduam që në bashkëbisedim me krerët e kishës ta zgjedhim këtë problem në atë mënyrë që murin e oborrit të kishës pas rrënimit dhe lirimit të asaj hapësire ta rikthejmë në gjendje të mëparme, por ende s’kemi përgjigje vendimtare. Për zgjedhjen e këtij problemi është involvuar edhe faktori ndërkombëtar në Kosovë, duke përfshirë edhe Këshillin Zbatues Monitorues për trashëgiminë kulturore e fetare. Komuna e Vushtrrisë është e gatshme për ta zgjedhur këtë problem, duke përfshirë edhe shpronësimin e atyre pak metrave konform të drejtës pozitive të vendit.

RKL: Z.Mulaku, sa ka arritur komuna që t’i jap ndihmë sektorit të bujqësisë, kur kihet parasysh se komuna e Vushtrrisë ka fonde të konsiderueshme të tokës pjellore?

Mulaku:  Komuna e Vushtrrisë karshi investimeve emergjente të kryera nuk ka arritur që në masën që do të dëshironte  ta ndihmonte sektorin e bujqësisë. Investimet emergjente gjithsesi kanë ndikuar që edhe kjo sferë të zhvillohet. Bujqit e vyer vushtrrias të mbështetur edhe nga institucionet tona mbjellin rreth 4100 hektarë me grurë dhe në vit prodhojnë 17220 tonë grurë. Mbjellin 3000 hektarë me misër, ku prodhojnë 13500 tonë misër. Mbjellin rreth 1300 hektarë me patate, nga ku prodhojnë 39 mijë tonë patate. Bujqit vushtrrias, të ndihmuar edhe nga komuna kanë arritur që të kenë mbi 20 ari sipërfaqe të mbjellura në sera. Blegtorët vushtrrias me ndihmën e donatorëve por edhe të institucioneve kanë arritur ta rrisin fondin e bagëtive, kryesisht gjedheve të racës qumështore. Në Vushtrri konsiderohet që këta blegtorë të kenë rreth 11 mijë gjedhe të kësaj race dhe të prodhohet sasi e madhe e qumështit. Përfundimi i fazës së investimeve të domosdoshme në komunën tonë po hap një kapitull të ri të zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe krijim të kushteve që me mbështetje financiare direkte ajo të forcohet dhe zhvillohet edhe më shumë. Vushtrria ka potencialin për të arritur këtë synim, ngaqë ka sipërfaqen e tokës, por edhe ekzistencën e sistemit të ujitjes përmes kanalit të Ibër-Lepencit.

RKL: Sa ia ka dalë mbanë komuna juaj që t’i dalë në ndihmë kategorive të dala nga lufta?

Mulaku:
Qeveria komunale që unë drejtoj ka raporte shumë funksionale me shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së por dhe shoqatat tjera. Ato fushëveprimtarinë e tyre e kryejnë në objektet komunale, gjersa financohen për çdo vit për t’i përmbyllur punët e tyre. Kërkesat e këtyre shoqatave, por edhe aktivitetet tjera të tyre, komuna i realizon karshi mundësive buxhetore që ka dhe planifikimeve, të cilat bëhen në bashkëbisedime të vazhdueshme me krerët e këtyre shoqatave.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …