Gjon Bruçi

Gjon Bruçi: Antikomunizmi është jo vetëm fashizëm, por edhe antishqiptarizëm

Beteja shekullore midis komunizmit dhe kapitalizmit vërtet përfundoi në favor të këtij të fundit (një fitore si e Pirros). Por mos harro, Lufta vazhdon. Dhe kahu i luftës është në favor të komunizmit, sepse ai është aspiratë e popujve. Vetë situata shpërthyese sot në botë na e kumton këtë konkluzion. Sigurisht, unë dhe ti, së bashku me atë shokun që i drejtohesh në shkrimin tuaj, për efekt moshe mund të mos e arrijmë atë ditë. Por do ta arrijnë pasardhësit tanë. Ne, do të ikim në botën tjetër me mbresat e elementëve të parë të  komunizmit që i përjetuam, dikush duke e mbrojtur me devocion, e dikush duke i bërë hile e prapaskena.

Zoti Bedri Islami, nuk njihemi, por si lexues i DITËS, ju kam ndjekur dhe mendoj se jeni nga opinionistët dhe analistët më seriozë e më të ekuilibruar të shtypit. Megjithatë, për shkrimin “Jo gjithnjë antikomunizmi është demokraci, mund të jetë fashizëm” kam nja dy-tre zhgënjime, të cilat po i rëndis thjeshtë sipas pikave që shënova gjatë leximit të shkrimit në fjalë:

Citoj nga shkrimi juaj: “Së pari, askush nuk e mbron komunizmin si ide dhe praktikë. Kush e bën këtë, natyrisht është jashtë kohës!:

A nuk duket i stisur ky përcaktim?! Ju e dini shumë mirë së sot në Botë ka mbi 170 parti Komuniste, të cilat, në pushtet ose jo, militojnë për idealet dhe praktikat e socializmit e   të komunizmit. Këto parti kanë prapa me qindra mijëra e ndoshta miliona militantë e mbështetës. Po të llogarisim dhe Kinën ku Partia Komuniste është në pushtet, kjo shifër kalon miliardin. Atëhere si mund të thuhet se keta njerëz janë jashtë kohës?

Duke ju drejtuar shokut të gjimnazit ju shkruani: “Kur mbaruam gjimnazin, unë dhe ti shkuam në universitet; unë për të qenë mësues ose gazetar, ti si ushtarak; pra unë për të folur për dobinë e komunizmit, ti për ta mbrojtur. Asnjëri nga ne nuk e bëri këtë, sepse nuk mund të mbrohej një gjë që kalbej!”

Komunizmi, i nderuar Bedri kurrë nuk kalbet. Jemi në individët që na kalb presioni i borgjezisë dhe bëhemi bastard të komunizmit. Dhe të tillë ne patëm jo vetëm në radhët e mësuesve, gazetarëve dhe ushtarakëve, por dhe në radhët e udhëheqjes, gjer tek numri 2 i saj me emrin Ramiz Alia.

Citoj nga shkrimi juaj: “Bindja për komunizmin sot është ndryshe nga ajo kur komunizmi ishte në fillimet e tij në Shqipëri në mesin e viteve 40-të. Shefi i mëvonshëm i CIA-s, Alen Dalles, në kujtimet e tij do të shkruajë se në universitetet më të shquara angleze si në Kembrixh dhe në Oksford, në vitet 1930-1940, studentët më të shkëlqyer, nga familjet më të njohura, bëheshin anëtar Të Partisë Komuniste dhe kjo konsiderohej si nder i veçantë. Kur ndodhte kjo në Angli, merre me mend se çfarë vizioni apo koncepti mund të kishte në Shqipëri, kur më shumë se katër të pestat e banorëve nuk dinin as shkrim e as këndim, dhe kur siç thotë gazeta “Cirka”, Shkodër nëntor 1938, “populli nuk ka bukë me hangër, e kur them bukë, fjalën e kam për bukë kallamoqe (misri), se bukë gruni kanë veç zotnijtë!””

Me këtë ligjëratë të gjatë, ju zoti Bedri doni të na thoni se komunzimi është një fantazmë, e cila mashtroi edhe studentët dhe intelektualët me emër, e si të mos mashtronte analfabetët dhe barkthatët shqiptarë të viteve 1938 -1940. Dhe idenë e “fantazmës”, që  nuk e thoni por e lini të kuptohet, ju e keni marrë nga Manifesti Komunist, ku klasikët e mëdhënj të komunizmit, Marks e Engëls patën shkruar: “Fantazma e komunizmit endet nëpër Europë . . . etj. etj.”

Mirëpo, siç e dini, kjo “Fantazmë”, që tmerroi borgjezinë ndërkombëtare, në gjysmën e parë të shekullit të njëzet jo vetëm realizoi Revolucionin Proletar të Tetorit 1917, 100 vjetorin e të cilit kujtojmë këtë vit, por duke ndryshuar pothuaj ngjyrën e gjysmës së globit, e tundi atë në themele, duke e detyruar sistemin borgjez t’i “çonte” opingat tek këpuctari për t’ju vënë mballoma. Këto mballoma shtohen çdo ditë sa “këpucët” e kapitalit tashmë janë bërë shoshë dhe mezi e mbajnë pronarin mbi shpinë.

Beteja shekullore midis komunizmit dhe kapitalizmit vërtet përfundoi në favor të këtij të fundit (një fitore si e Pirros). Por mos harro, Lufta vazhdon. Dhe kahu i luftës është në favor të komunizmit, sepse ai është aspiratë e popujve. Vetë situata shpërthyese sot në botë na e kumton këtë konkluzion. Sigurisht, unë dhe ti, së bashku me atë shokun që i drejtohesh në shkrimin tuaj, për efekt moshe mund të mos e arrijmë atë ditë. Por do ta arrijnë pasardhësit tanë. Ne, do të ikim në botën tjetër me mbresat e elementëve të parë të  komunizmit që i përjetuam, dikush duke e mbrojtur me devocion, e dikush duke i bërë hile e prapaskena.

Citoj nga shkrimi juaj: “Nëse sot ka ende që e duan atë kohë (komunizmin-socializmin), përgjithësisht ish komunistë të zakonshëm, sepse elita e tyre u bënë demokratë ose i deleguan nipërit e mbesat tek formacionet demokratike, kjo ka të bëjë më shumë si nostalgji nga dërrmimi i sotëm!”

I nderuar Bedri, sikur të mos egzistonte ky dërrmimi i sotëm, sikur në vendin tonë dhe në botë të kishte drejtësi shoqërore, liri të vërtetë, mirëqenie  e progres, nuk do të ishte fare nevoja e komunizmit. Është pikërisht kjo situatë  e mashtrimit dhe e shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, është ky dërrmin e deformim i shoqërisë që i bën sistemi kapitalist, shkaku që komunistët e sotëm (shumë prej të cilëve nuk kanë qenë “ish-komunistë të djeshëm”), militojnë në rrugën e komunizmit. Dhe kjo nuk është nostalgji, por bindje në idealet e larta të komunizmit.

Andej nga fundi, pothuaj në mbyllje ju përsërisni titullin e shkrimit duke thënë: “Jo gjithnjë antikomunizmi është demokraci . . . mund të jetë edhe fashizëm!”

Pa u zgjatur në koment, unë po jua them me kompetencë të plotë: Antikomunizmi kurdoherë është fashizëm. Kjo është vertetuar disa herë gjatë shekullit të 19-të, e sidomos gjatë shekullit 20-të. Madje kjo po vertetohet edhe në ditët e sotme. Por ajo që unë dua të shtoj, për rastin e vendit tonë, antikomunizmi është jo vetëm fashizëm, por edhe antishqiptarizëm. Edhe këtë konkluzion ju s’keni nevojë ta vertetoni se po e përjetoni bashkë me mua prej 27 vjetësh.

Tani dy fjalë për një mossaktësi teknike në shkrimin tuaj të mësipërm. Citoj ju: “Kur është fjala për pushtet, demokratët e PD-së, ata thërrasin edhe ekstremin e Lëvizjes Komuniste, siç ndodhi në zgjedhjet bashkiake të Tiranës, ku PD, në sajë të votave të Partisë Komuniste të Hysni Milloshit. . . nxori shefin e tashëm të saj si kryebashkiak!”

Së pari: një saktësim për autorin dhe ata nuk kanë qenë komunistë: Lëvizja Komuniste nuk ka ekstreme. Ajo është thjeshtë “Lëvizje Komuniste” që ka në bazë mësimet e klasikëve të Komunizmit, Marks, Engëls, Lenin, Stalin, Enver dhe përvojën e revolucioneve proletare. Kush shmanget nga boshti i Lëvizjes Komuniste, ai ka emra të tjerë si revizionist, oportunist, renegat i Lëvizje Komuniste etj. Ekstremet majtas – djathtas janë prodhime të sistemit kapitalist e jo të komunizmit.

Së dyti:, dhe kjo është krejtësisht teknike, ju gaboni kur thoni se kandidati i PD u bë kryebashkiak i kryeqytetit me votat e Partisë Komuniste e të Hysni Milloshit. Kjo e pavërtetë mendoj se e ka bazën tek fakti se ju i nderuar, ose nuk shkoni kurrë të votoni, ose më e pakta nuk e keni lexuar asnjëherë Kodin Zgjedhor, me të cilin votojnë shqiptarët këtu e njëzet e shtatë vjet. Në zgjedhjet për Kryebashkiakun e Tiranës, konkuruan tre vetë: Edi Rama i PS-së, Lul Basha i PD-së dhe Hysni Milloshi i PKSH. Dy të parët, jo vetëm kishin anëtarët e tyre në komisione votimi, por edhe postet e kryetarit e të nënkryetarit. Ndërsa Hysni Milloshi, falë Kodit të Zi Zgjedhor, nuk kishte qoftë dhe një vëzhgues në fund të sallës ku numëroheshin e ndaheshin votat.  Atëhere, në rastin konkret, nëse vërtet votat e Hysni Milloshit e të PKSH shkuan tek Luli i PD, ju duhet të akuzoni Edi Ramën, ose ish ambasadorin amerikan Arvizu, që u ndodh në numërim, madje përveshi edhe mëngët për të qenë i “saktë:

I nderuar Bedri Islami, unë, siç e ceka dhe në krye, ju konsideroj një opinionist e analist serioz, të ekuilibruar dhe në përgjithësi të saktë. Me shkrimin që po bëjmë fjalë, ju me të drejtë doni të tregoni se kush janë sot naziskinët shqiptarë dhe se sa Don Kishotë janë ata në aventurat e tyre për ndalimin e simboleve komuniste. Për të qenë “i pranueshëm”, ju shkruani me delikatesë, duke pranuar njëfarë kompromisi midis të vërtetës dhe të pavërtetës.

Jam i bindur se problemet ju i dini si unë, e ndoshta duke qenë gazetar në profesion, edhe më mirë se unë. Por ashtu siç po veprojnë prej 27 vitesh socialistët, kupola e tyre, edhe ju përpiqeni të jeni i moderuar në shkrimet tuaja, qoftë dhe kur keni të bëni me naziskinë të gjallë, kopje e nazistëve të vjetër të viteve tridhjetë.

Kjo tolerancë e juaja në pëcaktime të sakta për probleme të tilla të mprehta, ashtu si dhe pozicioni me dy fytyra i kupolës socialiste, jo vetëm nuk i ndalon naziskinët e tipit Alibej, në aventurën e tyre donkishoteske, por u jep krahë të “flutrojnë” drejt kryqit të thyer të babait të tyre shpirtëror, Adolf Hitler. Naziskinët, siç e dini edhe ju, u futën në parlamentet e shteteve europianë, si në Gjermani, Francë e Greqi, pikërisht në kuadrin e “Luftës kundër komunizmit”. Ju kujtoj Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Europës të 23 janarit 2006, për të cilën Hysni Milloshi, kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë pati shkruar:  “Projekt-rezoluta antikomuniste e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës do të mbetet në kronikën e zezë të librit të zi të kapitalizmit një aventurë e radhës që, gjithsesi na kujton se fashizmi po troket në dyert e Europës, e se thirrja për vigjilencë e antifashistit çek Julius Fuçik mbetet aktuale!”

Nëse do të vijoni të luani rolin e plakut Doksboru (Hindenburg), atëhere Arturo Ui  (Berisha me kompani) do të rikthehet në pushtet, tashmë jo me siglën e PD-së, por me atë të Hitlerit apo të Duxes. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …