Ahmet Qeriqi është lindur më 24 dhjetor 1946, në Krojmir. Është i martuar dhe ka katër vajza, të martuara dhe dy djem, njëri i martuar, tjetri i fejuar. Deri tani është bërë gjashtë herë gjysh, ka katër nipa dhe dy mbesa. Shkollën fillore e ka mbaruar në Krojmir-Drenicë. Tetëvjeçaren dhe të mesmen, (në të njëjtën kohë edhe Medresenë), në Prishtinë. Në vitin e tretë të Medresesë dënohet me burg për kundërvajtje politike dhe përjashtohet përgjithmonë nga shkollat fetare. Ka mbaruar Fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në vitin 1973, ndërkohë ka kryer edhe studimet pasuniversitare. Disa herë ka qenë i dënuar për veprimtari anti-jugosllave. Për herë të parë në moshë të mitur, nëntor 1965, (dy muaj burg), herën e dytë në vitin 1975, (dy muaj). Herën e tretë është dënuar në vitin 1980, 18 muaj burg, ndërsa herën e fundit në vitin 1982, tetë vjet burg, për veprimtari nacionaliste dhe irredentiste. Ka qenë pjesëmarrës i ilegales patriotike dhe i luftës së UÇK-së. Gjatë luftës ka qenë drejtor i Radios-Kosova e Lirë, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.
Ku e keni kryer shkollën fillore dhe çfarë kujtimesh ke nga ajo shkollë?
Kam lindur në fshatin Krojmir të Drenicës jugore, ku edhe kam kryer shkollën fillore, katërvjeçare.
Para se të më regjistronin në shkollë dhe para se të mësoja shkronjat e gjuhës shqipe, nga Abetarja, ballina dhe përmbajtja e së cilës më është fiksuar në mendje dhe nuk e harroj kurrë, nga gjyshi kisha mësuar shkrim këndimin e gjuhës arabe. Një herë me ndihmën e tij, e herën e dytë vetë, kam lexuar Kur’anin në tërësi. Gjyshi, Emin Miftari, ka qenë një hoxhë i ndaluar për shkak të bindjeve të tij fetare e politike, si kundërshtarë i hapur i regjimit komunist jugosllav. Ka qenë disa herë i maltretuar dhe i dënuar me burg për bindjet e tij, për çka edhe iu kishte marrë e drejta e ushtrimit të profesionit të imamit.
Në mesin e kujtimeve nga shkolla fillore mbaj mend kur kam bërë një gafë, një lapsus, pa qëllim, por që ishte bërë objekt shakaje e humori në klasë. Pasi, mësuesi Isak Zabeli na kishte shpjeguar se çka quajmë hapësirë, në fund kishte pyetur se a e kishim kuptuar mësimin, unë kisha ngritur gishtin dhe kisha thënë: “Krejt çka shohim me sy na katër anët e horizontet quhet hapsane (burg në turqisht). Të gjithë kishin qeshur, ndërsa unë i skuqur nga befasia kisha përmirësuar fjalën, duke kërkuar falje. Por nuk kishte mbaruar me aq. Shokët më kishin ngjitur nofkën “hapsanja” e cila fatkeqësisht, u bë shoqëruesja ime në jetë.
Medrese, 1962
Përse filluat studimet fetare në Medrese dhe përse ju përjashtuan?
Në vitin shkollor 1959/1960 babai im, me preferencë të gjyshit më kishte regjistruar në Medresenë e Ulët “Alauddin” në Prishtinë. Aty përveç lëndëve fetare, islame, së bashku me shokët e gjeneratës vijonim edhe mësimet e rregullta të shkollës tetëvjeçare. Edhe pse të rinj në moshë, tërë brezat e medresistëve të asaj kohe kanë kryer mësimet në dy shkollë në të njëjtën kohë. Dëftesa e vitit të pestë kishte 23 lëndë, 10 lëndë fetare të tjerat shoqërore e shkencore. Për të realizuar një plan të tillë, mësimin e fillonim në orën 7.00 dhe e mbaronim në orën 14.00, duke vazhduar edhe në orët e pas ditës.
Në Medrese e kisha shumë lehtë në krahasim me shokët që sapo kishin filluar të mësonin shkrim këndimin e gjuhës arabe, meqë unë dija të shkruaja e të lexoja arabisht, pa asnjë vështirësi.
Diku në pranverë të vitit 1963, topi me të cilin po luanim me disa shokë në oborrin e Medresesë kishte rënë në oborrin e shtëpisë së Adem Demaçit, me të cilin na ndante një mur. Meqë isha i vogël me shtat, shokët më ngritën mbi mur dhe unë kërceva në oborr për ta marrë topin, pasi paraprakisht nuk e kisha parë “studentin” e cili po lexonte nën hijen e një pjeshke. Kur e pashë, shtanga nga frika e ndëshkimit. Po ai u ngrit, e gjeti topin dhe mu drejtua me fjalët: -“Herën tjetër mos kërce mbi mur, sepse mund ta thyesh këmbën apo dorën, por eja këndej rrotull. Ashtu t’ iu thuash edhe shokëve tuaj”, më tha duke me shikuar me dashamirësi. Sjellja e tij e urtë dhe shpëtimi nga një ndëshkim i mundshëm më lanë një përshtypje të jashtëzakonshme, nga “studenti” sikur e quanim ne në Medrese, Adem Demaçin. Takimin e parë të rastësishëm me te nuk e kam harruar kurrë.
Asokohe përmes një medresisti, që ishte më i moshuar se unë, Feti Mehdiu nga Zajasi i Maqedonisë, kisha kontaktuar me Sabri Novosellën, anëtar i LRBSH-së të cilën e udhëhiqte Adem Demaçi. Ishim tre katër shokë që vizitonim Sabriun. Ai haptas na fliste për gjendjen e rëndë të shqiptarëve, ndërkohë që edhe në prani tonë dëgjonte Radio-Tiranën dhe na komentonte ndonjë lajm. Vajtje ardhjet te Sabriu kamufloheshin me faktin se ai ishte rrobaqepës, dhe ne sa herë shkonim merrnim me vete edhe ndonjë rrobë, gjoja për ta qepur.
Asokohe në Medrese ekzistonte një grup i organizuar që po përgatitej për të shpërndarë flamuj kombëtarë dhe parulla me përmbajtje politike. Lëvizja kishte depërtuar sidomos te nxënësit e shkollës Normale por edhe në shkollat e tjera. Ne në Medrese kishim krijuar një grup, të cilit iu kishte bashkuar edhe djali i hallës sime nga Shtimja, Imer Hysiqi me një shokun e tij, nxënës të Shkollës Ekonomike të Prishtinës.
Në nëntor të vitit 1965, Imeri me shokun e tij Bajram Sadikun pa na lajmëruar, kalojnë kufirin, diku në Strugë dhe vendosen në Shqipëri. Një javë më vonë milicët e UDB-së futen në Medrese dhe më arrestojmë mua e gjashtë shokë të tjerë. Me procedurë të shpejtë, meqë ishim të mitur, mua, Riza Gjokën nga Mali i Zi dhe Shemadin Akitin nga Zajasi na dënojnë me nga dy muaj burg efektiv dhe gjashtë muaj me kusht. Katër të tjerët, pasi i kishin maltretuar i kishin lënë të lirë. Na akuzonim se kishin krijuar një grup ilegal, irredentist, në platformë të programit të Adem Demaçit dhe grupi kishte dërguar dy anëtarë në Shqipëri, për të lidhur kontakte me regjimin. Dënimi kishte mjaftuar që Drejtoria e Medresesë na kishte përjashtuar nga shkolla pa të drejtë regjistrimi në asnjë shkollë fetare të ish RSFJ-së.
Gjatë Gjykimit, 1983
Ju jeni dënuar 3 herë nga regjimi titist, përse ju kanë dënuar?
Herën e parë më kanë dënuar në nëntor të vitit 1965, e thashë më parë, derisa isha në vitin e tretë të shkollës së mesme, në Medresenë e Prishtinës. Gjykata komunale më dënoi dy muaj burg efektiv dhe gjashtë muaj me kusht, për veprimtari e cila kualifikohej si nacionaliste e irredentiste dhe që kishte qëllim bashkimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë. Dënimin e kam vuajtur në nëntor-dhjetor të vitit 1966. Herën e dytë jam dënuar në maj të vitit 1975, asokohe kam qenë profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Gjimnazin e Ferizajt. Dënimi kishte pasur për shkak se nuk e kisha ndaluar veturën në urdhrin e policisë, meqë në veturë kisha libra të ndaluara, që një ditë më parë me një mikun tim (M.B) i kisha marrë në ambasadën e Shqipërisë në Bullgari, përmes një vozitësi të kamionit nga Korça. Policët nuk më arritën dot meqë kisha një veturë më të shpejtë. Ndërkohë kam ndaluar te varrezat e fshatit Bllacë të Therandës, ish-Suharekë, librat i kam mbështjellë dhe i kam vendosu nën gurin e një varri. Më pas, gjatë kthimit për në Shtime, në orët e hershme të mëngjesit, më 4 maj 1975, policia e Therandës më ka ndaluar dhe më kanë arrestuar. Ata më kanë rrahur brutalisht, për shkak se nuk isha ndaluar nën urdhrin e policisë. Procedura ishte hapur për vepër penale, pengim në kryerjen e detyrës së personit zyrtar. Meqë asokohe në Gjykatën komunale punonte një shok i Medresese (R.A) ai lëndën e modifikoi si tentim pengim dhe më dënuan dy muaj burg, për kundërvajtje. Pas një kohe u ndërpre procedura e hetimeve.
Me rastin e një kontrollimi të befasishëm që më bëri në shtëpinë time, në Shtime, UDB-ja e Ferizajt në krye me inspektorin, Adem Ibrahimi (Goga), në orët e hershme të mëngjesit, në prill të vitit 1979 në kërkim të literaturës së ndaluar, ata më morën dy fletore me krijime në prozë e poezi. Të gjitha librat e ndaluar i mbaja fshehtë në tokë, në një arkë të fort druri. Për shkak të përmbajtjeve të atyre krijimeve, Gjykata Komunale e Ferizajt më dënoi gjashtë muaj burg, ndërkohë që pas ankesës së Prokurorit, Reshat Millaku, shkalla e Dytë e rritë dënimin në 18 muaj burg efektiv. Meqë kisha ushtruar ankesë, duke iu referuar faktit se dënimi ishte dyfishuar, Gjykata komunale në Ferizaj më kishte liruar deri të merrej vendimi përfundimtar. Asokohe punoja në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës. Vendimi i gjykatës ishte fuqizuar në mars të vitit 1981, në kohën e shpërthimit të protestave e demonstratave, në të cilat kam marrë pjesë aktive. Prej 3 prillit të vitit 1981 kam qenë në arrati deri më 10 maj të vitit 1982 kur më kanë arrestuar dhe më kanë dërguar në Burgun e Prishtinës. Më 15 shkurt 1983, jam dënuar me një grup prej 24 të pandehurve, ( të cilësuar si nacionalistë dhe irredentistë), i akuzuar për dy vepra penale të propagandës armiqësore, neni 133 dhe 134 të Kodit Penal Jugosllav, prokurorë, Reshat Millaku dhe Ruzhdi Kozmaqi, gjykatës hetues, Isak Nishevci, gjykatës të lëndës, Mentor Çoku dhe Verosllava Dimiq. Para trupit gjykues kam mbrojtur kërkesën për avancimin e kushtetutës së Kosovës nga Autonomia në Republikë, kërkesë e rinisë, punëtorisë dhe fshatarësisë shqiptare të asaj kohe. Shkalla e lartë e dënimit ishte bazuar në faktin se isha recidivist, përsëritës i veprave penale dhe nuk iu kisha përgjigjur ftesës për ekzekutim të dënimit paraprak. Dënimin e kam vuajtur në Burgun e Prishtinës, të Gjurakocit, ( tani Dubravë) pastaj katër vitet e fundit në Suboticë dhe në Novi Sad të Vojvodinës.
Apsolventet e Albanologjisë nga Prishtina, në Apoloni të Fierit me shkrimtarin, Jakov Xoxa, Qershor 1973
Si e njihje Shqipërinë e Enver Hoxhës, sa mundësi njohjeje kishit për atë sistem?
Për mua personalisht, besoj edhe për shumicën dërrmuese të dhjetëra mijëra shqiptarëve kryengritës, që kanë kaluar Kalvarin e rëndë të vuajtjeve, nëpër burgjet e kazamatet e Jugosllavisë, që kanë përballuar ndëshkime të rënda fizike, pastaj maltretimeve që kanë përjetua mbi kurriz nga regjimi jugosllav, Shqipëria ishte Mëma, ndërsa Enver Hoxha, prijësi, te i cili i kishin varur të gjitha shpresat. Nuk duhet harruar fakti historik se demonstratat gjithë popullore të marsit e prillit të vitit 1981 si dhe kërkesat programatike për një republikë të shqiptarëve në RSFJ, i kishte përkrahur vetëm Shqipëria zyrtare dhe asnjë shtet tjetër demokratik i botës, edhe pse kërkesat tona ishin sociale, kërkesa për barazi, zhvillim ekonomik, por me të drejtë ishin edhe kërkesa politike që bazoheshin mbi të drejtën e popujve për Vetëvendosje. Ky fakt nuk mohohet dot, pavarësisht sikur mundohet ta lakojë e ta shtrembërojë politika e ditës, në Tiranë apo në Prishtinë. Përkrahja për ne do të thoshte shumë, sepse në atë mënyrë nëpër burgje po kalitej ideali i lirisë, i cili kishte dy mbështetje, popullin që na përkrahte dhe Shqipërinë që na mbështeste, me aq sa kishte mundësi.
E kam njohur edhe nga afër Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe atë regjim. Në qershor të vitit 1973, në mesin e një grupi të absolventëve të Albanologjisë, të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në bazë të marrëveshjeve kulturore, Kosovë-Shqipëri, kemi vizatuar Shqipërinë nga 2 deri më 14 qershor. Mbase ne kemi vizituar Shqipërinë në një kohë kur ajo kishte krijuar një stabilitet ekonomik, dhe një zhvillim në ngritje, por unë e kam parë Shqipërinë me sy dhe zemër idealisti, ashtu sikur e kanë parë të gjithë shqiptarët liridashës të asaj kohe, ata që ishin orientuar nga Tirana dhe jo nga Beogradi, nga Enver Hoxha e jo nga Titua. Në atë kohë në Shqipëri kam vërejtur rregull, pastërti, mikpritje vëllazërore, begati, kulturë, art, ushqim të bollshëm dhe të shijshëm, shkolla, spitale, maternitete, fusha të gjera e të punuara, sera, ullinj, tokë të hapura, muze e Shtëpi kulture në çdo qytet, kështjella, hidrocentrale dhe gjigantë ekonomikë të asaj kohe. Nuk kam vërejtur të kemi pasur ndonjë përcjellje nga sigurimi, dhe kurrë nuk besoj se të tillë kanë qenë profesorët e nderuar si: Damjan Komata, Remzi Pernaska, Osman Kraja, Jakov Xoxa e të tjerë.
A e shikonit radiotelevizionin shqiptar, dhe si ju dukeshin emisionet e tij?
Radio-Tirana ka luajtur një rol të pakrahasueshëm në ngritjen dhe në frymëzimin e rinisë shqiptare në Kosovë. Ju e dini faktin se dëgjimi i Radio-Tiranës konsiderohej vepër kundërvajtëse politike dhe dënohej me së paku një muaj burg, kudo në Kosovë e më gjerë. Pikërisht ky ndalim e kishte bërë edhe më të gjithanshëm dhe më masiv dëgjimin. Asokohe, Radio-Tirana, krahas përmbajtjeve ideologjike, marksiste-leniniste, kishte edhe shumë emisione edukative, tema nga historia kombëtare, nga letërsia e kultura, nga shkenca, bujqësia, ekonomia etj. Pastaj me ëndje dëgjohej muzika patriotike, emisioni javor për heroizmin shqiptar në shekuj, radio-drama, teatri në mikrofon, fjala artistike në mikrofon. Radio-Tirana ishte universiteti popullor i shqiptarëve në trojet e pushtuara. Nuk ka pasur shtëpi shqiptare ku nuk është dëgjuar Radio-Tirana. Natyrisht që dëgjohej edhe Radio-Prishtina, e cila nga viti në vit rrëshqiste drejt temave dhe muzikës së Radio-Tiranës, Radio-Kukësit etj. Një rol në ngritje të inteligjencies së përgjithshme në Kosovë, në arsimimin dhe edukatën kombëtare ka ushtruar edhe TVSH-ja, e cila në vitet 70 mund të përcillej përmes disa antenave speciale, të cilat shqiptarët liridashës i sillnin nga Sllovenia, e mbase edhe nga vendet e perëndimit, derisa Jugosllavia në vitin 1981 mori vendim për pengimin e valëve të RTSH-së, në Kosovë e më gjerë.
Cili ishte mendimi juaj për Enver Hoxhën, a gëzonte ai respekt në Kosovë?
Qasja ime ndaj ish regjimit në Shqipëri është qasje idealiste, kombëtare dhe nuk është thjesht qasje e koniukturave të politikës ditore, apo afatgjate. Nga 100 vjet të Pavarësisë së Shqipërisë, 50 vjet të shtetit dhe të kombit shqiptar i takojnë regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe të gjithë shqiptarëve, që e ngritën e zhvilluan dhe ndërtuan atë regjim, e ndërtuan kombin, kulturën, diplomacinë dhe mbi të gjitha ruajtën aq sa mund të ruhej në një situatë të izolimit. Mendoj se shtetet fqinje e kanë izoluar Shqipërinë, ashtu sikur edhe e kishin copëtuar me bekimin e Evropës, dhe nuk ishte Shqipëria ajo që e izoloi vetveten, sikur spekulohet pa të drejtë. Në atë kohë Shqipëria nuk hapej dot me Jugosllavinë, që kishte pushtuar dy të tretat e tokave shqiptare, as me Greqinë, me të cilën ishte në gjendje luftë, as me Italinë nga e cila rekrutoheshin kundërshtarët e regjimit. Të mos harrojmë faktin se asokohe bota ishte e ndarë në dy blloqe dhe ishte larg rendit shoqëror demokratik që ekziston sot. Enver Hoxha me të drejtë mund të mos jetë respektuar në Shqipëri nga kundërshtarët politikë, madje edhe mund të jetë urryer. Ne në Kosovë nuk e kemi përjetuar mbi kurriz regjimin fizik, faktik të Enver Hoxhës, punën e detyruar, as burgun, por rrezatimin kulturor, arsimor e kombëtar të atij regjimi. Enver Hoxhën e kanë urryer UDB-ja, Beogradi dhe një pjesë e klasës politike të Kosovës, por jo të gjithë. Fadil Hoxha fliste kundër Enver Hoxhës por ndryshe shprehej te njerëzit e vetë të besuar. Për arsye se kishte pranuar pozitën e vasalit ai edhe fliste kundër Enever Hoxhës dhe madhëronte Titon, të cilin vështirë ta ketë respektuar më shumë se Enverin. Titistë të papërmirësueshëm në Kosovë kanë qenë; Sinan Hasani, Mehmet Maliqi, Xhavit Nimani, Ali Shukrija, Azem Vllasi e disa të tjerë. Shumica e komunistëve shqiptarë ishin oportunistë dhe madje në vitin 1981, filloi fushata kundër komunistëve oportunistë, nën maskën e diferencimit ideopolitik. Fushata e diferencimit preku të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nga viti në vit, regjimit të Beogradit i mbeti besnike vetëm një klasë e tjetërsuar dhe e izoluar nga populli. Ajo klasë nuk u tregua e gatshme ta ruajë autonominë as ta përparojë atë, por si klase tipike vasale ajo gradualisht iu nënshtrua regjimit jugosllav, madje pranoi edhe ndërrimet kushtetuese me të cilat kufizohej autonomia.
Ku keni qenë kur u vra Mehmet Shehu, dhe cili ka qenë reagimi i shtypit vendas. U quajt vetëvrasje?
Në kohën kur është vetëvrarë Mehmet Shehu kam qenë në arrati. E kam përjetuar rëndë fundin tragjik të një njeriu, i cili ka lënë emër të pashlyeshëm në historinë 40-vjeçare të Shqipërisë. Ishte luftëtari internacionalist i Spanjës, Komandanti i Brigadës së Parë Sulmuese të LANÇ-së, mbrojtësi besnik i Shtabit të Përgjithshëm, Komandanti që e çliroi Tiranën nga nazi-fashistët brenda afatit, që iu kishte zotuar forcave aleate anglo-amerikane. Vetëvrasja e tij për mua nuk është enigmë. Enveri dhe Mehmeti kishin ndërtuar një regjim fiktiv revolucionar me autoritet të skajshëm, me një fanatizëm të skajshëm, anakronik. Në një regjim të tillë, gabimi sado i vogël kushtonte me kokë, ashtu sikur u kushtoi kudo në botë komunistëve të parakohshëm. Mehmeti nuk ishte një burrë që do të pranonte të arrestohej, të dënohej apo të pushkatohej. Ai ishte vetë pjesa e kupolës së regjimit, andaj edhe veproi ashtu si veproi. Vetëvrasja e tij e goditi rëndë Enver Hoxhën dhe ai, që nga ajo ditë humbi toruan dhe bëri gabim pas gabimi. Duke diskredituar Mehmetin, ai diskreditonte vetveten, kupolën, regjimin dhe doemos se krejt kjo çonte drejt shkatërrimit. Enveri dhe Mehmeti kishin krijuar regjimin e fuqishëm autoritar dhe regjimet e tilla zakonisht përfundojnë me tragjedi e fatkeqësi.
Si e keni pritur vdekjen e Enver Hoxhës, po në Jugosllavi çfarë impakti pati?
Në kohën kur ka vdekur Enver Hoxha, më 11 prill 1985 kam qenë në Burgun e Suboticës. Në shenj respekti pse jo edhe dhembje, unë dhe Agim Leci, (një i ri nga Kosova i dënuar 12 vjet burg për pjesëmarrje në revoltën e armatosur, në Besi, afër Prishtinës, më 2 prill të vitit 1981), nuk e morëm bukën. Ndërkohë me ne u solidarizua edhe i burgosur serb nga Vareshi i Bosnjës, Sllavko Miletiq, i cili kishte simpati të veçantë për Enverin meqë babanë e kishte pasur atashe ushtarak në Tiranë, më vonë i dënuar me vdekje si informbyroist nga regjimi i Titos. Sllavko, ndodhej në burg për plaçkitje, por ishte një djalë shumë inteligjent, i donte dhe i përkrahte shqiptarët. Në pyetjen e gardianit të burgut, për se ai nuk e pranonte ushqimin, ai ishte përgjigjur shkurt. “Mbaj zi për Enver Hoxhën”, kolosin e kohës sonë, mikun e babait tim, që ma ka mbytur regjimi. Gardiani u zemërua dhe e goditi me grusht. Miletiqit, që kishte qenë boksier i kategorisë velter, goditjet nuk i bënë fare përshtypje, po nuk e përmbajti zemërimin duke i thënë se po ta godite edhe 100 herë ai do ta përballonte, sepse e respektonte Enver Hoxhën. Rrahja në sy tonë e serbit Miletiq, me të cilin ndanim bashkë jetën e rëndë në burg, më goditi rëndë dhe më mbeti në kujtesë si një shembull i veçantë i një serbi të ri, që nuk e kishte harruar babanë e vrarë mizorisht dhe nuk e fshehte simpatinë për regjimin e Enver Hoxhës. Mbaj mend edhe një fjalë që ma ka thënë serbi Miletiq, në kohën kur atë e transferuan në një burg tjetër, në Kroaci. Kur po ndaheshim më përqafoi fortë dhe më tha: Dëgjo profo, nëse arrij të jetoj si njeri, do të vij dhe do të gjej në Kosovë, nëse mbetem plaçkitës e hakmarrës, nuk do të më shohësh kurrë. Mbase ky detal dikujt mund të mos i bëjë përshtypje, por unë nuk e kam harruar kurrë.
Jugosllavia, në kohën kur vdiq Enver Hoxha, kishte kriza të brendshme, politike, etnike, sociale, ekonomike, kriza të cilat po thelloheshin dhe nuk kishte shprehur ndonjë shpresë se me vdekjen e Enverit do të ndërronte diçka në Shqipëri. Çuditërisht shtypi nuk i dha fare rëndësi dhe as spekuloi lidhur me trashëgiminë e regjimit. Shqipëria konsiderohej shtet armik i Jugosllavisë ndërsa akuzohej se ishte përzier dhe po përzihej në punët e brendshme, sidomos në Kosovë.
Përmbysja e sistemit monist si u prit në Kosovë, po në Jugosllavi?
Kosova nuk e priti mirë rënien e regjimit në Shqipëri, jo sepse kishte nostalgji për një regjim të tillë, por shkatërrimi i Shqipërisë, dobësimi i saj dëmtonte në masë aspiratat tona për çlirim nga okupimi jugosllav, aq më tepër kur të gjitha shpresat i kishim varur te shteti Amë. Një Shqipëri e katandisur nuk e ndihmonte dot Kosovën, as trojet e tjera shqiptare, sikur nuk i ndihmon sa duhet as tani. Në kohën e regjimit paksa më të reformuar të Ramiz Alisë, liridashësit dhe liribërësit e Kosovës kishin besim te regjimi dhe në disa kazerma të ushtrisë shqiptare ishin stërvitur luftëtarët e parë të UÇK-së, madje edhe vetë komandanti, Adem Jashari, me dijen dhe interesimin e vetë kryetarit dhe disa ushtarakëve të lartë. Mirëpo, dobësimi ekonomik i Shqipërisë, shkatërrimet që ndodhen, kollapsi ekonomik që po përjetonte shteti, doemos se i konvenoi shumë sidomos regjimit të Milosheviqit, i cili edhe e shfrytëzoi regjimin e varfër e të katandisur të Berishës për ta thyer embargon e naftës, që bota përparimtare ia kishte vënë makinerisë së krimit të Beogradit. Rënia e regjimit në Shqipëri, katandisja e vendit, plaçkitjet e rrënimet, depërtimi i turmave nëpër kazerma pati edhe anën tjetër të medaljes, që nuk i shkoi për shtati regjimit kriminal të Milosheviqit. Shumë nga armët u nxorën nga depot e kazermave dhe ata i morën luftëtarët e lirisë së Kosovës. Pa armatimin që kemi marrë në Shqipëri kurrë nuk do të ishte bërë luftë çlirimtare në Kosovë. Kjo është ndoshta e “mira” e rënies së regjimit në vitin 1991 dhe në 1997.
II
Pyetjet për pjesën e dytë e intervistës…
-Kur keni filluar të shkruani dhe si është pritur krijimtaria juaj?
Kam filluar të shkruaj shumë herët, por kam botuar relativisht vonë, për shkak të përmbajtjes së temave, të cilat i kam trajtuar në shkrimet e mia. Gjatë kohës së studimeve, kohë pas kohe kam mbledhur lëndë folklorike dhe kam bashkëpunuar me revistën letrare, “Jeta e re”. Duke qenë se regjimi kishte aplikuar censurë mbi baza ideologjike, konsideroja se shkrimet e mia nuk mund të botoheshin, andaj edhe nuk i kam dërguar për botim. Shkrimet e para datojnë nga shkolla e mesme. Profesorët e gjuhës i merrnin si shembull hartimet e mia shkollore. Më kujtohet profesori i letërsisë, Halil Vllahiu. Njëherë kisha marrë guximin dhe i kishte dhënë për ta lexuar një tregim, i cili quhej “Varri i Sutës” ku flitej për një vajzë të braktisur, e vetmja që kishte shpëtuar nga familja me rastin e bombardimit të shtëpisë nga forcat partizane në Luftën e Drenicës, në dimër të vitit 1945. Ajo kishte jetuar te dajallarët dhe kishte vdekur tri ditë para se të bëhej nuse”. Profesori e kishte lexuar tregimin në klasë dhe pas mbarimit të mësimit më kishte ndaluar. Më kishte vështruar me habi. Ma kishte kthyer tregimin duke më bërë me dije se tregimi i tillë jo vetëm që nuk do të botohej, por mund të bëhej shkas edhe për burg. “Tregime të tilla mos i dërgo për botim se mund të përfundosh keq”, më kishte porositur. Disa muaj më vonë, në pranverë të vitit 1964, kthinën përdhese të ndërtuar me qerpiçë dhe shpatëza druri, në të cilën banoja me shokun tim, Eshref Islami, gjatë një vërshimi e kishte marrë uji, meqë ndodhej buzë lumit, Vellusha, në Prishtinë. Uji kishte përfshirë të gjitha, në atë mes edhe fletoren time të tregimeve.
Në vitin 1979, gjatë një kontrollimi të befasishëm të inspektorëve të UDB-së, në shtëpinë time, në Shtime, inspektori i UDB-së, Adem Goga, më kishte marrë dy fletore me krijime artistike. Ata kërkonin libra të ndaluar, por ato i mbaja fshehtas dhe ato nuk i zbuluan kurrë. Pasi i kishte lexuar, duke hetuar përmbajtjen sociale por edhe revolucionare, fletoret me shënime i kishte marrë me vete dhe ia kishte dërguar prokurorit komunal në Ferizaj, i cili kishte kërkuar hapjen e procedurës për vepër penale, sipas nenit 133 të KPJ-së. Sado që skicat dhe tregimet ishin shkruar me një gjuhë lakonike, gjykatësi hetues kishte zbuluar se tregimet ishin të orientuara kundër bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë dhe kundër regjimit të fuqi. Fillimisht më kishin dënuar 6 muaj burg, ndërkohë që Shkalla e Dytë, me kërkesë të prokurorit, Reshat Millaku, dënimin e plotfuqishëm e kishte rritur në 18 muaj burg.
Shkrime të ndryshme publicistike, letrare, madje edhe përkthime kam botuar në gazetën “Rilindja” më vonë “Bujku”, pastaj në ndonjë gazetë javore, mujore apo periodike etj.
Pas luftës së UÇK-së dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia kam botuar disa vepra letrare e publicistike, të cilat janë mirëpritur nga kritika letrare. Në vitin 2000 kam botuar, “Meditime në arrati”, disa vite më vonë romanin, “Burgu” pastaj gjatë viteve në vijim kam botuar: “Në gjurmim të lashtësisë”, “ Fenomene shqiptare”, Luftëtarë të NDSH-së, “Krojmiri”, (monografi) “Koha e jeniçerëve”, “Gjurmime dhe studime”. Në vitin 2012 nga gjuha hungareze kam përkthyer dhe kam botuar librin, “Trëndafili i bardhë”, roman i shkrimtarit të njohur hungarez, Jokai Mor. Kam disa vepra në dorëshkrim të cilat pres të dalin në dritë…
-Keni qenë pjesë e ilegales patriotike, çfarë ishte ky organizim dhe si vepronte. Cili ishte roli juaj?
Ilegalja patriotike në Kosovë nuk e ka ndërprerë asnjëherë aktivitetin, madje as pas luftës së Dytë Botërore, meqë Kosova dhe treva të tjera shqiptare kishin mbetur nën pushtimin e RSFJ-së. Rruga ime drejt ilegales ishte krejt e natyrshme, meqë i përkas një familjeje të përndjekur politikisht. Gjyshi im, mulla Emin Miftari, ka qenë disa herë i dënuar me burg për shkak të kundërshtimit dhe mospranimit të regjimit komunist jugosllav. Gjyshi tjetër, babai i nënës, Kadri Beba, nga Ribari i Madh, është dënuar si armik i pushtetit popullor jugosllav dhe në vitin 1948 është pushkatuar. Më vonë është vrarë, gjatë përpjekjeve për të çarë rrethimin edhe vëllai i tij, Salihu së bashku me djalin, Rexhepin. Më herët kam shpjeguar se sa herë kam qenë i dënuar, kështu që tani po kufizohem vetëm në aktivitetin tim prej vitit 1979 deri në vitin 1982.
Në vitin 1978, së bashku me Zenun Gjocin, Sheqir Zenelin, Imer Halilin nga Prekazi, Muhamet Ademin dhe Beqë Dervenin nga Shkupi kemi vepruar në platformë të programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke shpërndarë literaturë të ndaluar dhe duke propaganduar idenë e bashkimit të tokave shqiptare me Shqipërinë. Kemi shpërndarë edhe parulla dhe trakte me përmbajtje kombëtare, në Shkup, Prishtinë, Ferizaj e gjetkë.
Gjatë punës sime, profesor në Gjimnazin e Ferizajt, në Akademinë Pedagogjike dhe në Shkollën e mesme teknike në Prishtinë kam bashkëpunuar edhe me disa nxënës, të cilët edhe ashtu ishin të organizuar dhe vepronin ilegalisht. Në vitin 1981, kam marrë pjesë aktive në demonstratat e 1 dhe 2 prillit, që u zhvilluan në Prishtinë së bashku me shumë nxënës dhe kolegë të punës. Më 2 prill, në qendër të Prishtinës, forcat e Milicisë Speciale të Jugosllavisë, kanë vrarë dy nxënës të vitit të katërt të shkollës teknike, të cilëve iu kisha dhënë mësim dhe me të cilat kisha lidhje të veprimtarisë ilegale. Ata ishin: Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Lidhje ilegale në drejtim të propagandimit të idesë për krijimin e Republikës së Kosovës kam mbajtur edhe me Fatmir Graiçevcin, Lutfi Maqedonin, Naim Mahmudin, Ilaz Zhitinë e nxënës të tjerë, të gjithë të dënuar nga regjimi jugosllav prej 3 deri në 12 vjet burg. Më 3 prill 1981, meqë në Prishtinë dhe në tërë Kosovën regjimi jugosllav kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, kam ikur ilegalisht nga qyteti dhe jam vendosur në fshatin tim të lindjes, në Krojmir të Drenicës, ku kam jetuar në arrati deri më 11 maj të vitit 1982.
Gjatë kohës së arratisë dhe të ilegalitetit të thellë kam mbajtur kontakte me disa nga veprimtarët e lëvizjes ilegale, me qëllim të krijimit të kushteve për rezistencë të armatosur. Gjatë tërë kohës kam qenë i armatosur me një pushkë franceze dhe një revolver të tipit “Shtayer”. Një kohë kam depërtuar ilegalisht në Preshevë, te një shok imi i studimeve e prej andej në Shkup, ku ishte edhe grupi, i cili falë konspiracionit të thellë dhe qëndrimit të paepur gjatë hetimeve, nuk ishte zbuluar. Gjatë 14 muajve të arratisë forcat policore më kanë gjurmuar hap pas hapi, por nuk kanë arritur të më kapim, meqë zakonisht kam qëndruar nëpër male dhe ua kam humbur gjurmët. Asokohe kam mbajtur kontakte me babanë tim, Aliun, pastaj me vëllezërit, të cilët jetonin në Shtime, Osmani, Jusufi, Hasani, pastaj me xhaxhanë, Mehdiun i cili jetonte në Krojmir, me Imer Halilin nga Prekazi, më vonë i dënuar politik, meZenun Gjocin, i cili po ashtu më vonë ka qenë i dënuar politik si dhe Muhamet Ademin, Fatmir Graiçevcin e disa të tjerë.
Ideja ime dhe e disa bashkëmendimtarëve të mi për krijimin e bërthamës së armatosur nuk u tregua e mundshme, në kushte dhe rrethana të represionit, shtimit enorm të numrit të policisë në Kosovë, ndjekjeve të përditshme, arrestimit të mijëra pjesëmarrësve dhe organizatorëve të demonstratave, por edhe në mungesë elementare të armatimit.
Në Lëvizjen ilegale, e cila i ka paraprirë krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam qenë i kyçur qysh nga dalja nga burgu, në vitin 1988. Asokohe, edhe pse kam punuar punë fizike në ndërtimtari dhe zdrukthëtari për të siguruar familjen, kam rivendosur kontaktet me shokët e ilegales, shumica dërrmuese e të cilëve kishin kaluar vite të tëra nëpër burgje. Kam mbajtur kontakte me qëllim të zgjerimit të veprimtarisë ilegale me Sheqir Zenelin, Azem Sylën, Shaban Shalën, Kadrie Gashin, Jetë Hasanin, Sylë Qeriqin, Elez Durmishin dhe me shumë veprimtarë e luftëtarë të tjerë të luftës së UÇK-së.
-Kur filloi organizimi i UCK-së, dhe çfarë roli kishit ju në të?
Organizmit të UÇK-së i ka parapritë Lëvizja Popullore e Kosovës, e cila doli nga kreu i Lëvizjes ilegale, sidomos pas vitit 1981. Të gjitha grupet ilegale në Kosovë, të cilat kanë vepruar në drejtim të organizmit të Lëvizjes aktive të rezistencës kanë vepruar në platformë të programit kombëtar shqiptar, për çlirim dhe bashkim të trojeve të pushtuara me Shqipërinë. LPK-ja, në kushte dhe rrethana të represionit serb, në kushte kur ishte abroguar edhe autonomia e Kosovës, mbeti e vetmja lëvizje-ilegale dhe legale, e vetmja forcë e organizuar politike, e vetmja forcë opozitare, e cila nuk e pranonte pushtimin dhe as mundësinë e bashkëjetesës dhe bashkëqeverisjes së shqiptarëve në Jugosllavi, apo në Serbi.
LPK-ja, pavarësisht përplasjeve të brendshme, pavarësisht refleksioneve ideologjike të grupeve të caktuara, pavarësisht përpjekjeve të pareshtura të shërbimeve serbe e jugosllave për të depërtuar në kreun e saj dhe për ta shpartalluar, çuditërisht i mbijetoi të gjitha sfidat. Ajo është forca e vetme meritore, e cila edhe organizoi luftën e armatosur në Kosovë, por edhe luftën në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni. Pa organizimin e LPK-së në vitet 80 e 90 të shekullit të kaluar, e cila me veprime dhe aksione ndër më të ndryshmet e mbajti gjallë idenë dhe porositë e vitit 1981, pa rezistencën heroike të Adem Jasharit dhe të Jasharëve në Prekaz, pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pa intervenimin ushtarak të NATO-s mendoj se nuk do ta kishim këtë realitet që kemi sot. Unë për vetëm time i shoh të ndërlidhur këta faktorë kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare, faktorë determinantë të historisë sonë më të re. Ishin pjesëtarët e LPK-së, të cilët themeluan edhe fondin “Vendlindja Thërret”, që ishte edhe logjistika e parë, por jo e vetmja e luftës sonë për liri dhe pavarësi
– Cilat beteja do të veçosh nga lufta e UÇK-së?
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë një luftë heroike, luftë e idealistëve të kombit, luftë e vullnetarëve shqiptarë nga të gjitha trojet tona, luftë të cilën e përkrahu bota përparimtare, në finalen e së cilës rolin vendimtar e pati NATO-ja dhe forcat politike e diplomatike pro shqiptare të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.
Janë të shumta betejat e UÇK-së, por do të bëj përpjekje t’ i radhis disa nga më të rëndësishmet, sidomos ato të fillimit të luftës.
UÇK-ja aktivitetin e vet e ka nisur si forcë guerile, që identifikohet me aksionet e komandantit, Adem Jashari, i cili qysh në vitin 1991 kishte krijuar bërthamën e kundërvënies së armatosur, në Drenicë, pastaj me guerilin e njohur të Prishtinës e Llapit, Zahir Pajaziti, me vëllezërit Haradinaj në Gllogjan dhe kështu me radhë nga zona në zonë.
Beteja e parë e fuqishme e UÇK-së, përballë forcave të motorizuara serbe është zhvilluar më 26 nëntor të vitit 1997, në rrugën: Skënderaj-Klinë, në fshatin Ludoviq, tash Rezallë e Re. Atë ditë forcat e motorizuara serbe janë goditur nga luftëtarët e Adem Jasharit dhe janë tërhequr prapa me dëme të konsiderueshme në teknike lufte. Beteja është zhvilluar dy ditë para daljes publike të UÇK-së. Atë ditë në betejë ka marrë pjesë vetë Legjendari, Adem Jashari dhe shumë nga luftëtarët e bërthamës së parë të UÇK-së.
Beteja në Likoshan e Qirez, më 27 shkurt 1998.
Beteja më 5.6. 7 mars 1998 te Jasharët, me ç rast ranë 56 anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, në mesin e tyre edhe komandanti i UÇK-së, Adem Jashari.
Më 24 mars 1998 është zhvilluar Beteja në Gllogjan të Deçanit në kullën e vëllezërve Haradinaj: Luan, Ramush, Shkëlzen, Daut e Enver Haradinaj.
Beteja në Gjergjicë maj 1998, ndërsa Zënia e Grykës së Llapushnikut më 9 maj 1998.
Beteja në Mardh të Madh, 29 qershor 1998 ku ka marrë pjesë komandanti, Fehmi Lladrovci.
Zënia e Grykës në Caralevë më 14 qershor 1998.
Beteja e njohur dy-mujore maj qershor e Smolicës, në rrethin e Gjakovës,
Beteja e Gabrricës në Kaçanik më 11 gusht 1998.
Beteja në Grykën e Llapushnikut më 24 dhe 25 korrik 1998, ku forcat serbe për herë të parë kishin vënë në veprim më shumë se 120 tanke, topa të kalibrave të mëdhenj, disa raketahedhës dhe mjete të tjera të motorizuara. Beteja e Junikut më 10 gusht 1998.
Beteja më 22 shtator në Drenicën Qendrore, të cilën e udhëhoqi komandanti, Fehmi Lladrovci, Beteja e Jezercit 22-23 shtator 1998. Beteja e Vërrinit në verë të vitit 1998.
Beteja e Bajrakut, në Lluzhnicë në krye me Ismet Jasharin Komandant Kumanova, më 24 dhe 25 gusht 1998. Beteja e verës në Shalë të Bajgorës. Beteja e Qyshkut të Pejës. Betejat e Rugovës, Beteja e Dollcit në Klinë, Beteja e Budakovës, e Semetishtit, e Malishevës, Beteja e Llapit te Tabet e Llapashticës në dhjetor të vitit 1998.
Beteja e Mujë Krasniqit të Gorozhup të Pashtrikut, më 14 dhjetor 1998, me ç rast ranë 41 dëshmorë të UÇK-së. Beteja e Pustenikut në zonën e Kaçanikut në maj të vitit 1999. Beteja e Zhegocit në zonën e Karadakut, Beteja e Marecit e 16-18 prillit të vitit 1999 ku ranë më shumë se 30 dëshmorë. Beteja te shkëmbi i Gradinës, në Berishë, më 18 prill 1999. Beteja në Qafë Hajlë të Rugovës në prill të vitit 1999, Beteja e Abrisë, Likocit, Rrezallës, Prekazit, Polacit, Gradicës, Melenicës, Artakollit, Aqarevës, Kopiliqit, Gradicës, e shumë të tjera.
Gjatë luftës së UÇK-së është i njohur edhe aksioni ushtarak i SHP të UÇK-së, “Shigjeta” në Pashtrik, aksion i përqendruar ushtarak, me qëllim për të krijuar një korridor të armatimit për në zonat e luftës në Kosovë dhe beteja e Kosharës e cila ka zgjatur në muajt: prill maj qershor 1999. Një aksion tejet i rëndësishëm i luftës është kryer nga njësitë e Komandantit, Besim Mala dhe Shtabit të Brigadave, Ismet Jashari, Fehmi Llardovci, Mujë Krasniqi, në natën mes 21 dhe 22 majit të vitit 1999, me rastin e rrëmbimit të armatimit dhe minave tokësor në Kazermën e ushtrisë Jugosllave afër Magurës, kur u morën mbi 800 mina antitank, me të cilat u vulos edhe fati i luftës në Drenicën jugore. Gjatë dy viteve të luftës në Kosovës janë zhvilluar edhe beteja të tjera në shtatë zonat operative të luftës.
Duhet të shënohet me këtë rast se Serbia, gjatë luftës së viteve 1998/1999, kishte sjellë në Kosovë dy të tretat e kontingjentit ushtarak e policor. Vetëm në brezin kufitar me Shqipërinë kishte dislokuar mbi 50 mijë forca. Gjatë luftës në Kosovë armata serbe ka angazhuar qindra tanke, qindra armë të rënda të artilerisë, më shumë se 150 mijë ushtarë e policë dhe si shumë hordhi paramilitarësh, grupesh e bandash të armatosura.
Në betejat e UÇK-së kanë rënë rreth 2000 dëshmorë, janë plagosur me mijëra syresh, ndërsa serbët kanë vrarë e kanë masakruar më shumë se 12 mijë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Ende nuk dihet fati i rreth 1800 të tjerëve, për të cilët me të drejtë dyshohet se regjimi ua ka humbur të gjitha gjurmët.
-Si staf i Radios-Kosova e Lirë si i keni përcjellë luftimet e UCK-së?
Radio-Kosova e Lirë ka filluar transmetimin më 4 janar të vitit 1999. Transmetimi i programit është bërë nga malet e fshatit Berishë, në Rrafshnaltën e Drenicës, zonë e cila qysh prej fillimit të luftës ishte nën kontroll të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte rajoni që nuk është shkelur asnjëherë gjatë kohës së Luftës së UËK-së. Radio është themeluar më 13 nëntor të vitit 1998 me vendim të SHP të UÇK-së. Stafin e Radios e përbënin: Përgjegjës, Ahmet Qeriqi, Redaktor i informimit, Nezir Myrtaj, Reporter në terren, Martin Çuni, folës dhe zgjedhës i muzikës, Nusret Pllana, gazetarët dhe korrespondentët në terren: Habib Zogaj, Sheqir Zeneli, Fetnete Ramosaj, Murat Musliu, Muharrem Mahmutaj, Ruzhdi Jashari, Sabit Gashi, Nuhi Paçarizi e të tjerë. Teknikë dhe operatorë zëri: Valdet Hoti, Fatmir Dugolli, Razah Berisha.
Radio dhe Zonat Operative të luftës kanë qenë të pajisura me telefon satelitorë. Informatat në Radio janë dërguar nga gazetarët përgjegjës të zonave, të cilët kanë përgatitur raporte nga terreni dhe të njëjtin e kanë transmetuar në Radio përmes telefonit. Një pjesë të informatave i kemi marrë edhe nga komandantët e zonave, apo të operatives, me rastin e luftimeve. Për zhvillimet diplomatike kemi shfrytëzuar të dhënat nga TVSH, BBS, DW, CNN dhe agjenci të ndryshme botërore. Përveç edicionit të lajmeve, ku mesatarisht kemi transmetuar 20 deri në 35 informata ditore, kemi transmetuar edhe intervista, komente lidhur me zhvillimet diplomatike e politike, biseda me ushtarë dhe eprorë, biseda në vijën e luftimeve, reportazhe të luftës për jetën e banorëve të zhvendosur nëpër gryka malesh dhe njoftime të ndryshme për popullatën.
Në raste të caktuara gazetarët dhe reporterët: Martin Çuni, Gazmend Elshani, Nusret Pllana kanë bërë incizime edhe me kamerë, në disa raste edhe gjatë luftimeve. Ata kanë bërë fotografime të shumta në shumicën e zonave të luftimeve.
Pas intensifikimit të bombardimeve të NATO-s kur nga Kosova ishin larguar të gjithë gazetarët, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress kishin mbetur të vetmen burime të informimit në Kosovë. Asokohe Dojçe Vele, Zëri i Amerikës e medie të tjera, u bënin me dije dëgjuesve se lajmet nga Kosova mbështeteshin ekskluzivisht nga mediet e UÇK-së. (RKL në vitin 2009 ka botuar në tri vëllime tërë arkivin e kohës së luftës).
-A ju kanë sulmuar ndonjëherë trupat serbe në selinë e radios?
Qysh prej fillimit të transmetimit të programit e deri në mbarimin e luftës, Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress kanë qenë në shënjestër të përhershme të goditjeve nga distanca, por edhe cak i goditjeve nga dy aeroplanë bombardues. Më 27 mars 1999, në orën 8 të mëngjesit dy aeroplanë ushtarakë jugosllavë, kanë goditur lagjen me tetë arka bomba të tipit kasetë, ku ne strehoheshim, me ç rast është martirizuar një i ri 16-vjeçar, ndërsa kanë marrë plagë edhe tetë të tjerë. Po atë ditë, në orën 12.00 mediet serbe kishin dhënë lajmin për shkatërrimin e bazës transmetuese të Radios Kosova e Lirë, ndërsa ne kemi transmetuar programin në orën 16.00, në orën e caktuar kur ka filluar transmetimi gjatë tërë kohës së luftës. Asokohe, krimineli serbe Sheshel dhe disa komandantë të armatës jugosllave kishin deklaruar në medie se së shpejti do të pinin kafenë e mëngjesit në Berishë, ku do të ndërtonin edhe një stadium futbolli.
Me qëllim për të mbijetuar në kushte dhe rrethana të sulmit të pandërprerë, në fillim të prillit të vitit 1999 kemi ndërtuar një bunker të fortifikuar mirë, në një maje mali dhe nga bunkeri kemi transmetuar programin ditor, (deri në 1 orë e 30 minuta në ditë), gjatë tre muajve të fundit të luftës. Vendi afër Bunkerit është goditur sa e sa herë nga arma armike, por nuk është shkatërruar. Më 8 qershor 1999, dy ditë para përfundimit të luftës, forcat serbe kanë goditur bazën e strehimit të stafit, në vendin e quajtur “Rrezja e Baliqit”. Ata kanë goditur me 16 raketa tokë-tokë, të cilat kanë shpërthyer në një rreze: 50 deri 100 metra në afërsi të bunkerit. Në momentin kritik të fillimit të goditjeve jemi futur në bunker dhe kemi shpëtuar të gjithë. Gjatë dhe pas luftës kemi tubuar shumicën dërrmuese të pjesëve dhe skeleteve të raketave, me qëllim për t’i ruajtur në Muze, por ato i kanë marrë ushtarët e KFOR-it në muajin e parë pas mbarimit të luftës, mbase me qëllim për t’i zhdukur edhe gjurmët fizike të luftës.
-Kur ka qenë dita më e vështirë e luftës?
Dita më e vështirë për mua, për Radion dhe stafin gjatë luftës ka qenë 27 marsi i vitit 1999, dita e bombardimit të vendqëndrimit nga aeroplanët serbë. Ishim para dilemës, si t’ ia bëjmë. Meqë serbët kishin informuar për shkatërrimin e Radios, ne si kundërpërgjigje, doemos se do të emetonin programin ditor, në kohën e caktuar, duke ndërruar paraprakisht vend-emetimin. Ishte me rrezik fakti që ata ta identifikonin lehtë vend-transmetimin dhe të na godasin me raketë teledirigjuese. Pavarësisht rreziqeve kemi përgatitur emisionin e lajmeve, duke i shkruar informatat me laps në një fletore, nga ku duhej t i lexonte drejtpërdrejt spikeri, meqë teknika e incizimit paraprak nuk funksiononte. Në fillim të edicionit të lajmeve kemi njoftuar opinionin se programi është reduktuar për shkaqe dhe rrethana të luftimeve të pandërprera, në zonën ku po transmetonim, ndërkohë që kemi dhënë edhe lajmin e bombardimit të selisë dhe pësimeve të popullatës civile. I kemi bërë me dije dëgjuesve se ne nuk do të ndalojmë programin e Radios dhe do të vazhdojmë transmetimin nga zonat, që i mbante nën kontroll UÇK-ja. Gjatë tërë asaj dite tërë stafi i Radios dhe i Agjencisë kemi qëndruar në një pyll me lisa të mëdhenj, te varrezat e fshatit, gjithnjë në shënjestër të breshërive të pandërprera të granatave. Vazhdimisht kemi ndërruar vendqëndrimin dhe në kushte e rrethana të tilla kemi përgatitur informatat e ditës. Pas bombardimit të selisë nga aeroplanët e armikut, në fshatrat përreth ishte përhapur lajmi i goditjes së Radios. Për të parë dhe për t u bindur se ç’kishte ndodhur kishin rrugëtuar këmbë, për pesë orë rresht nga Krojmiri deri në Berishë, bija ime Arbana dhe djali Epiri me një bashkëluftëtar të tij. Ata u gëzuan pa masë kur na panë të gjithëve shëndosh. Pas transmetimit të programit, me disa anëtarë të stafit kemi vajtur për ngushëllime te familja e Mehmet Berishës, meqë iu kishte vrarë nipi, Elbasan Berisha, vëlla i vetëm i katër motrave dhe ishin plagosur tetë anëtarë të familjes, në mesin e tyre edhe prindërit e Elbasanit…
Askush nuk e dinte se çka do të na sillte mëngjesi, edhe pse fortifikatat e luftës së UÇK-së në Rrafshnaltë qëndruan të patundura deri në mbarim të luftës. Në mbrojtje të zërit të lirisë kanë rënë 14 dëshmorë, tre prej tyre anëtarë të stafit.
-Cili ka qenë roli i SHBA në këtë luftë dhe cilin nga përfaqësuesit e NATO ke intervistuar?
Roli Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e Kosovës ka qenë vendimtar për çlirimin e vendit, por në këtë mes nuk duhet harruar faktin se ishte pikërisht Britania e Madhe, aleatja historike e Amerikës, ajo e cila e mbështeti fuqishëm intervenimin dhe nuk e ndryshoi qëndrimin për asnjë çast. Madje në disa raste, Anglia shkonte më tej, duke kërkuar nga kreu i Aleancës edhe intervenimin nga toka, meqë regjimi i Milosheviqit nuk po dorëzohej, duke pritur kot ndihmë apo mbrojtje nga Rusia.
Në Kosovë është krijuar bindja se Amerika e ka çliruar Kosovën. Është e vërtetë se Amerika ka bërë më shumë se çdo shtet, por pa Anglinë, Amerika nuk do ta kishte finalizuar as edhe procesin e parapërgatitjes së intervenimit, as do të kishte intervenuar. Po ashtu, tani 14 vjet pas luftës nuk ka pse fshihet fakti se pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të NATO-s ka qenë kundër intervenimit dhe mendoj se pikërisht për këtë shkak shtetet e BE-së edhe aktualisht, 14 vjet pas luftës po e përkëdhelin Serbinë. Ne që i kemi përcjellë bombardimet në terren, në zonat e luftës, kemi vërejtur se sulme nga ajri mbi caqet serbe kanë kryer vetëm aeroplanët e Amerikës dhe të Anglisë, aeroplanët tjerë vëzhgonin terrenin për 10-20 minuta dhe raketat i zbraznin në male të caktuar si: në Golesh, në një mal mbi Prishtinë, në malet e Shqipërisë apo në Detin Adriatik. Mbase edhe rastësisht, por aeroplanët e Francës kanë goditur disa herë bazat tona, jo vetëm në kufi, por edhe në zonat e luftimeve. Aeroplanët e vendeve të tjera anëtare kanë improvizuar, të paktën në Kosovë, meqë nuk e di cili shtet evropian ka goditur në territorin e Serbisë.
Stafi i Radios-Kosova e Lirë nuk ka realizuar intervista me përfaqësuesit e NATO-s. Intervista të tilla ka realizuar stafi i Kosovapressit në Zvicër. Intervistat gjatë kohës së luftës i kanë realizuar: redaktori i informimit dhe analisti, Nezir Myrtaj, pastaj gazetari i luftës, Martin Çuni, gazetari i Kosovapresit, Ismet Sopi e të tjerë. Ne kemi intervistuar anëtarët e Shtabit, komandantët e zonave, luftëtarët e lirisë në front, pjesëtarë të popullatës civile e cila ishte e zhvendosur dhe jetonte nëpër male, nën rrethim dhe goditje të vazhdueshme nga artileria armike. Në Zonën prej Llapushnikut deri në Caralevë gjatë kohës së luftës kamë mbijetuar rreth 100.000 banorë të zhvendosur.
-A është realizuar sot ideali i UCK-së?
Ideali i UÇK-së është realizuar pjesërisht. Betimi i luftëtarëve të lirisë është bërë mbi platformën kombëtare të bashkimit të trojeve shqiptare dhe kjo nuk po ndodh, në radhët të parë sepse këtë nuk e duan politikanët e vendit, në Prishtinë, Tiranë dhe në Shkup. Megjithatë, lufta e UÇK-së, e ndihmuar nga NATO-ja dhe nga diplomacia përparimtare botërore, ka bërë kthesë të madhe në drejtim të demokratizimit të raporteve mes popujve, në rajonin e Ballkanit. Fatkeqësia qëndron në faktin se pjesa më e madhe e luftëtarëve të lirisë ka mbetur pa asnjë përkujdesje institucionale. Po ashtu është tejet shqetësues fakti se disa qarqe zyrtare, evropiane, po bëjnë përpjekje për të barazuar krimet, duke i paraqitur luftëtarët e UÇK-së si terroristë dhe duke i barazuar me kriminelët e Milosheviqit. Tendencat e tilla mbase kanë për qëllim të ofrojnë mundësi për pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve, por këto qarqe harrojnë se shqiptarët dhe serbët kanë 13 shekuj armiqësi, e cila nuk kalohet dot me një e dy decenie. Mendoj se kushtet për pajtim të vërtetë të shqiptarëve me serbë do të krijohen vetëm atëherë kur shqiptarët të krijojnë shtetin e tyre të përbashkët kombëtar, ashtu sikur e ka krijuar Serbia, Greqia, Bullgaria e shtetet e tjera.
-Radio-Kosova e Lirë çfarë përfaqëson në vetvete?
Radio-Kosova e lirë është medium i pavarur elektronik që ka dalë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga betimi i dëshmorëve të kombit dhe që vazhdon të jetë zëdhënëse e aspiratave për bashkim kombëtar. RKL-ja përfaqëson zërin e ndërgjegjësuar të shqiptarit liridashës, i cili kurrë dhe asnjëherë nuk do të pajtohet, që shqiptarët përjetësisht të jetojnë të ndarë në gjashtë shtete. Pikërisht për këtë, konsideroj se koncepti kombëtar i programit, është një domosdoshmëri, e cila viteve të fundit, në segmente të caktuara është e pranishme edhe në shumë mediume, jo vetëm elektronike. Radio-Kosova e lirë transmeton emisione informative, të kulturës, historisë, shkencës, artit, fesë, muzikës, emisione ditore për dëshmorët e UÇK-së, për dëshmorët e kombit, për personalitetet kombëtare, përgjithësisht emisione arsimore dhe emisione të kulturës kombëtare. Me këtë koncept programor RKL-ja është një medium i veçantë, meqë është prodhim i një kohe dhe i rrethanave të veçanta të historisë sonë më të re.
Dua ta pranoj me sinqeritet se insistimi në këtë rrugë ka qenë i vështirë, sidomos në vitet e para të pasluftës, kur mediet kontrolloheshin nga misionet e huaja, të cilat nuk e honepsnin përmbajtjen e programit tonë, aq më tepër kur e dinin se jemi të prejardhur nga lufta e UÇK-së. Radio-Kosova e Lirë, edhe pse gjatë kohës së luftës ishte zëri i vetëm çlirimtar në Kosovë, pas luftës jo vetëm u la në harresë nga kreu i luftës, por edhe është injoruar dhe vazhdon të injorohet nga një segment i saj, për shkak të zërit tonë realist dhe kritik.
Pavarësisht nga të gjitha, falë përkushtimit të stafit dhe dëgjuesve të shumtë, që na përkrahin dhe të cilët me endje e dëgjojnë këtë program, kemi arritur të mbahemi dhe të çajmë përpara, ndoshta si mohikanë të fundit të një ideje, që ne nuk e shohim të jetë në perëndim, por në një rilindje së cilës i besojmë, duke u mbështetur në idenë e natyrshme, të patjetërsueshme dhe të pa konsumuar të bashkimit kombëtar.
Në emër timin dhe të stafit të Radios-Kosova e Lirë ju falënderoj për interesimin që keni treguar lidhur me realizimin e kësaj interviste të gjatë, me përshtypje e të dhëna jo sa duhet të njohura për opinionin.