Sot ora e parë e “Kursit të gjuhës gjermane” në kazermën “Adem Jashari ” në Prishtinë ka filluar me një atmosferë krejtësisht ndryshe nga ajo e ditëve tjera, duke shënuar kështu “Ditën e Bashkimit të Gjermanisë”. Për të shënuar këtë ditë, si shenjë nderimi dhe respekt ndaj shtetit gjerman, përveç pjesëtarëve të kursit dhe mësueses së gjuhës gjermane, nuk munguan as eprorët e lartë të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës ( MFSK ) dhe të Komandës së Forcave Tokësore, ka bërë të ditur kjo ministri.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore(KFT), gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, gjatë fjalës së tij me theks të veçantë nënvizoi përkrahjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë:
“Jemi një ndër shtetet që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm më Ushtrinë e shtetit gjerman, andaj me këtë rast dua që të uroj shtetin gjerman për ditën e tyre më të rëndësishme dhe njëherësh t’i falënderoj për përkrahjen e tyre të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së “.
Ndër të tjera, gjeneral Hazrolli falënderoi zyrtarët të cilët kanë hapur Laboratorin e gjuhëve të huaja dhe kanë mundësuar realizimin e këtij kursi mjaft të rëndësishëm për pjesëtarët e FSK-së dhe FSK-në në përgjithësi. Ai po ashtu nga kursantët e FSK-së kërkoi angazhim maksimal në mesmin jo vetëm të gjuhës gjermane por edhe të gjithë historisë së shtetit gjerman.
Hapja e laboratorit për mësimin e gjuhës gjermane, për pjesëtarët e FSK-së, është bërë në fillim të muajit shtator dhe kjo është gjenerata e parë që e ndjekë këtë kurs.