leoni

Argjend Lloga: Në shtatë albume, këngët kryesore ia kam dedikuar patriotizmit

Argjend Lloga: Në shtatë albume, këngët kryesore ia kam dedikuar patriotizmit

(Intervisë e Albert Z. Zholit me këngëtarin, Argjend Lloga)

Takimi me të ishte mbresëlënës. Edhe pse ka vite i larguar në Amerikë, dashurinë për Tiranën dhe Strugën i ruan në të njëjtat nivele. Këngëtari i i njohur, Argjend Lloga, sa herë që vjen në tokën amtare, patjetër do të bëjë ndonjë këngë të re. Tema e teksteve të këngëve të tij? Patjetër që do të jetë patriotizmi, i pranishëm në të shtatë albumet e tij. Teksa nga Amerika e largët ku jeton dhe punon, arrin të gjejë kohën dhe t’u falë admiruesve të tij shqiptarë, momente të bukura, në të gjitha festat kombëtare që kremtojnë…

Lindur në Strugë, vetëm pak kilometra larg kufijve shtetërorë të tokës mëmë, nuk kishit kurrë mundësi ta vizitonit themelin e tokës arbërore. Si e njihnit Shqipërinë, gjatë sistemit komunist dhe nëpërmjet kujt merrnit informacione? A vinin valët e RTSH-së deri në Strugë, apo kishit zhurmues?

Çdo shqiptar i ish-Jugosllavisë, e kishte dhe e ka në zemër Shqipërinë. Ne jemi shqiptarë dhe këtë e themi gojëplot. Zemra jonë ka rrahur gjithmonë për Shqipërinë. Çdo sukses i saj, na gëzonte pa masë. Bënim të pamundurën të shihnim RTSH-në, duke bërë dhe antena të veçanta. Të gjitha ishin me rrezik, nëse na shikonin, edhe mund të na dënonin.

Të flisje dhe të lavdëroje Enver Hoxhën, ishte me rrezik të madh. Ndaj flisnim mes shokësh për të. Mundoheshim të ndiqnim filmat dhe teatrot shqiptarë, të cilët na pëlqenin shumë. Aktorët dhe këngëtarët shqiptarë i njihnim fare mirë. Filmat e realizuar në atë kohë, ishin mjaft të bukur dhe prisnim me padurim t’i shihnim. I diskutonim mesh shokësh. Ajo që do të veçoj, janë festivalet e RTSH-së. Sidomos ne që ishim vetë këngëtarë, ato festivale na dukeshin të veçantë, të madhërishëm, magji! Të gjithë donim të vinim në Shqipëri, t’i shikonim.

Këngëtarët shqiptarë të atyre viteve, janë të papërsëritshëm. Mënyra e organizimit ishte e veçantë. Me një fjalë, çdo gjë shqiptare na dukej si e jona, na dukej më e mirë, më e realizuar. Shqipëria na dukej vend i sigurt, i zhvilluar.

Dhe ashtu ka mbetur, paçka se pamë një vend disi të mbrapa ekonomikisht, por me kulturë të zhvilluar. Kureshtarë ishim të dinim për ushtrinë shqiptare. Kur isha ushtar, dëgjoja me shumë vëmendje se ç’thuhej për ushtrinë shqiptare. Ushtrinë e kam bërë në Kroaci, kur ishte ish-Jugosllavia. Gjithmonë kam dashur të vishja rrobat e ushtrisë apo uniformën e ushtrisë shqiptare. Më dukej e veçantë. Oficerët na flisnin me rezerva për ushtrinë shqiptare, por dëgjonim që thoshin që ka armatim dhe fortifikim të madh.

Në kohën e komunizmit, e kemi ndjekur Shqipërinë nëpërmjet ekranit dhe për ne ka qenë ëndërr ta shkelim atë tokë, që nuk e kemi njohur nga afër. Tirana na dukej si përrallë dhe vendi i shqipeve i pamposhtur. Ne kemi vlerësuar gjithçka shqiptare, edhe gurët e Shqipërisë, me të mirat dhe të këqijat që ajo mund t’i ketë patur. Shqipërinë e kemi parë me syrin e dashurisë ndaj mëmëdheut, jo me problemet e saj. Për Enverin kishim simpati, e quanim udhëheqësin tonë, pasi dukej madhështor. Ne nuk dinim shumë gjëra, por donim tokën tonë. Filmat, dramat, festivalet, radiodramatizimet, na dukeshin magjike.

 

 

Kur dhe si filloi dashuria juaj me këngën. Kush ju ndihmoi në këtë art kaq të bukur? Si u ngjite në skenë dhe çfarë emocionesh ke patur?

Unë rrjedh nga një familje muzikëdashëse. E gjitha familja ime ishte e dashuruar me këngën, që nga babai, nëna, vëllai. Babai kishte qejf shumë çiftelinë dhe kur vinin mysafirë në shtëpinë tonë ai e merrte atë, nëna dajren, kurse unë me vëllanë fizarmonikën dhe gjithë nata na kalonte me këngë. Mbaj mend që kam filluar të këndoj në shtëpi, por dhe në ambiente miqësore që në moshën 7-vjeçare, ku bashkë me vëllanë, Florin, kemi luajtur në fizarmonikë duke ndihmuar njëri-tjetrin, por dhe me ndihmën e prindërve. Kështu filloi rruga ime nga familja për të ecur drejt skenës. E mbaj mend si sot kur jam ngjitur për herë të parë në skenë. Isha plot 20-vjeç kur jam angazhuar me Ansamblin “Drita” në Livadh- Strugë. Herën e parë kam kënduar një këngë kurbeti, pa e menduar se një ditë edhe unë do isha pjesë e këtij mërgimi. Këngët e mërgimit në atë kohë ishin në modë tek ne, pasi emigrimi ynë lejohej në kohën e Titos. Shumë bashkëfshatarë kishin marrë rrugët e mërgimit me kohë. Pas daljes së parë me këtë Ansambël kam marrë pjesë në disa festivale dhe koncerte si në Austri, Belgjikë, Hollandë, etj.

Ju keni marrë pjesë edhe në aktivitete dhe koncerte këngësh në Tiranë.  Cilin mund të veçosh prej tyre?

Pas ardhjes së parë, unë Tiranën e bëra qytetin tim bazë. Këtu shikoja të ardhmen time në muzikë. Pjesëmarrja ime e parë në koncerte përkon me  “Top fest 1”,  ku jam prezantuar me një baladë të orkestruar nga Genti Lako dhe për herë të parë, publiku ka reaguar direkt online dhe janë befasuar pse nuk kam qenë më herët në Shqipëri. Ishte një moment emocional. Nuk e prisja suksesin kaq shpejt. Duartrokitjet e publikut më dhanë shumë zemër dhe më shtuan dëshirën për të qenë pjesë e spektakleve të tilla. Në këtë spektakël u njoha dhe në Shqipëri, krijova shumë miqësi me këngëtarë dhe kompozitorë. Kështu, mora një drejtim tjetër në jetë. Pas kësaj eksperience të bukur, menjëherë kam realizuar hitin e parë “Loti i verbër”. Mund të them se për një vit ky klip ka patur suksesin që nuk e prisja kurrë. Publiku e mirëpriti në mënyrën më të mirë. Kisha një gëzim të madh brenda vetes. Pas këtij suksesi, unë Tiranën e bëra rezidencën time. Nuk më ikej prej saj. Fillova të punoj këtu dhe ta zgjeroj miqësinë. Në Tiranë kam punuar plot tetë vite. Por jo vetëm në Tiranë, por gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë ku isha pjesë në shumë koncerte dasma ambiente, familjare, pub-e, etj, etj. Kam kënduar nga muzika moderne, deri te populloret e të gjitha trevave të Shqipërisë. Pra, hapa më shumë horizont, krijova më shumë lidhje. Tirana më bëri me krahë, më njohu me shumë gjëra të muzikës. Hapësirat në kryeqytetin tonë ishin shumë të mëdha.

Mesa kam lexuar, në këtë kohë ju jeni njohur edhe me maestro Panajot Kanaçin. Çfarë mbani mend nga takimet me të?

Pikërisht, ardhja ime në “Top fest 1” më krijoi hapësira për shumë njohje me personalitete të artit. Njoha shumë muzikantë, kompozitorë, poetë, por edhe balerinë. Kështu e kam njohur dhe maestron në Tiranë. Pas njohjes, ai filloi të vinte shpesh në Strugë dhe të bashkëpunonte me disa grupe artistike. E kujtoj si sot sesi Panajot Kanaçi ka realizuar disa valle me ansamblin “Drita” së bashku me Rexhep Çelikun. Që të dy kanë qenë miq të familjes tonë. Ata sollën shumë risi në jetën artistike të Strugës. Ishin kudo të mirëpritur. Artistë të tillë janë të rrallë në Ballkan dhe më gjerë.

Albumet pasqyrojnë punën e çdo këngëtari. Sa albume ka realizuar Argjendi?

 

Keni të drejtë. Albumet pasqyrojnë përpjekjet e çdo këngëtari. Çdo album është një hap i ri, një kapitull i ri, një nxitje dhe një arritje e madhe në veprimtarinë krijuese. Deri më sot, unë kam realizuar shtatë albume dhe mendoj se të gjitha kanë qenë të mira e nuk mund ta veçoj ndonjërin.

 

Sigurisht, pa kompozitorë të mirë dhe kënga nuk del e mirë. Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë rrugëtim interesant?

Keni shumë të drejtë, sado këngëtar i mirë të jesh, pa një kompozitor të mirë nuk arrin rezultatin e duhur. Aktualisht, kam shumë miq kompozitorë, por edhe artistë të fushave të ndryshme në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Nuk janë një apo dy por disa. Përshembull, me kompozitorin Genti Lako kam realizuar tetë këngë, kurse miqtë e mi që unë kam bashkëpunuar në Shqipëri janë Genti Lako, Edmond Zhulali, Naim Gjoshi, Sopot Serica, Gramoz Kozeli, Gjergj Jorgaqi, Silvana Braçe, Soni Malaj, Sabiani, Tani super star, Bledi Bbf, Edmond Rrapi, Altin Nuro, Artur Bejzade, Bojken Lako, Greta Koçi, Adrian Hila, Cekja Beratit, etj. Bashkëpunimin po e zgjeroj më tej, pasi dhe numri i kompozitorëve dhe i poetëve të mirë është rritur.

Pse e le Tiranën dhe Strugën për Amerikën?

 

Atdheu mbetet atdhe, por dhe Amerika mbetet Amerikë. Në Amerikë mund të realizosh shumë ëndrra, që nuk i realizon në asnjë vend tjetër të botës. E theksoj se më mirë ndihem në vendlindje gjithmonë, por Amerika me sistemin, rregullat, civilizimin, kushtet, punësimin që ka, na ka krijuar kushte të tjera ekonomike dhe sociale. Shërbimet janë në maksimum, por edhe siguria. Pastaj kur je prind, mendon për fëmijët, të ardhmen e tyre. Ata të vënë para përgjegjësisë. Thjesht, vendlindja nuk na premton ndonjë perspektivë të ardhme për realizimin e ëndrrave të fëmijëve sot për sot.

Po në Amerikë, në dasma cilat këngë preferohen?

Të rinjtë duan rrymat e fundit, pasi janë lindur dhe rritur aty, por shumica  kërkojnë këngë patriotike dhe kurbeti më së shumti. Kur këndohen këngët e mërgimit, por sidomos ato patriotike, sallat gjëmojnë. Dëgjon edhe të qara mes këngës. Krijohet një atmosferë e paparashikuar. “Shqipëri, o nëna ime”, mbetet këngë lapidar.

Nga këngëtaret e reja që kanë ardhur në Amerikë, kë do veçosh?

Këngëtaren e talentuar, Valbona Peraj. E thjeshtë, plot nur dhe mirënjohje, ajo me zërin e saj specifik ka  bërë për vete emigrantët e Amerikës. Të punosh me të është kënaqësi. E kam mike dhe e respektoj për vlerat muzikore, por edhe si intelektuale.

PËRSHTYPJA

“Tirana m’u duk kryeqyteti më i bukur në botë”

“E kam pasur ëndërr të shoh Tiranën. E mbaj mend si sot  kur erdha për herë të parë këtu. Ka qenë vitit 1991, kur në Shqipëri sapo kishte trokitur demokracia. Nuk prita, gjeta mënyrën dhe erdha. Rrugët në atë kohë ishin shumë të këqija. Tirana në atë kohë dukej shumë larg nga Struga për vetë rrugët, makinat, etj. Rrugën e bëmë për 6 orë. Mezi prisja ta shikoja Tiranën. Të them të drejtën pashë një Tiranë të thjeshtë, me hapësira, pa shumë zhurmë. Qendra e saj më pëlqeu shumë, shumë. Ishte mrekulli. Por dhe Bulevardi kryesor. Pastaj pashë dhe ndërtesa të vjetra, por brenda kisha dëshirën e mirë që ta shihja pozitivisht dhe brenda meje Tirana dukej e bukur, e thjeshtë, e veshur me gjelbërim, pa gradaçela. Gjeta njerëz të mirë, të afrueshëm që të afronin ndihmë për çdo gjë. Thjesht gjeta atdheun tim, kryeqytetin tim ashtu si e doja, ashtu siç dëshiroja të ishte. Mbase nuk dukej bukur, por për mua ishte kryeqyteti më i bukur në botë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …