Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA”, si organizatë joqeveritare, e themeluar në vitin 2006 me qëllim të informimit dhe vetëdijesimit të grave për sëmundjen e kancerit të gjirit, bashkë me miqtë e shumtë, vite me radhë, me mënyra të ndryshme të organizimit, ka bërë përpjekje që të prezantojë gjendjen e vështirë në Kosovë dhe t’ia adresojë institucioneve përgjegjëse, duke pritur nga to përkrahje më të madhe. Në kuadër të Tetorit – Muaji Ndërkombëtar i Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, QKLKGJ “JETA/VITA, çdo vit organizon punëtori, ligjërata, takime me gra dhe një sërë aktivitetesh tjera nëpër komunat e Kosovës, ndërsa në Prishtinë, në fund të muajit organizohet manifestimi tradicional informativo – kulturor me moto: “ZBULIMI I HERSHËM – MBIJETESË.
Ky është viti i dytë i bashkëpunimit te ngushtë me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës (SHOK), me të cilën do të zhvillojmë workshope në këto komuna:
Në Viti, në datën 5 tetor;
Në Dragash më 10 tetor;
Në Kaçanik më 12 tetor;
Në Rahovec me 16 tetor;
Në Suharekë më 17 tetor;
Në Klinë më 18 tetor;
Në Vushtrri më 30 tetor, si dhe në disa mjedise të tjera.
Në këto punëtori interaktive, pjesëmarrëset do të kenë rast të dëgjojnë nga mjekët profesionistë se si bëhet diagnostikimi dhe trajtimi i kancerit te gjirit.
Ashtu si dhe një vit më parë, Ministria e Shëndetësisë, gjatë tërë muajit Tetor, do të krijojë mundësi shtesë (trajtim me prioritet) për ekzaminime dhe procedura tjera diagnostike rreth kancerit të gjirit në institucionet publike, duke mbështetur iniciativën e QKLKGJ JETA/VITA, për hulumtime me përparësi të grave në institucionet shëndetësore për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ju ftojmë të përcillni aktivitetet tona nëpër komuna dhe Manifestimin informativo- kulturor me moto: Zbulimi i hershëm – mbijetesë, pas të cilit fillon ECJA tradicionale, që sivjet mbahet për herë të nëntë, te shtunën, më 28 Tetor, nga ora 12, para Teatrit Kombëtar.
Në betejat e përditshme në të cilat solidarizoheni edhe ju si media e gazetarë, duke u përpjekur të japim të gjithë së bashku kontributin tonë në informimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë, Mediat janë gjithmonë partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë të ngushtë gjatë gjithë këtyre viteve dhe u jemi shume mirënjohëse, sepse i kane përcjellë mesazhet tona në mbarë Kosovën – për kujdes më të madh shëndetësor, për krijimin e kushteve për kontrolle dhe diagnostikim, në mënyrë që kanceri i gjirit të zbulohet sa më herët, kur trajtimi do të ishte më i suksesshëm dhe më i lehtë, mbijetesa më e gjatë, si dhe shpenzimet financiare, private e shoqërore më të pakta. Sa për humbjet fizike, emocionale e familjare, është e tepërt të flitet…
Së bashku jemi më të fuqishëm!
Ju faleminderit,
Nafije Latifi, Themeluese e QKLKGJ JETA/VITA,
tel. +37744145530, email; [email protected]
Dr. Arben A. Bislimi, kryetar i Shoqates se Onkologeve te Kosoves SHOK
Tel +37744132725. Email ; [email protected]