RKL: z. Kryetar, fillimisht ju falënderojmë për mundësinë për zhvillimin e kësaj interviste. A e keni pritur mandatin e tretë?
Bashota: Së pari desha të ju falënderoi juve që përmes dritares suaj informative të mediumit tuaj, ne t’i shpalosim të gjitha pikëpamjet dhe angazhimet tona që i kemi për komunën e Klinës. Fizionomia e Radios tuaj veç dihet dhe misionin e saj të paprekur dhe të pacenueshëm, gati për të cilën edhe është flijuar. Me punën dhe angazhimin tonë, qytetarët na kanë vlerësuar dhe për ditë e më shumë po vetëdijesohen si votues dhe nuk ju bëjnë përshtypje deklaratat publike apo politike, por ata po masin punën dhe angazhimet konkrete. Ka qenë e pritshme kjo fitore, ndoshta jo ky rezultat, por fitorja ka qenë gjithsesi e pritshme falë bashkëpunimit të mirë që kemi me qytetarët dhe e kemi vazhduar kontaktin me ta për të qenë në krye të angazhimeve dhe detyrave për ta.
RKL: Gjatë raundit të parë keni fituar 7976 vota apo 42.52%, që është më tepër sesa subjekti që i takoni për Asamblenë Komunale. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë?
Bashota: Kjo e ka shpjegimin e vet. Edhe në vitin 2009 kam qenë i votuar më shumë sesa subjekti, ndërsa zgjedhjet e fundit kanë qenë edhe dy iniciativa qytetare, të cilat më kanë mbështetur si kryetar komune, prandaj ekziston kjo diferencë. Për dallim nga iniciativat tjera të cilat krijohen kryesisht kundër pushtetit, këtu e kanë gjetur rrugën e duhur.
RKL: Kur flisni për iniciativat, a është fjala për njerëz të pakënaqur të subjekteve tjera apo të shoqërisë civile?
Bashota: Janë njerëz me kredibilitet njerëzor dhe intelektual, të cilët nuk janë trajtuar mirë në subjektet tjera politike dhe largimi i tyre i ka dëmtuar ato subjekte,ndërsa neve na ka fuqizuar. Këto iniciativa kanë fituar me nga dy këshilltarë në Asamblenë Komunale.
RKL: Kur jemi te Asambleja Komunale PDK ka 9 ulëse, LDK-ja dhe AAK-ja me nga 5 ulëse. A e pengon kjo zhvillimin normal të Asamblesë, kur dihet se ju jeni fitues i zgjedhjeve në Klinë?
Bashota: Për të pasur një raport të mirë karshi punës dhe angazhimit tim me interes të qytetarëve kam dashur të ketë stabilitet si në ekzekutiv ashtu edhe në legjislativ, dhe nuk jam koprrac në kuptimin e dhënies së posteve, të drejtorive etj. Përkundër faktit që kam pasur tashmë një kundërshtar tradicional, AAK-në e kemi marrë në bashkëqeverisje dhe tanimë e kemi siguruar shumicën absolute në Asamble dhe nuk ka ndonjë përplasje sepse fuqia votuese është, kështu qe fuqia e vendimeve që janë në interes të qytetarëve do të votohet.
RKL: Cilat janë planet dhe perspektiva e Komunës gjatë mandatit të ri katërvjeçar?
Bashota: Ne jo vetëm që i kemi identifikuar problemet për të cilat kanë nevojë qytetarët, por edhe jemi angazhuar në zgjidhjen e tyre. Ne vetëm do të vazhdojmë punën në zgjidhjen e këtyre problemeve, halleve, shqetësimet e qytetarëve të cilat janë mjaft të mëdha, por me mundësitë buxhetore që i ka komuna e Klinës. Ne nuk ndalemi vetëm me mundësitë tona. Ne ngarendim me kërkesat tona te donatorët e ndryshëm, sidomos te Qeveria e Kosovës sepse qeveria është ajo që ndihmon më së shumti komunat.
RKL: Pra si keni kaluar gjatë katër viteve të kaluara në raport me Qeverinë?
Bashota: Unë mendoj se Qeveria i ka ndarjet diametralisht të njëjta mbi bazë të numrit të banorëve, por varet prej Kryetarit të Komunës të dijë se çka kërkon dhe ku po dërgon paranë publike, konform kërkesave dhe nevojave të qytetarëve dhe realisht jam munduar t’i jap prioritet pikërisht atyre kërkesave dhe nevojave që drejtpërdrejtë prekin qytetarin. Është bërë shtrimi i rrugëve, katër shkolla të reja janë ndërtuar në komunën e Klinës, ndërsa veç kemi filluar planin për ndërtimin e tri shkollave të reja për këtë vit. Tanimë janë në përfundim e sipër procedurat e nevojshme dhe mendojmë që në prill të këtij viti të fillojnë punimet nëpër këto tri shkolla.
RKL: Cilat janë përmirësimet sa i përket rrjetit të rrugëve, ujësjellësit dhe ujërave të zeza?
Bashota: Tanimë Fabrika e Ujit është ndërtuar dhe pritet shumë shpejt që të lëshohet në përdorim të qytetarëve, pastaj do të krijohen edhe mundësitë optimale për ta shtrirë rrjetin në ato vendbanime që kanë nevojë më së shumti. Ne në fshatin Zajm i kemi filluar procedurat për t’u lidhur me Ujësjellësin sepse është ndër 54 fshatrat që ka më së shumti nevojë për ujë të pijes, dhe në këtë drejtim ne do të vazhdojmë edhe kanalizimin dhe trajtimin e ujërave të zeza nëpër shumë fshatra. Gjatë këtij mandati katër-vjeçar, ne do të mundohemi t’i zgjidhim problemet jetike të qytetarëve të komunës.
RKL: Cili vlerësoheni se është fusha kryesore e cila do të ndikonte në zhvillimin ekonomik të Komunës së Klinës?
Bashota: Komuna e Klinës kryesisht siguron të ardhurat e tyre nga biznesi i vogël dhe ai i mesëm, dhe kryesisht në sektorin e bujqësisë ku dihet se 95 % e sipërfaqes së Komunës së Klinës është tokë bujqësore. Përveç Qeverisë e cila bënë subvencionimin e fermerëve tanë, edhe ne si Komunë ndihmojmë duke u nisur që nga ndërtimi i pendave, të cilat u shërbejnë fermerëve tanë për ta bërë ujitjen e tokave të tyre e deri të subvencionimi qoftë në fidane qoftë ne sera të ndryshme dhe në bletari. Ne si komunë brenda mundësive që i kemi për çdo vit i kemi rritur subvencionimet në fushën e bujqësisë, dhe po ashtu edhe nga MBPZHR të gjithë ata që kanë prona dhe i punojnë ato po subvencionohen nga Qeveria. Po e vërej se një numër i madh i qytetarëve vijnë për të aplikuar për subvencione dhe janë të mjaft të kënaqur me këto subvencione që i jep Qeveria dhe po rritet dita ditës edhe numri i atyre që merren me bujqësi.
RKL: Si është duke funksionuar administrata komunale; a janë lehtësuar procedurat e dhënies së shërbimeve për qytetarë?
Bashota: Me objektin e ri është krijuar hapësirë dhe komoditet i mjaftueshëm për punë dhe se qytetarët nuk kanë pritje, sepse punëtorët komunal brenda mundësive optimale ju ofrojnë shërbime të shpejta kërkesave të qytetarëve. Mendoj se jemi ndër komunat më të mira sa i përket ofrimit të shërbimeve karshi qytetarëve.
RKL: Po cili është raporti me firmat ndërtimore?
Bashota: Me rregullimin ligjorë që e ka bëre Qeveria e Kosovës, na ndihmon shumë edhe neve që ato aplikime që i bëjnë firmat e ndryshme qoftë për hapjen e bizneseve të reja qoftë për format e tjera. Edhe për ndërtime të objekteve nuk ka pritje pasi qe jemi komunë e vogël dhe procedurat janë shumë të shkurtra.
RKL: Sa do të jetë buxheti për shpenzime kapitale për këtë vit?
Bashota: Afërsisht është rreth 2 milion euro, pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Ky buxhet varet nga dy të hyra nga ato vetanake dhe grandet qeveritare. Sa i përket të hyrave vetanake deri me tani ne i kemi inkasuar të gjitha, dhe për këtë vit kemi një rritje të tyre afërsisht diku për rreth 100 mijë euro, e cila kap shifrën diku rreth 850 mijë euro. Ndoshta mund të kemi pak më shumë vështirësi në grumbullimin e tyre por besoj se do t’ia dalim t’i grumbullojmë, pasi që të gjitha këto të hyra që vijnë nga mbi 40 taksa komunale sidomos ajo mbi tatimin në pronë realizohet shumë kënaqshëm.
RKL: A janë të kushtëzuara ato?
Bashota: Të gjithë ata që kanë biznese dhe dëshirojnë të ushtrojnë atë biznes, unë mendoj se duhet të krijohet një vetëdije qytetare për ta paguar taksen. Kjo taksë e tatimit në pronë nuk shkon për asnjë destinacion tjetër përveç në investime të drejtpërdrejta që do të thotë se i kthehet qytetarit në formë tjetër pra me investime.
RKL: Sa i përket zhvillimit të sportit, sa është këtë vit e gatshme komuna për t’i përkrahur ato?
Bashota: Po ecim mirë sa i përket futbollit. Tanimë kemi filluar nismat e krijimit të klubit të shahut, pinpongut, volejbollit për femra e meshkuj dhe basketbollit. Besoj se me pak angazhim do t’ia dalim mbanë; ne kemi ndarë një pjesë të konsiderueshme të mjeteve për këtë qëllim.
RKL: Cili është bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës dhe Sportit, pasi që kjo e fundit është mjaft aktive në drejtim të përkrahjes së sporteve. A keni marrë ndonjë subvencion nga kjo ministri për të avancuar infrastrukturën e sporteve?
Bashota: Jemi në përfundim e sipër të Palestrës Sportive, e cila është nisur qysh moti por për shkak të disa procedurave të pakuptimta është zvarritur. Janë ndarë mjetet që brenda këtij viti të përfundohet kjo Palestër, dhe e cila do të na krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e shumë disiplinave sportive. Nga kjo ministri subvencionohemi edhe për festivalin tradicional‘I këndojmë lirisë’ që i kushtohet Mujë Krasniqit. Ky do të organizohet edhe këtë vit.
RKL: Si kalon një ditë e juaja në punë?
Bashota: Të them të drejtën, ditën time e ndaj në dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë me investimet, ku angazhohem personalisht në Qeverinë e Kosovës në mënyrë që të marrim investime për komunën tonë, për shkak se jam i thirrur që të zbatoj sa më shumë projekte për qytetarët e komunës. Pjesën tjetër e kaloj duke mbikqyrë të gjitha projektet në komunën e Klinës, ku i vizitoj 3-4 herë gjatë punimeve në investimet kapitale. Ndërkohë edhe fluksi i qytetarëve që kanë probleme e duan të takohen me mua është i madh, prandaj një kohë e kaloj me ta, ku u jap përgjigje shqetësimeve e ankesave të tyre.
RKL: Cila do të ishte porosia juaj për qytetarët e komunës së Klinës?
Bashota: Qytetarëve të komunës së Klinës, u bëj thirrje publike që të menaxhojnë në mënyrën më të mirë të mundshme mbeturinat. Për shkak se hudhja e pavend e mbeturinave krijon imazh e pasqyrë të keqe për komunë, edhe përkundër përpjekjeve tona për të evituar këtë problem. I uroj secilit mirëqenie në familjet e tyre por edhe të jenë bashkëpunues e të japin ide për projekte të ndryshme në interes të qytetarëve. Zëri i tyre do të dëgjohet e do të jetë vullnet i realizimit të kërkesave të tyre nga komuna.
Intervistoi:
Jeton SYLA
20 mars 2014