Adem Demaçi: Dëshiroj të bëhet bashkë kreu i luftës

Në intervistën ekskluzive për Radion Kosova e Lirë, Simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi flet për situatën aktuale në Kosovë, zgjedhjet, skandalin e kishës ortodokse në Shqipëri dhe probleme të tjera me të cilat po ballafaqohemi…

RKL:Baca Adem, Kosova ndodhet në një fushatë intensive ku kryetarët e partive politike, gati të gjithë, pa dallim premtojnë madje edhe ato që kurrë nuk mund t’i realizojnë. A mendojnë ata me gjithë mend se iu beson populli, kuptohet pjesa e atyre që do të marrin pjesë në zgjedhje?

Demaçi: Po unë besoj se ata besojnë sepse ata kanë arritur shumë herë të mashtrojnë popullin. Nuk janë këto votimet e para, kështu që deri sa njeriut t’i shkojë kungulli mbi ujë, ai beson edhe pse vetëdija po rritet  dhe njerëzit po e fitojnë njëfarë përvoje që njerëzit të mos i besojnë të gjitha fjalëve . Këta që janë ne pushtet dhe ata që po pretendojnë të vijnë në pushtet e kanë sofistikuar mënyrën e vetë të premtimeve, të fushatës, mënyrën e vet të gënjeshtrave.  Kjo i bie sikur ai që i kishin thënë pse po mashtrohesh një herë, dy herë, tri herë, e ai i ishte përgjigjur: po m’i ndërrojnë e nuk janë të njëjtat. Populli nuk po arrin t’i mësoj të gjitha dallaveret  e tyre. Është edhe një pjesë e popullit që më shumë ka dëshirë të gënjehet sesa t’i thuhet e vërteta, andaj dhe vazhdon kështu kjo punë.

RKL: Fushata, pavarësisht një niveli real të polarizimeve, duket se do të kalojë e qetë. Nuk  do t’i pyesim se cila parti do të fitojë vota më shumë, por a besoni se në këtë situatë, në të cilën ndodhet vendi ynë do të gjendet një forcë politike, apo më vonë një koalicion qeveritar, i cili mund të bëjë një kthesë me rëndësi, për Kosovën dhe shqiptarët  përgjithësisht?

Demaçi: Unë jam i prirur të mendoj se do të fitojnë këto dy partitë të mëdha. Thaçi është duke e udhëhequr me shkathtësi te madhe fushatën, të tjerët nuk po i afrohen dot me mënyrën e të bërit fushatë. Isa Mustafa është  zbehur ashtu si edhe vetë LDK. Kjo parti, përgjithësisht, ato që po i thotë PDK, po i përpunon  dhe po i thotë me gjuhën dhe mënyrën e vet. Nuk besoj se do të ketë ndonjë kthesë të madhe dhe ashtu siç do të duhej dhe siç e presin qytetarët e mjerë dhe të shkretë. Ngado që të shkosh sheh papunësi të madhe, ka pllakosë varfëria, mjerimi e problemet e shumta. Isa Mustafa po përbehet se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në?  Edhe të tjerët po të vijnë në pushtet nuk do të mund të bëjnë diçka më shumë se kjo që po proklamohet dhe po thuhet. Dëshira ime është që të bëhen bashkë partitë e luftës dhe ta modifikonin politikën e tyre në interes të qytetarëve, në interes të popullit, dhe me të vërtetë  t’i shërbejnë popullit dhe jo vetëm të sundojnë. Besoj se aktori i jashtëm që ka rol vendimtar në këto rrjedha tona politike, do të duhej ta ndryshoj politikën ndaj Kosovës. A do të angazhohet Gjermania seriozisht për të ngritur ekonomikisht tërë hapësirën shqiptare ashtu siç kam pas lexuar unë para gjysmë viti, ku është përgatitur një projekt nga shtete që kryeqendër e kanë ESENIN. Sepse e vetmja është Gjermania në Evropë që është pa probleme dhe është e zonja për një rimëkëmbje ekonomike .

Në videon më poshtë mund ta shikoni intervistën e plot me Simbolin e Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi…

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …