Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari, gjatë ditës së sotme është takuar me ekspertë të fushës së arkitekturës dhe inxhinierisë të kësaj komune, me ç’rast iu ka ofruar mbështetje për idetë e tyre që do të shërbejnë për të mirën e komunës. Jashari tha se kandidatura e tij për kryetar të komunës ka qenë një kërkesë e shoqërisë, dhe se nuk i ka hyrë garës për interesa personale, por për të mirën e vendit, ndërsa u zotua se do të qeverisë me përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë gjatë mandatit të tij qeverisës në krye të komunës së Skenderajt.
“Bekimi ju garanton se nëse është kësmet me qenë kryetar pas 22 tetorit, do të jetë i përgjegjshëm dhe do të ketë llogaridhënie dhe transparencë. Kur e them transparencë, e them me vetëdije të plotë që pa marrë parasysh se çfarë projekti do të bëhen, të mëdha apo të vogla, kushdo qoftë ai, qytetar i thjeshtë, qoftë që dëshiron të ketë informatën se si është kryer, punë e madhe apo e vogël, do të ketë informatën”, tha ai.
Jashari tha se për çështje të zhvillimit urban, planifikimit dhe investimeve kapitale do të krijojë një komitet për planifikim dhe grup punues për investime kapitale.
“Në përputhje me ligjin, planifikoj që të krijoj një komitet ose grup për planifikim, i cili do të përbëhet vetëm nga ekspertë dhe do të japë rekomandime, të cilat do të mundohem t’i zbatoj në përpikëri, duke bashkëpunuar me ju gjatë zbatimit të tyre në praktikë. Po ashtu, do të krijoj edhe një grup punues për investime kapitale, të cilat qoftë të financuara nga komuna, qoftë nga institucionet qendrore apo edhe donacione të ndryshme përmes rekomandimeve tuaja, do të shkojnë në ato vende, ku ka më së shumti nevojë dhe ku do të kenë më shumë ndikim në zhvillimin e përgjithshëm të komunës, tha Jashari.
Në takim me ekspertët u diskutuan për disa tema siç janë planifikimi dhe zhvillimi urban i deritanishëm, me ç’rast arkitekti, njëherësh ish-drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Urban, Ylber Morina e njoftoi për së afërmi Bekim Jasharin për disa projekte në Skenderaj.