Në një intervistë për Kosovapress, kryeprifti i Kishës së Shën Marisë në Elbasan, At Nikollë Marku ka rikonfirmuar se praktikisht ne në krye të Kishës Ortodokse kemi një grek, i cili erdhi për ndihmë dhe siç dihet nga të gjithë, na është bërë kryezot i Kishës dhe i vendit tonë, sepse tek ai firmoset çdo gjë që lëviz në Shqipëri, dhe këtë e them me keqardhje. Ne kësaj teorie, dhe këtij aktualiteti që është real i përmbahemi dhe do t’i përmbahemi deri sa ai të largohet nga vendi ynë, dhe në krye të kishës shqiptare të vihet një peshkop shqiptar. Çdo kishë ortodokse në çdo shtet të botës ka një nen të veçantë në statuset e tyre që janë kushtetutat fetare të çdo komuniteti që thonë: kreu i Kishës Ortodokse dhe Këshilli i Lartë Fetar, të gjithë ata që punojnë brenda trupit të Kishës, pra administrata fetare duhet të jetë prej gjaku; prej gjuhe; prej kombësie dhe nënshtetësie shqiptare në Shqipëri, rumun në Rumani, grek në Greqi, atje pra, ku ligjëron fjala e Zotit, dhe ne e kemi një grek. Ne e thirrëm për ndihmë për disa vite por ai erdhi me detyra nga shteti grek që të realizoj ëndrrën e tij heleniste, të ndërtoj kisha e manastire të stilit grek, të një kulture helene; boton libra në gjuhën shqipe të përkthyera nga greqishtja ku melodia dhe misticizmi është plotësisht grek, literatura, muzika me nota greke, një muzikë greke në ambiente greke, e kështu në Shqipëri ne nuk e ndiejmë veten të qetë e të pastër shpirtërisht, sepse nuk kemi një Kishë të vërtetë Ortodokse Shqiptare por kemi një filial të Kishës Greke.
KosovaPress: Pra, ju po thoni që në rastin e Kryepeshkopit Janullatos janë bërë shkelje të statusit të Kishës? Por si është procedura kishtare për të emëruar dhe shkarkuar një kryepeshkop apo patriark siç quhen në gjuhën kishtare?
At Nikolla Marku: I kërkohet Presidentit të Republikës ta miratojë Kryepeshkopin apo Patriarkun, kur ai njeri që më parë brenda për brenda e zgjedh administrata e Kishës, dhe më pas i propozohet Presidentit ky njeri, por ama duke iu referuar nenit 16 që ka statuti jonë që thotë se duhet të jetë prej gjaku; gjuhe; kombësie; nënshtetësie shqiptare. Dhe pasi e zgjedh brenda legjislacionit kishtar teologjik, më pas i propozohet Presidentit, dhe Presidenti në lidhje me aktivitetin e tij individual në dobi të çështjes kombëtare e propozon ose e anulon, edhe kërkon një kandidat tjetër. Kështu është bijë e dashur çështja e zgjidhjes së Kryepeshkopit apo Patriarkut. Ne kemi edhe shqiptarë që janë përgatitur në gjuhën greqishte, por që janë veshur në Shqipëri me velatonin e priftit, dhe edhe pse i ka veshur Hirësia Janullatos, s’është ndonjë problem, ato janë shqiptarë, dhe ne i mirëpresim që ata të kthehen sa më parë në krye të Kishës Shqiptare, mbasi z.Janullatos nuk ia njohim autoritetin e tij si Kryepeshkop sepse ai nga një mik është kthyer në një pushtues dhe uzurpator i fronit Kryepeshkopal.
KosovPress: Ju akuzoni kryepeshkopin Janullatos se është një grek, që drejton Kishën Ortodokse shqiptare, por në fakt edhe për ju është shkruar në një raport të DASH-it (Departamentit Amerikan të Shtetit) të pak kohëve më parë se jeni një prift maqedonas dhe jo shqiptar? Si është e vërteta e këtij raporti?
At Nikolla Marku: Këtu ka një zanafillë, dhe kjo zanafillë si të thuash është një lloj mbështetje, që grekët gjejnë te kjo përrallë e shëmtuar. Unë faktikisht duke pasur ide përparimtare për çështjen kombëtare, dhe për një pavarësi të Kishës Kombëtare Shqiptare, unë pata kontradita me Kryepeshkopin grek Anastas Janullatos, dhe mbasi unë kreva gjithë studimet një pjesë në Greqi dhe një pjesë në Shqipëri, nuk mu dha e drejta të vishem klerik dhe të shërbej në kishë si prift. Kjo ishte ide dhe dëshira ime personalisht për tu bërë shërbëtor i Zotit dhe shërbëtor i kishës, por këtë ëndërr e realizova në Maqedoni dhe u vesha prift në Shkup dhe në Manastir, në këto dy qytete. Maqedonia dhe Greqia kanë problemet e tyre dhe në çështje të ortodoksisë dhe të emrit etj.etj. Dhe duke u veshur në Maqedoni, dikush një qytetar, që unë mendoj se mund të jetë Nikolla Gejxh, me të cilin unë kam pasur kontradita të mëdha kur jemi ndeshur në biseda për një kishë të vërtetë shqiptare, për të cilën ai thoshte se është e pamundur sepse nuk është akoma koha që ju të keni një kishë të vërtetë shqiptare.
KosovaPress: Kush është Nikolla Gejxh?
At Nikolla Marku: Nikolla Gejxh është një qytetar grek i cili mbledh ndihma, raporton në Senatin Amerikan ide të gabuara ndaj Kishës Ortodokse Shqiptare dhe ndaj popullit shqiptar dhe e ngre në piedestal peshkopin grek Anastas se gjoja ky është i pazëvendësueshëm në Shqipëri. Pra dikush e ka marrë informacionin nga këta njerëz si Nikolla Gejxh, që mendoj se mund të luante një rol negativ dhe duke acaruar pak palët shqiptare me maqedonasit, dhe unë të isha njeriu kryesor që të lakohesha, dhe më pas populli dhe besimtarët shqiptarë të më turreshin mua, se këtu ishte qëllimi! Por kur më kanë pyetur një herë se si ndihet Anastas Janullatos në Shqipëri dhe si ndihet At Nikolla Marku, unë ju kam thënë: Anastas Janullatos, lahet në vaska floriri, por unë kam fituar respektin e mbarë popullit shqiptar.
KosovaPress: Pas kësaj ju besoj kërkuat shpjegime nga Departamenti Amerikan i Shtetit, cila ishte përgjigja e tyre?
At Nikolla Marku: Ne i dërguam një dosje Ambasadës Amerikane, prejardhjen time; punën që kam bërë në jetën civile dhe z.ambasador Arvizu ka prurë një letër personalisht, të cilën mund t’ua tregoj, por nuk e kam të përkthyer në shqip, por në letër shkruhet se pëlqen veprimtarinë e Kishës tonë, dhe njëkohësisht thotë ne mirëpresim informacione të tjera në lidhje me punën që bëjmë, sepse ato kanë mbetur të kënaqur nga puna që bëjmë ne dhe ai më njeh mua si prift nga dosja që i kemi dërguar, ndërsa zotëria Janullatos akoma sot me ëndrrat e tij thotë është i vetshpallur etj, etj. Kjo është letër me procesverbal e detajuar, dhe unë e paraqita më tepër për t’i dhënë një imazh dhe respekt edhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë, tashmë ato e dinë se kush jam unë, por me këtë letër përforcohet akoma më shumë që unë jam denjësisht i përzgjedhur nga populli dhe do të qëndroj deri në fund, deri në pikën e fundit të jetës sime.
KosovaPress: Në fund të kësaj bisede së bashku, a keni ju At Nikolla Marku një mesazh për t’ju përcjellë sot të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë?
At Nikolla Marku: Kam parë shumë qytetarë shqiptarë nga vende të ndryshme, nga Mal i Zi, nga Maqedonia, nga Kosova, nga Shqipëria, që kanë të njëjtin problem siç e kemi edhe ne këtu: kur ne shqiptarët do të fillojmë të mendojmë dhe të punojmë si shqiptarë dhe jo si konglomerat; të jemi autokton; t’i japim një imazh kësaj Shqipërie? Pra ne duhet të ndryshojmë mënyrën e jetesës , të ndryshojmë shumë gjëra, të heqim shumë mentalitete negative nga mendja jonë, të mos bëjmë të huajt të parët në vendin tonë, por atyre tu kërkojmë një ndihmesë aq sa ju takon dhe jo më shumë sepse duke i vlerësuar më shumë se sa duhet ne fillojmë dhe shkelim vetveten. Pse mos të dimë të vendosim fatin e Shqipërisë në pozicionin e duhur. Ne duhet ti tregojmë të gjithë botës si Perëndimore dhe të Lindjes se ne dimë ta ndërtojmë shtetin, ta organizojmë popullin. Unë iu bëj thirrje shqiptarëve që të vendosin virtyt të parin dashurinë, e cila është formula që i jep zgjidhje jetës në çdo cep të botës që na rrethon. Unë sot jam prift, hoxhë, baba teqeje, por mbi të gjitha, të tjera së bashku, unë e kam emrin shqiptar./Kosovapress/