RKL- Intervistë me Dr. Shaqir Shaqirin, veprimtar i mirënjohur i Rezistencës Kombëtare

Shaqir Shaqiri: Ku të gjendet logjika e shëndoshë e koalicionit politik kur bëhen bashkë për ta udhëhequr vendin ndjekësi dhe i përndjekuri…

Në mesin e veprimtarëve të mirënjohur të vendit, të cilët me angazhimin e tyre të përgjithshëm atdhetar e intelektual i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë çështjes sonë kombëtare, është edhe doktori i shkencave filologjike, i burgosuri politik i viteve 80-të,veprimtari, Shaqir Shaqiri. Në kushte dhe rrethana të caktuara dhe të njohura për opinionin, ai, ashtu sikur edhe shumë atdhetarë e idealistë të tjerë, prej vitit 1994 e tutje ka jetuar dhe jeton në kurbet, në Suedi.  Edhe pse larg Kosovës, ai ka zhvilluar një aktivitet të pandërprerë në dobi të Kombit e Atdheut.

RKL – Z. Shaqiri. Nuk jeni emër i pa njohur për dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë por edhe për shfletuesit e portalit tonë, megjithatë, duke qenë se një kohë të gjatë e keni kaluar në mërgim, për fillim të bisedës sonë do të dëshironim të na tregoni shkurtimisht disa nga të dhënat për jetën  dhe aktivitetin Tuaj, shkollimin, studimet, punën në fakultet e të tjera.

-Shaqir Shaqiri: Jam lindur në Pejë në vitin 1947 ku edhe kam kryer shkollën fillore dhe gjimnazin.

 Në vitin 1965 fillova studimet në Prishtinë, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe Amerikane, kurse pas kryerjes së studimeve, në vitin akademik 1969/1970, qëndrova në Londër për studime pasuniversitare.

Me t’u kthyer në Kosovë, punova dy vite si mësimdhënës në Shkollën Normale të Gjakovës dhe në gjimnazin e Prishtinës, kurse në vitin 1972 fillova të punoj si asistent e më pas si ligjërues në Fakultetin Filozofik – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Angleze dhe Amerikane. Aty mbeta deri në vitin 1981 kur u burgosa e më pastaj edhe u dënova për “veprimtari armiqësore”.

Në vitin 1976 mbrojta temën e magjistraturës “Shekspiri në përkthimet bashkëkohore shqipe”, kurse në vitin 1980 doktorova me temën “Mis Durhami dhe Shqiptarët”, duke ndjerë se, si komb, i kemi borxh veprës kolosale të kësaj zonje angleze, e cila, deri në vdekje, plot dyzet vite punoi për çështjen shqiptare, dhe e cila ishte zëdhënësja më dinjitoze e aspiratave tona kombëtare në vitet 1905-1946.

– Qysh herët keni mbajtur kontakte me veprimtarin e mirënjohur të Çështjes Kombëtare, idealistin e lirisë,  Jusuf Gërvalla, pastaj me shkrimtarin dhe të përndjekurin politik, Teki Dervishi, me Nexhmedin Sobën, Sokol Dobrunën, etj.  Cila ishte e veçanta e atij angazhimi dhe aspiratat që mendonit t’i realizoni në atë kohë?

-Si nxënës, në bankat shkollore, në moshën 14 vjeçare fillova shoqërimin me, tani heroin kombëtar, Jusuf Gërvallën, shoqëri kjo që vazhdoi pandërprerë deri në vrasjen e tij nga dora e UDB-së famëkeqe Jugosllave. Në këtë kohë, Jusufi dhe unë shoqëroheshim edhe me moshatarët tanë si Kujtim Myftari (i biri i atdhetarit të mirënjohur Emrush Myftari, Nexhat Hoxha, Ehat Musa, Skender Blakaj, etj. Dy vite më vonë shoqërisë tonë iu bashkangjit veprimtari dhe shkrimtari i mirënjohur Teki Dervishi. Për fat të keq, Tekiu u nda nga bankat e gjimnazit dhe nga rrethi ynë për disa vjet ngase u burgos dhe u dënua për “veprimtari armiqësore” si i burgosuri më i ri nga i ashtuquajturi “Grupi i Demaçit”… Por, menjëherë pas daljes nga burgu, Tekiu na u bashkuaërish dhe shoqërimi ynë vazhdoi, fillimisht në Prishtinë e më pas edhe gjatë viteve kur ai, Jusufi dhe Nexhmedin Soba punuan si gazetarë në “Flakën e Vllaznimit”, në Shkup, kurse unë pata mbetur në Prishtinë ku punoja si mësimdhënës në Fakultetin Filozofik – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Angleze dhe Amerikane. Mirëpo, ndonëse punonim largë njëri-tjetrit, ne takoheshin rregullisht qoftë në Prishtinë, Shkup apo në Gjakovë ku rinim me shokët e tjerë si vëllezërit Dobruna, (Sokol, Hyda, Musa, Skënder e Muslim Dobruna)  dhe Mehdi Shehu.Ndejat më të shpeshta i bënim në shtëpinë e shkrimtarit Nexhmedin Soba, ku e bënim “natën ditë” duke biseduar për situatën e rëndë të popullit tonë të robëruar dhe duke kërkuar mënyra se si të dilet nga kjo situatë. U mor vesh se gjithnjë shpresat tona qëndronin në vetëdijësimin e popullit të vuajtur, në ngritjen arsimore të tij  dhe në mbështetjen nga vëndi amë. As asokohe, e duke e njohur mirë armikun tonë shekullor, nuk kishim iluzione se dalja nga robëria mund të arrihej vetëm me metoda paqësore. Mosbindja qytetare, atentatet mbi qendrat e pushtetit (si ajo që ndërmori shoku ynë Muslim Dobruna në vitin 1971, kur në Gjakovë në sallën ku po mbante mbledhje Komiteti Komunal hodhi Koktej Mollotovi dhe granatë dore) dhe demonstratat gjithë popullore ishin disa nga metodat që diskutoheshin, si mënyra fillestare, e më pastaj edhe kryengritja e armatosur…

– Meqë, ashtu sikur edhe shumë intelektualë të tjerë të kohës, i keni

përcjellë me vëmendje zhvillimet në Kosovë, sidomos në vitet 70 dhe80, duke qenë edhe vet subjekt i zhvillimeve të përgjithshme, cilët faktorë, mendoni se kanë ndikuar në protestat dhe demonstratat eMarsit e Prillit të vitit 1981, kur kemi parasysh gjendjen e përgjithshme që mbretëronte asokohe në ish-Jugosllavinë, tashmë të shpërbërë dhe të shkatërruar përgjithmonë?

-Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981 ishin shpërthim i pakënaqësisë së shtresuar dekada me radhë. Ishin këto një lloj porosie për pushtetin jugosllav, gjithmonë antishqiptar, se ne ishim vetëdijësuar dhe se nuk e kishim ndër mënt ta duronim më tmerrin që ushtrohej mbi ne pa marrë parasysh çmimin që duhej paguar. Pra, dy faktorët kryesorë që ndikuan në shpërthimin e këtyre demonstratave ishin pakënaqësia me gjendjen e robërisë dhe vetëdijësimi i shtresave të gjëra popullore.

– Gjatë fushatës antishqiptare të RSFJ-së në diskreditimin e kërkesës

gjithë popullore “Kosova Republikë” dhe në realizimin e “Platformës famëkeqe gjithë jugosllave për Kosovën”, ju keni qenë mësimdhënës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Asokohe politika komuniste jugosllave, e mbështetur edhe nga pjesa dërrmuese e kreut politik komunist të Kosovës, kishte zyrtarizuar kualifikimin se“Universiteti i Prishtinës ishte bastion i nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Ju dhe disa bashkëmendimtarë Tuaj keni qenë në shënjestër të goditjes nga politika e kohës. Si rrodhën ngjarjet asokohe?

-Ditët dhe javët e para pas shpërthimit të demonstratave paria komuniste Jugosllave u mundua që përmes mjeteve të veta propaganduese t´i nënvlerësonte demonstratat duke përsëritur vazhdimisht se në këto demonstrata merrnin pjesë “studentë të dështuar, rrugaçë dhe një pjesë e masës naive të cilën e kishte indoktrinuar armiku i brendshëm dhe i jashtëm”. Këto teza, të trumpetuara nga kancelaritë e Beogradit, u ndërprenë pas dështimit të përpjekjes së tyre që t´i detyronin mësimdhënësit e Universitetit të Prishtinës t´i dënojnë demonstratat. E gjithë kjo rezistencë e qarqeve intelektuale filloi me tubimin e parë të mësimdhënësve në Fakultetin Filozofik ku merrnin pjesë veglat e armikut Azem Vllasi, Mihajllo Zvicer dhe Agim Zatriqi. Atë mbrëmje fundërrinat e Komitetit hasën në diçka që as në ëndërr nuk e kishin pritur. Në vend se të dënonim demonstratat ne e dënuam dhunën policore dhe dhunën shtetërore prej disa dekadash dhe arsyetuam kërkesën për Kosovën Republikë. Dhe, ajo që ndodhi këtë mbrëmje u përcoll në mesin e mësimdhënësve të fakulteteve të tjera, duke e shndërruar Universitetin “në bastion të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Gjatë përplasjes sime me “komitetlinjt” mora kërcënimin nga ata se shtrejtë do ta paguaja këtë. Kështu edhe ndodhi. Pas pak ditësh më burgosën… Por, qëllimi ishte aritur. Tani e tutje Beogradi nuk mund të trumbetonte se pas kërkesave popullore qëndronin studentët e dështuar dhe rrugaçët. Burgjet kishin filluar të mbushen me intelektualët shqiptarë! Tashmë që nuk pinte ujë trumpetimi naiv i Beogradit për “studentët e dështuar” filluan të vinin kërcënimet banale të Fadil Hoxhës “Bira e minit shtatëqind qese!”. Mirëpo, këto dhe kërcënimet e tjera përftuan me erën. Pak kush iu varte veshin.

– Pas arrestimit, vepra që u vihej barrë në aktakuzë ishte vetëm pretekst për arrest, apo kishte një veprimtari tjetër të dyshuar nga organet e ndjekjes, nga UDB-ja e kohës, duke qenë se “sigurimi” ju kishte përcjellë një kohë të gjatë?

-UDB-ja kishte bërë punën e vet duke më përcjellë mua dhe shokët për një kohë të gjatë, dhe tani, pas kacafytjes sime me parinë e Komitetit, ishte rasti kur nuk mund pritnin më. Unë duhej të ndalesha. Burgosja ime duhej, po ashtu, të ishte porosi për kolegët e mi se çfarë ndodhë me ata që i kundërshtojnë tezat e Komitetit. Mos të harrojmë se UDB-ja e dinte mirë se isha shok i pandashëm i Jusufit, Tekiut, vëllezërve Dobruna, etj. dhe se dyshimet për involvimin tim në “veprimtari armiqësore” kishin ekzistuar gjithnjë. Tani UDB-ja kishte siguruar ca dëshmi për bisedat tona telefonike me Jusufin (i cili ishte arratisur në Gjermani) dhe për ca materiale të përcjella nga ai. Të dhëna të tjera nuk kishin, por ata përpiqeshin të shfrytëzojnë nga rasti dhe të mësojnë nga unë (dhe shokët) edhe për veprimtari të tjera dhe për individë të tjerë… Këto përpjekje, u mor vesh, bëheshin përmes formave të ndryshme të torturimit fizik e psikik. Mirëpo, fatbardhësisht, përveç asaj që kishte mësuar UDB-ja para burgosjes sime, të Kadri Rexhës dhe Muhamet Tërnavës, tjetër nuk mësuan.

– Pas kryerjes së dënimit, për ju dhe shumë të liruar të tjerë, kishte filluar kalvari tjetër në Kosovë, e cila ishte bërë burgu më i madh i popujve të Evropës së kohës. Vetë qarqet zyrtare kishin pranuar se në Kosovë ishin hapur rreth 500 mijë dosje. Si jetohej asokohe në Kosovën me ardhmëri të rrethuar dhe me cilat rrethana jeni ballafaquar në ditët e para të lirimit nga burgu?

-Po. Me të dalë nga burgu hasa në burgun edhe më të madh. I tërë vendi ishte shndërruar në burg. Dhuna shtetërore mbi shqiptarët vazhdonte edhe më egërsisht. Burgjet ishin stërmbushur me shqiptarë. Beogradi përpiqej të ngulfaste gjithçka ishte shqiptare. UDB-ja ishte futur në çdo pore të jetës publike kurse Komiteti Komunist vazhdonte të  trumbetonte tezat e vjetra për “nacionalizmin, shovinizmin dhe separatizmin shqiptar”. Dhe, sikur nuk mjaftonte burgosja e mijërave shqiptarëve, Beogradi tashmë kontrollonte në mënyrë rigoroze shtypin e pakët, Universitetin, shkollat, ndërmarrjet… Këlshedra titiste kishte vënë kthetrat mbi çdo pore të jetës sonë. Dhe, për mua si “armik i popullit” nuk kishte punë që do më siguronte kafshatën e bukës për familjen. Pas disa dështimeve të siguroja çfarëdo pune (kuptohet, jashtë sistemit edukativo-mësimor), me sugjerimin dhe me ndihmën materiale të disa shokëve nga Peja, e hapa një dyqan rrobaqepësie, i cili me kohën u shndërrua në pikë-takimi i shokëve të idealit. Por, edhe këtë burim të kafshatës së gojës e mbylli UDB-ja në vitin 1989 me pretekst se kisha organizuar bojkotin e përgjithshëm të tregtisë dhe të zejtarisë në qytetin e Prishtinës. Falë ndihmës nga familja e gjerë dhe nga shokët u mbijetua edhe kjo.

– Pavarësisht nga represioni, burgu, izolimi Ju nuk jeni dhënë, por keni vazhduar aktivitetin në kushte dhe rrethana të reja. Çka do të na veçonit për atë periudhë kohore, derisa u detyruat ta lini Kosovën dhe të vendoseni fillimisht në Shqipëri e më pastaj në Suedi?

-Ajo nuk ishte kohë për t´u dorëzuar. Këtë e priste armiku ynë. Nëse llogaritej se kisha mbijetuar tmerret e burgjeve mbijetesa jashtë këtyre mureve ishte, sidoqoftë, më e lehtë dhe rast për të vazhduar punën e idealistit… Mirëpo, duke e ditur se shkau nuk hiqet qafe me biseda e konferenca shterpe për shtyp, unë bëja gjithçka ishte në mundësinë time për t´u përgatitur për një rebelim të armatosur. Kjo ishte edhe arsyeja që përsëri u dënova me burgim të gjatë (kësaj radhe në mungesë ngase pikërisht ato ditë gjendesha për vizitë zyrtare në Suedi). Tashmë kthimi im në atdhe ishte i pamundur dhe duhej zgjedhur vendin ku do vendosesha dhe prej nga do vazhdoja aktivitetin. Dhe, meqë në Skandinavi kisha krijuar kontakte shumë të mira me diplomacinë vendore e të huaj, dhe meqë asokohe Suedia njihej si “vend-bastion i politikës serbe”, Qeveria e Kosovës në Egzil më ngarkoi me detyrën e hapjes së përfaqësisë e cila mbante emrin “Zyra Informative e Kosovës për Skandinavi”, dhe të cilën e udhëhoqa deri pas çlirimit të Kosovës.

– Fillimisht, ashtu sikur pjesa dërrmuese e popullit dhe intelektualëve të kohës, aktivitetin Tuaj e keni zhvilluar në kuadër të LDK-së, meqë ajo trajtohej si një Lëvizje e përgjithshme mbarëshqiptare. Kur keni hetuar se LDK-ja nuk ishte Lëvizje çfarë pretendonte por një parti politike, e cila ishte barrikaduar në filozofinë e durimit e pritjes, madje edhe në kohën kur popujt e Jugosllavisë ishin ngritur dhe po luftonin hegjemonizmin, shovinizmin e më vonë edhe fashizmin serb?

-Keni të drejtë kur thoni “ashtu sikur pjesa dërrmuese e popullit dhe e intelektualëve të kohës, aktivitetin Tuaj e keni zhvilluar në kuadër ë LDK-së, meqë ajo trajtohej si një Lëvizje e përgjithshme mbarë shqiptare”. LDK-ja ishte krijuar me qëllime të këtilla, prandaj edhe ishte joshëse për idealistët atdhetarë duke llogaritur se aty mund të jepnin kontributin e vet. Për veten time mund të them se pozita e Sekretarit për Marrëdhënie të  Jashtme ishte mundësi e jashtëzakonshme e plasimit të mendimit tim për situatën në Kosovë si dhe mundësi për krijimin e miqësisë me vendet ndikim-prurëse. Këtë mundësi jam munduar ta shfrytëzoj deri në maksimum plot katër vite ndonëse pengesat për punën time kishin filluar qysh më herët (ashtu siç u pengua edhe puna e ish të burgosurve të tjerë) sidomos nga ana e të ashtuquajturit “grup i Llapit” që vazhdonte ta mbështeste me verbëri (e për qëllime të dyshimta) politikën e degraduar dhe shterpe të njëfarë Gandizmi. Ishin të kota argumentimet tona se me këtë lloj politike mund të luftohej vetëm me një armik të civilizuar dhe se shkau mund të na hiqej qafe vetëm me gjuhën  e barotit.

Sa ka qenë e vështirë të ballafaqohesh në atë kohë me rrymat e furishme që i karakterizonin zhvillimet e përgjithshme në Kosovë,Shqipëri e më vonë edhe në mërgatë, konkretisht, në Suedi. Si jeni gjendur në atë ballafaqim opsionesh e opinionesh.

-Rrymat e shumta me të cilat më është dashur të ballafaqohem në mërgim kanë qenë sfidë për vete. Në ved të përkrahjes apo ndihmës eventuale kishte rryma dhe individë që mundoheshin me mish e shpirt ta pengonin punën time dhe të djelmoshave që i kisha rreth vetes. Ishin këta individë apo grupe me pikëpamje pacifiste, “jurishnikë” partiakëtë “rrymës së Gandit” apo edhe lakmitarë të posteve (ndonëse gjysëm-analfabetë). Mirëpo, më të shumtë kanë qenë ata të cilët e kanë përkrahur punën tonë dhe kanë ofruar ndihmë. Kthesa e madhe drejt përkrahjes së përfaqësisë ndodhi shumë shpejtë falë interesimit të jashtëzakonshëm e të menjëhershëm që treguan si diplomacia vendore ashtu edhe ajo e huaj (e sidomos ajo e ambasadës së SHBA). Puna jonë e suksesshme e me shumë sakrifica shumë shpejt bëri që qëllimkëqijtë “t´i palosin veshët” dhe Zyra u bë (ashtu siç edhe ishte menduar) përfaqësi e të gjithë shqiptarëve, derë e hapur për të gjithë 24 orë rresht.

Keni përkrahur fuqimisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ashtu sikur po thuajse të gjithë të përndjekurit dhe të burgosurit politikë. Cili ka qenë kontributi Juaj dhe i aktivistëve me të cilët keni vepruar në zyrën përfaqësuese nga ku pandërprerë keni shpërndarë informata lidhur me zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe në relacionet ndërkombëtare.

-Që nga ditët e para të daljes publike në skenë të  UCK-së, kur, për fat të keq edhe disa nga qarqet tona nuk e pranonin ekzistimin e njësiteve tona të armatosura, ne nga Zyra filluam informimin e drejtë duke i dhënë mbështetje të vazhdueshme luftës së drejtë për çlirimin e atdheut. Ndihmë të madhe kisha, që nga dita e parë, sidomos nga Shqiptar Oseku dhe Atif Berisha, e më pastaj edhe nga Hamdi Abazi etj. Ndihma e tyre ishte shembull i sakrificës për ideale. Asnjëri prej nesh nuk merrte kurrfarë kompensimi material për punën që bënim. Megjithatë, Shqiptar Oseku, me të përfunduar mësimet në universitet, vinte në Zyrë dhe punonte deri në orët e vona të mbrëmjes. Kështu bënin edhe Atif Berisha e Hamdi Abazi pas orarit të punës. Çdo ditë duhej përkthyer në gjuhën angleze dhe atë suedeze lajmet ditore që i merrnim nga “Kosovapressi”, Radio Kosova e Lirë dhe nga informatat që merrnim nga KMDLNJ si dhe duhej përpiluar raporte e shkrime të nduarduarshme, dhe të gjitha këto i përcjellnim përmes postës elektronike dhe përmes fax-it në rreth 900 (nëntëqind) adresa të ndryshme anë e kënd botës. Kumtesat tona për shtyp dhe lajmet nga fushëbetejat e UCK-së jo rrallëherë i botonin agjencitë me renome ndërkombëtare si New York Times, Los Angeles Stimes, The Inquirer, Figaro, Aftonbladet, etj.

 Poashtu, gjatë gjithë këtyre viteve, unë kisha takime shumë të shpeshta në Ministrinë e Jashtme të Suedisë dhe të vendeve të tjera skandinave, me grupet parlamentare të këtyre vendeve dhe me organizata bamirëse si dhe me ambasadat e huaja të akredituara në Stokholm. Duhej bindur diplomacia botërore se lufta që po bënte UCK-ja ishte luftë e drejtë, se gjenocidi sllav mbi popullin e pambrojtur shqiptar duhej ndalur sa më shpejtë, dhe se zgjidhje e vetme për ne është shkëputja nga Serbia dhe krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës. Puna këmbëngulëse disa vjeçare e Zyrës tregoi sukses. Politika ledhatuese e vendeve evropiane ndaj Serbisë filloi të zbehej dita më ditë, kurse puna jonë me mediet arriti sukses sensacional. Këto kishin fituar besim të plotë tek ne dhe, mbështetur në raportimet tona, artikujt e tyre nuk e quanin më UCK-në “grup terrorist” por ushtri çlirimtare që luftonte kundër dhunës barbare të pushtetit serb. Gazetarja e famshme suedeze Johanne Hildebrandt në memoaret e veta për luftërat ballkanike shkruan, mes tjerash: “Zyra e Kosovës ndërmori një ofensivë mediatike në stil të qëndisur, duke i sharmuar gazetarët suedez. Ata e dribluan plotësisht ambasadën jugosllave. E bënë atë të duket si buall, dhe e mbajtën shkathtësisht në offside gjatë gjithë luftës (së Kosovës). Megjithatë, “mirënjohja” më e madhe për punën tonë vjen nga kyecetniku Sheshel, i cili në vitin 1997, në parlamentin serb, deklaron se, citoj: “Serbia duhet bërë çmos për përforcimin e luftës propagandistike e cila e humbi këtë vitet e fundit në saje të zyrave të Gjenevës dhe Stokholmit”.

                                                                                                                                                                                            jovetëm

 Takimet shumë të përzemërta me diplomatët e vendeve të ndryshme të akredituara këtu u bënë tepër të shpeshta dhe afërsia e krijuar me kohë bëri që (në kohën kur në këto qarqe as që përmendej çështja e Kosovës së pavarur), mua më ftonin në ambasadat e ndryshme tok me ambasadorët e tjerë në ceremonitë festive. gjë e cila bëri që ambasadori serb Aleksandar Përla t´i lëshonte demonstrativisht ceremonitë e këtilla. Po ashtu, miqësia tradicionale e suedezëve me serbët jo vetëm se u zbeh. Në demonstratat tona në Stokholm tashmë vinin dhe i dejtoheshin masës me fjalime kryetarët e partive politike sudeze dhe anëtarë të parlamentit suedez.

                                                                                                                                                        Por, puna jonë dhe sakrificat nuk janë asgjë më shumë se një përpjekje për t´i dalë borxh atdheut. Të vetmit që për ato kohëra meritojnë lëvdatë janë ata që rrokën armët dhe treguan gatishmërinë ta flijojnë jetën apo gjymtyrët për çlirimin e atdheut.

Ashtu sikur shumë idealistë të tjerë, jeni në mesin a atyre veprimtarëve që keni bërë publik qëndrimin Tuaj lidhur me zhvillimet politike të pas luftës, në Kosovë. Jeni në mesin e idealistëve të zhgënjyer. Pse po ndodh kjo?

 

-Do të isha i lumtur sikur vetëm ne, idealistët e moçëm, të ishim të vetmit në mesin e të zhgënjyerve me përditshmërinë politike e shoqërore në Kosovë.

Fatkeqësisht, e zhgënjyer dhe deri në fund dhe tmerrësisht e pakënaqur është pothuajse çdo shtresë e shoqërisë sonë. Klasa politike është përimtuar në individë me ambicie të ulëta për pushtet dhe për grabitje të pasurisë. Klasa politike është shndërruar në klasë-plaçkitëse dhe përveç pasurisë materiale nuk ka ideal tjetër. Zhgënjimi im nuk do të ishte gjithaq i madh sikur gjithë këto të palara t´i bënte shtresa politike e dalë nga lëvizja pacifiste, apo edhe ajo që deri vonë bashkëpunoi me pushtuesin… Si të gjendet “arsyeja” kur në mesin e atyre që abuzojnë me gjithçka që është e shenjtë janë luftëtarët e dikurshëm? Ku të gjendet logjika e shëndoshë e koalicionit politik kur bëhen bashkë për ta udhëhequr vendin ndjekësi dhe i përndjekuri? Rruga deri te pushteti (dhe më pastaj pasurimi material) u shndërrua në rrugë makiaveliste: Shkelet mbi ëdo vlerë njerëzore e kombëtare për t´u arritur qëllimi!

Cilat, sipas jush janë gabimet e klasës politike të Kosovës të pasluftës, gabime e lëshime të cilat kanë zvarritur për shumë vite shpalljen e Pavarësisë dhe sot po i zvarrisin proceset integruese brenda kombëtare dhe evropiane si dhe zhvillimin e përparimin e vendit?

-Gabimet e klasës politike të Kosovës së pas luftës janë të natyrave të shumta dhe dikur llogariteshin si gabime të një klase politike të pa përvojë. Kjo, deri diku, ishte e vërtetë, por ekzistonte shpresa se me kohën do krijohej edhe përvoja dhe se kjo klasë politike do mësojë qoftë edhe nga gabimet e veta. Po ashtu, llogaritej se (sidomos kur është fjala për klasën politike të dalë nga lufta) nuk do harrohen mësimet nga historia e shkuar me armikun shekullor sllav dhe nga e kaluara e hidhur e miqësisë tradicionale serbo-evropiane. Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Kompleksi i inferioritetit ndaj politikave të vendeve me ndikim zuri fill shumë shpejtë dhe më pastaj u shndërrua në dëgjueshmëri të robit. Për vendet vendim-marrëse ishte ky sinjal se ne nuk jemi të aftë të krijojmë dhe të udhëheqim shtet dhe kjo bëri që të zvarritej shpallja e Pavarësisë. Absurdet e klasës politike të Kosovës janë “margaritarë” për kaptinën “Gafet” të Librit të rekordeve të Ginisit. Përkrahet (me shpirtin e robit) dhe zbatohet me përpikëri gjithçka që vie nga diplomacitë e huaja pa marrë parasysh dëmin që “sugjerimet” e këtilla i sjellin atdheut. Dhe, në vend se të çohet përpara atdheu, klasa jonë politike i hapë rrugë Serbisë drejt Bashkimit Evropjan dhe drejtë fondeve prej shumë miliarda eurosh. Paria politike e atdheut dëshmoi tërë kohën se lufta për të udhëhequr shtetin ishte në fakt luftë për hapjen e rrugës për të plaçkitur dhe për të krijuar për vete pasuri marramendëse materiale. U harruan tepër shpejtë barbaritë dhe krimet makabre që bëri serbi mbi popullin tonë!

U harruan idealet kombëtare! U harruan betimet për punë drejt mirëqenies shoqërore! U harruan shokët e luftës, një pjesë e të cilëve sot nuk kanë mundësi ta sigurojnë kafshatën e bukës për familjen. Luftëtari i UCK-së, pjesëmarrës në të tri luftërat, përpiqet ta mbajë familjen duke tubuar kanaqe! U harrua gjithçka është shqiptare! Harroi klasa jonë politike se me hajni, frikë dhe me shpirtin e robit nuk shkohet përpara dhe se shumë shpejtë do vijë dita kur këta palaço politik do të detyrohen t´i japin përgjegjësi popullit të nëpërkëmbur!

  1. 11. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …