Rrustem Geci: Rrëfimi i Gjeneralit nga Rogana

Ramadan Qehaja, ish Gjeneral major në Armatën Jugosllave ( tani të shpërbërë ) u lind me 16 shtator 1942 në Roganë të Dardanës, nga prindërit, babai, Bahtiari, dhe nëna, Hazbia. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme të Nënoficerëve në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa shkollën e Oficerëve në Beograd.

Në vitin 1958 rrëfen Ramadan Qehaja, unë isha 16 vjeç kur mora rrugën e panjohur për Akademi Ushtarake. Në Kosovë aso kohe ishte varfëri ekstreme. Rreth 98 për qind e popullatës shqiptare jetonte pa të ardhura për ekzistencë. E tillë ishte edhe familja ime me 12 anëtarë. Rrugët e panjohura janë të vështira, nuk u dihet as fillimi dhe as mbarimi. Në shkollën e Nënoficerëve në Sarajevë nuk ishte e lehtë të mbijetoja, isha shqiptar dhe eprorët nuk më trajtonin sikur të tjerët. Mirëpo, Jeta është heroi i të gjithë heronjve.

 

Eprorët serbë të ligjëratave ishin të ashpër ndaj meje dhe kërkonin disiplinë të veçantë nga unë, edhe pse isha kadeti më i zgjuar në tërë gjeneratën time. Fizikisht isha i pamposhtur, moralisht e kombëtarisht shqiptar i mirëfilltë. Mirëpo, shkollimi në shkollat ushtarake për shqiptarët ishte i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këto akademi ishte simbolike. Sepse, pikat e disiplinës për shqiptarë ishin të pafund.

Ramadan Qehaja nuk u dha, i përballoi gjitha pengesat dhe provokimet që ia bënin eprorët. Fal mbështetjes së tij në libra dhe në dije, dhe në zgjuarsinë natyrore, Ramadan Qehaja arriti të ecë rrugës së tij. Unë kujtoj shkruan Qehaja në librin“Të bësh një karrierë ushtarake“ ishte paksa i çuditshëm gradimi im. Në Shkollën e Nënoficerëve në Sarajevë, po edhe më vonë në Shkollën e Oficerëve në Beograd kushtet ishin të njëjta si me të burgosurit.

Kot bëjmë përpjekje  për t´u zbukuruar, ose për t´i fshehur hallet. Historinë s´mund ta detyrojmë të ecë më shpejt. Atë asnjë popull deri më sot nuk e ka mundur. E kaluara është mjaft e gjerë për ta njohur të sotmen. Ramadan Qehaja ishte nxënës me nota të larta në shkollë, në çdo drejtim dallohej nga të tjerët. Për këtë eprorët e shikonin me sy jo të mirë. Në shkollën e Nënoficerëve në Sarajevë, po edhe në shkollën e oficerëve në Beograd, unë lexoja fshehur realitetin në ushtri, dhe atë që mësoja e mbaja të fshehur, ndryshe s´ do të mbijetoja. Mirëpo, fal kujdesit tim, punës së përpiktë dhe aftësisë profesionale unë ia dola të ngjitem në karrierë. Dua ta them hapur, se grada e gjeneralit për mua ishte jashtë ëndrrës sime. Mirëpo, fal Kushtetutës të vitit 1974 pas shumë sprovash dhe provokimesh, fal çelësit nacional të gradimit, dhe notave të shkëlqyera, gradën gjeneral e rrëmbeva në saje të punës titanike, dhe të fshehjes së emocioneve të sqimës sime.

 

Martesa ime me shqiptare të vendit tim ishte përcaktim i im me kohë, se jam bir i Kosovës, bir i vuajtjeve të vendit tim. Shërbimi sekret i ish Armatës Jugosllave ishte i shqetësuar për vendimin tim për martesën me shqiptare. Sepse një pjesë e oficerëve shqiptarë në ish Armatën Jugosllave karrierë bënin në saje të martesave të përziera. Në këtë drejtim fare nuk kisha hamendje. Bashkëshortja ime Nazmija, nga Komuna e Dardanës, ishte krah në të gjitha betejat e mia në jetë. Me të unë kam krijuar një familje solide; 4 vajza dhe 2 djem. Në të gjitha vendet ku kam shërbyer epror, më thotë Gjeneral major Ramadan Qehaja, çdo shqiptar ka qenë i sigurt për jetën e tij, dhe i pa shantazhuar. Në ish Armatën Jugosllave në çdo gjeneratë regrutësh kanë shërbyer rreth 40 mijë shqiptarë.

 

Kapja e kreut të Armatës Jugosllave nga politika hegjemoniste serbe, nisi me vrasjen e ushtarëve shqiptarë. Ushtarët shqiptarë në APJ vriteshin fshehtas dhe në pusi. Ata vriteshin vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare. Me këtë dua të them se, në Armatë nisi shkërmoqja ose shpërbërja e ish Jugosllavisë, dhe më pastaj luftërat e përgjakshme që pasuan.

 

Natyra ku jam lindur unë në Roganë, është epike. Jam rritur në një ambient ku zemërimi kryengritës ka qenë përherë i gjallë. Në Roganën e vendlindjes sime kurrë s´janë mundur kryengritësit, si Hamdi Beha, Nevzad Balë Kryeziu, Selver dhe Emin Kryeziu, dhe dhjetëra kryengritës të tjerë, si në UÇK, ashtu edhe në UÇPBM. Në Roganë u strehua dhe u nderua patrioti Gjon Serreçi. Me këtë dua të them se Rogana në 100 vjetët e kaluara, lirisë së Kosovë i dha 75 dëshmorë, dhe 2 Këshilltarë, bashkëpunëtorë të Bajram Currit. Gjeneral Qehaja është ekspert për çështje të sigurisë. Ai deri tash ka botuar 3 libra nga lëmi i sigurisë, dhe me dhjetëra artikuj shkencor në lëmenj ushtarakë.

 

Babai im, Bahtiar Qehaja, tregon Ramadani, ishte i nderuar dhe i respektuar nga qytetarët e Roganës, dhe me propozim të patrioti Sejdi Zylfi Kryeziut, se na duhen edhe kuadrot tona në Ushtri. Ai vendosi që unë ta marrë miratimin e tij për në Akademi Ushtarake. Jeta është hero për gjithsecilin njeri. Historinë askush s´mund ta mund, sepse ne të, të gjithë jemi brenda saj.

Aktiviteti patriotik i Gjeneral Ramadan Qehajës është i padiskutueshëm. Ai edhe gjatë Luftës së Kosovës, por edhe në ditët e para të çlirimit të Kosovës, Gjeneral Qehaja kontribuoi në formimin e Institucioneve të vendit. Vlerësimet dhe mirënjohjet për Gjeneral Ramadan Qehajën, janë me dhjetëra. Ai u vlerësua me mirënjohje të shumta nga institucionet e Kosovës, po edhe nga Misionet ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

Rogana, vendlindja e Gjeneral Ramadan Qehajës e do birin e saj të devotshëm. Emri dhe vepra e tij prej patrioti i bën nderë  Roganës, dhe Kosovës. Gjenerali 73 vjeçar, nga Rogana e Dardanës, Ramadan Qehaja, vlerëson se, Shteti i Ri i Kosovës së brendshmi ende është i dobët dhe i pasistemuar sa duhet dhe si duhet. Kot përpiqemi ta tërheqim veten mbi tërësinë e jashtme, ende shumë punë ka për t´u bërë brenda. Përparime ka, por, a kemi mundur të bëjmë më shumë, është e padiskutueshme. Pas pushtimit gjashtë qindvjeçar turk, dhe pas Luftës së Kosovës me Serbinë në fundvitin e shekullit XX –të, Liria e Kosovës ende është e brishtë, dhe ende s´është tharë gjaku i të rënëve dhe i të pagjeturve. Në fushën e sigurisë, Kosova duhet ta përshpejtojë krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Sepse, pa këtë forcë sigurie, Kosova s´mund ta mbrojë tërësinë e vet shtetërore, dhe as lirinë e fituar me aq shumë gjak. /rajonipress/

Rrustem Geci – Dortmund, 2015

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …