Beteja heroike e Lumës kundër invadimit serb në nëntor të vitit 1912, bazuar e vlerësuar edhe në dritën e arkivit austro-hungarez. Ky shktim është botuar në Revisten Ushtarake, organ teoriko-shkencor i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë ,në prill 2014, faqe 13.
Beteja e Lumës është zhvilluar nga 15-18 nëntor 1912. Forcat serbe pas pushtimit të Prizrenit, nisën për në Adriatik dy kolona, ndërkohë krijuan dhe hodhën në veprim“ Grupimin e Lumës”, për ta nënshtruar atë ( me djegie shtëpish dhe mbledhje armësh) me objektiv për të dale në Dibër, për të siguruar kështu krahun verilindor të pushtimit të bregdetit të Adratikut nga ana e tyre.
Lumjanët dhe pjesa veriore e Dibrës ( Reç e Dardhë) zunë qafën Kolesjanit dhe prej aty i sulmuan forcat sërbe, i thyen dhe i ndoqën në Kullë të Lumës e deri në portat e Prizrenit. Për numrin e forcave serbe pjesmarrëse dhe të vrarët e tyre ka pasur në shumë nga botimet e mëparshme shifra të fryra, ashtu si dhe në pllakat e lapidarëve të ngritura për të që thuhet sikur kane qenë 12 mijë, 16 mijë apo 18 mijë të vrarë !
Më 2012, me botimin e dokumenteve austro-hungareze të vitit 1912 për Shqipërinë nga Instituti i Historisë i Akademisë sonë të Shkencave, dolën në dritë edhe dy telegrame të konsullit të perandorisë Austro-hungareze, Prochaska nga Prizreni për Vjenën. Nga mbështetja në të dhënat e tij dhe në vlerësimet që i bën Luftës së Lumës ,del se në Lumë kanë vepruar aso kohe 6 batalione ( 6500 ushtarë serbë). Shkrimi sugjeron një tjetër skemë të vendosjes së forcave serbe, dhe krahasuar edhe me dokumente të tjerë,një shifër më realiste të numrit të të vrarëve sërbë në këtë betejë ( 2000-3000).Tërheqja mjeshtërore nga lumjanët dhe rënja në kurth e focave sërbe, goditja në befasi, terreni dhe moti shumë i keq, i bëjnë te besueshëm njoftimet që jepen nga disa dokumente të kohës për humbje të mëdha të sërbeve.
Në shkrim argumentohet se kjo luftë ishte një betejë me të gjithë karakteristikat e saj, nga sasia e forcave, koha e zgjatjes , shtrirja territoriale, përfundimi dhe rezultatet e saj.
Beteja e Lumës është beteja e fundit e shqiptarëve kundër ushtrisë serbe për vitin 1912 dhe e fundit si betejë që eshte zhvilluar në Lumë. Populli e ka përjetuar atë emocionalisht, prandaj dhe i ka ngritur këngë e lapidare. Folklori në këtë drejtim e ka bërë dhe e ka bërë mirë punën e tij, por shkrimi kërkon që historiografia të shkruajë bazuar në fakte, duke mënjanuar folklorizmin. Shkrimi jep me pak fjalë se kush ishte konsulli austro-hungarez Oskar Prochaska dhe propozon që bëmat e këtij diplomati trim të nderohen nga institucionet tona dhe historia jonë.
Aspekte të Betejës së Lumës të vitit 1912
Gjendja e palëve: Një muaj para luftës së Lumës kishte shpërthyer Lufta e Parë Ballkanike midis aleatëve dhe Turqisë. Ushtria serbe kishte pushtuar Kosovën deri në Shkup dhe Prizrenin, më 30 tetor. Armata e tretë e saj, veç dy kolonave që nisi për të dalë në Mjedë e në Lezhë, kishte përgatitur forca të divizionit “ Shumadija I” për të hyrë në Lumë. Sipas Giani Baj Macarios (1),historian italian, që ka shfrytëzuar arkivat e Shtabit të Përgjithshëm sërb, këmbësoria sërbe kishte pushkë nga më të mirat e kohës ,tip “ mauzer”,model 1899 ( 2000 m largësia e hedhjes së plumbit, çdo ushtar kishte 150 fishekë ) dhe mitralozë “maksim”. Edhe artileria moderne, e tipit “shnejder”, shumica e modelit 75 mm e vitit 1907 (43 bateri) plus 9 bateri me qitje të shpejtë “shnejder-cruesot” dhe 54 topa malorë “ de bange”. Divizioni “Shumadija I”, me një efektiv 35 mije veta, ( aq sa popullsia e gjithë Lumës) kishte 36 topa ,mjaft nga të cilët do t’i përdorte në Lumë. Ky divizion përbëhej nga ushtarë të thirrjes së parë (21-31 vjeç)(2) , deviza e të cilëve ishte “të shfarosim shqiptarët”. Aleati i Serbisë, Mali i Zi ndërkohë kishte pushtuar Pejën e Gjakovën dhe kishte rrethuar Shkodrën.
Shqiptarët në Kosovë, që me fillimin e Luftës Ballkanike, mbetën vetëm, ballëpërballë me ushtrinë sërbe, ngaqë ushtria osmane, befasisht u tërhoq nga kufiri drejt qendrës së Gadishullit, në Kumanovë e në Manastir. Komanda e saj nuk u dha shqiptarëve të Kosovës as pushkët (63000) qe iu kishte premtuar. (3)
Në këtë pështjellim që u krijua shqiptarët e Kosovës më gjithë qëndresën , nuk arritën të ndalnin agresorët, të cilët depërtuan edhe nëpër grykën e Cërnalevës, prej kah hynë në Prizren. Para sërbëve ,”po atë ditë (datë 27 tetor ,shënim im) erdhi këtu ( në Prizren. Shenim im) Baftjar Pasha me tre batalione dhe katër topa mali. Në vend që të nisej për në Levën e Zezë, mori për në perëndim, qëndroi disa ditë në Hoçë dhe nëpërmjet Lumës shkoi në Dibër,”,raportonte me 13 nëntor konsulli austro-hungarez Proçhaska për Vjenën. Më tej: “ Gjendja e ushtrisë ( osmane) e keqe, e papërgatitur për luftë në dimër, vështërsi për mbajtjen e lëndëve ushqimore, madje ushtarët që kanë mbetur në Prizren për shumë ditë janë pa bukë dhe po lypin derë më derë…Në ushtri “që nuk e njeh qeni të zotin”.(4)
Forcat shqiptare të krahinës së Lumës, pas qëndresës në qafë të Duhles, qenë tërhequr brenda krahinës së vet. Për efektivin e tyre jane dhënë shifra të ndryshme: 4000 veta , Sh.Braha (5), mbi 2000 shënon Sh. Hoxha, (6) aq sa jep edhe “ Historia e Popullit Shqiptar” botim i vitit 2002 (7) dhe historiografia ushtarake jugosllave (Ratkoviç e co)(8)
Nisur nga popullsia e krahinës, (2820 shtëpi), na duket se shifra më afër realitetit është në 3000 veta në Qafën e Kolesjanit, 9) plus 1000 veta të çetave të fshatrave të Rrafshës së Lumës, të Tërthores e të Zhurit etj, plus edhe afro 1000 veta te batalionit Dibrës që erdhën pas fillimit të luftës, bëjnë rreth 5000 trupa gjithsej. Nga të gjithë burimet del se forcat shqiptare ishin më të paktë në numër se ato serbe.
Por duhet vlerësuar cilësia e tyre: ato ishin forca të afta luftarake, jo vetëm pse kishin shërbyer e luftuar rregullisht si nizamë e si redifë në ushtrinë osmane, por edhe pse trashëgonin brez pas brezi e zhvillonin atë, që John Keegan, e quan “ kultura e Luftës . Shfrytëzimi me mjeshtëri të jashtëzakonshme i terrenit, në një teatër luftimi nga Gryka e Kaçanikut, në Grykë te Cernalevës, në Qafë të Duhles, në Qafë te Zhurit , dhe së fundi në Maratonën e tyre, në Qafën e Kolesjanit, në një mbrojtje shkallë-shkallë, në prita, me sulm të befasishëm e deri në luftim trup më trup etj, përbënte artin e kësaj kulture të të luftuari. Nuk kishin munguar të luftonin me Dervish Pashën, në mbrojtje të Lidhjes se Prizrenit, dhe kishin thyer për herë të parë, që nga s’mbahej mend në trojet shqiptare, forcat e ushtrisë osmane më 1909, duke u dhënë shpirt e krahë kryengritjeve të mëdha të viteve 1910,11 e 12 .
Në nëntor 1912 shqiptarët e Lumës do ta përsërisnin këtë edhe ndaj forcave të ushtrisë sërbe, që kish një muaj që vetëm fitonte në teatrin e Ballkanit. Për herë të parë do të rrethohej, e për herë të parë, do të thyhej në Lumë. Së dyti do të turpërohej në Shkodër. Në Lumë mbrohej edhe Shkodra edhe Vlora. Qamil Hoxha në veprën e tij (10) përcjell kujtimet e Shaqir Agës nga Petkaj, i çili në moshën 94 vjeç më 1977 tregonte se duke qenë xhandar në Shkodër, në nëntor 1912, Hasan Riza Pasha dhe Esat Pasha e kishin nisur me dy besnikë të tij me një letër për Islam Spahinë dhe Isuf Xhelilin. Ai e sjell letrën në destinacion dhe tregonte se pas asaj letre filloi lufta në qafë të Kolesjanit. Pas Luftës së Lumës, Serbia nuk i kaloi më forcat e saj për Shkodër nga drejtimi VL i Shqipërisë. I pati sjellë nga Selaniku me anije në Shëngjin 15 mijë trupa, duke e çuar në 30 mijë numrin e forcave serbe në rrethimin e Shkodrës.( Ajo la aty 10 mijë të vrarë e të plagosur)
Në arenën e veprimeve luftarake të Lumës do të bashkëvepronin edhe forca të krahinës së Reçit e të Dardhës së Dibrës, nën drejtimin e Elez Isufit, që ishin mobilizuar ato dite në regjimentin e Dibrës. Pas informimit të tyre për hyrjen e trupave serbe në Lumë, qenë kthyer nga rruga për në Shkodër.(11) Një batalion arriti dhe mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës, kurse pjesa tjetër e ndarë, arriti në qafë të Kolesjanit pasi kishte filluar lufta.
Por forcat e qëndresës në Lumë kishin edhe pikën e dobët të tyre: një armatim të pakët e të vjetëruar ,në “gjashtë vetë a kishte njeni pushkë a jo, luftonin me kosa, sakica etj”….prisnin të vritej një serb e t’i merrnin pushkën” (12).
Sipas dokumenteve osmane, lumjanët brenda 24 orëve të para të luftës u zunë serbëve rreth 1000 pushkë. Forcat dibrane sollën në qafë të Kolesjanit edhe dy topa e 17 gjyle, që ua kishin zënë forcave osmane në tërheqje, fakt që e konfirmojnë edhe arkivat serbe.(13)
1-Për numrin e efektivit të ushtarëve serbë që kanë vepruar e luftuar në Lumë në nëntor 1912 janë shprehur mendime të ndryshme dhe kontradiktore. Disa studiues, duke dashur të “argumentojnë” numrin e 12 mijë serbëve të vrarë ( disa thonë edhe 18 mijë), kanë llogaritur dhe vendosur apriori shifrën 16000 për ushtarët serbë që kishin arritur në Bicaj në mes të nëntorit 1912. (14) Shifra prej 16 000 ushtarësh, në fakt është sasia e dy grupimeve që krijoi armata e tretë serbe, nga forca të divizionit “Drina II” dhe ‘Shumadija I”, të cilët rrugës për të dalë në Adriatik, kaluan në krahun në të dy krahët e Drinit të Bardhë. Këto grupime nuk kanë zhvilluar betejë e luftime si ato te dates 15 –17 dhe 18 nëntor në Lumë, përjashtuar ndonje ndeshje të vogël. Ata nxitonin për të dalë në Adriatik, për të kapur sa më shpejt Lezhën dhe Durrësin, sipas urdhërit urgjent të kryeministrit serb.
Konsulli austro-hungarez, Prochaska, më 13 nëntor shkruante nga Prizreni për Vjenën: ”Thuhet se Ushtria serbe këtu do të shkojë në Shëngjin. Ushtarët, duhet të jetë fjala per ushtarët osmanë të Xhavit Pashës, që u tërhoqën nga Gjakova më 4 nëntor pa luftuar .shënim im) të cilët më 5 të këtij muaji ishin nisur për në Lumë, me 7 të këtij muaji u kthyen nga Dibra e madhe. Më 8 filloi të shkrijë bora dhe ushtarët u nisën përsëri. Deri tani kanë shkuar 12 batalione dhe pak kavaleri. Deri dje, kur ata hynë në Bicaj, nuk hasën në kundërshtim. Malësorët katolikë u dorëzuan me këshillën e Preng Bib Dodës. Serbët fituan sepse nuk kishte kush t’i kundërshtonte”.(15)
Kjo nuk do të thotë se 12 batalionet kishin hyrë në Bicaj. Këto batalione kanë filluar të dalin nga Prizreni që nga data 9 nëntor. Ata janë nisur ne dy drejtime, njëri për Mirditë ( që kaloi ne krahun e djathtë të Drinit të Bardhë dhe te Ura e Vezirit e që përbehej nga 6 batalione( B. Ratkoviç), dhe pjesa tjetër për në Lumë. Kur Prochaska shkruan “ nuk hasën në kundërshtim” e ka fjalën për të dy drejtimet, si atë te Lumës dhe për grupimin e Adriatikut . Ushtarët e të dy drejtimeve ishin të Divizionit “ Shumadija I”,të bazuar në Prizren.Në Gjakovë ishte bazuar Divizioni “ Drina II”.
Nga këto 12, 6 batalione të tjerë duhet të kenë bërë pjesë në “ Grupimin e Lumës”, ndryshe çfarë shkruan historiografia jugosllave për 3 batalione: një batalion në vijë të parë, në Bicaj, një tjeter në krahun e djathtë të përroit të Shejes dhe një i tretë pa e kaluar lumin Luma. (16) (Këta kanë qenë batalioni 2, 3 dhe i 4 të regjimentit 10 ,dhe plus tre batalione të tjerë që historiografia jugosllave, sipas Prochaskës dhe nesh, i ka fshehur).
Mendojmë se të gjashtë batalionet janë vendosur në territorin e Lumës. Pra një regjiment e gjysëm, si grupim i veçantë ( “grupimi i Lumes”), në tri ditë kohë, në një gjatësi prej 35 km. Kemi të drejtë të themi se lufta dhe fitorja mbi to ishin betejë dhe jo thjesht një ose disa luftime. Dhe betejat e marrin emrin nga vendi ku zhvillohen, prandaj ajo me të drejtë përgjithësisht është quajtur “Beteja e Lumës”. (17)
Në disa botime është quajtur “luftë”,po në fakt me kuptimin betejë, siç edhe përdoret në historiografinë shqiptare ky term. Ndërsa termi “ Beteja e Drinit”, përdorur nga Shaban Braha ,etj, shpreh një zgjerim, ashtu si “ termi “ Beteja e Kolesjanit”, shpreh një zvoglim. ( Sami Ferizaj(18)Dr. Vangjel Kasapi,Hazis Bulica etj)
Në Kolesjan dhe në dy krahët anash tij filloi sulmi i befasishëm i lumjaneve, por beteja u zhvillua ne gjithë territorin nga Kolesjani në Bicaj, Kulla e Lumës, Zhur, Curr etj.( shih telegramin e konsullit Prochaska )
Kjo do të thotë se skema e historiografisë serbe duhet rivlerësuar dhe studiuar sipas të dhënave të reja që jep arkivi austro-hungarez dhe konsulli Prochaska duke ndërtuar një skemë tjetër, duke mbajtur parasysh numrin e 6 batalioneve, terrenin, kohën dhe intensitetin e veprimeve luftarake. Dhe konkretisht :
Në Bicaj duhet të jenë vendosur dy batalione këmbësore ( njëri që ka sulmuar drejt qafës së Kolesjanit dhe tjetri që ka mbrojtur shpinën e tij.)
Në krahun e djathtë të përroit të Shejes një batalion tjetër, që ka mbuluar sulmet nga krahu perëndimor i Gjallicës.
Një batalion i katërt mund të ketë kaluar lumin Luma dhe të jetë futur në luftim në fazën e dytë të Betejës në Rrafshin e Lumës nga Zborri i Nangëve në Bugajë, deri në Kullën e Lumës. ( Bëhen kështu nga qafa e Kolesjanit ne Kullë të Lumës 4 batalione sërbe)
Dy batalione të tjerë mund të jenë mbajtur për kontrollin dhe sigurimin e rrugës Prizren-Kulla e Lumës ( Përbreg) dhe mbrojtjen e tërheqjes. Prochaska shënon se kjo luftë e ashpër është zhvilluar edhe në Zhur e Curr afër Prizrenit.
Kjo skemë mund të ketë edhe variante të tjera.
Kështu informacioni që i ka dhënë Ahmet Zogu Aqif Pashë Elbasanit e ky kryesisë së Qeverisë së Vlorës, se në Lumë “ kanë vramë afro gjashtë batalione sërbe”, flet për 6 batalione që janë përfshirë në këtë luftë ( pavarësisht nga shkalla e pjesmarrjes dhe e humbjes përkatëse të secilit: repartet serbe nga qafa e Kolesjanit në Bicaj e deri në Kullë të Lumës duhet të kenë pasur humbjet më të rënda). Sipas Prochaskës :“ të mëdha “ e të përgjakëshme”. Sipas Ahmet Zogut : “ vrarë afro 6 batalione ushtarë”. (19)
Këtyre të dhënave u vjen ndihmë edhe një informacion i nënkonsullit britanik nga Shkupi, i cili në shkurt 1913 shkruan se në Lumë Serbia ka humbur 8 batalione.( kjo përfshin edhe fazën e tretë pas nëntorit 1912.) (20)
Për të përfunduar: Forcat sërbe pjesmarrëse kanë pasur 6 batalione ( 6500 veta) me gjithë artleri, ndërlidhje e logjistikë. Pra, nuk kanë qenë 18000, e as 16000, siç kanë shkruar disa studiues pa pasur mbështetje dokumetare dhe pa bërë analiza historiko-ushtarake. Po del se nuk kanë qenë as tre 3 batalione forcë pjesmarrëse dhe as 198 të vrarë ( apo disa qindra ),siç ka fshehur historiografia jugosllave.
Datën e fillimit të Betejës me 15 nëntor e jep edhe konsulli austro-hungarez Oskar Prochaska, në raportin e tij dërguar Vjenës, ato ditë ( 27 nëntor). Sipas tij forcat serbe kishin hyrë në Bicaj me 12 nëntor pa hasur në kundërshtim. ( nga raporti i datës 13 nëntor). Por me 15 nëntor, “lumjanët kishin ngritur krye papritur e pakujtuar “ ( raport i datës 27 nëntor ), gjë që vërteton tërheqjen mjeshtërore në kurth të reparteve serbe nga lumjanët dhe goditjen e tyre në befasi..”Lufta, vijon konsulli, u bë tek Kulla e Shën Gjonit (për Gjomç në Bicaj, shënim im), Kulla e Lumës dhe në Zhur e Curr afër Prizrenit”.Rënia në kurth, goditja ne befasi, terreni dhe moti shumë i keq e bënë të mundur ( dhe të besueshme) humbjen e rëndë të forcave sërbe.
Në Lumë në nëntor 1912,u ballafaquan koncepte e praktika të ndryshme, madje të kundërta të të luftuarit. Forcat shqiptare të Lumës, ndonëse nuk kishin epërsinë e duhur të raporteve klasike :3:1, por vetem 1.5 me 1, organizuan e zhvilluan si tip luftimi sulmin bazuar në elemente ku ishin superiore si inisiativa, mashtrimi, befasia e goditjes dhe sidomos shfrytëzimi mjeshtëror i terrenit, duke e ndjellë e futur armikun në një kazan të thellë midis lartësive të Gjalliçës, Pikëllimës e Kolesjanit nga lindja dhe jugu dhe lumenjve të Drinit të Zi dhe të Drinit të Bardhë nga perëndimi e veriu, në një terren “të prerë” nga lumi i Lumës dhe përroi i tmerrshem i Shejes. Zor të gjendet terren më i përshtatshëm për sulm dhe më i veshtirë për mbrojtje në atë situatë luftarake të të dy palëve. Plus këtyre edhe errësira e natës së 15 dhe 16 nëntorit dhe moti i keq.Prandaj forcat shqiptare, lumjane dhe dibrane, ia dolën të realizojnë një goditje të fuqishme që e dëmtoi rëndë armikun.
2- Të vrarët e forcave ushtarake serbe. Edhe për këtë tregues të luftimeve në Lumë ka pasur e ka një interes të veçantë. Në fakt duhet pranuar se numri i humbjeve serbe është vështirë të nxirret me saktësi. Siç është e njohur botërisht, komandat serbe i fshihnin të dhënat e humbjeve në front dhe nuk i lejonin korrespondentët e huaj të shtypit aty, sa për të ruajtur imazhin e gënjeshtërt që përhapte sikur ushtria e saj “ çlirimtare” po pritej krahapur kudo, ashtu edhe për të mënjanuar reagimin e familjeve të ushtarëve dhe të oficerëve të vrarë. Po edhe sot Serbia nuk i ka hapur arkivat e saj ushtarake për studjuesit shqiptarë, në përpjekje për të fshehur të vërtetat e masakrave të saj mbi shqiptarët e pambrojtur, po edhe humbjet e saj të rënda.
Historiografia ushtarake serbe mezi ka pranuar si humbje në Lumë vetëm disa qindra ushtarë e oficerë të vrarë, kur vetëm njëri nga ushtarët e batalionit të tretë që luftoi në Biçaj, Novakoviç, ka shkruar se mbetën disa qindra. Sidoqoftë, sipas historianëve ushtarakë serbë në Lumë janë vrarë vetëm 198 ushtarë dhe plagosur 31 të tjerë ! Këto të dhëna,që sipas tyre janë nxjerrë nga arkivat e reparteve që vepruan në Lumë, janë të pabesueshme. Mjafton të themi se ata vetë kanë pohuar se regjimenti i 10 që luftoi në Bicaj të Lumës (b3 dhe b4 me 15 dhe 16 nëndor) kishte pësuar “humbje të mëdha”, madje kishte humbur edhe arkivin e tij. (21)
Në një telegram të administratës ushtarake osmane të datës 20 nëntor 1912, të dërguar nga Ohri në Elbasan thuhet se në luftë të rreptë, gjatë 24 orëve ( është fillimi i betejës S.O) s[erbët në Lumë janë vrarë e shkatërruar keq,s e janë në tërheqje, se u ishin vrarë 3 oficerë dhe “ushtarë pa numër”. Ky numër, mund të konkretizohet po të kemi parasysh se po në këtë telegram, një rresht më lart, thuhet se “ afro një mijë mauzere serbi janë pushtue”, që sigurisht kanë qenë të ushtarëve që janë vrarë, pra afro njëmijë. Dhe telegrami vazhdon më tej “ Lufta tashti po vazhdon në Bicaj edhe shpresohet sigurisht që gjer mbrëma t’i pushtohen anmikut topa,mitraloza dhe shumë armë”(22).
Pra deri me datë 16 nëntor një humbje prej 1000 vetësh e bën më të besueshme të kenë qenë në Bicaj deri në Kolesjan dy batalione. Mund të besohet se ky ritëm humbjesh shumë i lartë( 50 %) të ketë vijuar edhe me datë 16-17 nëntor dhe 17-18 nëntor, Pra i bie të kenë humbur rreth 2000 e më shumë ushtare serbë dhe gjysma e tyre,( diçka më pak a më shumë) të kenë dalë gjallë e të plagosur. Kjo mund ta konkretizojë përfundimin e Novakoviçit ( serb, që ka marrë pjesë në ketë betejë ) që thotë “disa qindra të vrarë ”, “ humbje të mëdha “, dhe “ humbje e plotë”.(23)
Këto i përforcon telegrami i dërguar Vjenës më 27 nëntor 1912 nga konsulli Prochaska , i cili shkruante nga Prizreni për “ një luftë të ashpër e të përgjakshme, që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thrrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.” Konsulli austrohungarez sjell edhe një fakt tjetër: shkallën ekstreme të urrejtjes ndaj lumjanëve, që flet në mënyrën e vet për shkallën e humbjeve, në Lumë. Ai i raporton Vjenës :” Në vizitën që kleri katolik bëri tek gjenerali serb ( është fjala për komandantin e Armatës së tretë ,Bozhidar Jankoviç. Shenim im),me 21 të këtij muaji (3 ditë pasi kish marrë fund beteja ( shënim im), ai deklaroi se sa u përket lumjanëve, ai ka marrë urdhër që “ fisi Lumës do të shfaroset krejt, me gra e fëmijë”. Tanimë dihet se forcat sërbe bënë krime të llahtarshme më 1912 – 1913 për të zbatuar këtë urdhër famëkeq. Në tetor 1913 masakruan më shumë se 1800 veta në Topojan,Përbreg, Brekijë, Kalis, Palush, Lojme etj.
Në këtë sasi të vrarësh nga gjashtë apo tetë batalione vepruese ne Lumë, mund dhe duhen llogaritur edhe të vrarët e reparteve të tjera të forcave serbe paramilitare që u futën në Lumë para datës 13 nëntor, të ashtuquajtur “vullnetarë”, të përberë nga banditë që kishin për detyrë të hapnin rrugën për trupat e rregullta. Kryeredaktori i gazetës së armatës së tretë sërbe,Jasha Tomiç, në librin e tij “Lufta në Shqipëri dhe rreth Shkodrës”,botuar më 1913 në Novi Sad , informon për veprimin e këtyre forcave në Lumë, me një efektiv nga 70 deri ne 200 veta,njerën prej te cilave e komandonte ish ministri i mbrojtjes së Malit te Zi,Gatallo. Veç numrit të paidentifikuar të këtyre çetave, që vepronin barbarisht, në Kosovë, kishte edhe 7 regjimete me efektiva të thirrjes së tretë, gjoja për të siguruar qetësi në prapavija.
Janë padyshim më shumë se njëmijë ushtarë dhe oficerë serbë të vrarë, dhe po te mëndojmë se për 24 orët e para ishin vrarë njëmije, duhet të jenë vrarë edhe aq ,ne mos më shumë gjatë tërheqjes së shpartalluar nga Bicaj te Kulla e Lumës ( ku kishin humbur gjithe karrot dhe kuajt e mushkat) dhe goditjes së fortë nga ana e forcave shqiptare të dislokuara në Përbreg.
Por edhe disa qindra të vrarë, që pranon historiografia ushtarake sërbe për trupat e veta në Lumë, janë një disfatë, e një katastrofë, që bëhet edhe më evidente po të krahasohet me humbjet e sërbeve gjatë Luftës së parë Ballkanike, kur në betejën e Kumanovës ( 23 -24 tetor 1912), ku morën pjesë 168 mije trupa (111000 serbë dhe 58000 osmanë) mbetën të vrarë nga të dy palët 1887 vetë ( 687 sërbë dhe 1200 turq) .
Ndërsa numri prej 12 mijë, 15 mijë apo 18 mijë ushtarësh sërbe të vrarë në Lumë në nëntor 1912, që jepet në disa botime shqiptare (24), madje edhe në pllakën e lapidarit që i kushtohet kësaj lufte, është i zmadhuar dhe jo real .(25) Me të drejtë prof. Shefqet Hoxha e ka quajtur “ nje shifër folklorike”(26). Kjo bëhet edhe më e kuptueshme po të kemi parasysh se gjithë humbjet e ushtrisë sërbe në Luftën e parë ballkanike janë llogaritur në 22 mijë të vrarë.
Sërbia pati në Lumë edhe nje katastrofë morale .”Shqiptaret e “egër”,ushtarët tanë të zënë robër i çarmatosin dhe i lëshojnë, kurse ushtria jonë “ e kulturuar” e shkullit të XX po i vret fëmijet e tyre “ shkruante në shtypin e kohës social-demokrati serb, Dimitrije Tuçoviç(27). Historiani Shaban Braha informon për “lirimin e dorëzimin e 720 robërve të kapur në luftën Lumës(28). Ky është një tregues tjetër i fitores morale të shqiptarëve kundër sërbëve më 1912.
Ndërkohë janë bërë përpjekje për të evidentuar dëshmorët e palës shqiptare në Betejën e Lumës. Është dhënë shifra e 200 të rënëve, (nga të cilët 109 prej tyre janë identifikuar me emër dhe mbiemër me fshatin nga është dhe vendin ku ka rënë.(29)
Me 18 nëntor merr fund Beteja e Lumes, me fitoren e forcave shqiptare të Lumës dhe të Dibrës. “Grupimi serb i Lumës” shpartallohet, një pjesë e mirë e tij asgjësohet. Pas saj komanda e armatës së tretë serbe hedh kundër Lumës forca të freskëta e të shumta (nga 19 nëntori me 6 dhjetor 1912), dhe e merr vetë në dorë drejtimin e operacionit luftarak. Historiografia serbe ka pohuar se për këtë armatë ishte hapur në Lumë një front i ri lufte. Kundër Lumës angazhohen të gjitha forcat e divizionit “ Shumadija I “ që kishin mbetur në Prizren, Regjimenti 11k dhe ai i 12k i përforcuar me 2 batalione të tjera, (njeri prej të cilëve, b2 i R 10 k) dhe b1,b2 dhe b3 te R19k.
Edhe vetë historiografia serbe ka pranuar botërisht se këto forca të dislokuara në Prizren në nëntor, janë përdorur aktivisht në fazën e tretë kundër Lumës. Këto përbënin organikisht rreth 13 mijë veta dhe po t’u shtohet edhe efektivi prej 1000 i forcave mbështetëse, dhe 6500 veta të efektivit që luftoi në Lumë nga 13 deri me 18 nëntor, del se gjatë nëntorit deri me 6 dhjetor 1912 luftuan në Lumë kundër popullit të paarmatosur 20500 ushtarë dhe oficerë serbë. Po t’u mblidhen këtyre edhe efektivat e çetave të ashtuquajtura “vullnetare” e komitë që hynë në Lumë në fazën e parë, menjëherë pas 30 tetorit, do të thotë se Serbia dërgoi në Lumë gjatë gjithë muajit nëntor për çdo shtëpi 7-8 ushtarë dhe oficerë.
Kapaciteti dhe detyra e Lumës ishte, siç edhe ia doli me sukses, të përballonte sulmin e forcave serbe në fazën e parë dhe të dytë. Faza e tretë e luftimeve ishte forcë dhe kapacitet operativo-strategjik, jashtë çdo mundësie krahinore. E megjithatë, ndonëse përballë forcash 5-6 herë më të mëdha në numër, shqiptarët e Lumës nuk i dorëzuan armët para divizionit dhe armatës sërbe, ata bënë në Bardhoc e kudo, gjatë një tërheqjeje shkallë-shkallë, një qëndresë të fortë, si në rrafshin e Lumës dhe kundër dy kolonave serbe, njëra nga Opoja në Topojan e tjetra nga Surroji në Ujmisht. Siç dihet, ushtria serbe bëri masakra duke gjuajtur, djegur e rrafshuar fshatrat me top, ndërkohë që moti i ftohtë (borë e madhe dhe temperatura deri minus 15 gradë nën zero (30),kërcënonte fëmijtë e vegjël, gratë dhe të moshuarit. Në fund të fundit edhe lumjanët ishin njerëz, kanë shkruar, pa e fshehur simpatinë, kronistët e kohës.
Studimi i arkivave serbe ( që edhe sot mbahen të mbyllura, ne veçanti për shqiptarët) do te sillte të dhëna edhe më konkrete e të hollësishme për këtë betejë të famshme, të cilën e ka ruajtur aq fort kujtesa popullore dhe folklori i krahinës(31) dhe e ka përmendur në krijimtarinë e tij artistike dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare. (32)
Me këto humbje të mëdha morale dhe fizike ( “the moral then physical disintegracion,” e përcakton termin “ betejë” John Keegan,historian i madh ushtarak britanik në ; “The face of Battle.”1976) kjo “ luftë e ashpër “ ( Prochaska), në Lumë më 15-18 nëntor 1912 është një betejë e vërtetë, e fundit në Shqipëri kundër ushtrisë sërbe në atë vit, dhe beteja e fundit që Luma ka zhvilluar ndërkohë. Pikërisht se ka qenë e tillë populli e ka përjetuar emocionalisht, e ka përjetësuar në këngë dhe në lapidare( një në Qafe të Kolesjanit dhe një në qytetin e Kukësit).
Përfundimisht, Beteja dhe gjithë lufta e Lumës në nëntor-dhjetor 1912, zë një vend të merituar në Historinë Ushtarake të Shqipërisë të periudhës së Pavarësisë,(33) Ajo është dëshmi e faktit se shqiptarët luftonin të frymëzuar nga ndjenja kombëtare dhe Pavarësia që ato ditë po shpallej në Vlorë më 28 nëntor 1912. Luma, frika prej saj, i ndaloi një javë forcat e armatës III sërbe në rajonin e Prizrenit për tu riorganizuar, duke i dhënë kohë Ismail bej Vlorës, per të mbërritur në Durrës para se të mbërrinin aty repartet e ushtrisë sërbe ( Vlorën e kishin bllokuar luftanijet greke). Kjo betejë, fama e saj, shkuan larg deri në Londër, duke e siguruar Lumën njëherë e përgjithmonë brenda kufirit të shtetit të ri shqiptar.
TIRANE, shkurt 2014
REFERENCA :
1-Macario Giani Baj: “Balkani 1912-1913 . Studio politico e militare col concorso degli stati magiori Jugosllavo e Bulgaro). “ La Prova”,Milano 1937.f.128
2- Rankin, Reginald,Lt.Çolonel.The iner history of the Balkan Ëar.Neë York.1914.f553.
3- Macario, Giani Baj, veper e çituar,f.121.
4-“ Shqiperia në dokumentet Austro-hungareze. (1912) vellimi VI ( nentor –dhjetor)” Tiranë 2012.Botim i Instituti i Historise,f 340 ISBN 978-9928-141-04-0.
5-Braha, Shaban:” Beteja e Drinit kundër agresionit sërb”Prizren.2000 “ Kosova”f.62
6-Hoxha,Shefqet:”Lufta e Lumes kunder pushtuesit sërb,9 nëntor-6 dhjetor 1912¨Kumtesë e mbajtur në sesionin perkujtimor me rastion e 100 vjetorit, organizuar nga Bashkia e Kukësit. )
7- Historia e Popullit shqiptar.vellimi II.Instituti Historise,Tirane,2002,f507.ISBN99927-623-1.
8-Ratkoviç,Borisllav “ Prvi Balkanski Rat 1912-1913”.v. i dyte. Beograd 1975,f.262.
9- Konsulli Prochaska në telegramin e tij të datës 13 nëntor shkruan se “ më 21 tetor …”4000 lumjanë dhe vullnetare të këtushëm, së bashku me të paktën 1000 burra, u nisën që këtu ( nga Prizreni për në Çërnalevë S.0 )Pra jane 3000 lumjane, nje force krahinore e organizuar ushtarakisht dhe e lëvizshme që lufton edhe jashtë krahinës së saj.
10-Hoxha, Qamil: “Jeta dhe vepra ime””Geer”,Tiranë,2008.f.381.
11-Nosi. Lef :Dokumenta historike për t’i shërbye historiës tonë kombëtare.1912-1918. Botim II.Instituti i Historise.Tirane,2007.f .26 ,ISBN:978-99956-10-04-3. ( Ne nje telegram derguar me 19 nentor 1912 nga Dibra Valiut dhe komandantit osman ne Elbasan :”Vullnetarët që do të plotësojshin fuqiën e regjimentit të formuem në Dibër, u ndanë, edhe pasi u ktheyn prapë në vendt, ndën komandën e të parit tyne , Elez Jusufit, u turrën drejt Lumës.Atje po luftojnë sot e po u bëjnë ball sërbëve….”
12-Hoxha, Shefqet : Luma ne luftrat per liri. “Geer”. Tiranë, 2002,f 202-203.ISBN:9927-767-9-X
13-Ratkoviç, Borisllav : vepër e çituar,f.262
14-Mataj, Qemal :Veper e çituar.f.12 / 2-Braha, Shaban : vepër e çituar
15-Shqipëria në dokumentet austro-hungareze ( 1912)vëllimi VI ( nentor-dhjetor).
Botimet “ Toena”Tiranë ,2012.f.340 ISBN :978-9928-141-04-0.
16- Ratkoviç Borisllav, veper e çituar,f. 261-262
17-Hoxha,Shefqet. Në Fjalorin Enciklopedik shqiptar. Akademia Shkencave. Tiranë, 2008, f228
18-Ferizaj Sami, Kumtese e botuar ne “Elez Isufi, Kreshenik i Dibres”M.Murra,T.1996 etj f.28
19-Nosi, Lef .Dokumente historike.1912-1918.Tiranë.2007. Instituti i Historise.f138.
ISBN978-99956-10-04-3.( botuar per here te parë me 1924)
20-Albania and Kosovo.Political and ethnic boundaries 1867-1946.Doçuments.Archive editions limited.1999 British Library. F.347 .ISBN 185207910X.
21- Ratkoviç,Borisllav, veper e çituar, f.261-265.
22-Nosi, Lef.Dokumente historike 1912-1918.Instituti I Historise.Tiranë,2007.f.29.
ISBN 978-99956-10-04-3.
23-Novakoviç Kosta :Neper Shqipëri.Revista Dy Drinat.Biçaj,Kukës Nr 1.1998.f.31-35
24-Kolgjini, Tahir .Luma dhe luftat e saj.Botuar ne “ Shenjzat” nr 3-4. 1969.f.16:
”Simbas opinionit të Lumës sasia e ushtrisë s’asgjësuesme sërbe ka qenë 16 mijë.b)simbas të dhanave të historisë ushtarake sërbe,që e kanë njoftue disa, kjo sasi mbrrin në 18 mijë.ç)Z. Esat Bilali në fletoren “ Shqiptari i Lirë” shënon se kjo asht 12.000.d)simbas mendimit tonë duhet të ketë qenë një division nga ushtria e zgjedhun. Sidoqë të jetë duhet të hetohet prej atyne që kanë mundësi”. Këto i risjell, (edhe me disa autore te tjere shtese) Dr. V. Kasapi ne “Luma, monument i natyres..f.76.)
Në pllakën e Lapidarit kushtuar Betejës së Lumës në qytetin e Kukesit shkruhet :”Nga qafa e Kolesjanit deri te Kulla e Lumës në vitin 1912, populli i Lumës, i Hasit, i Reçit dhe i Dardhës, me një heroizën të paparë, vranë brenda 36 orëve rreth 12 000 shovinistë sërbë që kishin okupuar këtë krahinë”
25-Hoxha, Shefqet.Luma ne Luftrat per liri . “Geer”. Tirane,2002.f 176.ISBN:99927-767-9-X.
26-Tucoviç Dimitrije. Zgjedhje punimesh.II Rilindja. Prishtine 1981,f.154-155.
27-Braha Shaban. Beteja e Drinit kunder agresionit serb.Prizren,2000.f.115
28- Hoxha Shefqet. Zëri ne FESH. Akademia e Shkencave RSH Tirane 2008,v1.f 229:“ Nga qafa e Kolesjanit e deri në portat e Prizrenit u vrane mbi 200 lumjane.”
29- DurakuIzet .Kumtesë e mbajtur në sesionin jubilar me 2012 organizuar nga Bashkia e Kukësit.
30-L-t-kolonel Brevete Bouçabeille,La guerre Turço-Balcanique 1912-1913. Paris 1914.f.126
-Macario, Giani Baj, vepër e cituar f. 180.Te dy keta autore e japin kete temperature per terrenin nga kaluan kolonat e ushtrise serbe neper Mirdite dhe Puke.
31-Kenga e luftes se Lumes qe liftoi kunder serpit, botuar ne “ Visare te Kombit nr 4.1939.
32-Ismail Kadare : Krushqit janë të ngrirë.
33-Pasi nuk ishte përmendur në asnjë botim zyrtar të mëparshëm,më 2002 botimi akademik i “ Historise se popullit shqiptar” shënonte me parë shtypjen se qëndresen e 2000 lumjanëve kundër forçave sërbe në nëntor 1912, pa thënë asnjë tjetër fjalë për një betejë të zhvilluar e të fituar prej tyre. Por e vërteta zhytet e nuk mbytet, thotë populli.
Më 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Instituti i Historisë botoi veprën dokumentare në 6 vëllime “ Shqipëria në dokumentet Austro-hungareze.(1912)” përgatitur dhe redaktuar nga akademik i asocuar, Maranglen Verli dhe dr. Ledia Dushku. Në këtë vëllim janë përfshirë dy informacione ( telegrame) që konsulli i Perandorisë Austro-hungareze, Oskar Prochaska i dërgonte Vjenës ato ditë nëntori 1912 dhe që flasin qartë për luftë, madje “ luftë të ashpër”, e të përgjakshme” dhe “ për humbje të mëdha të sërbëve,” që i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.
Po kush ishte ky konsulli Oskar Prochaska. Diplomat i Perandorisë Austro-hungareze Prochaska ishte konsull me rezidencë në Prizren. Me origjinë ishte çek, kishte lindur më 12 korrik 1876 në Brno, qendër e Moravisë, qyteti i dytë në Çeki, pas Pragës. Lufta e Parë ballkanike e zuri Prochaskën aty ku shërbente, në Prizren dhe ai i dënoi,siç e meritonin ,masakrat e trupave pushtuese serbe mbi popullsinë shqiptare. Për këtë arsye serbet e arrestuan diplomatin trim, Oskar Prochaskën “ për nxitje të popullsisë shqiptare për qëndresë “(Siç i shkruante Vjenës ambasadori austro-ungarez ne Beograd, Ugron, serbet i gjetën rojës së konsullit Prochaska një letër private të këtij të fundit, në të çilën ai përshkruante fill e për pe barabarizmat serbe.) Ky incident i rëndë çoi në një krizë diplomatike mes Perandorisë Austro-hungareze dhe Mbretërisë së Sërbisë. Emri dhe bëmat e konsullit Prochaska u morën në mbrojtje nga shtypi austro-hungarez dhe u bënë të njohura e popullore anekënd perandorisë shumkombëshe. Prochaska u lirua nga burgu serb në janar 1913. Ai e vazhdoi karrierën diplomatike si konsull i Perandorisë në Rio-De Zhaneiro të Brazilit.
Po emri i konsullit Prochaska, për informacionet e tij tanimë historike dhe publike në Shqipëri meriton te vlerësohet, të ketë, përshembull, një zë në Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe të përmendet në botimin akademik të “ Historisë së popullit shqiptar”, Mendoj se Oskar Prochaska meriton ta ketë fotografinë e tij ne Muzetë tona, në Kukës e Prizren, po edhe në Muzeun Historik Kombëtar. Madje ai meriton te shpallet, qytetar nderi i qarkut të Kukësit dhe i komunës së Prizrenit. Figura e tij në përkrahje të popullit shqiptar në një moment të vështirë të historisë së tij kombëtare është shembulli i një diplomati për çdo kohë, është nder për vendin e tij, Çekinë. Dhe mesiguri Oskar Proçhaska do të nderohet sa herë të flitet e të përkujtohet beteja e Lumës dhe lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve serbë me 1912.
BURIME:
1-Historia e Popullit shqiptar, vëllimi i II,botim i vitit 2002, faqe 507
2- “Dokumente Historike”, botuar në vitin 1924 nga Lef Nosi .faqe 163-164
Ribotim më 2007 nga Instituiti I Historise së Akademise se shkencave te RSH.
3-Shqipëria në dokumentet austro-hungareze. (1912) vëllimi VI ( nëntor –
dhjetor).Tiranë 2012.Qendra e studimeve albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë
4-Fjalori Enciklopedik shqiptar. Akademia e shkencave te RSH, Tirane, 2008
5-“ Ismail Qemali”. Permbledhje dokumentesh, Tiranë 1982 , dokumenti nr 224.
6-Shefqet Hoxha “ Luma ne lufterat per liri”,f,17
dhe Beteja e Lumës .. në “ Shpalimet e vitit 2007”,Tiranë, 2008.
7-Shaban Braha “ Beteja e Drinit kunder agresionit serb”.” Kosova” 2000.
8- Isa Halilaj:” Shtigjeve te kohes “. Geer 2010
9-Esat Bilali “ Shkrime historike”” Koha” Tiranë ,2001,fq.20
10- Idriz Basha i Novoseit. “ Esat Pashë Toptani.1912-1920”Bruksel 1982
11-Qemal Mataj : Ramadan Zaskoci. 1979
12-Nazif Dokle :Kukesi ne enciklopedi.”Koha” Tiranë,1999.
13-Tahir Kolgjini: Luma dhe luftat e saj “ Shenjzat”, me pseudonimin Lok Lumthi.
14- Ismail Qemali : Kujtime. Botimet Toena, 2009.
15- Visaret e Kombit, vellimi IV,Tiranë, 1939,Kenga e luftes se Lumës kundër serbit
16- Albanian and Kosovo:political and ethnic boundaries, 1867-1946”
Londër,f.313-314.
17- Ltcolonel Reginald Rankin .The inner history of the Balcan Ëar
18- Giani Baj Macario Ballkani 1912-1913. “ La prova” Milano 1937.
.19- Lt.colonel brevete Baucabeille. “ La guerre turco-balcanique 1913-1914”
Paris 1914,fq 126. ( Biblioteka e Shkodres )
20-Ferik Abdurrahman Nazif, Mirliv Kirametin :’ Iskodra Mudafasi”Instambul,1933.
21- Dimitrije Tcoviç “ Zgjedhje punimesh”v.2-te.viti 1981,faqe 154-155
botim i “ Rilindjes”, Prishtinë
22- Borisllav Ratkoviç : “ Prvi balkanskih rat 1912-1913”, ( Operaçije srpske vojske) v.II, , Beograd 1975.
23-Internet: history of Serbi.
24-Jasha Tomiç : Rat u Albaniji i oko Skadra, 1912-1913 godine
Botim i vitit 1913, Novi Sad.
25-Borisllav Ratkoviç,Mitar Burishiç, Savo Skoko:
“ Srbija i Crna Gora u Ballkanskim patovima 1912-1913”.Beograd.1972
26- Enciklopedija jugosllave, botim i pare,viti 1984,fq.669-670
27- Vojna Enciklopedija, Beograd 1973-1975
28- John Keegan “ A history of Ëarfare.USA 1994.
29- John Keegan : The face of battle” 1976
30- Richard C. Hall “ :” The Balkan Wars 1912-1913, Prelud to the first Ëorld Ëar
London and Nev York. 2000
31-Egidio Ivetiç. Lufterat ballkanike.” Dituria”,v.2008.
Fund